Ja një kokëçarje e vogël për historianët dhe studiuesit e autorësisë në letrat shqipe: i ka shkruar “vërtet” Enver Hoxha të gjitha materialet që janë botuar nën emrin e tij si autor?
Pyetja nuk ka natyrë sensacionalistike. Vepra e botuar e Hoxhës vjen si shumëllojshmëri tekstesh – nga raportet në kongrese dhe në plenume, te përshëndetjet e ndryshme dhe letërkëmbimet dhe telegramet, deri te bisedat e transkriptuara. Pa përmendur shënimet, ditarët, kujtimet dhe librat me natyrë publicistike ose eseistike.
Pa dyshim, një pjesë e mirë e këtyre janë shkruar nga ndihmësit e Hoxhës, ose ata që në botën anglosaksone njihen si speechwriters; dhe që në Shqipëri duhet të kenë punuar me grupe – që nga sekretariati, tek aparati i KQ të PPSh-së dhe studiuesit e punonjësit e Institutit të Studimeve M-L si dhe shkrimtarë dhe publicistë të pajtuar dora-dorës, me detyra të posaçme.
Pothuajse asgjë nuk është thënë, për këtë çështje, në periudhën pas 1990-ës – le t’ia faturojmë edhe këtë heshtje mefshtësisë karakteristike të bashkëpunëtorëve të Enverit, në lidhje me mënyrën si punonte aparati propagandistik i shtetit totalitar.
Autorësia e veprave të ndryshme të Hoxhës mund të trajtohet nga shumë anë – biografët e Hoxhës mund të jenë të interesuar të marrin vesh; por edhe studiuesit e ligjërimit politik të totalitarizmit; historianët e totalitarizmit shqiptar dhe specialistët e copyright-it në socializëm.
Edhe vetë studimi i krahasuar i shënimeve të Hoxhës nga njëra anë dhe produktit të konfeksionuar për lexuesin nga ana tjetër mund të ndriçonte shumëçka, në lidhje me mënyrën si vullneti i një individi – lider absolut – shndërrohej në fjalë të pushtetshme.
Nëse shqipja totalitare i detyrohet, në masë të madhe, idiolektit të Hoxhës udhëheqës, edhe figura e Hoxhës udhëheqës i detyrohet, sërish në masë të madhe, këtij ligjërimi totalitar të cilin Hoxha e fliste po aq sa ç’flitej prej tij dhe përftohej si vetë gramatikore e diskursit përkatës.
Në vitet e regjimit, çështja e autorësisë si marrëdhënie pronësie pak a shumë e deklaruar dhe mbrojtur me ligj nuk ngrinte shumë peshë, së paku nga pikëpamja formale: ndodh madje që, të njëjtat materiale, të botohen edhe në Veprat e plota të Hoxhës, edhe në Dokumentet Kryesore të PPSh-së, herën e dytë si me autorësi kolektive.
Në vetë praktikën e punës së organeve të PPSh-së, të mbaje një raport nuk do të thoshte edhe se e kishe shkruar atë; nga pikëpamja formale, leximi publik me zë i raportit p.sh. në kongres ose në plenum ishte më i rëndësishëm dhe më domethënës për statusin përkatës, se autorësia e tekstit.
Por kjo edhe ngaqë copyright-i i materialeve të tilla në socializëm nuk duket se ka ndonjë aspekt komercial; prandaj edhe autorësia është thjesht me interes për biografët ose historianët e ideve.
Nga ana tjetër, autorësia e një dokumenti politik lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësinë – prandaj zbatohet ndaj personit që e ka “bërë të vetin” tekstin në publik ose para të tjerëve, jo ndaj personit që e ka hedhur tekstin në letër.
Duke parafrazuar Foucault-in, le të themi se autorësia e një teksti (diskursi), edhe e teksteve të Hoxhës, i ruan gjithnjë lidhjet me gjasat sado teorike të ndëshkimit, në qoftë se teksti do të rezultonte transgresiv, heretik ose ideologjikisht i gabuar.[1]
Çfarë do të thotë, në rastin e diskurseve me natyrë politike, se një lider politik – si Hoxha – e ushtronte autorësinë e diskurseve që dilnin me emrin e tij si pjesë e funksioneve prej lideri në krye të Partisë dhe të Shtetit; dhe jo si pjesë e përpjekjeve të tij për t’i hartuar këto tekste ose diskurse.
Aq më tepër që, për sa kohë vepra e Hoxhës u botua praktikisht e tëra në të gjallë të atij vetë dhe gjithsesi nën mbikëqyrjen e aparatit editorial në shërbim të tij, çështjet e autorësisë atje duhen trajtuar gjithnjë veçan çështjeve të autentifikimit.
Hoxha si autor mund të ndiqet hap pas hapi edhe si prani tekstuale – ose tërësi tiparesh stilistike unike. Kjo është më e vështirë të bëhet me tekste me natyrë thjesht politike-organizative, p.sh. raportet; dhe më e lehtë me tekste me natyrë më krijuese a spekulative, p.sh. kujtimet.
Nuk ka dyshim që kujtimet, që nga ato të fëmijërisë e të rinisë, dhe më pas ato të Luftës dhe të periudhës së Pasluftës, si Titistët, Hrushovianët etj., kanë të përbashkëta një numër tiparesh, aq sa të lejojnë të flitet për Hoxhën autor si funksion të vetë tekstit.
Bëhet fjalë për vepra që, veç synimeve dokumentare, tradhtojnë edhe pretendimet e Hoxhës për t’u përftuar para publikut edhe si shkrimtar.
Çështja këtu është nëse mund ta shtrijmë këtë koncept të autorit funksion të tekstit, aq sa të përfshijë edhe autorin “tekstual” të teksteve të tjera, të cilat janë botuar dhe kanë qarkulluar nën emrin dhe me nënshkrimin e Hoxhës.
Këtu del edhe një problem tjetër jo trivial: po sikur ky autor-funksion tekstesh ku autori pritet të spikatë më fort, për shkak të zhanrit ose të kategorisë, të identifikojë origjinalisht jo Hoxhën vetë, por një ghost writer të qëndrueshëm çfarëdo? Në kuptimin që uniteti stilistik t’i detyrohet dorës që i ka shkruar, jo dorës që i ka nënshkruar tekstet? Ja një punë për filologët dhe biografët, nëse do t’u interesojë vërtet ndonjëherë.
Një aspekt i tretë, i sfidës që përfaqëson Hoxha autor, ka të bëjë me funksionimin e teksteve të autoruara (dhe të autorizuara) prej tij në shoqërinë shqiptare të kohës – ose mënyrën si i shkonte Hoxha lider totalitar lexuesit, nëpërmjet fjalës, së shkruar dhe të folur, e cila përdorej në mënyrë gati liturgjike.
Çfarë do të thotë se, duke u riprodhuar nëpërmjet përdorimit – si lexim individual, dëgjim në radio ose TV, lexim kolektiv, diskutim në forma edukimi dhe mënyra të tjera të ngjashme – tekstet e nënshkruara nga Hoxha i shërbenin riprodhimit të pushtetit totalitar në mënyrë edhe të ngjashme, edhe plotësuese (komplementare) me ikonografinë e portreteve, busteve prej allçie, statujave dhe propeve të tjera vizuale të propagandës së regjimit.
Nga ky aspekt i tretë, çështja e autorësisë nuk ka shumë kuptim që të shtrohet, meqë autorësia e Hoxhës vjen si premisë e vetë praktikës leximtare dhe hermeneutike; në kuptimin që i paraprin dhe e autorizon këtë praktikë.
[1] Foucault, Michel, Language, Counter-Memory, Practice, selected essays and interviews, Cornell University Press, 1977, f. 124-126.