Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

PRINDËR DHE FËMIJË NË AGONI, SHTETI LUAN FUTBOLL

Një shkrim i botuar në HashtagAlbania më drejtoi te një reportazh i Denisa Canametit, në revistën “Shëndet+”, ku përshkruhet gjendja e mjeruar e Onkohematologjisë në QSUT – ose vendit ku mjekohen dhe trajtohen fëmijët me sëmundje të rënda të gjakut. Lexova atje se prindët e pacientëve duhet ta blejnë çdo bar jashtë spitalit, që nga paracetamoli te citostatikët, pa çka se këta të fundit janë për shërbim spitalor nuk mund të shiten në farmaci; teksa shteti, që duhet të sigurojë furnizimin me barna sipas ligjit, është kapur peng në tendera dhe të tjera moçale burokratike. Kjo gjendje po i çon në falimentim financiar prindët tashmë të goditur rëndë nga sëmundja, shpesh vdekjeprurëse, e fëmijëve të tyre. Të gjithë ata prej nesh, që i kap ankthi edhe kur fëmijës i hipën temperatura për shkak të një infeksioni të fytit ose të veshëve, duhet të bëjnë një përpjekje dhe ta kuptojnë se çfarë DHIMBJEJE konsumohet në heshtje, te këto hapësira ku shteti praktikon rregullisht artin e shpërfilljes të qytetarëve të vet. Kur prindët, nga Malësia e Shkodrës, e një vajze 13-vjeçare me leucemi detyrohen të blejnë një bar që kushton 1 600 000 lekë, asnjë prej nesh nuk mund ta zërë gjumi. Pacientët e vegjël edhe analizat, rezonancat magnetike dhe ndoshta radioterapinë janë të detyruar t’i kryejnë privatisht. Për fat të keq, timin, e lexova këtë reportazh pikërisht kur në mediat po flitej gjerësisht për një bonus prej 1 milion eurosh që Këshilli i Ministrave u dha futbollistëve të kombëtares të kthyer nga Euro 2016, duke i nxjerrë paratë nga “buxheti i posaçëm” a nuk di çfarë marifeti tjetër; dhe natyrisht nuk mund të rri pa e sjellë argumentin, populist dhe sentimentalist në vetvete, se këto para duhen shpenzuar, më parë se për futbollistë dhe festa të kota, për të normalizuar gjendjen në onkologjik dhe sidomos, për t’u siguruar barnat e nevojshme fëmijëve të sëmurë me kancer. Të gjithë milionerëve në Shqipëri, duke filluar nga politikanët, shtetarët, gjykatësit dhe parlamentarët që janë pasuruar, në thelb, me paratë e taksapaguesve, duhet t’u vijë ndot nga vetja dhe pasuritë materiale që konsumojnë haptazi, para realitetit të fëmijëve kancerozë të mbetur pa barna në QSUT; dhe aq më tepër në rrethanat kur shumë nga kancerët në gjak, te fëmijët, sot janë të shërueshëm me protokolle trajtimi të standardizuara. Është e papranueshme, madje moralisht e neveritshme, që një shtet të mbulojë me miliona euro futbollistët e vet, aq më tepër të mirëpaguar, teksa i lë fëmijët e qytetarëve të vet t’i vdesin, të braktisur, në pavijonet e onkohematologjisë!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin