Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

KËNGA JASHTË KORIT

E ndjek me pasion këngën moderne shqiptare. Kohët e fundit jam bërë ithtar i videoklipit shqiptar, si zhanër më vete. Mendoj se kultura jonë e muzikës pop, rap, hip-hop, tallava, dance, etj. ka ç’t’i japë kulturës botërore. Shumica e videoklipeve, që kënaqin pa pushim spektatorin nga ekranet e mediave dhe kompjuterëve, janë spektakulare. I adhuroj dhe tekstet e tyre, poetike, bashkëkohore e kuptimplote.

Mirëpo, para pak kohësh më ra të dëgjoj një videoklip të kantautorit shqiptar, Alban Skënderaj. Titulli i këngës: “Engjëll”. Mendimin tim, natyrisht krejt subjektiv, po e them që në fillim: Nuk më pëlqeu fare, as si videoklip, as si këngë.

Këtu më poshtë po jap arsyet:

Konceptim prapanik. P.sh. e vetmja femër që del në pamje është krejt e veshur. Ndërkohë që videoklipet e shkëlqyera shqiptare tani janë shumë përpara, praktikisht në pararojë të botës moderne. Ato nxjerrin vetëm vajza gjysmë lakuriqe, ose gjysmë të veshura, aq sa po t’ia heqësh zërin televizorit, duket sikur po shfaqet ndonjë reklamë për filmat soft-porn. Nga përvoja botërore janë thithur gjërat më të mira.

Spektatori nuk joshet. P.sh. nuk ka femra tërheqëse, që i kërcejnë me lëvizje erotike rreth këngëtarit, duke përdredhur ëmbël format e plota e duke ia shkelur pak syrin spektatorit libidinoz, që shkon drejt ekstazës, jo prej muzikës natyrisht.

Syri do pjesën e vet. A ka sot videoklip muzikor shqiptar që nuk tregon gjoks bujar, kofshë ndjellëse, buzë të mishta, të pasme elokuente? Janë të paktë. Dhe ky, që po shqyrtojmë, është një prej tyre. Jep vetëm fytyrën dhe duart e femrës në makinë. Për këtë arsye është i mërzitshëm.

Kostumisti duhet pushuar. Veshjet e dy protagonistëve të videoklipit “Engjëll” janë shumë të thjeshta. Bluza të bardha dhe kaq. Ku është fantazia e veshjes? Ku janë zhelet moderne, që të bëjnë aq shumë trendi? Ku janë pantallonat e bluzat, që nuk dallohen mes tyre? Ku janë ngjyrat? Ku janë tylet transparente që kinse mbulojnë? Këto veshje normale, të bëjnë të mos e shohesh videoklipin, por vetëm të dëgjosh këngën. Zhgënjyes.

Skena bajate. Çdo videoklip i sotëm shqiptar, po nuk pati plazh, det, vilë, pishinë, shampanjë, shezlong, mbathje plazhi, lakuriqësi në plan të parë, është kot. Në rastin tonë deti duket shumë pak dhe nga larg. Dobët.

Koreografi e munguar. Videoklip pa një çik kërcim? Pa disa balerina mikluese? Pa minifunde? Pa lëvizje energjike vithesh? Nuk ekzistojnë më. Por ja që na bie të shohim ndonjëherë.

Makinë modeste. Videoklipi i vërtetë, i denjë për këtë emër, ka makina luksoze dhe motorë të fuqishëm. Kjo këtu nuk është e keqe, por duket më shumë si mjet për të shkuar diku se sa makinë për filma. Pastaj, një makinë që nuk i sillen rrotull këngëtarë e balerina, që nuk e lajnë modele të qullura e me bluza ngjitur pas mishi, çfarë makine është?

Ku ka muskuj, ka edhe tatuazhe. Një këngëtar i sotëm modern, që nuk ka tatuazhe e nuk ka muskuj, e që nuk kacafytet në diskotekë, çfarë këngëtari është? E pra, në këtë videoklip na shfaqet një këngëtar pa karakter e aspak modern.

Tekst pa kripë. Ja edhe teksti i këngës “Engjëll” i Alban Skënderaj. Me këmishën në një sup të zbuluar / Beli hollë porsa një rreth në dy duar / dhe me sytë e buzëqeshur si gjithmonë / Gjunjët dalin nëpër xhinset e bardha / Era luan nëpër flokët e arta / Dielli duket sikur veç mbi ty ndriçon. / Dhe sa herë kalon nëpër qytet / Si Kupid në zemër me shigjetë / në mijra njerëz mua me godet. REF: Engjëll ndoshta tani më kupton/Kur të them je një në një milion / Kur të them se vjen njëherë në jetë / Se ti je mrekullia e tetë / Kur të thoja me ty lërmë të vdes / Kur provoja të them mirëmëngjes / Engjëll më beso gjithmonë ke qenë ajo Engjëll… / Zëri jot i përcjell tingujt pranverës / Buza jote shuan etjen e verës / Dora si një fllad i ëmbël ledhaton / Fjalët e tua horizont diturie / Zemra si një oqean çiltërsie / Vetëm dashuri kudo ti rrezaton REF…  Ka nga ata që do ta quanin tekst poetik, por unë do t’i thosha tekst i kohës së qepës. Poezia nuk ka ç’na duhet më.

Vargjet të vënë gjumë. Tekstit i mungon energjia, agresiviteti, moderniteti. Nuk ka fjalë anglisht, nuk ka dy vargje rap, nuk ka ndonjë sharje të pistë, nuk përmban shprehje të forta dialektore. Nuk ka jetë moderne. Pastaj, jo vetëm fjalët merren vesh qartë, por edhe shkruhen poshtë me titra. Përse duhet? Çfarë kërkon të na thotë me këtë zgjedhje? Pastaj, çfarë rëndësie ka teksti në një këngë? Në konkursin “Refreni i artë”, kjo këngë do të mbetej në fund të klasifikimit.

Pa ritëm nuk ka këngë. Një këngë që s’ka ritëm nuk është këngë. Me këtë këngë nuk kërcen dot në disko. As nuk remiksohet dot.

Si kënga e mësipërme ka edhe të tjera në Shqipëri, por për fat janë të pakta, dhe nuk e ndryshojnë dot rrugën e ndritur të muzikës moderne shqiptare.

3 Komente

    1. Ke lidhjen në shkrim që të çon direkt tek kënga. Ose mund ta kërkosh me çdo motor kërkimi. E them pa ironi 🙂

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin