Javën që shkoi, tërhoqi vëmendjen një artikull i gjatë i Sofia Kalos* dhe Xhuliana Agollit, i botuar në formë të shkurtuar nga sbunker.net (Bota e Iris Elezit dhe bota përtej saj) dhe i shkarkueshëm në formë të plotë nga një link në fund të asaj faqeje. Artikulli analizon në hollësi disa aspekte të filmit “Bota” me regji të Iris Elezit, duke u ndalur veçanërisht në promovimin që iu bë brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe pritjen e tij nga publiku dhe kritika, por edhe në marrëdhëniet e tij me realitetin që kërkon, madje dëshiron e ngul këmbë t’i referohet. Të dy autoret kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në qëmtimin e materialit dhe në ballafaqimet, duke i dhënë lexuesit një shembull të rrallë si një kritikë filmi mund t’i shërbejë jo vetëm promovimit të filmit vetë, por edhe vetë kinematografisë shqiptare dhe mënyrës si kultura shqiptare sot po përpiqet të “dalë në pazar.” Këto shënime të miat marrin shkas nga analiza e Kalos & Agollit, prandaj do t’i lutesha lexuesit që të njihet me këtë analizë më parë, mundësisht në formën e saj të plotë; një farë familjariteti me filmin “Bota” gjithashtu do të ndihmonte.
Më duhet të vërej, që në krye, se në krahasim me shumë filma të tjerë shqiptarë, ose më mirë “shqiptarë” të këtyre viteve të fundit, “Bota” ka ecur bukur mirë në cirkuitet e pritshme të festivaleve ndërkombëtare, duke fituar edhe çmime edhe fjalë të mira nga kritika dhe nga publiku; kam dëgjuar që edhe në Shqipëri filmi ka ecur relativisht mirë. Ngaqë një pjesë e mirë e fondeve për këtë film, sikurse për të gjithë filmat që xhirohen sot në Shqipëri, vijnë nga burime ndërkombëtare, suksesi në këto festivale ka qenë, më siguri, një nga synimet kryesore të autorëve, të producentëve dhe natyrisht të financuesve të filmit; në një kohë që suksesi me publikun shqiptar nuk ngre shumë peshë në logjikën e këtyre transaksioneve monetare, sikurse nuk ka ngritur peshë edhe për shumë filma të tjerë, edhe pse ndoshta duhet për arsye të tjera. Është mirë ta pranojmë, të gjithë, se këto produkte të financuara edhe nga QKK-ja konfeksionohen jo për t’u konsumuar në Shqipëri, por për të përfaqësuar kulturën shqiptare në veprimtari kulturore jashtë Shqipërisë, të tilla si festivalet e të gjitha llojeve dhe karaturave; duke i përkitur kështu eksportit kulturor; sikurse i përkasin eksportit kulturor edhe temat e tyre “shqiptare.” Pavarësisht nga dëshirat individuale që mund të kenë autorët, këta filma nuk janë destinuar për të luajtur ndonjë rol në funksionimin e mirë dhe riprodhimin e shëndetshëm të kulturës shqiptare bashkëkohore, qoftë edhe për arsyen e thjeshtë se publiku që i ndjek ata në kinematë në Shqipëri zakonisht nuk i kalon disa qindrat; dhe temat e tyre, që ndonjëherë lidhen me çështje jashtëzakonisht të mprehta dhe plagë të hapura të shoqërisë shqiptare, si kjo e fatit të ish të dënuarve politikë të totalitarizmit në Shqipërinë post-totalitare, nuk janë veçse pjesë e produktit për eksport, jo prova të ndonjë angazhimi të drejtpërdrejtë në problematikat sociale lokale. Nëse një film i tillë arrin megjithatë të përfshihet në cirkuitet brenda-kombëtare dhe të lërë gjurmë në komunikimin kulturor kombëtar, ky nuk mund të jetë veçse një efekt anësor i mirëpritur.
Sikurse e argumentojnë gjerësisht Kalo & Agolli në analizën e tyre, pritja e këtij filmi nga kritika letrare e ndoshta edhe nga publiku në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë është ndikuar dhe deri diku edhe modeluar nga ndërhyrjet shpjeguese sistematike dhe këmbëngulëse të regjisores Elezi, e cila ka dhënë një numër të madh intervistash, ku jo vetëm ka shtjelluar vizionin e saj për filmin dhe interpretimin përkatës, por edhe është përpjekur që t’ia japë publikut kornizën e duhur interpretative – me fjalë të tjera, t’i tregojë se si duhet parë, konsumuar dhe shijuar filmi. Me këto ndërhyrje Elezi ka shkaktuar, dashur pa dashur, dyzimin e eksperiencës së publikut të interesuar; duke ia mbivendosur interpretimit të veprës nga publiku interpretimin e saj, si autore, dhe që natyrisht nuk përkon, as ka pse të përkojë, me çfarë ka gjetur publiku në film. Edhe pa e lexuar analizën e Kalos & Agollit, unë kisha krijuar përshtypjen se Elezi, si interpretuese e palodhur e filmit të vet deri në atë pikë sa të shndërrohej në pjesë të tij në trajtën e një voice-over-i, nuk i pat ndihmuar pritjes së filmit së paku mes publikut të interesuar në Shqipëri; por tani që u njoha gjerësisht me mënyrën si regjisorja ka ndërhyrë në procesin e interpretimit dhe të vlerësimit të veprës së saj, po filloj të bindem se Elezi, në të vërtetë, mund të jetë (dhe uroj të jetë) regjisore e shkëlqyer, por mënyra si ajo e komenton filmin “Bota,” që mund t’i ketë shërbyer pritjes ndërkombëtare të filmit, ia ka dëmtuar këtij filmi impaktin me publikun në Shqipëri.
Për këtë që them, në atë masë që qëndron, nuk mund të bësh me faj vetëm Elezin; meqë, në analizë të fundit, asaj gjithnjë i është kërkuar, nga intervistuesit, të shprehë opinionin e saj për filmin si produkt (dhe jo si proces krijues); dhe kjo ngaqë ende qarkullon bindja, përndryshe e gabuar, se autorët janë edhe “shpjeguesit” më të mirë të veprës së tyre. Në fakt, e kundërta ka më shumë gjasë; sepse dëshirat që mund të ketë një autor dhe synimet artistike që mund të kërkojë të arrijë me artin e vet jo gjithnjë përkojnë me çfarë përftohet realisht, në momentin kur ky produkt konsumohet nga publiku i synuar (as përkojnë me çfarë mund të presë e të shpresojë publiku prej filmit në një moment të caktuar); dhe aq më e vërtetë është kjo, kur disa nga këto synime të publikut – si ato të publikut tipik të festivaleve të vogla të filmit përndryshe jokomercial – janë inkorporuar në film qëllimisht, sikurse argumentojnë Kalo & Agolli. Kjo do të thotë edhe se Elezi e ka kontaminuar, me diskursin e saj në mediat, pritjen e filmit në Shqipëri, duke i sugjeruar publikut gjëra që ai në film nuk ka arritur t’i gjejë.
Ngaqë e kam takuar dhe kam folur gjatë me Iris Elezin edhe para se filmi “Bota” të shfaqej, jam njohur edhe me vizionin e saj për këtë krijim të sajin dhe e kam besuar pasionin e saj dhe shpresën që ky film do t’ia përligjte pritjet regjisoriale; por ndoshta bash për këtë arsye, autorja – në rastin tonë regjisorja – nuk mund të merret e as të mbahet si autoritet, kur vjen fjala për interpretimin e duhur të filmit. Në analizën e tyre, Kalo & Agolli ndalen gjatë në disa kontradikta të brendshme të rrëfimit në film, duke trajtuar atë që ato e quajnë gjasshmëri ose vraisemblance; dhe që mund të shihet si nga aspekti i marrëdhënieve të filmit me realitetin të cilit i referohet (dhe që e ka ofruar edhe Elezi vetë si kornizë), ashtu edhe nga aspekti i koherencës së brendshme të rrëfimit vetë. Pa u ndalur në aspektet ngushtësisht filmike të analizës, do të doja të ndalem vetëm në faktin që kjo gjasshmëri e filmit, ose besueshmëri e realitetit të filmit në raport me vetveten por edhe me realitetin e referuar, lidhet drejtpërdrejt me publikun e shënjestruar, ose me atë lloj publiku të cilin ka pasur në mendje regjisorja dhe producentët, kur e kanë krijuar dhe prodhuar filmin.
Dhe këtu shfaqet edhe kontradikta themelore e filmit: publiku në Shqipëri e ruan ende, në kujtesën e vet kolektive por edhe individuale, imazhin e periudhës totalitare dhe të viteve të para të post-totalitarizmit; ose pikërisht atë imazh që Elezi vetë ia ka sugjeruar me forcë, në ndërhyrjet e saj publike. Mirëpo ballafaqimi i filmit, ose më mirë i efektit katharsis të filmit ndaj pjesës së traumatizuar të publikut në Shqipëri, me realitetin historik duket se nuk i qëndron dot kritikës; në kuptimin se filmi “Bota”, në atë masë që kërkon të pasqyrojë realitetin historik të Shqipërisë totalitare dhe post-totalitare dhe aq më pak të adresojë a të zgjidhë probleme sociale, mund të ketë dështuar në misionin e vet – sikurse argumentojnë Kalo & Agolli; meqë ajo pjesë e publikut që është njohur me udhëzimet interpretative e regjisores Elezi dhe e ka parë filmin me atë sy, ka dalë nga kinemaja e zhgënjyer, jo vetëm ngaqë ka pretenduar tepër nga një vepër arti, por edhe ngaqë është manipuluar njëfarësoj nga “zhurma” që ka rrethuar dhe shoqëruar filmin. Sërish, dua të theksoj se kjo pasojë e pakëndshme dhe e padëshiruar prej Elezit dhe kolegëve të saj, vjen më shumë për shkak të ndikimit të saj si autore ndaj publikut të filmit në Shqipëri, sesa të ndikimit të filmit vetë, per se; me fjalë të tjera, Elezi është përpjekur të përftojë një publik model të filmit që nuk përkon me publikun model që do të kish përftuar filmi, i lënë në punën e vet, çfarë edhe e dëmton pritjen e veprës.
Ky faktor nuk duket të ketë ndikuar negativisht në publikun mirëfilli të shënjestruar nga filmi “Bota”, që është edhe publiku i përzgjedhur dhe tepër specifik i festivaleve ndërkombëtare të filmit, i cili duket ta ketë përshëndetur filmin, madje edhe duke e shpërblyer me çmime dhe kritika tejet pozitive. Ndokush mund ta përdorë këtë të vërtetë si provë se publiku në Shqipëri nuk merr vesh nga filmi; ndokush tjetër si provë se filma të tillë, që synojnë publikun jashtë Shqipërisë, kot që shfaqen dhe gjykohen në Shqipëri (ose shfaqen e promovohen në Shqipëri vetëm e vetëm ngaqë ky është kusht që filmi të konkurrojë për Oscar). Megjithatë, regjisorja Elezi, në ndërhyrjet e veta publike, i është referuar haptazi një entiteti që ajo e quan “populli im”, vuajtjet e të cilit nën komunizëm ajo i ka hetuar thellë dhe pastaj ka guxuar t’i kanalizojë në film, duke shtuar pastaj se është frymëzuar “nga njerëzit e mençur dhe të fortë… që ka rreth e rrotull në Shqipëri” dhe nga përjetimi që ia bën ajo vetë “dramës së kombit tim”. Në analizën e tyre, Kalo & Agolli argumentojnë se nuk i kanë gjetur gjëkundi këto vuajtje dhe dhimbje dhe drama individuale dhe kolektive në filmin “Bota”. Gjasat janë që, së bashku me ato të dyja, të mos i kenë gjetur edhe shumë spektatorë të tjerë të këtij filmi në Shqipëri, të cilët, të nxitur edhe nga promovimi dhe interpretimi që ia pat dhënë filmit regjisorja Elezi, kanë shkuar në sallë me shpresën, përndryshe të papërligjur, se do të gjejnë sadopak “përmbyllje” (closure) për sa kanë hequr nën regjimin totalitar. Unë këtë e shoh si dështim, por jo aq të filmit vetë, i cili nuk është dokumentar, as është bazuar në ndonjë ngjarje të jetuar; sesa të leximit që ka dashur t’ia imponojë filmit autorja dhe regjisorja Elezi.
Publiku i festivaleve ndërkombëtare, ku është shfaqur me sukses “Bota”, nuk i ka këto pritje kaq specifike; sepse realitetin jashtë-filmik të implikuar nga filmi e rindërton në bazë të çfarë sheh në ekran dhe kushedi edhe të diskursit shoqërues të autores; por pa e krahasuar dot drejtpërdrejt me ndonjë eksperiencë të vetën. Së shpejti, edhe në Shqipëri publikut do t’i mungojë eksperienca e drejtpërdrejtë e dhunës totalitare, pse do të dalin në skenë breza që nuk e kanë përjetuar atë periudhë. Dhe nëse do të ndodhë kështu, atëherë reagimi i sotëm, i asaj pjese të publikut në Shqipëri të përfaqësuar edhe nga Kalo & Agolli nuk do të jetë më tipik, sa kohë që filmi nuk do të shihet më si dëshmi ose dokumentim ose pasqyrim i një periudhe historike të caktuar, ose qoftë edhe i frymës së asaj periudhe, por si një produkt që e sjell realitetin me vete. Çfarë do të thotë se, herët a vonë, brezat në Shqipëri do të fillojnë të mësojnë për historinë e totalitarizmit në vendin e tyre edhe nga filma të tillë si “Bota” – pavarësisht nga defektet në gjasshmërinë e tyre, që gjejnë aty Kalo & Agolli. Nëse ky realitet dytësor, i deduktuar nga veprat e artit, do të jetë veç një karikaturë ose imazh i përçudnuar i realitetit historik të mirëfilltë, për këtë nuk mund t’ia lësh fajin në derë Elezit, e cila ka bërë një film ashtu siç ia ka dashur zemra. Temat janë ende në dispozicion, artistët e denjë gjithashtu; asgjë nuk mungon, përveç vullnetit të mirë, që ta ruajmë, si shoqëri, historinë e atij gjysmë-shekulli aq dramatik, duke e përjetësuar në art. Por ky lloj gjakimi nuk është pjesë e politikave kulturore të elitave të sotme, të cilat janë tërësisht të investuara në kërkimin e legjitimimit jashtë Shqipërisë, për çfarë ka shërbyer shkëlqyeshëm edhe filmi i Elezit.
Nga kjo pikëpamje, problemi që parashtrojnë, me aq hollësi dhe kujdes në analizën e tyre, Kalo & Agolli, nuk është aq problem i një filmi dhe i një autoreje, sa i një politike kulturore të gabuar, që parapëlqen dhe nxit dhe promovon produktet e pre-konfeksionuara, park-tematizimin e historisë dhe të traditës, rekrutimin kulturor, hype-in promocional, ekzoticizimin, marketingun thjesht turistik, eventet e inskenuara ad hoc, bienalet dhe panairet dhe konsensusin sipërfaqësor të pak qarqeve ndërkombëtare, ndaj reflektimit të thellë dhe përulësisht për të kaluarën totalitare dhe plagët që ajo i ka lënë ende të hapura dhe të pashëruara, në mos të pashërueshme. Brenda kësaj atmosfere kulturore të mbytur në kitsch, vetëm qëllimet e mira vështirë se do të mjaftojnë, sa kohë që tabelat e qarkullimit të vlerave kulturore tashmë e tregojnë qartë rrugën drejt suksesit, financimit dhe përkrahjes institucionale, brenda dhe sidomos jashtë, sidomos jashtë.
*Në një version të mëparshëm të kësaj eseje, emri i autores Kalo kish dalë si Sofie, dhe jo Sofia, që është forma korrekte. Kërkojmë të falur për këtë gabim të paqëllimshëm, por edhe me shpresë se Sofia do të na mirëkuptojë.
Nuk i di “qellimet” e Elezit por per mua nje autore qe shpenzon aq shume mund e merr aq shume kohe te shpjegoje filmin dhe vizionin e saj per artin ne mediat shqiptare me duket shume e interesuar qe filmi i saj te preke audiencen vendase. Keshtu e kam pare edhe filmin e saj. Ne fakt, mu ka dukur me shume nje perpjekje per t’i folur nje grupimi te caktuar te audiences; atij me shije me te rafinuara per kinemane. Me sa mbaj mend, filmi “Bota” eshte nje perpjekje per nje kinema autor me shume se edhe ato pika qe prek Vehbiu me siper. Por ngelet vetem aq. Nje perpjekje. Personalisht me ka dhene pershtypjen e nje filmi te thate qe deshtonte vazhdimisht te perconte nje emocion me peshe tek shikuesi. Sa per ate qe eshte pritur relativisht mire edhe kete e dyshoj. Se pari filmin e kane pare a se kane pare nje grusht njerezish (kur e kam pare une ne kinema ishin gjthsej shtate veta). Se dyti edhe ata qe e vleresojne kam pershtypjen se as vete nuk i besojne thelle-thelle ato qe thone. Edhe ata bejne nje “perpjekje” per te ujitur nje bime qe nuk eshte rritur kurre ne Shqiperi: Kinemaja Autor.
Ne te dy shkrimet kritike, si te Kalo-Agollit ashtu edhe te A. Vehbiut ne trajta te ngjashme, merret deri diku e mireqene se aksh film ka korrur suksese nga kritika nderkombetare apo ka marre aq e kaq cmime. Te kemi parasysh qe nje film me nje buxhet 760 mine euro, nuk mund te deklaroje si sukses marrjen e cmimeve ne festivalin e Fierit, Sarandes, Gjakoves apo Pogradecit. Perfshi ketu festivale te kesaj kategorie nderkombetare. Ka nje hierarki vleresimi si ne rangjet e festivaleve ashtu edhe te emrave te kritikeve qe kane shkruar per nje film. Nuk do te thote asgje sot pse nje njeri ta zeme me emrin Slash Michael shkruan dicka pozitive ne anglisht kjo automatikisht duhet pare si vleresim i kritikeve nderkombetare. Ka nje abuzim te madh ne marketimin qe behet ne Shqiperi me numrat e cmimeve te festivaleve. Problemi ne fakt qendron ndryshe. I vetmi impakt qe ka patur filmi ‘Bota’ ne bote eshte impakti qe ky film ka ne boten shqiptare. Kur flitet per kritike apo festivale nderkombetare ky film nuk eshte pare nga kritika e gjere e specializuar per te marre nje vleresim serioz. Kjo jo per shkak te fajit te regjisoreve Elezi-Logoreci, por per shkak te mungeses te mundesive ne distribucion, marketing dhe PR qe ka nje produkt kinematografik shqiptar. Nderkombetarisht filmi Bota eshte pare apo jo nga 300-400 vete ky hyn dhe publiku i rastesishem qe mund te gjendet ne salle ne nje festival periferik si i Rejkjavikut apo edhe ato pak shfaqje qe filmi mund te kete patur ne ndonje fshat te Frances apo te Cekise. Sukses nderkombetar do te quhej me plot gojr nese filmi do te kishte fituar palmen e arte, luanin e arte, leopardin e arte, ariun e arte apo ndonje oscar. Ka pra nje abuzim ne menyren si prezantohet suksesi nderkombetar ne Shqiperi dhe fatkeqesisht kjo po kthehet ne mode edhe tek te rinjte. Sot ne bote mund te kete rreth 2000 festivale filmi, nga te cilet rreth 10-20 jane vetem ne hapesiren shqiptare qe nga Llapi e Tetova e deri tek Durresi e Saranda. Nuk dua te them ketu qe filmi Bota ne optiken time nuk ka vlera, por vlera e filmit Bota mbetet vetem ne impaktin, gjykimin dhe shijet e publikut shqiptar. Nderkombetarisht ky film nuk e ka patur fatin apo aftesine menaxhuese te shihet seriozisht dhe gjykohet. Pra nuk ka hyre ne tregun nderkombetar te filmit. Ky eshte problem i te gjithe prodhimit shqiptar. Po te shihni edhe konjaku Skenderbe tregtohet me disa medalje te marra neper panaire apo konkurse nderkombetare ashtu si edhe qumeshti Lufra apo kosi Erzeni. Fakt eshte qe keto prodhime nuk jane ne tregje nderkombetare dhe medaljet ne etikete vihen vetem per bleresin shqiptar. Nuk dua te them me kete qe filmi Bota eshte me i keq se shume filma amerikane apo polake a cfaredo. As qe qumeshti Lufra apo Erzeni jane me te keqinj se ata qe tregtohen rendom ne Gjermani. Dua te them se gradat dhe medaljet ashtu si edhe cmimet e festivaleve dhe vleresimet e “kritikes” jane pothuajse fiktive. Ka natyrisht arsye pse ndodh kjo dhe mendoj arsyet do te ishin shume me interesante per t’u menduar se c’e mendojme rendom. Per shume njerez, fitorja me e madhe e historise moderne te Shqiperise mund te jete dhe goli i vetem i Artan Sadikut. Mund te jete edhe triumfi i tyre personal qe kane arritur te bejne nje film me financa te kenaqshme 760 mine euroshe, te marrin nje diplome apo doktorature ne nje universitet perendimor apo lindor, apo te marrin green card dhe te sigurojne jetesen dhe ‘letrat’ ne USA. Mund te jete edhe qe dikush i qas ne nje festival apo dikush tjeter i thote nje fjale te mire per nje pune te bere. Por magnifikimi i kesaj ne nje ceshtje te rendesise epike mbarekmbetare mbetet nje farse. Te jetosh dhe te punosh ne Shqiperi me siguri nuk eshte me e lehte se askund tjeter per njerezit qe kane disa ambicie profesionale. Por duam s’duam ne faktor i vertete eshte sa puna profesionale ka impakt ne vend apo impakt pse jo edhe globalisht. Fakt eshte qe filmi Bota e paska patur nje impakt tek ne, gje qe e tregon edhe ky diskutim, ashtu sic eshte fakt se nderkombetarisht nuk ka patur dot asnje impakt. Integriteti i autoreve eshte pastaj ceshtje qe shfaqet ne jeten e perditeshme ashtu si edhe ne krijimtari. Se sa e ‘dredhin’ njerez te caktuar me sa te verteta, sa pushtete e me cilat institucione e ne cfare rrethana dhe arsye, jam i bindur qe kjo i takon si gjykim vetem nje opinioni vendas. Gjykimi i askusheve, gjysme profesionisteve apo amatoreve nderkombetare nuk behet dot mburoje e fshatit qe duket.
“Bota” ka pasur një farë suksesi ndërkombëtar – si fituese e çmimit FEDEORA në Karlovy Vary International Film Festival. Po ashtu, është nominuar për çmimin East of West, gjithnjë në Karlovy Vary; dhe për çmimin Golden Gate, në San Francisco International Film Festival. Nuk më duket pak për një film shqiptar.
Nuk ve ne dyshim cmimin Fedeora dhe nominimin ne Karlovy Vary ashtu si dhe ate ne S.F. Fakt eshte qe ne festivalin K.V. vitet e fundit ka patur nje prezence te vazhdueshme te filmave shqiptare dhe sidomos te prodhimeve nga Kosova. Kjo ndoshta edhe per shkak se nje nga drejtuesit kryesore te ketij festivali ka qene (dhe ndoshta eshte ende) anetar i bordit te miratimit te projekteve ne QKK te Kosoves. (QKK e Kosoves vitet e fundit ka operuar me bord nderkombetar.) Eshte padyshim merite e drejtorit te QKK (Kosove) A. Zharku qe ka ditur te afroje drejtues te festivalit Karlovy Vary ne bordin e miratimit te projekteve ku eshte aprovuar edhe mbeshtetja financiare e QKK Kosove per filmin ‘Bota’. Nderkohe QKK Kosove ofron edhe bursa per studente filmi ne Akademine e famshme ceke FAMU, ku nuk jam i sigurt a eshte i njejti njeri drejtor apo jo. Ne komentin me lart po vecoja me teper fenomenin me shkas diskutimin mbi “Boten”, pasi raste te tilla reklamimi pjesemarrjesh ne festivale nuk jane unike per Elezi-Logorocin por jane kthyer ne sindrome ne skenen shqiptare. Shembull ketu nje link wikipedia per nje regjisor shqiptar ku perpos informacionit shume te pakte rreth tij renditen ne permase te disproporcionuar pjesemarrjet ne festivale te filmave te tij te fundit, ku kryeson filmi “Maya” nje film i ngjashem ne problematiken qe autoret kritike vecojne ndaj filmit te Elezi-Logorecit. Pjesemarrje spektakolare ne festivale e nje filmi ndoshta shume me te dobet se ‘Bota’ dhe qe la shume pak gjurme ne opinionin shqiptar. https://sq.m.wikipedia.org/wiki/Pluton_Vasi
Ardian, per te perforcuar argumentin nje shembull. Nje nga shkrimet e para pozitive per filmin ‘Bota’ ka ardhur nga Domenico Del Porta ketu http://www.cineuropa.org/nw.aspx?t=newsdetail&l=en&did=259584
Nje akt mjaft dashamires ky ne kohen kur te pakten deri ne vitin 2014 Del Porta ka kryesuar jurine e vleresimit te projekteve filmike ne QKK Kosove nga e cila ka perfituat financim edhe filmi ‘Bota’. Linku qe u gjend ne faqen e QKK Kosove pas 2 min klikim http://www.qkk-rks.com/?id=17&l=129
Ketu merr pjese dhe Pavel Jech, drejtor i FAMU dhe me lidhje te forta ne festivalin e Karlovy Vary. Nuk po e shkruaj si teori konspiracioni se nuk ka asgje te vecante ketu, por ndoshta ndihmon pak per nje ide ne lidhje me sukseset e filmave shqiptare dhe kosovare ne Karlovy Vary.
Shkruan Kalo (me të drejte) tek eseja e saj:
“Kjo përkon me idenë që përcjell edhe vetë përmbajtja e filmit: nuk është realiteti dhe ballafaqimi i ish-persekutimit ai që është me interes, por fakti që futja e idesë së tij është e dobishme”.
Thene ndryshe, filmi vuan nga semundja e famshme e nje pjese të madhe të filmave-autor të sotem (ata mainstream nuk po i marr fare në konsiderate) : me qellim gjetjen e fondeve të prodhimit, ata me se shumti deMONSTRojne, në vendi qe të ‘tregojne’ (mostrare, fare vedere).
Dhe nje kunder-shembull të nje filmi-autor (pa dyshim, filmi me i mirë i 2016) qe për asnje sekonde të vetme nuk diskurson, nuk demostron, por perkundrazi, ‘tregon’ (përshfaq – mostrare, fare vedere) : http://filmjournal.thedigitalfix.com/autori/2016/08/31/learning-to-love-yourself-is-the-greatest-love-of-all/