Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

KAUZA TË MËDHA DHE TË VOGLA

Lexova sot, tek TemA, si Bledi Lumani i cilësonte “guerrilas të ekstremit të majtë” grupin ku bën pjesë edhe autorja e atentatit të djeshëm me ketchup kundër ministres së Arsimit Nikolla; madje jo vetëm “guerrilas”, por edhe “kopje në miniaturë të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë.” Ata janë duke ndjekur të njëjtën rrugë dhe përdorin të njëjtat mjete, shkruante autori, por kanë një dallim të madh mes tyre: “Nëse Vetëvendosje përleshet me policët dhe bën akte ekstreme për një kauzë të madhe si ajo e bashkimit kombëtar, këta ‘guerrilsat’ e Shqipërisë përleshen me policinë për një park lojërash…  Nëse Vetëvendosje hedh tymuese dhe gaz lotësjellës në Kuvend nga frika se Kosovës po i shkëputet territori, ‘guerrilsat’ e Shqipërisë hedhin bojë dhe vezë ndaj ministrave dhe kryeministrit, se kanë mbetur pa shkollë disa dhjetra të rinj.”

Nuk di nëse mund të quhen ‘guerrilas’ këta tanët, vetëm e vetëm ngaqë kanë përfshirë elemente të artit performativ në protestat e tyre ose parapëlqejnë ballafaqimin fizik, në shesh, me policinë përkundrejt ballafaqimeve të tjera, më konvencionale; por nuk duhet ngatërruar dhuna simbolike, si ajo e spërkatjes së një autoriteti me salcë ketchup, me dhunën e mirëfilltë; tek e fundit, ajo vajza dje mund edhe ta kish goditur ministren Nikolla (për fat të mirë nuk ndodhi kështu!), me ç’rast do të flisnim për akt mirëfilli të dhunshëm.

Por gjithsesi më habit premisa e autorit se akte të tilla të protestës, le t’i quajmë xhanëm edhe ‘ekstreme’, përligjen kur bëhen për kauza të mëdha, si ajo e Bashkimit Kombëtar; por jo për kauza të vogla, siç i duken atij arsyet e protestës në Shqipëri: mjedisi, e drejta për studime të larta dhe të tjera me natyrë më soft ose sociale. Pa çka se një bashkim kombëtar hipotetik, ku kauza të tilla “të vogla” do të vazhdojnë të shpërfillen si të vogla, nuk do të ishte dot as ai vetë kauzë ‘e madhe’; dhe tek e fundit, ata qytetarë që e duan Bashkimin Kombëtar deri atje sa të rrezikojnë edhe burgun, e bëjnë këtë sepse shpresojnë që shqiptarët, po të bashkohen në një shtet, do të mund t’i zgjidhin më mirë problemet e tyre të përditshme, përfshi këtu edhe ato të mjedisit dhe të së ardhmes së një brezi të tërë dhe të komercializimit të studimeve të larta, ose shndërrimit të universitetit në shërbim me pagesë.

Është qëndrim i gabuar, sepse i pambështetur; që tradhton një iluzion folkloristik dhe pueril, edhe kur nuk tradhton hipokrizi dhe populizëm. Përpjekjet për emancipim social janë të paktën po aq të rëndësishme sa edhe përpjekjet për t’i bashkuar shqiptarët në një shtet; tek e fundit, arsyet e sjella nga të gjithë ata që luftojnë për Bashkimin Kombëtar është se në atë shtet hipotetik të së ardhmes qytetarët shqiptarë do të jetojnë më mirë – çfarë do të thotë edhe se, mes të tjerash, do të kenë mundësi ta mbrojnë më mirë mjedisin e tyre dhe t’u garantojnë brezave të rinj shpresën për nesër.


Për të njëjtën temë, lexoni edhe Me pak salcë përsipër.

2 Komente

  1. Adrian,
    Të gjitha format e atentatit kundër Autoritetit egzistojnë apo mund të bashkëegzistojnë,

    Duke filluar që nga ai i vetëflijimit i llojit Jan Palach si denoncim i pushtimit të vendit nga “i huaji” deri tek ketchup-izimi alla-Mirela i Ministres së Arsimit, si ndëshkim ndaj mospërfilljes apo mosdhënies së të drejtave të studimit nga “tëndi”!

    Në se bëhet fjalë me të vërtetë për gërshetim të protestës qytetare apo studentore me elementë të artit performativ, do të kisha preferuar që Mirela në fjalë të ketchupizonte vetvehten lakuriq përpara publikut në atë sallë, thjesht për të dhënë imazhin në agoni të aspirantëve studentë, të përgjakur nga indiferenca e pushtetit!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin