Po ta pyesësh dikë pse e shkruan shqipen me gabime, gjasat janë që të përgjigjet kështu: nuk tregoj kujdes kur shkruaj; ose, asnjëherë nuk i kam vënë mend drejtshkrimit; ose, ç’rëndësi ka, mjafton që të tjerët më marrin vesh; ose, nuk shkruaj shpesh; ose, i kam harruar rregullat që pata mësuar në shkollë; ose, sot zor se gjen njeri që ta shkruajë shqipen mirë; ose, kur edhe gazetarët në gazeta e shkruajnë keq, çfarë pret nga unë; ose, po unë pa shkollë jam; ose, unë e kam bërë shkollën shkeleshko, mirë që kam mësuar të paktën të hedh firmën; ose, unë shqipen e shkruar e kam mësuar vetë, sepse shkollën e kam bërë anglisht (italisht); ose, unë jam pak disleksik, etj. Nuk di të jenë bërë gjëkundi sondazhe të tilla, por kam bindjen se, në çdo rast, pyetjes askush nuk do t’i përgjigjej: shkruaj keq sepse drejtshkrimi i shqipes ka nevojë të ndryshohet ose të reformohet; ose, shkruaj keq, sepse drejtshkrimi i shqipes mbështetet mbi toskërishten, ndërsa unë jam gegë; ose, shkruaj keq, sepse rregullat e drejtshkrimit të shqipes u sanksionuan nën regjimin komunist totalitar, ndërsa unë jam antikomunist nga natyra; ose, shkruaj keq, sepse rregullat e drejtshkrimit të shqipes përçojnë një koncept autoritar dhe elitist për komunikimin, që e mbyt kreativitetin e masave dhe e mban gjuhën e shkruar artificialisht larg gjuhës së folur. Askush, me përjashtim të ndonjë gjuhëtari, ideologu, krahinisti dhe politikani demagog, të cilit reforma drejtshkrimore i duhet për arsye që nuk kanë të bëjnë… me shkrimin e gjuhës; dhe ndonjë tjetri vërtet profan, por të bindur ose të “infektuar” nga argumentet e sjella në publik prej të parëve. Në fakt, njerëzit e rrugës, nëse mund të shprehem kështu, duket se kanë një koncept shumë utilitar për shkrimin e gjuhës dhe thjesht e durojnë si një të keqe të nevojshme, duke ia pranuar në mënyrë implicite arbitraritetin e parimeve mbi të cilat themelohet; ndërsa ideologët, nga ana e tyre, duan që shkrimin ta inkuadrojnë në skemat dhe kornizat e tyre ideologjike. Megjithatë, mënyrat si i përligjin gabimet e tyre drejtshkrimore njerëzit e rrugës nuk është e thënë t’i përgjigjen realitetit; madje këtu hipotezat e gjuhëtarëve dhe konstruksionet e ideologëve dhe të politikanëve mund të jenë më të përligjura; njëlloj siç ndodh në fusha të tjera, si p.sh. në mjekësi, ku të sëmurët dhe të afërmit e tyre ose edhe kolektiviteti mund t’i shpjegojnë patologjitë dhe simptomat me mënyra që nuk përkojnë me shpjegimet e vetë mjekëve; si atëherë kur një infeksion i rrugëve të frymëmarrjes shpjegohet me dritaren që është lënë hapur gjatë natës, ose shfaqja e diabetit me konsumin e tepërt të ëmbëlsirave. Tek e fundit, kur shpjegojnë arsyet se pse nuk po shkruajnë mirë a sipas rregullave, njerëzit nuk është se janë doemos në kërkim të së vërtetës, por vetëm sa duan të sjellin një shpjegim të tillë që të zërë vend mirë brenda mënyrës si e shohin ata veten në marrëdhënie me të tjerët dhe me botën; ndërsa një sociolinguist, bie fjala, do t’i kërkonte këto arsye për qëllime të tjera; dhe një drejtor drejtorie në Ministrinë e Arsimit për qëllime sërish të tjera, e kështu me radhë. Për shtetin, fakti që qytetarët nuk arrijnë ta shkruajnë shqipen pa gabime do të jetë provë se mësuesit e gjuhës, në shkolla, nuk po e bëjnë punën mirë; ndërsa për studiuesin e komunikimit, gabimet drejtshkrimore fare mirë mund të lidhen me atë që shumë njerëz nuk kanë nevojë të shkruajnë, dhe aq më pak të shkruajnë mirë, pasi e kanë mbaruar shkollën; në një kohë që ruajtja e kompetencës, ose e formës së mirë drejtshkrimore është e kushtueshme dhe nuk mund të përligjet, në qoftë se të shkruarit nuk luan më ndonjë rol me rëndësi kritike në jetën e dikujt. E megjithatë, edhe sikur arsyet që sjellin njerëzit e rrugës për gabimet që bëjnë në të shkruar të jenë të cekëta ose të pavërteta ose të rrjedhin edhe ato nga ideologji të caktuara, kjo nuk i autorizon gjë kopshtarët e gjuhës që t’i shpërfillin këto arsye, thjesht ngaqë nuk përkojnë me hipotezat diturore. Aq më pak duhet të ndodhë kjo, në rrethanat kur shumë nga proponentët dhe ithtarët e reformave drejtshkrimore sjellin si argument kryesor për ndryshimin e rregullave të drejtshkrimit konstatimin se gjuha e shkruar duhet të mbetet afër gjuhës së folur ose edhe “gjuhës së popullit”, në mënyrë që njeriu i rrugës ta ketë më të lehtë që të shkruajë, thjesht duke ndjekur intuitën dhe në bazë të kongruencës ose të izomorfizmit midis gjuhës së shkruar dhe gjuhës së folur. Ky argument mbështetet mbi premisën se gabimet në drejtshkrim dhe gabimet e tjera në të shkruarin e gjuhës rrjedhin, në mos tërësisht atëherë së paku në masë të madhe, nga fakti që gjuha e shkruar është larguar nga gjuha e folur; ose që drejtshkrimi nuk pasqyron (më) mënyrën si po flasin njerëzit e rrugës; ose, çfarë është edhe më ekstreme, disa njerëz të rrugës, dhe pikërisht ata me prejardhje nga veriu dhe bartës të natyrshëm të dialekteve të gegnishtes, e kanë të vështirë të mësohen me rregullat e drejtshkrimit, sepse këto i përgjigjen më mirë sistemit të një dialekti tjetër të shqipes. Kjo premisë jo vetëm që nuk është e vetvetishme, por edhe mbështetet, edhe ajo, në një premisë edhe më të thellë, sipas së cilës gjuha e shkruar nuk është veçse një derivat i gjuhës së folur dhe duhet t’i rrijë kësaj besnik; ose një lloj transkriptimi, nga një medium në një tjetër, i të folurit. Mirëpo nuk ka asgjë, në linguistikën dhe në semiotikën bashkëkohore, që ta mbështetë plotësisht këtë premisë; madje fryma e përgjithshme ose trendi është që shkrimi të shihet si sistem semiotik i pavarur nga të folurit, megjithë lidhjet që ekzistojnë mes këtyre sistemeve. Çuditërisht, njeriu i rrugës, me intuitën dhe prakticitetin e vet, arrin ta kuptojë këtë më mirë dhe më shpejt se ideologu, i cili priret t’i shohë rregullat e përdorimit të gjuhës së shkruar, përfshi edhe rregullat e drejtshkrimit, ashtu siç do të kish dashur ai vetë t’i përdorte, ose për të përmbushur synime ideologjike.
[vijon]
Shkrime si ky janë përditësime aq të mira për diskutime gramatikore dhe sociolinguistike, sa që duhet falënderuar studiuesi A.Vehbiu e, njëkohësisht, i duhet kërkuar t’i rendisë këto pasazhe që përbëjnë “Peizazhet e fjalës” dhe t’i publikojë, siç edhe ka bërë para disa vitesh.Janë të vërteta të njohura e të panjohura që z. Vehbiu sjell lishur me gjuhëpërdorimin dhe gjuhëpërdoruesit, me fjalë të tjera, atë që thoshte e shkruante para më se një shekull e gjysmë më parë germani Hermann Paul, se “Usus-i” gjuhësor vendos për gjithçka i takon normës dhe jonormës!
Falemindewrit, Tefë Topalli