Po u krijua mundësia që ti të ekzistosh: një perspektivë për profesionin tënd, një strategji për të të zbuluar, formuar, rritur – ti do kesh emrin tënd. Zgjodha atë të Robert Ndrenikës ngaqë e admiroj, si artistikisht dhe humanisht dhe se ai u bë objekt frymëzimi për letrën. Është ndër të fundit që na kanë mbetur nga galeria e dikurshme e mrekullueshme e artistëve të teatrit të kombit, të cilët kur i kujton përlotesh jo aq nga malli sa nga halli, nga keqardhja e thellë që nuk ke më të tillë, është aq e vështirë tashmë të bësh dot teatër të vërtetë në vendin tonë. Duhet ulur shumë pjaca. Na ka ndodhur, në biseda me kolegë regjisorë, të ndajmë role ndër aktorë që kanë ndërruar jetë kaherë. Me të marrë malli të bësh një shfaqje në varreza! “Ky rol për Agim Qiriaqin, ky për Prokop Mimën, ky për Ilia Shytin…”
Të shkruaj se jam e shqetësuar: në godinat e reja të teatrove që, në mos një ditë, një ditë do ndërtohen – a do mund të ngjitesh dot ti? Do ketë publiku për kë të shkojë në to? Do kenë me kë të punojnë regjisorët e së ardhmes? Edhe për ta është kjo letër. Rrëgjimin e potencialit interpretativ të teatrit tonë, skenat e reja do ta nxirrnin edhe më në pah.
Unë nuk e diskutoj që ti ekziston. Talentet e këtij vendi, edhe në fushën e teatrit, as janë zhdukur, as janë mbaruar. Janë lënë krejtësisht në mëshirën e fatit. Ju, Robert Ndrenikat që duhet të ishit në ngjitje e sipër të apogjeut tuaj, në rrugë e sipër keni firuar. Kishte prej jush me siguri midis atyre që morën rrugët e kurbetit, që hynë nëpër televizione, në rastin më të mirë përpara kamerave, por sa e sa edhe pas tyre, që u detyruan të konvertohen në punë të tjera e biznese, prej hallesh mbijetese. Në asnjë vend të botës nuk ka kaq shumë neglizhencë, kaq pak hapësira sa ҫ’ka patur për ju këto njëzet e pesë vjetët e fundit. Pothuajse gjithçka që kishte të bënte me profesionin është sjellë rreth strumbullarit të Teatrit Kombëtar, rreth trupës së tij, (dhe as ajo nuk udhëhiqej më nga regjisorë pedagogë, që mendonin të sotmen por edhe të ardhmen e profesionit). Ju nuk kishit më asnjë portë që t’ju ҫonte drejt tij, nuk kishit ku të rriteshit, kush t`ju rriste. Teatri humbte një e nga një artistët me emër, trupat u zvogëluan si lëkura e shagrinit, vendet e punës u shkurtuan (turp për ata që e lejuan!), punësimet u bënë të dyshimta e të diskutueshme (po të padiskutuara), nuk kish më kontroll mbi to dhe asnjë lloj strategjie për pasurimin, rritjen dhe zhvillimin e tyre. Kjo kur pothuajse asnjë mundësi zhvillimi për talentet nuk kishte as jashtë institucioneve të mbetura.
Pushteti i periudhës komuniste e krijoi dhe e kujdesi teatrin (ashtu siҫ e kujdesi) si një nga armët e veta, si mjet indoktrinimi, bombardimi ideologjik, auto-hymnizimi. Nuk ishte teatër i shumë mundësive e mendësive, i trajtimeve që hapin dritare. Nuk pasqyrohej në të jeta e shqiptarëve as koncepti i tyre për jetën por versionin fiktiv i tyre, i sugjeruar dhe i imponuar nga ideologjia e kohës. Ishte teatër apriori bardh e zi, pa alternativa, pa nuanca, diskreditues, diskriminues (pak a shumë si ky që bëjnë me njëri-tjetrin politikanët sot, kur ta kanë vjedhur profesionin). E megjithatë shpesh, aq besueshëm ditën ta luajnë aktorët këtë lloj trajtimi (ishin aktorë!), aq mirë i zhvilluan ato mjete shprehëse që u lejoheshin, aq organikë e bindës ishin saqë spektatori binte në grepin e emocionit, binte në lojë, siҫ është rasti të themi. Ai shpesh dilte nga salla i bindur se teatri ishte diҫka e madhe. (Prandaj Brehti, ndonëse komunist – po i vërtetë ama! – e urrente emocionin dhe shpiku distancimin.)
Në saje të kujdesit që pushteti investoi, për interesat e tij, sado që vasal, dogmatik, reduktues, skematik, teatri arriti të ketë orët e veta – të vërteta – të lavdisë, publikun dhe adhuruesit e tij. Kjo falë talentit të aktorëve të zgjedhur dhe të formuar me përkushtim, gjatë gjithë vazhdimësisë së jetës së tyre artistike, nga një numër regjisorësh me formim solid, me përgjegjësi dhe ekzigjenca maksimale, me aftësi pedagogjike të konsiderueshme (pedagogjia ishte aspekti në të cilin regjisorët mundën të japin më shumë, sepse liritë e tjera i kishin shumë të kufizuara).
Pas diktaturës pushteti nuk kishte më asnjë arsye ta kujdeste teatrin si art. Aq më tepër që, përkundrazi, sapo mundi, e përvetësoi atë. Një përvetësim që e ka zanafillën në Greqinë e antikitetit kur konkurseve të aktorëve më të mirë filluan t’u bënin rivalitet konkurset e politikanëve sofistë në sheshet publike. Përplasja e diskutimeve të tyre, me një lojë të pareshtur argumentesh, nuk u linte gjë mangut aktorëve. Interesi i përformancave që ata bënin nuk varej më nga vlera e ideve që transmetonin në to, por nga arti i përdorur që ato të pranoheshin nga një numër sa më i madh njerëzish. Nuk ishte fjala për të edukuar, por për të joshur… për të të futur në thes… Nuk di a ka vende të tjera në botë ku politikanët e praktikojnë teatrin e përvetësuar aq shumë sa në Shqipëri. Ai është për ta më i rëndësishëm e i ethshëm se teatri që shërbente dikur në institucionet teatrale. Unë e di që ti, Robert Ndrenika i së ardhmes e ke teatrin të domosdoshëm si ajrin, e do nga magjepsja, nga dashuria, prandaj dëshiron t`ia falësh jetën këtij arti. Kurse pushtetari, që vodhi (edhe?) profesionin tënd ja ka falur shpirtin tjetër gjëje. Dhe për këtë i duhet të shfrytëzojë, midis njëmijë burimesh të tjera, edhe artin tënd. I duhen mjetet e tua shprehëse – ai nuk do të t’i kthejë më. Nuk do ta ndajë audiencën me ty, as suksesin – nuk i duhesh më nëpër këmbë! Aq më tepër kur ti mund të bëhesh një Robert Ndrenika, mund të bëhesh mit! Të ndajë me ty lavdinë dhe vendimmarrjet? “Larg! Hajt, nga një funeral. Dy lot, dy kurora dhe… Ikën ata që ikën, do ikin dhe ata pak që kanë mbetur, të tjerë s’ka më! Nuk do ta kultivojmë më këtë lloj fare! Jemi vetë! Uf!”
Kjo është llogjika e pushtetarit edhe kur të buzëqesh, të vë dorën në sup. Asnjëherë nuk të ka dashur, që nga origjinat. Po të studiosh historinë e marrëdhënieve të tua me pushtetin, që kur Platoni të përjashtoi prej Qytetit ideal e deri me sot, do ta kuptosh më mirë. Madje sa më shumë e ka vlerësuar fuqinë tënde aq më shumë ai të ka patur frikë, cmirë, të ka “zilepsur” (do thoshte profesori im Birҫe Hasko). Pushtetari s’ka ҫ’ti bëjë më Robert Ndrenikës, përveҫse i evidenton vlerat kur përpiqet ta ironizojë, por ty… ai të ka futur në thes! Në teatrin e realizmit socialist kur populli ishte tashmë në thes, ishte fjala për ta zbukuruar thesin, për ta legjitimuar atë, për ta bindur popullin se thesi ishte i mirë. Në teatrin e deritanishëm të politikanëve, popullit, ndonëse është në të njëjtin thes të cilin pushtetarët e rrahin me dajak herë nga e majta e herë nga e djathta, i duhet të mbushë edhe kutitë për të zgjedhur në cilën anë të thesit e do kësaj here dajakun. Dhe vazhdon edhe dajak-teatri… “Prite kur të gjesh në diskutime – thotë Platoni tek Sofistët – një art tjetër me anë të të cilit krijohet iluzion, duke iu derdhur fjalime nëpër veshë të rinjve dhe atyre që janë ende larg të vërtetës së gjërave, duke iu treguar me anë të të folurit imazhe mbi gjithfarë gjërash, për t’i bërë të besojnë se ajo që dëgjojnë është e vërtetë dhe se ai që flet është më i dituri nga të gjithë në gjithçka…”
Jam e sigurt, Robert Ndrenika i së ardhmes që ti mund të ekzistosh. Madje edhe në rradhët e teatërbërësve të sotëm. Por, për vetë mënyrën se si kanë funksionuar gjërat, shkallët që ata kanë kujtuar se po ngjisin drejt rritjes në profesion, kanë qenë prej rëre… Në konkurrencë me teatrin e gjallë të jetës jashtë mureve të godinës teatrale dhe me teatrin e përditshëm të politikanëve, që disponojnë audiencë dhe mjete shprehëse shumë më atraktive: ҫdo ditë e më shokuese – teatri e humbi kredibilitetin. Pa ndihmë ai nuk lulëzoi dot më, nuk doli dot nga kriza – krizë kjo më kot e identifikuar vetëm si ekonomike: ekonomia do ta ndihmonte por nuk do t’ia zgjidhte problemin. Është fjala për krizën e thellë të identitetit të këtij arti përballë një shoqërie gjithnjë e më të hapur e ekzigjente, në zhvillim e sipër. Përse do ekzistonte ai tash e tutje? Legjitimiteti i tij në të kaluarën, mjetet shprehëse që trashëgoi prej saj, niveli kulturor në të cilin u gjend, potenciali shpirtëror që i kish mbetur ishin tashmë karta të djegura, ai duhet të rilindte si feniksi nga hiri i vet, të rigjenerohej në një identitet të ri. Po aq kollaj bëhet kjo? Ashtu si plaka që për t’u bërë nuse provon të trukohet, të sajohet, të mini-fundohet duke u dukur edhe më e mjerë si plakë, ashtu edhe Teatri Kombëtar, në urgjencë, u përpoq të modernizohej së jashtmi, të “vinte në kohë”, të mblidhte mballoma andej këtej e t’i shiste si novatorizma. Bëri atë që mundi. “Teatrin shpesh e kanë pas quajtur lavire – thotë Peter Brook – duke nënkuptuar se arti i tij është i papastër, por sot kjo është e vërtetë në tjetër kuptim: kjo lavire ju merr paratë, por nuk ju jep kënaqësi kundrejt pagesës.” (Këtë TK e ka zgjidhur duke e bërë biletën 150 lekë… e japim pra pothuajse falas, për një kafe, shfaqjen. “Po kohën që shpenzova? Zhgënjimin? Kush t’i paguan ato?” – thotë spektatori me kërkesa.) Sado e rëndë të na duket ne teatërbërësve, shumëkujt (komentet nga populli janë fatkeqësisht të shpeshta) mund t’i duket revoltuese që të vazhdojë të mbahet, me paratë e taksapaguesve, një teatër kombëtar që trashëgon statusin dhe privilegjet e dikurshme pa trashëguar vlerat dhe shkëlqimin, mund t’i duket abuzive që aktorët e tij, me paratë e taksapaguesve të kenë pretendime për më shumë fitime, që ata vetëshpallen të rëndësishëm, reklamojnë dinjitet duke uzurpuar dinjitetin tashmë të legjitimuar të Artit të Teatrit ndërkohë që i shërbejnë këtij të fundit në mënyrë…të diskutueshme…
Nuk e di a më kupton, Robert Ndrenika i së ardhmes? Përse është pikërisht Robert Ndrenika që i bën pushtetarët të vrapojnë e të thërrasin komunitetin për t’i dhënë shpjegime e bërë premtime duke shuar sa më shpejt shkëndijën e një flake të mundshme? Sepse të tjerët nuk e bëjnë dot. Nuk kanë kredi, nuk e kanë admirimin e popullit me vete. Shumë-shumë, në TK mund të kenë mbetur dy ose tre figura karizmatike për nga popullariteti, të cilave zëri mund t’u peshonte ende. Të tjerët nuk kanë zë, ndonëse aktorë. Nuk ngrenë peshë. Është vepër e politikës. E ka tredhur aktorin dhe ky nuk diti të mbrohej. Dhe kjo situatë nuk po ka shpresa të ndryshojë… I referohem përsëri Peter Brookut: “Aktorët mund të duken ndonjëherë njerëz të vegjël dhe ziliqarë, por unë nuk kam njohur kurrë një aktor që nuk do të punojë. Kjo dëshirë për të punuar përbën forcën e tij. Kjo u jep mundësinë profesionistëve, kudo qofshin, të kuptohen me njëri-tjetrin. Por aktori nuk mund ta riformojë i vetëm profesionin e tij. Në një teatër që s’para ka shkollë dhe s’ka as qëllim, aktori është në përgjithësi një mjet dhe jo një instrument. Megjithatë, edhe kur aktivitetin teatral e merr në dorë aktori, problemi nuk është se zgjidhet.”
Në këtë pikë, në reformimin e artit të tij nuk u bë asnjëherë asgjë, as gjatë këtyre viteve të fundit, të së ashtuquajturës reformë. Nuk u bë një mbledhje (“mos e dhëntë zoti! Ku i dihet se ç’probleme na hapin ‘ata’!), një mësim i hapur, një konferencë, një debat, një cikël leksionesh, një javë e mendimit, nuk u gjet një formë për të ballafaquar, rrahur, nxitur reflektimin, kureshtjen, frymëzimin, sedrën e aktorëve. Për të nxitur kritikën. Nuk u krijua një formë emulacioni, edhe ajo që ishte, monetare, u hoq së fundmi, në vend që të gjendej mënyra më efikase për ta përdorur. Këto nuk kanë të bëjnë aq me buxhete sesa me ambicje pozitive, vëmendje, vullnet të mirë dhe kompetencë. Aktorët nuk ditën të kërkonin çka u duhej më shumë për ta rimenduar e ridimensionuar artin e tyre. Pritën. Heshtën. Pretenduan gjithmonë para, me shumë të drejtë, por vetëm kaq. Kërkuan godinën dhe, në fakt, ata duhet të kishin refuzuar prej kohësh të luanin në atë godinë, por frika se mos humbin edhe rrogën dhe mjerimi i asnjë alternative tjetër, nuk i lejojnë: ata do të kishin vazhduar të luanin derisa ajo t’i zinte brenda. Pushtetarët i kanë lidhur: asnjë alternativë tjetër përveҫ teatrit institucional. Shpresa të mëdha gjeneroi ardhja e së majtës në pushtet tre vjet më parë. Sidomos tek të rinjtë e komunitetit. Normale: e majta në gjithë botën është ajo që ka në programe një kujdes të veҫantë për artin dhe kulturën, në Perëndim, të jesh artist, sidomos aktor, do të thotë medoemos të votosh majtas për të pasur më tepër mundësira, mjete financiare, mbështetje nga pushtetarët, një vizion që tenton ta përmirësojë sistemin ekzistues në mos po ta reformojë, siç ishte fjala tek ne. Artikullshkruesja, në pragun e kësaj reforme, pati botuar tek gazeta “Panorama” një shkrim me titull “Për të ashtuquajturën krizë të teatrit” në të cilin formuloheshin pyetje dhe shqetësime. Një tentativë për të stimuluar debatin, reflektimin në lidhje me reformën që pritej. As hijen më të vogël të ndonjë përgjigjeje për ndonjërën nga pyetjet e shtruara nuk dha e ashtuquajtura reformë. U bënë thjesht ca ndryshime të vockla brenda institucionit të TK, u hoqën nga puna dy veta, u ndryshua sistemi i kontratave dhe në kushtet e reja, e në mënyrën se si menaxhohen ato, artistët kanë humbur një herë e mirë ҫdo lloj lirie. Ndryshimet u bënë kinse për t’i dhënë fund indiferencës së aktorit funksionar, u bënë në emër të lirisë së zgjedhjes së aktorëve, të shanseve të barabarta, të konkurrencës, etj. Dhe çfarë sollën si rezultat? Përgjithësisht: frikë dhe mjerim nën thundrën një drejtuesi pushtetplotë, të pandëshkueshëm e të pandëshkuar për fajet e rënda profesionale dhe skandalet e tij – prej më të voglës kapriçio të të cilit mbetesh pa bukë pra: mos i jep shkas! Asnjëherë, dinjiteti i artistëve nuk ka rënë kaq poshtë! Pushtetarët, në bashkëpunim të plotë me drejtuesin e tyre janë shumë të kënaqur nga ky rezultat: ja dhe një sektor që na la rehat, një turbinë që, prodhon apo jo energji, s’ka rëndësi, vret ajër! Nuk na hap dot më probleme. Kështu e katandisi një kolektiv të tërë, paradoksalisht, dredhia e politikës së majtë (ndonëse dihet që e majtë-e djathtë tek ne janë emërtime rastësore e aksidentale).
Asnjë shqetësim nuk iu vjen më pushtetarëve nga TK. Edhe godinën e re dikur ndoshta do t’ua japin. Në pritje e sipër ndonjë aktor që, me gjithë dëshirën e mirë, aq kupton, mund të jetë i gëzuar, shumë i gëzuar. Shteti po e bën detyrën ndaj Artit të tyre. Po ata vetë a e bëjnë detyrën ndaj Artit të tyre? A e kuptojnë shumë prej tyre se kanë mbetur vetëm aktorë në bordero dhe nuk ia kanë arritur kurrë të bëhen artistë dhe se kjo sa vjen e po përkeqësohet? Se as si të tillë nuk po ka më se kush t’i zëvendësojë? I gëzon kjo gjë? E kuptojnë se të bësh shfaqje nuk do të thotë patjetër të bësh art, e se krahas godinës duhet të ekzistojë edhe artisti që do ta mbushë atë me jetë? Si do sillej ky aktor nëse teatri do ishte pronë e tij, nëse nga përbërja e trupës, nga zhvillimi i saj, vizioni i saj, rrjedhimisht nga cilësia artistike e shfaqjeve, marrëdhëniet me publikun etj., do varej rroga, reputacioni, siguria, e ardhmja e trupës, e ardhmja e teatrit, shkëlqimi apo mjerimi i tij? Sigurisht, jo njësoj.
Vite më parë, bëhej fjalë për shndërrimin e Teatrit Kombëtar në një kompani shtetërore midis të tjerash, dhe për rrezikun e akaparimit të terrenit të teatrit për qëllime të dyshimta. Nuk munda t’i ndiqja dot ngjarjet nga afër, nga larg isha solidare me përpjekjen për të mbrojtur territorin e teatrit dhe pretendimin për të ndërtuar po atje një teatër të ri. Kurse pjesa tjetër, ajo e shndërrimit të trupës së TK në një kompani shtetërore, midis të tjerash, mu duk një perspektivë shumë interesante dhe frytdhënëse. Me thënë të vërtetën, mu duk e vetmja mënyrë për t’i dhënë shanset kësaj trupe për një reformim real, për të rigjetur së brendshmi një identitet të ri, për të qenë e zonja e vetes. Nuk e dimë se ҫ’do ishte bërë po të ishte realizuar ky projekt, por kjo histori më kujton fabulën e zogut të vogël të cilit lopa apo demi i bënë përsipër një bajgë dhe kjo e mbrojti nga sqepi dhe kthetrat e skifterit. Trupa e TK e quajti bajgë këtë projekt, luftoi për ta evituar atë, ja arriti, dhe kam përshtypjen se skiferi që e hëngri është një e keqe më e madhe – që e ka gjetur sot. Kjo trupë nuk ka asnjë mundësi vendimmarrjeje për fatet e veta, asnjë mundësi reformimi sipas interesave të saj dhe të Artit të saj, asgjë që ta vërë në lëvizje dhe ta frymëzojë si një organizëm kompakt. Kompani të tjera do kish pasur me siguri ndërkohë: nuk ka. Nuk u bë asgjë për të mbirë të tjera lule, të tjera shkolla. Kam dyshimin se kemi humbur një shans dhe për shumë vjet.
Në këto kushte, e kupton i dashur Robert Ndrenika i së ardhmes se pse unë kam frikë për ty? Ose më mirë pse kam frikë për Teatrin pa ty, për atë ditë kur godina flakë e re do ndërtohet, perdja do hapet e ti nuk do jesh… asnjë i farës sate! Është një krim! Vetëm këto tre vite i ikën Shqipërisë sa e sa të rinj të talentuar, me potencial e të ardhme, për të përmendur vetëm ata që i njoh personalisht e që më kujtohen për momentin: Marsela Lena, Eftiola Laҫka, Julia Iliriani, Erjeta Cufaj, Flori Belliu – ky i fundit pasi realizoi një figurë të mrekullueshme në një kazi-monodramë të një regjisori gjerman në teatrin Eksperimental. (Një provë të tillë aktorit të ri duhej t’i krijonte një minimum vazhdimësie. Po këtu as u tha një fjalë, as e pa njeri, as u frymëzua njëri, as kuptoi njeri gjë. Asgjë. Flas për Belliun, sepse aktoret e tjera të sipërpërmendura kanë mundur sadopak të bëjnë të flitet për veten). Po sa të tjerë, edhe nga ata që bëjnë pjesë tashmë në TK, që kanë bërë përpjekje të mëdha për ta realizuar këtë ëndërr e që, ndër më të talentuarit, nuk vuajnë për garantimin e kontratës – janë aq të zhgënjyer saqë i kanë kthyer sytë prej kohësh drejt llotarisë amerikane. Për këtë shqetësohem. Kush e ka radhën?
E shoh se në atdheun tonë përkushtimi, vlerat, aftësitë, karakteri, janë difekte. Bezdisin. Duhen aftësi të tjera. Ti do më numërosh si argument njerëzit shembullorë të fushës së kulturës që gjatë kësaj periudhe u shtrënguan të japin dorëheqjet nga poste të lakmuara, drejtorira, borde, ose u shkarkuan sepse nuk mund t’i shërbenin njëkohësisht edhe Zotit edhe “Mamonit”?
Nëse ti e do, e do me gjithë shpirt këtë profesion, gjej një mënyrë për ta bërë atë, qoftë edhe si një formim të dytë, si një profesion sekondar, një hobi. Shumë nga aktorët më të shquar të teatrit shqiptar por edhe të huaj ishin pa shkollë, u formuan në terren, në punë e sipër. Nëse ti je talent, nëse ti gjen një mënyrë qoftë edhe jo të zakonshme ta kultivosh atë, një ditë do hysh në skenën e re, dhe ajo do të të ketë! Do jetë ajo e interesuar të të ketë. Në plot vende të botës teatri zyrtar i degraduar është reformuar nga trupa amatore. Vetë trupa e Stanislavskit filloi si një trupë amatore, në kuptimin jo përçmues të kësaj fjalë, por në kuptimin që u udhëhoq drejt skenës nga ama, nga shpirti.
Do ndryshojnë gjërat edhe këtu me kohë, por nuk është shteti ai që mund t’i ndryshojë, janë individët. Shteti, në rastin më të mirë është dashamirës ndaj tyre (siҫ ndodhi në Francën e Gjeneralit De Gaulle me Ministër kulture Andre Malraux, i cili e transformoi thellësisht peizazhin kulturor francez). Prandaj po të jap një këshillë: në binomin midis teje dhe pushtetit, në lidhje me artin tënd, ti duhet të jesh një hap përpara në lidhje me pushtetin: gjithmonë! Mos i kij besë atij dhe mos e humb asnjë çast vigjilencën për asgjë që ka lidhje me artin tënd! Je ti që duhet të dish se ҫfarë i kërkon dhe të insistosh e të ushtrosh presion kur pushteti të merr mendim ose bën sikur të merr mendim. Je ti që duhet të thellohesh e të sensibilizosh gjeneratën tënde mbi formën më të përshtatshme të sistemit që duhet zgjedhur në kushtet e tua për të patur një teatër, qoftë edhe modest për nga mjetet, por të gjallë për nga mendësia, për ta bërë atë konkurrues – jo në festivale autolegjitime që janë bërë gjithnjë e më të shpeshtë për të festuar mediokritetin e tyre, por përpara një publiku gjithnjë e më të shumtë në numër, heterogjen dhe të interesuar, që ti do ta krijosh. Ti nuk duhet të presësh që pushteti të realizojë atë që ai vendos, sepse ai i bije shkurt: sistemon një institucion sa për inventar: Teatër Kombëtar – copë 1. Ku mund të shtohen rrogat, të vendosen shpërblime, të bëhet godina, të luhen shfaqje – por pa teatër brenda, pa Art. Pa ty.
Është tashmë e vërtetë në të gjitha vendet e botës: Pushteti e mban teatrin nën thundrën e vet, ndonëse vende-vende kjo thundër është putër. Teatri nuk mund të ekzistojë i pambajtur nga pushteti, është nën mëshirën e tij. Teatri nuk dënohet më, nuk persekutohet, thjesht injorohet ose instalohet në konfortin institucional. Subversiviteti i tij, nëse i ka mbetur sado pak, paguhet dhe garantohet nga shteti! Është një nga të mirat kombëtare të mbrojtura prej tij. Në vendet perëndimore është i detyruar të dozohet, në një vend si yni edhe po të ketë, kujt i prish punë? Teatri i politikanëve është ku e ku më subversiv! Nuk e konkurrojmë dot kurrë!
Çfarë mbetet? Çfarë mund të bëjë dot profesioni ynë që nuk e bëjnë dot ata që ia kanë vjedhur teatrin, që duan ta vdesin konkurrentin e tyre të subvencionuar? Të strehuar, të ushqyer, të pastruar?
Mbetet Arti…
*Titulli origjinal: LETËR AKTORIT TË RI QË DO TË ISHTE ROBERT NDRENIKA I SË ARDHMES.
Pushtetit sot i vjen instinktive shtysa që t’i katandisë institucionet kulturore në ndërtesa.
Te lumte dora dhe mendja Sesilia.
Per fat te keq, kam frike se pa u zhdukur me fare kjo klase e ndyre politikanesh qe sundojne Shqiperine (si pozita dhe opozita jane njesoj art-vrasese) nuk do beje dot perpara teatri.