Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Mjekësi

NERVAT NË SHQIPEN E SOTME

Kam shkruar tashmë për përhapjen çuditërisht të madhe, në shqipen bisedore, të fjalës nerv – huazim në zanafillë libror dhe relativisht të ri, e që megjithatë tashmë ka zënë vend në leksikun elementar të gjuhës.

Përdorimin e zgjeruar i kësaj fjale, sidomos në shumës, nerva, për të shënjuar mendjen[1] veçanërisht në rrethana kur kjo nuk funksionon mirë ndoshta e shpjegon tabuja që ka shoqëruar dhe vazhdon të shoqërojë patologjitë psikike.

Kështu, shqipja do të parapëlqejë shprehjet vuan nga nervat, ose është sëmurë nga nervat ndaj shprehjes ka probleme mendore; sepse nervat kanë natyrë më materiale e më trupore se mendja; dhe ashtu sëmundjet mendore do të grupohen me sëmundje të tjera, që prekin organe dhe sisteme të tjera të trupit.

Por ky eufemizëm nuk lidhet drejtpërdrejt me përdorimin e fjalës nerva për të shënjuar shkallën e kontrollit a të disiplinës mendore të dikujt, sidomos në momentet kur ky kontroll dështon ose rrezikohet të dështojë.

Në shprehje si nuk kam nerva ta duroj (dikë), që shpesh reduktohen në nuk kam nerva, termi ka të bëjë me aftësitë për të përballuar me sukses stimuj negativë nga mjedisi.

Prandaj, dikush me nerva të forta arrin të durojë më mirë se ai tjetri, që i ka nervat të dobëta dhe, sipas rastit, shpërthen ose tërhiqet ose jep ndonjë reaksion tjetër, pa e përballuar dot tensionin e një situate të pakëndshme.

Në këto përdorime, nervat dalin si një lloj virtyti i karakterit, i ngjashëm me vetëpërmbajtjen, rezistencën ose aftësitë për të duruar a përballuar, me qetësi, një të keqe ose, të paktën, një diçka që nuk na pëlqen. Ashtu nervat do të ishin edhe faktori disiplinues i marrëdhënieve tona me të tjerët, i fytyrës që tregojmë në publik; ose edhe i kujdesit për t’ia mbajtur ego-n të nënshtruar superegos. Nervat janë pra jo vetëm virtyt në vetvete, por edhe mbrojtje e virtyteve të tjera – si trimëria, guximi, gjakftohtësia, urtësia, maturia – nga impulset egoiste, frika, dhe emocione të tjera asociale.

Me metonimi, reaksioni që jep dikush përballë një sfide ndaj këtyre nervave është që të inatoset, të zemërohet a të nxehet – ku zemërimi paralajmëron gatishmërinë për ta zgjidhur një situatë kritike nëpërmjet një veprimi të dhunshëm: një fjale të ashpër, një fyerjeje (passage à l’acte).

Shqipja këtu thotë: m’u ngritën nervat, më hipën nervat, ose në ndërtime kauzative: ia ngriti nervat, mos më hip nervat kot. Edhe në këto ndërtime, nervat vazhdon të shënjojë në mënyrë neutrale virtytin e kontrollit mendor; ndërsa zemërimin e jep metafora e kalimit nga POSHTË LART, ose e ngritjes (hipjes, etj.).

Nëse, përkundrazi, nervat i përfytyrojmë si një lloj energjie mendore, atëherë ngritja e nervave do të ishte kalim i kësaj energjie nga një nivel në një tjetër më të lartë, ose të paktën më afër pragut të “shkarkimit.”

Në këtë kontekst, dikujt që i janë ngritur nervat mund edhe t’i ulen ose t’i bien, duke u zhvendosur kështu nga LART POSHTË; çfarë konfirmon një lloj gjeometrie të energjisë mendore/emocionale, ku inati është LART ndërsa qetësia POSHTË; dhe procesi i të zemëruarit paraqitet si një lloj ngjitjeje.[2]

Metonimia, ose kalimi i fjalës nerva nga kuptimi “kontroll a disiplinë e mendjes” në “zemërim, inat” arrihet pastaj në shprehje të tilla si jam gjithë nerva, ishte me nerva, pse kaq me nerva ti? le ta zgjidhim këtë punë pa nerva, ka nerva (dikush) e ndonjë tjetër.[3]

Të vihet re se edhe këtu nervat sërish shënjojnë kontrollin ndaj një emocioni negativ ose shtyse për të reaguar dhunshëm; por tashmë ky kontroll rrezikon të mos funksionojë mirë, sepse personi në fjalë po lë të kuptohet se është zemëruar.

Kjo lidhet pastaj edhe me dallimin e hollë midis dikujt që është nervoz dhe dikujt tjetër që është nevrik[4]; sepse nervozi arrin ta ruajë kontrollin, edhe pse me vështirësi të mëdha, ndërsa nevriku jo. Nga ana tjetër, nervozit jo gjithnjë i janë ngritur nervat, edhe pse nervat mundet ndonjëherë ta tradhtojnë. Në këtë rast të fundit, nervat shënjojnë nervozizmin, ose pamundësinë për të ruajtur qetësinë e jashtme, në rrethana stresi ose “presioni”. Nëse nervoz është neurotiku, nevrik priret të jetë psikopati.

Po çfarë ndodh kur dikujt i ngrihen nervat përtej një caku të përballueshëm? Kjo varet nga statusi dhe karakteri: njëri mund të shpërthejë në sharje, një tjetër mund të godasë me grusht ose me dosje, një i tretë mund t’i komunikojë vartësit pushimin nga puna ose, anasjelltas, mund t’i thotë boss-it të vet se çfarë ka menduar për të prej kohësh; një i katërt mund të nisë të shkatërrojë mobilje dhe orendi gjithfarësh, ose t’i bjerë murit me me kokë.

Thuhet në këtë rast se personin e lëshuan (e lanë) nervat. Përkundrazi, shprehjen krizë nervash shqipja sikurse shumë gjuhë të tjera europiane e ka rezervuar tradicionalisht për femrat[5] – meqë për burrat thuhet në raste të atilla se iku nga fiqiri (nga meseleja).

Në kulturat mesdhetare por jo vetëm, krizat e nervave jo vetëm u bien rregullisht femrave, por edhe shfaqen me një repertor simptomash pak a shumë standard: viktima e krizës bën gjeste të ekzagjeruara, shtrihet përdhe, godet kokën me duar, shkul flokët, përjeton palpitacione, bërtet ose mbyll sytë, humb ndjenjat etj. Në popull këtë lloj sjelljeje mund ta dëgjosh të quhet edhe krizë histerike.[6]

Duket sikur, në këto modele folklorike të sjelljes gjinore, burri të cilin e lëshojnë nervat priret të ushtrojë dhunë ndaj të tjerëve; ndërsa gruaja dhunën kërkon ta ushtrojë ndaj vetes.

Nga ana tjetër, e shkurtër është distanca kuptimore midis dikujt që pëson krizë nervash (ose nervore) dhe dikujt tjetër që vuan nga nervat; sepse çfarë është ai që vuan nga nervat, përveçse dikush që jo vetëm nuk arrin dot të ruajë kontrollin ndaj vetes në situata stresi, por edhe reagon ndaj këtyre situatave duke e humbur kontrollin, pra nëpërmjet një krize nervash?

Një lidhje e tillë, që njihet edhe në kultura të tjera, do të shpjegojë pastaj edhe pse sëmundjet mendore që nuk e prekin intelektin, të tilla si neurozat ose depresioni,[7] janë konsideruar – tradicionalisht – si sëmundje të femrave, grave dhe vajzave; të cilat janë gjykuar si vetvetiu me nerva të dobëta; dhe për të njëjtën arsye, të njëjtat nerva të dobëta te një djalë a një burrë ose shihen si shenja feminiliteti të papranueshëm (ose të së qenit gay), ose i faturohen një ezaurimenti nervor (ose, siç thuhet sot, një lodhjeje). Sipas kësaj dinamike të diktuar nga fakti që në shoqëritë tradicionale burrat janë seksi në kontroll, ndërsa gratë janë seksi i kontrolluar, prej të parëve pritet të jenë, në rastin më të keq, psikopatë, ndërsa prej të dytave të jenë neurotike; ose, për ta thënë më thjesht, burrat do të ishin nevrikë, ndërsa gratë nervoze.

 


[1] Nuk do të merrem, përkundrazi, me kuptime të tjera të fjalës nerv, të tilla si kuptimi thjesht anatomik, ose kuptimi “forcë e brendshme shprehëse, fuqi”, si në thënien nerv poetik, që i përkasin ligjërimit libror. Në përgjithësi, për trajtimin leksikografik të fjalës nerv, së bashku me kritikën përkatëse, e referoj lexuesin te shkrimin i lartcituar, i janarit 2016.

[2] Te grupi i fjalëve nxehem, nxeh, i nxehur i njëjti kalim shprehet sërish me “ngjitje”, por tashmë metaforikisht, në shkallën e temperaturës. Të krahasohen këto me ndizem, marr (zjarr) kot, etj.

[3] Brenda këtij kuptimi, të vërehet një paralelizëm me ndërtime të ngjashme, ku në vend të nerva del fjala xhinde: e kapën xhindet (dikë), i kërcyen xhindet, i hipën xhindet, i zbritën xhindet, i ranë xhindet, është me xhinde. Duke qenë xhind-i figurë mitologjike, shprehjet me këtë fjalë që shënjojnë dukuri psikologjike bazohen mbi një “teori” të ndryshme të funksionimit të mendjes. Zëvendësimi i xhinde me nerva ka ruajtur strukturën frazeologjike, por e ka ndryshuar me rrënjë teorinë. Të krahasohen këtu edhe shprehje të ngjashme, si i hipën (i kërcyen) kacabunjtë, i ikën (i ranë) kacabunjtë; ku sërish zemërimi jepet me kryemetaforën e “ngjitjes.”

[4] Kjo e dyta, pas gjase, huazim nga greqishtja e re νευρικός, me kuptimin “nervoz, anksioz, i irritueshëm”. Këtyre kuptimeve u përgjigjet edhe italishtja nervoso, nga ka ardhur shqipja nervoz; çka do të thotë se nevrik ka pësuar, në shqipe, një zhvillim kuptimor specifik, për t’u dalluar nga nervoz.

[5] Kujtoj titullin e një filmi të njohur të Almodóvar-it, Mujeres al borde de un ataque de nervios, që mund ta përkthenim si “Gra në prag të një krize nervash.”

[6] Fjalën histeri Fjalori i Shqipes së Sotme e përkufizon si “sëmundje nervore që shfaqet me turbullime të gjendjes shpirtërore e mendore dhe shoqërohet me të qeshura të shfrenuara, me lot, etj.” Referimi ndaj gruas është më se implicit. Edhe te mbiemri histerik, shembulli që sillet për të ilustruar përdorimin është grua histerike. Përkundrazi, psikiatria moderne e përkufizon histerinë si një çrregullim psikologjik që karakterizohet nga konversioni i stresit psikologjik në simptoma fizike (somatizim), amnezi selektive, emocione të cekëta dhe të paqëndrueshme dhe sjellje tejet dramatike ose që kërkon të tërheqë vëmendjen; por pastaj duke specifikuar se termi tashmë është braktisur, si jo-shkencor.

[7] Ndryshe, p.sh. nga skizofrenia ose psikozat në përgjithësi.

6 Komente

  1. Sa interesant dallimi mes nervozit(neurotikut) dhe nervikut(psikopatit)!

    Yuri Lotman(tek Culture and Explosion) ben nje dallim te ngjashem mes budallait dhe te cmendurit duke thene se i cmenduri eshte me i paparashikueshem se budallai. Budallai behet lolo i oborrit ku te gjithe e dine dhe presin ta luaje rolin sic duhet, ndersa i cmenduri eshte po aq i paparashikueshem sa Nero qe dogji Romen.

    A ka ndonje dallim sa i perket paparashikueshmerise se veprimit mes nervozit dhe nevrikut?

  2. Nuk e di nëse këtë pjesë e keni pjesë të ndonjë studimi – e tillë duket – por doja të vëreja një keqkuptim tuajin, siç e shoh unë, në vizatimin e “nervit” në përdorimin popullor të termit. Më shumë sesa një lëvizje planimetrike, dydimensionale të tipit “lart-poshtë’, (paçka se shembujt e shumtë të sjellë e justifikojnë lëvizjen e llojit të zhivës së termometrit, me nxehjen që shpie në “ngritjen e nervave” dhe ftohjen që shpie në “uljen e nervave”,) në psikologjinë popullore kam përshtypjen se ky proces perceptohet në një tjetër kuadër, atë tredimensional apo stereometrik, ku bëhet fjalë më shumë për mbushje (apo më mirë tejmbushje) dhe, si pasojë, zbrazje – e kontrolluar apo e pakontrolluar qoftë ajo. Edhe pse e përmendni diku, duket se ju ka shkarë vëmendjes përdorimi i gjerë në gjuhën e folur i “shkarkimit të nervave”. Shprehja “i shkarkoi nervat”, tepër letrare për përdorim popullor, ka një analoge më të përhapur në gjuhën e folur, që është “i zbrazi nervat”, shpesh e shoqëruar me një objekt mbi të cilin kryhet veprimi. Ky ngjyrim të shpie në një kuptim tjetër nga ajo e lëvizjes lart-poshtë, në atë se “nervat” konsiderohen më tepër si një burim që fryhet dhe ka nevojë të zbrazet. Më shumë sesa një zhivë në termometër, “nervat” shihen si një masë e rrjedhshme që, për një arsye apo një pengesë apo çfarëdo tjetër, “fryhen” dhe më pas “zbrazen”. Edhe “hipja” apo “ngjitja” dhe pastaj “zbritja” a “rënia” lidhen më tepër me nivelin e ujërave në këtë prizëm dhe pasqyrojnë një tejmbushje të rrezikshme dhe rrjedhimet e kësaj gjendjeje, sesa me një lëvizje në kahet e vertikales. Kjo të paktën në gjuhën shqipe, vendi i së cilës është i mbushur me lumenj. Si reflektohet ky proces në gjuhë të tjera të botës, për këtë s’e kam idenë.

    1. Këto dy interpretime nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, vetëm se imi është i drejtpërdrejtë (folje si ngre, hipi ose ul, bie kanë patjetër një përbërës kuptimor të lëvizjes vertikale) ndërsa juaji sjell me vete një supozim – në anglishte këtë lloj ngatërrese logjike e quajnë “begging the question.” Shembulli juaj, “i zbrazi nervat” nuk më rezulton i konsoliduar – por do të lutesha megjithatë të më sillnit ndonjë shembull se ku e keni dëgjuar ose më mirë akoma, ku e keni parë, sepse për mua kjo shprehje është praktikisht e panjohur, ose të paktën e çuditshme. Unë njoh shprehje të ngjashme: “nxjerr inatin” ose “nxjerr dufin”, sikurse edhe “ia zbrazi të gjitha” por kjo nuk ka lidhje me temën e këtushme të përdorimit të fjalës nerva. Gjithashtu e kam të qartë se kur një enë mbushet me lëng, niveli i lëngut në enë ngjitet; ose, për ta thënë me terma më abstraktë, mbushja sjell edhe një zhvendosje vertikale; vetëm se brisku i Occam-it nuk më lejon që ta marr këtë parasysh seriozisht, sa kohë që interpretimi im i lëvizjes vertikale pavarësisht se KU ose Si, do të mjaftonte. Përndryshe, siç e kam shënuar edhe në esenë më lart, unë besoj se shprehje të tilla si “i hipën nervat” etj. janë versione moderne të shprehjeve më të vjetra si “i hipën (i kërcyen) xhindet”; ka ndodhur një lloj kontaminimi, i cili pastaj i ka mbijetuar tërheqjes nga përdorimi i fjalës xhinde. Kjo dukuri zëvendësimi ndeshet edhe në shprehje të tjera të ngjashme – p.sh. po më luan fiqiri në po më luan mendja, etj.

      1. Ndërhyrja ime ishte personale, jo dokumentare, dhe në këtë pikë do ta kisha të zorshme të sillja një jetë përvojë me historira e njerëz të lloj-llojshëm si argument “Zbraz nervat (mbi/ tek/ në)” përdoret rëndom në krahinën e Toskërisë. Në është përdorur ndonjëherë në letra, këtë s’di ta them. Dhe, në është përdorim i ri a modifikim i një shprehjeje të vjetër së cilës i kanë humbur pjesë nga qarkullimi, siç aludoni ju, as këtë s’di ta them. E kuptoj që shpjegimi juaj vizatimor është i mjaftueshëm në vetvete, thjesht po ju prezantoja dinamikën, pas mendjes sime, që qëndron mbas një shpërfaqjeje të tillë shprehimore. Narrativa juaj mund të pranohet si përshkrim, por çalon si shpjegim. Në shprehjet sinonimike “i hipën nervat/ xhindet/ kacabunjtë” do ta kisha ca të vështirë ta bëja lidhjen me xhindet, por shpjegimi që ju paraqita për nervat mund të përdorej fare mirë për të kuptuar edhe origjinën e shprehjes me kacabunj. Buburrecët sulen drejt sipërfaqes – të shtëpisë apo të arave qofshin – në rastet e rralla (ndaj vështirë të identifikueshme) të tërmeteve të forta, ose në situatat e shpeshta dhe të zakonshme për shumë njerëz të mbytjeve/ përmbytjeve. E njëjta dinamikë që vë në lëvizje shprehjen “ngre/ ul nervat”, qëndron edhe pas shprehjes “i hipin/ i bien kacabunjtë”, me ndryshimin se në rastin e parë është e drejtpërdrejtë, në të dytin e induktuar. Ndoshta ju kërkoni shpjegime dokumentare, por mua shpesh më mjaftojnë vrojtimi i ngeshëm dhe arsyeja e shëndoshë apo common sense-i.

  3. Meqe nervi, nervat, kane nje histori me te re ne shqipe, nuk eshte per t’u perjashtuar (qe perveçse moren atributet e xhindeve), kane ardhur ose kane terhequr me vete disa koncepte mjaft te vjetra, te pasakta e te pa ndriçuara mire te vete shkences nga antikiteti e deri ne shek. XVII. Ishte nje kohe kur te gjitha gjendjet shpirterore, madje vete shendeti mendor shihej si levizje humoresh, lengjesh ne trup (te gjakut, tembthit, shpretkes etj). Kur hipte a zbriste sasia e nje lengu te caktuar ne organe te veçanta, kjo shkaktonte ndryshimin e gjendjes shpirterore, ne menyre te menjehereshme, perkoheshme a afatgjate.Pra shkaktojne nje lloj lisharse nervash, qe hipin e zbresin.

    Edhe ajo puna e kacabujve nuk me duket fare e shkeputur nga konteksti evropian dhe te shprehurit figurativ te gjuheve te tjera. Cafard (avoir le cafard), eshte ne origjine te shume shprehjeve qe pershkruajne pak a shume gjendjen e dikujt qe ne shqip i themi se i kane hipur kacabujte, qe eshte i acaruar, qe nuk eshte ne qejf, qe bluan me veten (broyer du noir), qe nuk do te shohe njeri me sy, i deprimuar.

    Duket pak si shume e larget nje lidhje e tille, por kush ka lexuar Bleten shqiptare te Mitkos, ka verejtur me siguri se sa shprehje frazeologjike e madje anekdoda qe qarkullonin neper Evrope, gelojne e rrefehen mbremjeve te gjata te dimrit edhe midis maleve shqiptare te asaj kohe, fundi shek. 19-te.

    1. Siç e përmenda shkarazi në ndërhyrjet më sipër, nuk ka ndonjë provë se “nervat” kanë zëvendësuar “xhindet” apo diçka tjetër në konstruktin “hipin / bien nervat”; është një hipotezë që ka nevojë të vërtetohet. Ndërsa shprehja frëngjisht që keni sjellë, “avoir le cafard” është krejt jashtë konteksti. Vërtet ka një ngjashmëri në lëndën e përdorur për ndërtimin e shprehjes me shqipen “hipin / bien kacabunjtë”, por kuptimi në frëngjisht është krejt tjetër nga ai i shprehjes shqip. Meqë s’e njoh frëngjishten, m’u desh konsultë me dy gjuhë të tjera, dhe kuptimi i shprehjes që keni sjellë, “avoir le cafard”, korrespondon me “feeling down the dumps” në anglisht ose me “sentirsi giu di corda” në italisht – kuptime këto, që të treja, fare larg kuptimit të shprehjes shqipe me të cilën e keni krahasuar. Tre gjuhë të ndryshme kanë përdorur lëndë krejt të ndryshme gjuhësore për të dhënë një gjendje të caktuar. Dhe fakti që shqipja dhe frëngjishtja përdorin të njëjtën lëndë për ndërtime shprehimore në rastin në diskutim, nuk i bën konstruktet që rezultojnë nga ky proces ndërtues të njëjta. As të ngjashme së largu, madje.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin