Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

RESTORANT “SALCA”

Le ta shohim sulmin/atentatin me ketchup kundër ministres së Arsimit Nikolla edhe në kontekstin më të gjerë të formës me të cilën ka zgjedhur të qeverisë grupi që ka pushtetin – një formë e studiuar mirë, ku gjesti ka përparësi ndaj aktit dhe mbresa ndaj rezultatit. Ky grup më shumë e performon sesa e ushtron pushtetin: dallim themelor. Dhe ka arsye për këtë – jo vetëm ADN-ja dhe reflekset e trashëguara prej OJQ-je që ende ua dikton qasjet publike dhe private, por edhe paratë që u mungojnë për t’u angazhuar në projekte substanciale dhe ekspertiza e pakët në ekonomi, financë, inxhinieri dhe menaxhim e disa figurave kyçe. Mbetet teatri, daljet obsesive në televizion, prania e ekzagjeruar në mediat sociale, zhurma për çikërrima, pikëçuditëset, pozat e bukura prej elitarësh të rafinuar të kulturës dhe kjo mani për t’ia shërbyer rregullisht publikut informacionin “me patate të skuqura dhe majonezë”, si në festën e lagjes. Vetë kryeministri Rama u pat stërvitur në gjestualitet politik që kur ishte kryebashkiak i Tiranës, me bojatisjen psikadelike të pallateve të kryeqytetit; çfarë në atë kohë u vlerësua si gjetje e tendosur midis artit dhe politikës; dhe mu në ato vite, paralelisht me performancën Rama në kryeqytet, mori hov dhe shtat edhe dukuria “Mjaft” – ose e kësaj OJQ-je që e profesionalizoi protestën nëpërmjet teatrit të rrugës a gjesteve simbolike; të ngjashme me këtë të tanishmin të ketchup-it. Si bëmat e “Mjaft-it” atëherë kundër Nanos dhe pastaj Berishës, ashtu edhe inskenimi prej atyre i gjesteve simbolikisht domethënëse e ndonjëherë edhe simbolikisht të vrazhda në mos të dhunshme nuk është se ndryshojnë shumë nga çfarë bëri Mirela Ruko tani, e armatosur me shishen e salcës; në të dyja rastet ideja është që të dhunohet duke mos dhunuar, ose të shënjohet revolta reale me anë të pantomimës ose e shumta të koreografisë së saj gjithnjë të televizuar për masat, ku madje asnjëherë të mos mungojë elementi “cool”, i humorit, ose më mirë akoma i gallatës. “Mjaft-i” u orvat t’i tregonte atëherë publikut se ishte në gjendje ta rrëzonte pushtetin duke bërë njëkohësisht gallatë; çka do të thotë se argëtimi u pa si pjesë e aksionit politik. Disa madje e kanë çuar këtë qasje në ekstrem, duke e ofruar dhe interpretuar çdo lloj argëtimi, madje sa më vulgar e të sforcuar aq më mirë, si pjesëmarrje në procesin politik; zakonet e vjetra vështirë të hiqen qafe, aq më tepër kur kanë pasur dhe ndoshta kanë akoma sukses. Sidomos në rrethanat kur politika është zëvendësuar me teatrin e politikës, agora-ja publike me sallën e teatrit dhe ushtrimi i pushtetit me performancën – të gjitha këto shndërrime zbavitjen e publikut e japin si efekt anësor, në mos e synojnë drejtpërdrejt. Ky farë spektakli nonstop i politikës performative ose i këtij cirku që e fton publikun “to have fun” teksa angazhohet në karuselin politik të inaugurimeve, lektisjes pas Puccini-t, shkuma party-ve, pompimeve, promovimeve, instalacioneve, inverted zoo-ve, kthimeve në identitet, fenomenologjisë së kullave, kuzhinës ilire, skenografisë së fasadave, pedonaleve, vrapimeve kundër kancerit, palimpsestit si model zhvillimi urban, artikujve për turizmin shqiptar në The Guardian, gjashtë premierave brenda një nate, kitsch-it without borders, ndeshjeve të futbollit të kombëtares, koncerteve pop, rimbjelljes së pemëve, restaurimit të kazermave osmane, super-debateve televizive, smart city-ve, ekspozitave nëntokësore, app-eve, rijetësimeve dialektore, biçikletarizmit, panaireve, uniformave të reja të policëve, leximeve publike e kushedi ç’tjetër akoma shpjegon edhe rolin qendror që duket të ketë marrë Ministria e Kulturës në dinamikat e ekzekutivit të tanishëm, në bashkëpunim të sinkronizuar ngushtë me vizionin artistik të kryeministrit piktor Rama, i cili ende i beson me forcë idesë se jo vetëm mund t’ua ndryshojë jetën dhe mendësinë njerëzve nëpërmjet estetikës, por edhe mund të vazhdojë të qeverisë suksesshëm falë një virtuoziteti performativ. Pa çka se problemet e mëdha infrastrukturore të shtetit ekonomisë dhe veçanërisht ato që shqetësojnë haptazi njerëzit poshtë, ta zëmë punësimi, shëndetësia dhe arsimi, emigracioni, braktisja e fshatit, rendi publik dhe stabiliteti social, ndotja e mjedisit dhe zhbalancimi demografik e kështu me radhë jo vetëm që nuk zgjidhen, por edhe as ndikohen fare nga gjestualiteti, inskenimet dhe teatri i përcjellë nga mediat, qoftë me entuziazëm qoftë me përçmim. Madje edhe atëherë kur pushteti kërkon a duket sikur përnjëmend kërkon te përballet me këto probleme bazë, e bën këtë duke i mëshuar gjestualitetit, simbolikës dhe performativitetit politik; a thua se, në vend që realisht të qeverisë, kjo elitë mjaftohet të dëshmojë e të provojë se e meriton të qeverisë. Duke u gjendur objektivisht në vështirësi për të realizuar programin e vet në këto fusha, për shkak të koniunkturës së keqe por edhe korrupsionit, interesave private dhe krizës kushtetuese të pandërprerë, ekzekutivi i ka përqendruar përpjekjet në luftën për të mbetur në pushtet; dhe pikërisht në kuadër të këtyre përpjekjeve i ofron publikut jo më rezultate, por simbole dhe efekte të këtyre rezultateve; çfarë do të ishte njëlloj sikur në një restorant klientëve t’u shërbehej vetëm salcë. Me përkufizim, kjo e fundit është një lloj lëngu i trashë dhe viskoz që shoqëron ushqimin, për t’i shtuar aromë dhe për ta bërë më tërheqës; ama kur ofrohet jo së bashku me ushqimin, por si surrogato e tij, salsa është ekuivalenti gastronomik i gjestit. Kështu ndoshta merr kuptim të ri edhe fakti që Mirela Ruko zgjodhi pikërisht ketchup-in si armë për atentatin e saj kundër ministres së Arsimit Nikolla.

1 Koment

  1. “Por le ta shohim nga një pikëpamje tjetër sulmin antiperëndimor të një portreti thuajse ikonografik të zonjës Nikolla që sulmohet dhe mbulohet me salcë. Pra, të shohim kokën e femrës bionde me sy të kaltër e të thellë, lëkurën e saj të bardhë e të lëmuar, sulmi ndaj kësaj koke femre, të zbuluar e pa burkë mbi krye, salca mbi të na merr një tjetër kuptim. ”

    Burimi:
    http://www.panorama.com.al/leter-e-hapur-nikolles-e-dashur-lindita-si-do-ndjehesha-nese-do-isha-djali-vellai-apo-burri-yt/

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin