Më kujtohet që kur vizitova Muzeun Marubi në Shkodër, zonja përgjegjëse tek biletaria nuk më lejoi të pajisesha me biletën studentore të muzeut duke qenë se unë nuk e kisha kartën e studentit me vete. Paçka se u përpoqa t’i komunikoj që në Shqipëri karta e studentit nuk ka pothuajse kurrfarë vlere pasi nuk përfillet as nga institucionet shtetërore dhe as nga ato private (si kinematë, teatrot, etj.), nuk protestova dhe pagova çmimin prej 700 lekësh të detyrueshëm për të gjithë vizitorët e tjerë, jo shifrën më të ulët që ishte e rezervuar për studentët. Fundja, rregulli i muzeut ishte i qartë: nëse je i/e pajisur me kartën e studentit do të paguash për biletën studentore, nëse jo do të paguash biletën standarde.
Tek Bunk’Art 2-shi vura re që nuk aplikohej i njëjti rregull. Këtu nuk kishte një biletë studentore. Biletat ishin njëlloj për të gjithë vizitorët (përveç ish të përndjekurve politikë dhe invalidëve që hyrjen e kishin falas).
Bileta standarde është 500 lekë. Bileta me guidë audio, 700 lekë. Biletat për pensionistët mbi 60 vjeç, 200 lekë. Për fëmijët deri 16 vjeç (të shoqëruar), 300 lekë dhe bileta me guidë private, 2500 lekë. Nëse unë do të dëshiroja të pajtoja guidën e muzeut për të mësuar më hollësisht për materialet e ekspozuara aty, do më duhej të paguaja 2500 lekë. Kjo shifër është jashtëzakonisht e lartë dhe e papërballueshme për studentët, pjesa dërrmuese e të cilëve janë të papunë ose nëse janë në punë kryesisht kanë rroga minimale.
1) Një muze i këtillë (megjithë kritikat për mënyrën sesi është konceptuar) është shumë i rëndësishëm dhe është e domosdoshme që të vizitohet nga të rinjtë të cilët, duhet theksuar, gëzojnë shumë pak informacione mbi regjimin (edhe ato të përçudnuara). Në mos falas, të paktën duhet të ketë patjetër ulje çmimi për ta.
2) Nëse karta e studentit është e aprovuar ligjërisht, ajo duhet të jetë aktive në të gjitha institucionet shtetërore të kësaj kategorie. Përndryshe unë nuk e di çfarë emri t’i vendos kësaj ndarjeje; e konsideroj diskriminuese. Studenti vizitor i papunë (ose i punësuar) nuk është i barabartë me vizitorin e diplomuar (ose jo) por aktiv në tregun e punës dhe me rrogë të plotë (mesatare apo të lartë).
Kërkoj nga institucionet përgjegjëse të Bunk’Art 2, të aplikojnë ulje të çmimit për studentët në biletën e hyrjes dhe kërkoj gjithashtu që kjo e fundit të shoqërohet falas me guidën orientuese/shpjeguese.
Keto cmime jane jashtezakonisht te larta edhe per kategorine qe supozohet t’i perballoje ato. Sapo shohin qe keto ekspozita fitojne njefare popullariteti i rrisin cmimet. Kjo tradheton nje menyre banale e thuajse harbute te trajtimit te ketyre muzeve, jo si muze por si mall ne pazar qe sa rritet kerkesa rritet edhe cmimi. Fundja ata qe i menaxhojne kete perceptim duket te kene. Bunkart eshte nje muze vecanerisht popullor mes turisteve qe vizitojne Tiranen dhe kjo ka ndikuar ne rritjen e cmimit. Mirepo edhe nga kendveshtrimi i industrise se turizmit, muzete kudo ne bote nuk shihen si fitimprurese ne vetvete. Fitimin ato e sjellin nepermjet asaj qe e bejne qytetin me terheqes per tu vizituar nepermjet shtimit te vleres qe i japin atij.
Sic shpjegonte dikush ne FB, BunkArt eshte ekspozite dhe jo muze. Nuk e di nga vjen ky cilesim dhe a eshte i vertete por nese do te ishte muze cmimi i biletes e te tilla do te percakoheshin nga vendimi i keshillit te muzeve, dhe meqe BunkArt nuk quhet muze, anashkalon cdo lloj mbikqyrjeje. Them se qellimisht mbahet ky status i pacaktuar mire qe objekti te mos kete detyrimet qe u takojne muzeve, perfshi ketu dhe nje fare niveli estetik e historik. BunkArti eshte nje tjeter pjelle e partneritetit privat publik.