Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

BËJE LIKE

Ca nga ne nxjerrin një status në Facebook – si rregull një selfie – dhe lumturohen kur ua pëlqen kushëriri i tyre, Igli, nga Casale Monferrato. Një like vërtet, por domethënës. Madje kjo like vlen pastaj për të nisur një dialog produktiv me Iglin dhe familjen e tij, të shoqëruar edhe me shumë selfie të tjera, gjithë sipas frymës dhe misionit të Facebook-ut.

Ka ca të tjerë, pastaj, që nxjerrin edhe ata një status – si rregull edhe ata një selfie – por në vend që t’ua pëlqejë kushëriri i tyre Igli, ose e shumta edhe një shok i tetëvjeçares ose kolegu, ua pëlqen një numër: 3.5K, për shembull, ose 7K. Këta janë njerëz të suksesshëm, me ndjekës të panumërt; barinj a përçorë kopesh madhështore; që ashtu siç marrin likes, marrin edhe vota ose duartrokitje, sot dhe nesër, dhe pará të shumta nesër ose pasnesër; të gjitha jo vetëm të numëruara, por edhe – sidomos – të numërueshme.

E megjithatë… nuk di si e përjetojnë këtë që statusin ua pëlqeu i mistershmi 3.5K, sakaq i krahasueshëm me turmën që brohoret kur çahet rrjeta në stadium. Nuk di çfarë do të thotë ky pëlqim me dy-tri zero, kur ti s’ke as kohë as oreks të shohësh se kush ta ka shprehur drejtpërdrejt simpatinë dhe mbështetjen.

Shto këtu edhe misterin se çfarë mendon dhe i uron vetes delja e kopesë, kur ia shton like-n statusit triumfal dhe konstaton se gjesti i saj prej deleje ishte kaq i papërfillshëm, sa asgjë nuk i ndryshoi numrit të like-ve: 3.5K ishte, dhe 3.5K mbeti.

Kur një qytetar në ShBA i shkruan një letër Obamës, e ka të sigurt që do të marrë përgjigje prej tij, qoftë edhe kortezie. Një farë begenisjeje dhe respekti e lë të kuptohet edhe përndryshe famëkeqja përgjigje formulaike “I’ll be out of the office…” që ta dërgojnë disa me e-mail, madje edhe pa pasur zyrë fare.

Por cili nga ne ka shpresuar ndonjëherë se një like ndaj një statusi popullor mund të shpërblehet njëfarësoj?

E dimë se veç jemi duke ushtruar moralitetin e proverbit bëje të mirën dhe hidhe në det, në rrethanat kur vetë koncepti i “së mirës” lë vend për të diskutuar.

Edhe unë nxjerr herë pas here statuse, pa çka se nuk jam ndonjë Facebook animal dhe as kërkoj të jem; për fat të mirë, jam ende në gjendje të njoh dhe të falënderoj, së paku me mendje, të gjithë ata që kanë marrë mundimin të ma dhurojnë një like, pa ua kërkuar kush.

Po të dua, e gjej kohën e nevojshme për t’ua parë emrat.

Por ai, heroi i 3.5K-ve nuk e ka këtë luks: të kontrollosh lista me mijëra emra është punë ingrate, që nuk të shpërblen; dhe aq më tepër të komunikosh me këta emra, t’i bindësh se “jeni ju pa jam unë.”

Ci vuole un fisico bestiale, tha, që ta mbash kanalin dykalimsh të hapur.

Dikur, në orën e materializmit dialektik në shkollë të mesme, na mësonin ligjin e shndërrimit të sasisë në cilësi: dy vetë në një krevat përftojnë një çift, por gjashtë vetë në një krevat, përveçse tri çifte, përftojnë edhe një orgji, kur nuk përftojnë edhe një shembje krevati.

Facebook-u na prezanton me anën tjetër të medaljes, ose ligjin e kundërt të shndërrimit të cilësisë në sasi: Igli ynë i dashur nga Casale Monferrato humbet si gjilpëra në kashtë, në mizërinë e 3K-ve, njëlloj siç humbet delja rudë në mes të kopesë me dele rudë në kullotë; pa çka se ajo vetë, e humbura, nuk e di këtë.

Njerëz të dashur për të afërmit e tyre, profesionistë të shquar, artistë kompetentë, burra dhe gra që kujdesen seriozisht për higjienën e tyre personale dhe sociale, mjeshtër të pasqyrave dhe të selfie-ve, përfundojnë si përbërës numrash të frikshëm, ose në “statistika”, siç i quante Stalini.

Thonë që Skënderbeu i njihte dhe i thërriste me emër të gjithë ushtarët e gardës (në atë kohë jo të gjithë kanë pasur mbiemra). Por asnjë nga përçorët e Facebook-ut nuk mund t’i njohë me emër like-t që merr; disa madje mësohen të shijojnë dhe të ushqehen me anonimitetin e turmave që i ndjekin, duke i përfytyruar si aktivistë mitingjesh virtuale.

Lexoja, para ca ditësh për një grua të rrallë, që kujdesej me përkushtim për tufën e saj të dhive në një komunë diku në Oregon, kaq shumë ish lidhur me to, sa po t’i jepje të pinte një tas me qumësht të mjelë rishtas, ish në gjendje ta identifikonte me emër dhinë që e kish “prodhuar”.

Nuk e përjashtoj mundësinë që, një ditë, të na shesin – në një bulmetore biologjike zero-kilometroshe – qumësht nga lopë të identifikuara me emër, madje edhe me fotografitë përkatëse (gati-gati, si selfie) të stampuara në etiketën e shishes.

Do të jetë ditë e lumtur për të gjithë ata që do ta arrijnë, përfshi edhe lopët.

Por kjo dukuri e prejardhjes biologjike të kontrolluar nuk ka lidhje me Facebook-un; sepse në Facebook ndodh e kundërta, meqë është lopa (ose dhia) që nuk rresht së njohuri mjelësin e vet me emër dhe fytyrë, teksa ky i fundit pas çdo like-i mësohet të gjejë votën, ulërimën miratuese ose kuletën që do t’ia blejë zërin ose imazhin.

Kur je duke u masturbuar, nuk duartroket dot, thoshte dikur një miku im, para se të përhapej në masë Interneti. Sot mbase po ky mik do të thoshte se, kur je duke duartrokitur, nuk masturbohesh dot. E megjithatë, për botë të tilla si Facebook-u, e shumta që mund të thuash është se kufijtë midis duartrokitjeve dhe masturbimit po vijnë duke e humbur domethënien – në kuptimin që ajo dora e mbledhur grusht me gishtin e madh të ngritur përpjetë, ose “thumbs-up”, mund të lexohet në mënyra të ndryshme, po aq të ndryshme mes tyre sa edhe përdorimet e gishtit dhe të grushtit vetë.

Por nuk po dua t’i përziej metaforat dhe as t’ia prish kujt imazherinë pastorale të grigjës 3.5K që kullot në pllajat e Selfieve të Namuna.

E shumta po ia lejoj vetes ta riformuloj proverbin më lart në bëje qumështin dhe hidhe në det, sepse ashtu metaforizoj edhe kalimin antimarksist të cilësisë në sasi, edhe karakterin në thelb blegtoral të mediave sociale, edhe natyrën ekskrementale të konsensusit anonim, ose shënjimit “miqësor” të territorit virtual.

Këto, gjithë duke pritur bashkë me ju fundin e botës, ose premierën e butonit aq të përfolur e për ca të mirëpritur “thumbs-down”.

3 Komente

  1. Nuk di a ke ndjekur ndonje seri te “Black Mirror”. Nqs jo, do te ta sugjeroja menjehere, dhe sidomos episodin “Nosedive” qe ka shume lidhje me shkrimin tend.

  2. Jo se nuk ja dakord, por sinqerisht ne pergjithesi me duket nje kritik qe – wow! – gjen menyren te masturboj vet veten dhe te perplas duart ne te njejten koh. Po, fjalt jan te verteta, ok, por me duket si kur (me duhet te pordor nje shprehje italiane, dhe kerkoj falje, por jam i sigurt do kuptoni dhe me mire se un) si stia rigirando un pò la frittata.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin