Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MIKROBIOGRAFI (III)

0.

Arti i Biografisë

ndryshon nga i Gjeografisë.

Gjeografia flet për Toka,

pa Biografia për Koka.

Edmund Clerihew Bentley, Biography for Beginners (1905)

 

Ali Pashë Tepelena

Ali Pashë Tepelena

i therte kundërshtarët në pelena.

Simpatizonte Anglinë

dhe tepsinë.

 

Arben Dedja

Boton në shqip vëllimin e tij të parë me tregime, titulluar Amputime të zgjatura.

Nga qejfi e përkthen vetë në italisht dhe ia botojnë edhe në vendin fqinj.

Meqë cilësia e përkthimit është e lartë, i amputojnë disa nga prozat.

 

Avni Rustemi

Avni Rustemi

ç’e vrau qenin.

Pastaj dhe atë e vranë

siç ndodh në këto anë.

 

Bano Tanushi

E burgosën se si përgjegjës i shpërndarjes së kafes në kryeqytet (100 gr/muaj për familje) filloi të kish autoritetin e vetë Diktatorit.

 

Bardhyl Kondo

Si çdo tragjik kish rrathë të zinj rrotull syve dhe qese të varura poshtë tyre.

Shkruante komedi.

 

Epaminonda Bulku

Sapo skulptori, për të shpëtuar kokën, i theu me varé nudot e veta, Regjimi ra.

Në lakuriqësinë që pasoi nudoja e humbi krejt sharmin, ndaj vdiq i kënaqur me veten.

 

Estref Ekonomi

Pyeti ekipin mjekësor a ta shiste lopën e vetme për të përballuar shpenzimet shëndetësore dhe të gjithë qenë dakord.

 

Gjergj Kastrioti

Megjithëse ishte mbi tre vjeç, vazhdonte të pinte qumësht nga e ëma.

Përpiqej më kot t’ia zvjordhte gjinjtë e fishkur.

– Është shumë e milë, mami!

 

Harallamb Fagu

Mbasi merrnin pjesë në disa mbledhje të gjata e intensive, pranoheshin anëtarë byroje vetëm ata kandidatë që dinin të hanin mirë thonjtë (onikofagi).

Kurse ai u kooptua drejtpërsëdrejti nga baza, nga komunist i thjeshtë me një fjalë, kur u mor vesh që ish në gjendje, gjatë mbledhjeve tejet intensive, të hante edhe thonjtë e këmbëve.

 

Herkul Barbari

E lidhi ariun te shtylla elektrike kundruall Bashkisë dhe i bleu një krikëll birrë.

 

Ije Farka

Kish ruajtur kockat e një pule ngrënë tre vjet më parë.

Ia hidhte supës dhe ato notonin në kusi.

Krijonte kështu iluzionin se po hanin supë me lëng mishi.

– Të lumshin duart, mome!

 

Ilia Teneqexhi

Si shpikës në kohën e diktaturës i të ashtuquajturës “kanoçe”, Presidenti i Republikës i dha titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

 

Jeton Buzuku

Pinte egër për javë të tëra dhe ishte e pamundur ta shqisje nga gota.

Pastaj, befas, pushonte, kthjellohej dhe për nja 1 javë – 10 ditë i hynte një detoksikimi të ngadalshëm.

E kuptonim që do t’ia fillonte prapë kur e niste bisedën me frazën:

– Eh, vita koklavita!

 

Kulla e Sahatit

Viti 2036: bëhet ngrehina më e ulët e qendrës.

Viti 2051: ndërtesat e tjera i ka aq ngjitur, sa pranë saj mund të ecet vetëm në rresht për një.

Viti 2070: një rrëshqitje dheu në themele e lë përgjithmonë të pjerrët.

Viti 2102: shiu pikon brenda, katër fushët e orëve bosh.

Vullnetarë tashmë transmetojnë orën që brenda barkut të kullës.

Krahët luajnë rolin e akrepave; atë që tregon minutat të shtrirë krejt, tjetrin, të orëve, mbledhur për trupi: i rrotullojnë ngadalë, hija e tyre tragjikomike projektohet nëpër qytet.

 

Marash Kuqi

Ishte i vetmi nga ata që e dinin përmendësh Lahutën e malcís që ia kuptonte fillin e kuq të ngjarjeve poemës.

Në fillim nuk e merrnin vesh si ia kish arritur kësaj, gjer doli që kopja e tij e librit, nga ku nxinte përmendësh poemën, kish qëlluar me defekt në qepje: radha e këngëve ishte bërë lëmsh.

 

Mërgim Macaj

Ditën na hidhnin me helikopter, brenda stadiumit ku ishim strukur, bukë e kripë e zemër.

Natën na merrnin grupe-grupe për të na riatdhesuar me avionë të linjës.

Prisnim radhën duke ndjekur bizhdollanët e zinj që dilnin nga themelet shekullore të stadiumit dhe shuanin etjen me djersën që na pikonte.

 

Mihal Duro

Çunat e vegjël vijnë një nga një tek ai: u jep kallashnikovin, shpjegon si të qëllojnë.

Vënë në shënjestër dritaret përkundruall.

Të nesërmen kthehen prapë; dikush me municion me vete, për të qëlluar më gjatë.

Prindërit i presin pas dere.

 

Nik Krie-shpi

Pasi shkroi, epshërisht, në shqip vargjet:

 

Kur u rrite, e hjèshmja jime,

stisi tij atò di molla,

të përsisme edhe të holla,

çë të mblojën atë gji

 

u bë menjëherë kryeministër i Italisë.

 

Pashko Vasa

Pashko Vasa

është Vaso Pasha.

Lojë fjalësh?

Fe shqiptarësh.

 

Ramiz Zalia

Ishte nder i madh që organizimin e ceremonisë mortore të Mjeshtrit ia caktuan pikërisht atij.

I kishte të gjitha kartat në rregull: më parë pat organizuar ceremoni të vogla ditëlindjesh, pagëzimi, fejese, syneti…

 

Rrita Ora

– Mami, unë u rrita tani!!

 

Shkurte Pal Vata

Shkurte Pal Vata

jo veç i mëshoi ca si fort lopatës,

por shpiku dhe babanë e vet

si barceletë.

 

Think Tanga

Sigurisht nuk kish këtë emër, por e thërrisnin kështu falë aftësisë për të nxjerrë në pah breçkat gjatë mbledhjeve të bordeve të shumtë ku bënte pjesë e sidomos gjatë takimeve të një Think Tank-u e të cilës qe Presidente.

Dalëngadalë emri i vërtetë i humbi palëve të saj të thella kofshore.

 

Vasil Laçi

Vasil Laçi:

patllakja i ngeci;

s’i tregoi shokët

i krehu flokët.

 

Veli Kushi

Kërkoi leje në Organizatën Bazë t’i vinte djalit emrin e të vëllait, Hero i Popullit, por Partia pati të drejtë që i tha “Jo!”: shumë i rëndësishëm heroi, shumë diarre foshnja.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë