Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

REVOLTË APO POPULIZËM?

Një fantazmë e re po sillet rrotull në Europë dhe gjetiu në botën Perëndimore: populizmi. Pas fitores së Trump-it në ShBA, e cila iu faturua me të madhe “populizmit” të këtij kandidati, tani i erdhi radha humbjes së Renzi-t në referendumin e tanishëm në Itali që t’i faturohet edhe ajo propagandës dhe premtimeve “populiste” të partive anti-establishment, që nga M5S te Lega Nord. Në të dy rastet, populizmi është konsideruar si shkak dhe nxitje artificiale për reagimin e zgjedhësve kundër elitave, dhe veçanërisht kundër elitave financiare ndërkombëtare, të cilat ndjekin axhenda pa ndonjë lidhje me shqetësimet poshtë.

I paraqitur dhe i gjykuar kështu, duket sikur populizmi është fatal për demokracinë; pa çka se, të paktën në rastin italian, vështirë të thuash se referendumi nuk ishte “demokratik”, përkundrazi; ose të paktën si proces dhe pjesëmarrje ishte më “demokratik” se përmbajtja e tij, ose natyra e ndryshimeve kushtetuese të propozuara. Madje tani po lexoj një editorial të Ezio Mauro-s në La Repubblica ku akuzohet vetë Renzi për “populizëm”, meqë fushata e tij pro-referendare kish elemente të antiparlamentarizmit dhe nxitjes së instinkteve anti-politike, të dukshme në përpjekjet për thjeshtim absolut të politikës, reduktim të ligjërimit politik në një zgjedhje mes PO-së dhe JO-së dhe në shpërfilljen e dallimeve midis së majtës dhe së djathtës.

Për të gjitha këto mund të diskutohet dhe me siguri do të diskutohet; por çfarë ia vlen të vihet menjëherë në pah, është se populizmi nuk mund të përdoret si gjethe fiku, për të maskuar indiferencën e elitave të sotme ndaj atyre zgjedhësve që i kanë votuar në pushtet.

Sa i përket Europës, ndoshta është pikërisht kjo indiferencë e bashkëlidhur me vullnetin për të ecur me hapin e togës, ose të Brukselit, që po i ndihmon partitë e djathta, ndonjëherë edhe fare margjinale, që të fitojnë më shumë vota se ç’mund t’u mbajë kurrizi, sa kohë që propozimet e tyre janë më me këmbë në tokë se ato të establishment-it.

Pas fitores së Trump-it, ndoshta edhe Renzi duhej ta kish parë më mirë se zgjedhësit e tij nuk po perceptonin askurrfarë avantazhi politik, ekonomik dhe qytetar, nga besnikëria e deritashme italiane ndaj Bashkimit Europian dhe përkatësia në Euro; të cilat për Italinë janë përkthyer, këto 15 vjetët e fundit, si papunësi, ikje e trurit, shkatërrim i indit të bashkëjetesës civile dhe kriza të njëpasnjëshme refugjatësh, të shkaktuara nga luftëra për Italinë në thelb krejt të kota (si ajo e Sirisë), madje kundërprodhuese (si ajo e Libisë); pa folur për dëmet ekonomike që i kanë shkaktuar Italisë sanksionet, gjithnjë të imponuara, kundër Rusisë.

Prandaj kjo që po ndodh do të jetë më shumë një përpjekje për t’u kujtuar elitave se me votën e kujt qëndrojnë në fuqi (natyrisht jo të Merkelit & Co.), sesa një efekt anësor i “populizmit.”

4 Komente

  1. Mendoj ndryshe qe elitat nuk kane nevoje per mesime se e dine mire vendin e tyre , ato jane per te drejtuar mire a keq e populli pasi te jete fryre me genjeshtra e premtime te shkoje te votoj per kaken o per merden. Keshtu u ndane rolet qe pas Greqise se lashte.

  2. Kur elitat nuk japin zgjidhje duhet te hapin krahun, se nuk e kane rolin me tapi nga Zoti. Vetem Papa ka Vatikanin me tapi nga Zoti, biles ne mos gaboj edhe Papen e hoqen njehere nga Vatikani dhe e cuan ne Avinjon te Frances.
    Zgjidhjet qe bejne elitat jane gjithnje te tipit, u rrisim taksat atyre poshte, derisa te kaloje kriza. Mirepo ndonjehere kriza zgjat me shume sesa u mban kurrizi atyre poshte, keshtu qe elitat gjenden pa zgjidhje.
    Kjo eshte origjina e populizmit, elitat pavaresisht taksave te renduara e gjendjes se perkeqesuar, nuk zgjidhin dot problemet. Atehere populli vepron ose nqs vjen nje agresor, ne mos e mirepret, nuk i reziston.

    Interesant ( te pakten per mua) ka qene zgjerimi i shpejte i kalifatit arab ne kurriz te dy perandorive shekullore por edhe te shkelqyera ne ate periudhe, romako-bizantine dhe perso-sasanide.
    Ne nje ane ishin tribu nomade arabe, nga ana tjeter dy perandori me dhjetera milione banore secila. Per 20 vjet, tribute arabe njeren perandori, bizantinen, e pergjysmuan, ndersa tjetren, sasaniden, e gelltiten te gjithen.

    Per krahasim, hunet e tmerrshem, nuk arriten dot te merrnin asnje kilometer katror nga Roma e Bizanti, pavaresisht se plackiten gjithe Europen, cep me cep.

    Ne fakt, ketu ishte edhe ndryshimi, arabet shkuan per te pushtuar dhe ulen taksat, ndersa hunet donin vetem placke. Arabet gjeten nje territor qe sapo kishte dale nga nje lufte e gjate bizantino-sasanide (602-628), popullsia kishte mbi kurriz taksa te renda per nje kohe shume te gjate, keshtu qe nuk beri ndonje rezistence te madhe.

    Pra, çeshtja eshte se populli nuk e perballon dot zgjatjen e gjendjes se jashtezakonshme te taksimit. Elitat kane kohe , se kane besueshmeri ende tek shumica, mirepo kur nuk ka zgjidhje, normal qe vjen populizmi.

    Populizmi eshte reagim qe nder te tjera, propozon taksim te ndryshem, shkurtime te disa shpenzimeve qe elitat e vjetra s’duan t’i bejne se humbasin vete, etj, me pak fjale behet fjale per rishperndarjen e barres fiskale. Ne Shqiperi, ka dale Blushi me kete flamur, meqe ra llafi.

    Nuk eshte se populizmi s’ka ide,thjesht tregon me gisht kategori te tjera, ku duhet te bjere faji dhe barra fiskale.

    Ka dicka nga ana psikologjike. Kur ka krize, gjithe populli ne fillim pranon rritjen e taksave apo uljen e mireqenies, qe vjen nga papunesia, pra pranon qe barren e krizes ta paguaje, si i thone shtrengo rripin ca kohe.
    Pranimi qe te paguaje koston ne njefare menyre eshte pranim qe fajin e gjendjes e ka populli keshtu qe do paguaje pasojat ( ne kohen e pare, Zoti sillte fatkeqesi se populli kishte bere mekat).

    Mirepo, nqs kriza eshte afatgjate, atehere fillohen e kerkohen ”shkaktare” te tjere te krizes, me konceptin e vjeter ne njefare menyre populli e pagoi per mekatin e kryer, mirepo fatkeqesia vazhdon, pra Zoti e ka me dike tjeter. Ky dikush tjeter mund te jene elita te caktuara, minoranca te caktuara, me pak fjale dikush tjeter , nje pakice eshte fajtore.
    Atehere, me te hedhur tutje ndjenjen e fajit, vishet manteli i atij qe do te vere drejtesine ne vend, pra shumica reagon.

    Ka pasur rasten e historine bizantine, kur vete Perandori godiste shtresa te caktuara aristokratike per te mundesuar reforma per daljen nga kriza. Po ashtu edhe ne historine kineze e persiane.

    Pra, populizmi nuk eshte fenomen me nje kah, ku tribunet e plebejve romake dalin kunder senatoreve patrice, Ka raste kur nje pjese e elites e shfrytezon, Cezari apo perandore bizantine, pikerisht per te mundesuar daljen nga nje krize afatgjate , zgjidhja e se ciles nuk vjen dot nga taksimi i shumices, pasi po te ishte e mundur do te kish ardhur.

    1. Mor po kur thoni “vetem Papa e ka me tapi”, as ky Pape nuk e ka tapine. Ka nje Pape Emeritus prapa qe eshte ende gjalle. As Vatikani nuk eshte imun ndaj ‘populizmes’. Papa Francesku ka shkaktuar nje revulsion te madh ne masat konservatore katolike me qarkoren Amoris Laetitia. Edhe ky, me sa duket, ka rrezik te shkoje pas ‘elitave’ laike.

  3. Cdo gje ka kohen e vet! Populizmi eshte porta e hapjes per grushte me te rende, qe pasojne me pas!
    Interesant krahasimi i hyllit me perandorite dhe populizmin, por … vetem interesant per mua! Periudhat mund te kene elemente te ngjashem, por jane ku e ku larg me njera-tjetren!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin