Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji / Urbanistikë

KARTOLINË NGA TIRANA

39 gradë. Qyteti lëshon avuj. Makineritë e rënda verdhojnë mbi asfalt, mbushin ajrin me krisma në mesditë, polifoni eskavatorësh, nxjerrin në dritë zorrët lara-lara të qytetit. (Do të bëhet parking). Parking apo vetting? Mbase e bëjnë rrethrrotullim. Roja i kantjerit tek ish-pallati i Kadaresë ngre supet. “Ku i dihet ça bohet në t’ardhme mo çuno?!” Ish-pallati akoma në këmbë, një pirg dritaresh dhe ish-ballkonesh, si kumt, si shenjë (gisht i mesëm përgjithmonë ngritur lart i arkitekturës tonë moderne). Erdhi koha që edhe kubizmi i Maksit të na duket si relike antike. Diku më poshtë, ngrihen shtatlarta sarajet moderne me leje të rregullta bashkie të vitit dy-zero-katërmbëdhjetë (në zheg, fjala “leje” ngjan si “lehje”). Administrata është në plazh. Administrata ka vapë. Administrata është bërë çokollatë. Këtë verë e kaluam bukur. Ishte verë legalizimesh. Ishte verë me çerdhe. Këtë verë i shpallëm luftë edhe cinizmit (përjashto komunistët e pandreqshëm të Zhizhekut.) “Mos u bëni cinikë!”— vetëtin pushteti që përtej ish-pyllit të sodës. Të keqen, vetëm cinikë jo. Cinizmi është shfaqje e huaj. Bëhuni milionerë. Bëhuni histori suksesi. Be the one. Bëhuni të bukur. Cinizmi ju shëmton. Po ja që cinizmi na rrjedh përvëlues nëpër damarë si gjaku arbnor. Ja që damarët e kryeqytetit janë përgjithmonë të shqyer, me gropa thithëse lejesh të rregullta bashkie, gropa magjike, gropa publiko-private, ku bie përditë brenda edhe presidenca. Ja që janë fryrë edhe nofullat artificialisht të alarmuara të zëdhënësit të shtypit të Partisë Që Nuk Bën Plazh Sivjet Se Duhet Të Shpikë Arsye Të Tjera Për Qeveri Teknike Në Pikë Të Vapës. Larg qytetit, kalatë e bosave politiko-mediatikë lëshojnë hije me zor. Gërryerja e tokës bëhet me nostalgji, sulmi ndaj malit vazhdon me këngë, bankat e nivelit të dytë vidhen me kujdes një nga një. Një zë televiziv mbulon atdheun në djersë: aksident rrugor, vdekje, arrest, çerek-VIP-a në mbathje plazhi, vdekje nr. 2, hetim, akuzë, kundër-akuzë, bukë dhe cirk, shtypet një deklaratë, aksidentohet një turist, grabitet një grabitës, mbytet deti në det.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin