Tani që po bëhen përpjekje për të analizuar rezultatet e votës lokale në Dibër, po dëgjohen zëra se fitorja e socialistëve ka nevojë të shpjegohet. Përtej fantazive të çuditshme që tjerr kreu i opozitës Basha – i cili tani duhej të ish duke konsideruar dorëheqjen, por kjo është punë tjetër – dhe akuzave të lëshuara qesim nga megafonët e ndryshkur të opozitës, meriton vëmendje një tezë e Armand Shkullakut sot te Lapsi, dhe pikërisht se “Kemi mbërritur në një fazë të politikës, ndoshta të fundit, ku ideologjitë, programet, frymëzimi, kandidatët, projektet, nuk kanë më asnjë pikë rëndësie” dhe “humbja e besimit nuk ka prodhuar revoltën për ndryshim, por nevojën për adaptim.” Po a kemi të bëjmë këtu vërtet me “humbje të shpresës te politika”, siç qenka shprehur edhe Basha, apo mos është më shumë fjala për një shpresë të shtuar te “jopolitika”, ose një besim të rilindur, se qytetarët, së paku ata të provincës, mund dhe duhet të fillojnë të kujdesen vetë për punët e tyre, gjithë duke u përpjekur ta “paqësojnë” politikën e ndërkryer të Tiranës, duke e neutralizuar? Ky i dyti, nëse konfirmohet nga realiteti, do të ishte një zhvillim për t’u përshëndetur. Qytetarët në Shqipëri ende janë mësuar te presin që “Dovleti” t’ua zgjidhë hallet; madje edhe për t’u financuar një urë 4-metërshe ose për t’u riparuar derën e një shkolle fshati; dhe nëse Dibra tani po kërkon t’i thotë pushtetit qendror, me mënyrën e vet, që “mos na rokanisni”, kjo veç të mira e përfitime do t’u sillte, dibranëve dhe në afat të mesëm të gjithëve. Në momentin e sotëm, objektivi numër i një i politikës opozitare në bazë, ose në nivelin mikro, duhej të ishte ripërmasimi drastik i ndërhyrjeve të Tiranës në jetët e njerëzve, çfarë parakupton edhe ripërmasimin e varësisë së qytetarëve nga shteti, pushteti dhe orekset e politikës. Për këtë ndoshta duhet shfrytëzuar çdo loophole në ligjshmërinë për pushtetin lokal; dhe në vend që t’i mjaullihet Tiranës për më shumë fonde më shumë fonde më shumë fonde duke krijuar pastaj edhe raporte perverse me qendrën, ndoshta thjesht i duhet thënë: “mos na u ngatërroni nëpër këmbë, ju lutemi.” Kështu edhe elitat në pushtet do të kenë pastaj më shumë kohë të merren me njëri-tjetrin, t’i kushtojnë më shumë kujdes hobby-ve të holla intelektuale, arkitekturës spekulative dhe kthimeve në identitet; dhe të vazhdojnë të japin shfaqje para publikut që janë sfilitur për ta krijuar; çfarë do të ishte edhe, me përkufizim, dëmi minimal që mund të shkaktonin.