Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

ALTERNATIVA QË MUNGON

Sikur kjo qeveri të kish qenë statujë, do ta kishin rrëzuar tashmë nga piedestali: kështu po më duket atmosfera e tanishme rreth Ramës dhe ekipit të tij, pa harruar edhe automatët e kartonave dhe gojëndyrët në parlament.

I dëgjon të buçasin thirrjet: RAMA IK! Njëlloj si pak vjet më parë, BERISHA IK! Dhe akoma më parë: NANO IK!

Kjo farë politike kinse revolucionare organizohet rreth idesë së rrëzimit. Në fakt, opozitës së Bashës dhe e Berishës prej kohësh nuk i kanë mbetur ide politike të tjera, veç kësaj të “ikjes”.

Pakkush po përpiqet të argumentojë se nuk ka kuptim të kërkosh ikjen, në politikë, pa e pasur një alternativë të paktën në trajtë projekti.

Dhe pavarësisht se M. Nano thotë se kushdo mund të qeverisë sot më mirë se Rama dhe ekipi i tij, unë kam frikë se alternativa e sotme – SHQUPI – mbetet hë për hë e vetmja praktike; dhe ashtu mjafton për të provuar pse thirrja për rrëzime, dritëshkurtër dhe e frymëzuar nga emocioni, jo nga arsyeja, është thirrje për ta lënë sistemin të paprekur.

E kam thënë, së bashku me të tjerë, dhe po e them sërish: pala e sotme në pushtet, si Edi Rama, si aleancë PS & LSI dhe si shumicë në parlament, e ka humbur besueshmërinë te publiku – dhe duke u perceptuar tani si një klikë arrogantësh dhe të papërgjegjshmish, që nuk duan të drejtojnë vendin, por vetëm ta përdorin pushtetin për gjithfarë qëllimesh pa lidhje me mandatin që u është dhënë nga zgjedhësit.

Nuk jam në gjendje të them sa i bazuar është ky perceptim; por veç di të them se duhet të jesh krejtësisht i paaftë, në marrëdhëniet me publikun, që ta humbësh besueshmërinë në një kohë kur përballë ke, si opozitë, figura të djegura si Berisha dhe Basha. Për ta thënë ndryshe: asgjë nuk i bëri më dëm pushtetit të tanishëm, se mungesa e një opozite parimore dhe korrekte në parlament.

Dhe, pavarësisht nga shkaqet e kësaj katastrofe, është momenti që, ky zemërim i përgjithshëm i shoqërisë civile dhe i qytetarëve ndaj qeverisë të fillojë të kanalizohet, duke u shndërruar nga impuls fëminor për të rrëzuar statuja në përpjekje për organizimin e një force të re politike.

Dhe duke parë sa i ndjeshëm është sot qytetari, anembanë Shqipërisë, për çështje të mjedisit, të pastërtisë, të ushqimit dhe të shëndetit, kjo forcë e re politike mund dhe duhet të organizohet në trajtën e një lëvizjeje me bazë ekologjike, ose që i jep përparësi mjedisit dhe mirëqenies së qytetarit.

Kjo lëvizje mund të mishërojë të gjitha ato dëshira, kërkesa dhe aspirata, që sot duket se gjejnë mbështetjen e një mase të madhe qytetarësh – që nga ndalimi i importit të plehrave te nevoja e ngutshme për pastrim të qyteteve dhe të krejt Shqipërisë nga plehrat, nëpërmjet riciklimit; dhe pastaj te ri-orientimi i ekonomisë së vendit ndaj industrisë ushqimore, bujqësisë biologjike dhe turizmit të së gjitha llojeve – duke refuzuar dhe anuluar të gjitha projektet gjigante që rrënojnë gjeografinë dhe peizazhin duke betonuar dhe shpyllëzuar dhe shpronësuar, teksa helmojnë ajrin ujin dhe dheun; dhe duke luftuar pastaj për de-centralizim të mëtejshëm, përfshi këtu edhe de-centralizimin fiskal.

Nëse do të ketë referendum për ligjin e plehrave, kjo lëvizje e re mund ta përdorë referendumin si platformë testimi dhe si amplifikator, gjithë duke mbajtur larg vetes politikën e vjetër, përçuese të logjikës së rrëzimit dhe të revanshit, që me siguri do të përpiqet t’i hipi atij kali, sa kohë që shpreson se ashtu mund të kthehet në pushtet.

Rama, si kryeministër dhe frymëzues i politikave të sotme, së bashku me aleatin e tij Metën, kanë doemos përgjegjësi në dështimet politike të njëpasnjëshme; por edhe këto përgjegjësi të tyre duhen parë jo aq si defekte personalitetesh ose vese, sa si efekte anësore të pashmangshme të një sistemi politik të korruptuar – partitokracisë – i cili rregullisht sjell në krye të punëve njerëz që bëjnë dëme; dhe që pastaj qytetarët duan “t’i rrëzojnë.”

Pa çka se atje i kanë ngjitur vetë, me votën e tyre.

Mediat mercenare mund të vazhdojnë me thirrjet IK, IK, IK, ndoshta nga të njëjtat korda vokale prej nga vinin edhe dje e pardje; përqendrimi te defektet në personalitetin e Ramës dhe të së vetëve mund të sjellë më shumë klikime dhe ho-ho-ho-ra; por mendjet e përgjegjshme, që Shqipërisë i kanë mbetur, duhet të fillojnë të shqetësohen tani jo aq për rrëzimin e këtij apo të atij, sesa për alternativën – ose, për t’iu përgjigjur pyetjes se si erdhën punët që, në një sistem pluralist si ky që kujtojmë se kemi, nuk ka një forcë politike së cilës t’i ketë mbetur besueshmëri e mjaftueshme.

Paradoksalisht, çdo turbullim i mëtejshëm i situatës politike dhe i kaosit mediatik i shërben statu quo-së, ose pseudo-alternativave; çfarë do ta bëjë të pamundur alternativën politike të mirëfilltë, e cila kërkon të paktën muaj për t’u kristalizuar.

8 Komente

  1. Eh, ne shqiptaret si populli me i vjeter ne bote zbuluam shkrimin dhe leximin , iu vume emrat gjithe perendive greke dhe latine, populluam gjithe boten me toponime, u beme baza e kutures ind-europiane e me gjere, lindem shenjtore si nene Tereza, krijuam pushtues si Aleksandri e shtet formues si Mehmet Ali, po vec nje shtet per vete nuk e beme dot. Une them se ne duhet te shperndahemi si popull neper qeveri te ndryshme dhe te biem rehat njehere e mire edhe ne edhe bota.

  2. Një krizë opozitare vihet re edhe jashtë Shqipërisë. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Turqinë, të cilën e njoh dhe mund ta ndjek, dhe një perceptim tejet të vagullt në këtë drejtim kam edhe për Amerikën, ku me aq pak vëmendje sa i kam kushtuar kam përshtypjen se edhe atje është banalizuar tej mase rivaliteti politik. Besoj se kjo buron nga mentaliteti politik, ku si qëllim kryesor i opozitës perceptohet dhe konceptohet ardhja në pushtet, çka na vendos automatikisht në kontekstin e xhunglës. Kjo gjë e bën opozitën të egër e të paduruar, të verbër e idiote, qoftë edhe taktikisht. Por po ta kruajmë pak zhulin konvencional në perceptime dhe koncepte, nuk është e vështirë të kujtohemi se qëllimi është mbarëvajtja e shoqërisë, për ta shprehur me termin më të përgjithshëm. Thënë ndryshe, parimisht opozita duhet të jetë shumë e lumtur që pushteti të jetë i suksesshëm e të përpiqet me çdo kusht pikërisht për këtë, kurse për ardhjen e vet në pushtet duhet të jetë absolutisht e bindur se kjo është zgjidhja e fundit dhe duhet t’i qaset kësaj me frikën më të madhe. Sepse robi më i përgjegjshëm është ai që i trembet më shumë përgjegjësisë dhe anasjelltas. Në këtë kuadër që vlen të diskutohet nëse është utopik apo jo, nuk ia vlen fare të merresh me Shqipërinë në terma standarde të politikës. Nëse ka ndonjë shpresë për këtë vend përtej asaj që mund të sjellin “the winds of change”, është që ta ndajmë mendjen dhe të këmbëngulim për t’i quajtur gjërat me emrin e tyre të vërtetë: që politika në këtë vend është haptazi luftë bandash kusare dhe që këto banda nuk përfshijnë vetëm surretërit që dalin në TV, por pjesën dërrmuese të popullsisë që i ndjek ata në TV, me frikën e ikjes së vendit të punës apo të çfarëdo interesi tjetër legen, ose me pritjen e ethshme të radhës për t’u turrur babëzisht mbi malin e bereqetit që përfaqëson shteti për ta. Ose thjesht me perversitetin e kënaqësisë banale që ofron ky lloj teatri. Me fjalë të tjera, ajo që e quajmë sistem është morali ynë kolektiv, i ndërtuar nga morali i secilit prej nesh dhe nëse secili prej nesh nuk kujdeset për moralin e tij, e keqja ka formën e tatëpjetës. Kurse thelbi i së keqes është t’i mohosh vetes apo kujtdo qoftë përgjegjësinë absolute njerëzore individuale, në emër te laicizmit universal apo të idesë së çuditshme se “populli nuk ka faj” e që tashmë ka evoluar në “politikanët nuk kanë faj”. Sepse fundja e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë dhe po i ndodh kësaj apo çfarëdo shoqërie tjetër, nuk është varfërimi ekonomik, por varfërimi shpirtëror, vdekja morale, përçudnimi kulturor e estetik dhe personalisht dëshmoj se Zoti e ka bërë mjedisin, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale, pasqyrë të shpirtit njerëzor.

  3. Citojme zoteri Vehbiun:” Mediat mercenare mund te vazhdojne me thirrjet IK,IK,IK…”
    E bejme kete citim,sepse togfjaleshi “media mercenare” perdoret, zakonisht dhe kryesisht, per mediat qe i sherbejne QEVERISE.
    Kurse,zoteri Vehbiu le te nenkuptohet se keto “media mercenare” jane te opozites!
    Me modesti dhe,mbi te gjitha,me qetesi e dashuri,mund t’i kujtojme zoteri Vehbiut,se Qeveria e zotit Rama kontrollon shumicen derrmuese te mediave ne Shqiperi.Madje,Rama kontrollon,ndikon,influencon ,per cudine time dhe per cudine e shume e shume te tjereve qe nuk cuditen kollaj, shume me shume se “i perveluari”,”i percelluari”,”i djeguri e shkrumbuari” Berishe.E ky nuk eshte perceptim,por nje realitet.
    Une mendoj se te gjithe ata qe kerkojne krijimin e nje partie te re,te majte,qofte edhe ekologjike kjo(perjashto Lubonjen,ndershmeria dhe paanshmeria e te cilit eshte e provuar katerciperisht,edhe pse i majte me bindje) ,jane te vetedijshem se kjo eshte e pamundur.Nje parti e tille do te kishte votuesit potencial nga PS-ja e Rames.Socialistet nuk tradhetojne.Po behet nje shekull pothuaj,qe i qendrojne besnike partise se tyre.E si do na tradhetokan Ramen per nje ligj plehrash?!E ka mbushur parlamentin me vrases,jo ne kuptimin figurativ,por vrases prej verteti dhe askush prej atyre qe sot jane te lenduar nga ligji i plehrave ska folur per kete;as si eshte bere vone! Edi RAma e di kete kete,prandaj eshte i patundur ne qendrimin e tij.Votat e socialisteve,te pakten shumices derrmuese te tyre,do t’i kete me siguri ne zgjedhjet e ardhshme.Edhe ata qe bejne thirrje per parti te re e dine kete.
    Sido qe te vije puna,politika ne shqiperi do te jete dypolare,socialiste e demokrate,edhe per shume e shume kohe.
    Arsyeja e vertete,pra,se pse behet thirrje per parti te trete,eshte qe partia e dyte,PD-ja dmth,te mos vije ne pushtet dhe e para te rrije akoma… barem edhe ashtu sic thote zoteri Mustafa Nano: jo me Ramen,por me nje socialist te ndershem…
    Nuk eshte e rastit,qe te gjithe keta qe flasin per parti te trete,jane me bindje te majta.
    (Ketu,e perseris edhe njehere,perjashtoj zoteri Lubonjen.Ai eshte i vetmi i sinqerte ne kete mes)

    1. Një parti ekologjike nuk është e thënë t’ia marrë votat të majtës – po të krijonte imazhin e duhur dhe të përçonte mesazhin e duhur, mund të fitonte simpati të mëdha në fshat. Çfarë të mire i kanë sjellë fshatarit dy partitë e bipolaritetit? Veç katrahurës në çështjen e pronave, ndotjen e mjedisit, neglizhencën e infrastrukturës (ujitja, kullimi, etj.) dhe shkatërrimet që sjellin projektet super-ambicioze? Përkundrazi, fshatari do ta mirëpriste vëmendjen e rikthyer ndaj agri-turizmit dhe produkteve biologjike, të cilat Shqipëria mund t’i eksportojë pastaj ku të dëshirojë. Kjo s’ka lidhje fare as me PS-në as me të majtën. Madje edhe kështu teorikisht, lëvizjet ambientaliste nuk janë doemos të majta – sepse kanë edhe elemente të forta konservatore, sa i përket territorit. Arsyetimi im është i thjeshtë: sa kohë që temat e mjedisit janë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, atëherë ky është momenti i përshtatshëm për të krijuar një parti të gjelbër. Sinqerisht ti, Timur, mendon se unë dal me këtë tezë ngaqë dua t’i shërbej PS-së dhe Ramës? Vërtet kujton se mund të ma mohosh deri edhe të drejtën për t’u shqetësuar për Shqipërinë TIME sot përtej ndarjeve dhe teatrit të kukullave të politikës dhe katundarllëqeve të tua?

      1. Jo,jo zoteri Vehbiu,mos e merrni personale.Nuk po them se po i sherbeni Edi Rames.Nuk kam fakte per kete.
        Une ndjek logjiken.Ate me elementaren.Qe eshte kjo: ne rrethanen shqiptare,ku politika eshte bipolare(LSI-ja nuk quhet) e qe do te jete e tille edhe per shume e shume kohe, te besh thirrje per krijimin e nje partie te trete,qofte edhe ekologjike ajo,qe do te permbyska rendin e gjerave,mesepaku,eshte nje dhune qe i behet logjikes;asaj me elementares.
        Por,ajo qe ma neverit,dhe kete jua them me sinqeritetin me te madh,eshte reagimi per ceshtjen e plehrave dhe jo per kriminelet qe jane ulur kembekryq ne Parlament,ne administrate,bashki;te faktuar tashme si trafikante dhe perdhunues.
        Askush nga te majtet e sotem te indinjuar prej plehrave,nuk ka reaguar.E ta mendosh qe eshte nje gje ku e ku me e rende se plehrat e se droga.Te marresh vesh qe trafikantet,perdhunuesit(nje tutor prostitucioni,eshte praktikisht perdhunues),vrasesit jane bere bere deputete,me vetedije te plote dhe te heshtesh … e pastaj te cirresh nga indinjata per plehrat?!
        Ja ku dalim tek arsyeja e vertete: te ndjerit te keqperdorur,te tradhetuar,te tallur,te poshteruar!
        Dhe kjo eshte shume meskine,sepse,te gjithe se bashku e secili vec e vec,e ka marre personale.
        Eshte pikerisht ky meskinitet qe i ka detyruar sot,shume nga ata intelektuale te majte,qe deri dje heshtnin per vrasesit dhe perdhunuesit ne Parlament e bashki,te reagojne per ceshtjen e plehrave … dhe nga frika se mos perfiton opozita nga ky qendrim i tyre,shpejtojne te japin receta sesi mund qe,edhe Rama te ike edhe socialistet te rrine ne pushtet.

  4. Po sjell ketu nje shprehje te Franz Josef Strauss, ish kryeminister i landit te Bavarise. Dikur e pyeten, ishte koha kur ne Gjermani Partia e Gjelber po fuqizohej dita-dites, se c’mendonte per te gjelbertit? Pergjigja e tij qe:

    Jane si puna e domateve, duke u pjekur behen gjithnje e me te kuq.

    Kaq.

    1. Strauss-i mbase edhe Merkel-in do ta nxirrte ‘kamuniste.’ Përndryshe, dhe sipas së njëjtës logjikë, dy partitë e mëdha në Shqipëri, PS-ja dhe PD-ja, janë rezultat e ndarjes më dysh të PPSh-së (mitosis).

      Tani, dhe pa shaka, politikat e partive të gjelbra kërkojnë ndërhyrje masive nga shteti – për të mbrojtur mjedisin ose natyrën ose për të penguar mega-projekte private ose globale. Kjo ndoshta i bën të hyjnë në aleanca me social-demokratët dhe socialistët.

      Edhe në Shqipëri, është praktikisht e pamundur që të besosh akoma se mjedisin mund ta mbrojë ekonomia e tregut ose aktorët privatë në ekonomi. Por unë këtë nuk do ta quaja politikë detyrimisht të majtë: ajo haptazi pengon zhvillimin ekonomik dhe hapjen masive të vendeve të punës.

      Një parti e gjelbër në Shqipëri do ta kish kundërshtuar me thonj e me dhëmbë projektin e portit të kontejnerëve në Karpen të Kavajës – edhe pse ky do të hapte shumë vende pune dhe do ta ndihmonte në industrializimin e zonës. Po a mund ta quash të majtë këtë lloj politike?

      Unë madje as lëvizjen no-global nuk do ta quaja detyrimisht të majtë, sa kohë që ajo mbështet sipërmarrjet lokale dhe bizneset e vogla.

  5. Ka edhe shumë të tjerë që mendojnë se Merkeli është “kamuniste”. Tek e fundit ajo u lind, u rrit e u edukua në ish-RDGJ. Kaq mjafton për formalistët për ta pranuar si të mirëqenë këtë supozim. Por edhe Merkeli vetë, sidomos kohët e fundit ka bërë shumëçka për të bindur edhe ata që mendojnë se Merkeli nuk është “kamuniste” se e kanë gabim.
    Tani, dhe pa shaka, tradita e “të gjelbërve” në Shqipëri me ç’më kujtohet fillon me eruditin amator Namik Hoti. Gojët e liga thonë që Ramiz Alia donte ta bindte me të mirë që të themelonte Partinë Ekologjike Shqiptare, po Namiku nuk pranoi deri sa e zhdëpi Sigurimi në dru dhe në fund për t’i bërë qejfin pasi “pranoi” i blenë edhe një kapele të re te dyqani i diplomatëve. Kështu diskreditimi i të gjelbërve, përkatesisht pluralizmit partiak është një sëmundje e vjetër e demokracisë shqiptare, ose çfarëdo qoftë që konsiderohet si e tillë.
    Aq më keq, dhe po në këtë frymë edhe tradita e re e “të djathtëve” në Shqipëri fillon me kardiologun e udhëheqjes Sali Berisha. Nuk u desh mund për ta bindur se ai u ofrua vetë. Nuk di çfarë të them për “të majtët” dhe traditën e tyre. Zyrtarisht quhet që “e majta” shqiptare ka qysh nga 1944 që qeveris, por mua kjo terminologji më duket pak si “e shtyrë me zorr”. Ishte nje klan horrash dhe nje tufe idiotesh qe e quanin vehten Parti te majte. Siç thoni edhe juve, me të drejtë, ishte tamam kjo parti, PPSH pra, që me mitosis na dha PD dhe PS. Pra o ishte e “majtë“ dhe me mitosis nuk mund të jepte një të majtë e një të djathtë, o nuk merresh vesh mirë se ç’ishte dhe me mitosis dha dy gjëra që nuk merren vesh mirë se ç’janë. Që të mos zgjatem më tej, perrallat me të majta e me të djathta në Shqipëri nuk i ha më kush. Ato janë thjeshte “identifiers” siç mund të ishin edhe “e bardha” dhe “e zeza”, ose edhe më thjesht “A-ja” dhe “B-ja”.
    Në këtë peizazh politik as mish, as peshk, pa filozofi të qarta, pa ideologji të përcaktuara çfarë efekti do të mund të kishte një parti e gjelbërt? Që të merremi vesh, nuk po them që nuk duhet, problemi është që nuk mundet. Eshtë pak si puna e atij qyqarit në mes të shkretëtirës që po vdes nga etja. Dihet që për të shpëtuar i duhet një shishe ujë, puna është se nuk ka ku e gjen.
    Kjo sa për idenë me të gjelbërt. Nëqoftëse e heqim kufizimin “e gjelbërt” dhe lemë vetëm një forcë të re politike si zgjidhësen e problemeve shqiptare, ky eksperiment është kërkuar e tentuar disa herë si nga pjella të dy partive të mëdha, ashtu edhe nga mender “pole të treta”. Ky eksperiment vazhdimisht rezultoi si dështim i dështuar, e vetmja herë qe rezultoi si dështim i suksesshëm ishte krijimi i LSI. Pra A-së dhe B-së iu shtua edhe C-ja, që herë martohet me A-në e herë me B-në.
    Kam përshtypjen se problemet e shqiptarëve nuk mund të zgjidhen duke shtuar forca të reja politike në peizazhin egzistues. Të mos harrojme që lista zyrtare e partive politike ndoshta i kalon 60 dhe nder to me siguri ka nja tre a kater qe pretendojne te jene te gjelbera. Duhet një shkatërrim i te gjitha forcave tashmë tradicionale politike dhe krijimi i një peizazhi të ri me mundësisht sa më shumë njerëz të rinj (jo domosdoshmërisht si moshë). Druaj se kjo gjë nuk mund të bëhet pa dhimbje.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin