Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora

MË PAK PASAPORTA SHQIPTARE

Një vit më parë u vu re një dukuri interesante: numri i emigrantëve shqiptarë në Itali filloi të binte. Në qoftë se në fillim të 2014-s shqiptarët e kishin kapërcyer gjysmë milionin (502.546), në të njëjtën periudhë të vitit 2015, jetonin si rezidentë 490.483 shqiptarë. Pra 12.063 shqiptarë më pak.

Që trendi vazhdon të jetë i njëjtë, na e vërtetojnë të dhënat e porsa botuara nga Istat italian në kuadrin e bilancit demografik vjetor[1]. Në fillim të këtij viti, pra 2016, në Itali jetonin si rezidentë 467.687 shqiptarë, praktikisht regjistrohet një ulje prej 30.732.

Le ta shikojmë numrin e shqiptarëve brenda kontekstit italian. Elementi i parë ka të bëjë me uljen e numrit të përgjithshme të rezidentëve. Ky përbën me gjithë mend lajm, sepse pas nëntëdhjetë vjetësh numri i rezidentëve në Itali shënoi vlerë negative.

Shqiptarët bëjnë pjesë në një mozaik kombësish: janë rreth dyqind në Itali, por më shumë se gjysma janë me prejardhje europiane. Gjithsej jetojnë 5 milionë të huaj. Vendin e parë e zënë rumunët me 1.151.395 rezidentë, (22,9%), pastaj vijnë shqiptarët me 467.687 (9,3%), në vendin e tretë janë marokenët me 437.485 (8,7%), pastaj vijojnë kinezët me 271.330 rezidentë (5,4%) dhe ukrainasit me shifrën 230.728 (4,6%).

Shqiptaret ne Itali 1990-2015Nuk është vetëm numri i shqiptarëve që ulet (-4,6%). I njëjti fenomen dallohet tek marokenët (-2,6%), filipinasit (-1,4%), moldavët (-3,5%) e polakët (-0,7%). Sipas Institutit italian të statistikave, uljet në numër u përkasin kryesisht kombësive që kanë qëndrim të gjatë në kohë. Ndikojnë në përgjithësi tre faktorë: migrimet jashtë Italisë, numri i lartë i atyre që kanë marrë shtetësi italiane dhe flukse të reduktuara nga vendet e prejardhjes (në rastin tonë nga Shqipëria).

Gjatë vitit 2015 shqiptarët që kanë marrë pasaportë italiane kanë qenë mbi 36 mijë[2]. Siç është thënë diku tjetër, arsyeja e rritjes së numrit të dhënies së shtetësisë italiane ka të bëjë kryesisht me moshën e emigracionit shqiptar, që tashmë e ka kaluar periudhën 25 vjeçare. Në këtë mënyrë janë krijuar kushtet, sidomos ai kohor, për kërkimin e marrjen e shtetësisë italiane. Nga viti në vit, numri i shqiptarëve që marrin pasaportën e vendit fqinjë po rritet ndjeshëm. Edhe pse dy vjet më parë bëri përshtypje numri i madh ia tyre që morën shtetësinë italiane[3], këtë vit po përsëritet e njëjta gjë, madje me shifra edhe më mbresëlënëse.

Po të analizohen me vëmendje shifrat e mësipërme, qoftë edhe në mënyrë të përafërt, dallohet që ulja e numrit të shqiptarëve tejkalohet nga shtetësitë e marra, çka tregon se flukset kanë ende një farë dinamizmi. Gjithashtu, duhet të theksojmë se ndikojnë faktorë të tjerë, që kërkojnë medoemos analiza specifike, si për shembull kthimet në vendlindje, lejeqëndrimet e skaduara, emigracioni drejt vendeve të tjera, pajisja me dokumente e shqiptarëve me qëndrim të parregullt.

Së fundi, bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm një saktësim i vogël për termat e përdorur. Kur flitet për uljen e shqiptarëve, kryesisht nga institucionet e vendeve pritëse, në fakt bëhet fjalë për numrin e shtetasve shqiptarë, pra të atyre që kanë pasaportë shqiptare. Gjithsesi, të gjithë e dimë se pajisja me një pasaportë tjetër nuk e shndërron automatikisht përkatësinë identitare. Shqiptarët me pasaportë të ndryshme mbeten shqiptarë, edhe pse me shtetësi tjetër. Pa marrë parasysh faktin që shumë shqiptarë e ruajnë dyshtetësinë, meqë mjaft vende (përfshirë Italinë) e mundësojnë këtë gjë.

Në këtë pikë mund t’u japim përgjigje edhe atyre që mendojnë se shifrat nuk tregojnë gjëra interesante. Pak kohë më parë, në një takim të dobishëm me diasporën shqiptare, Ministri i Jashtëm shqiptar foli për shërbimet konsullore, duke u kushtuar këtyre të fundit pjesën më të madhe të ndërhyrjes së vet. Natyrisht, disa nisma përmirësuese në këtë drejtim si lëshimi i certifikatave dhe ulja e tarifave janë pa dyshim për t’u vlerësuar, sidomos në kuadrin e mangësive endemike në shërbimet ndaj qytetarëve shqiptarë me banim jashtë shtetit. Megjithatë, statistikat e reja me siguri do ta bindin qeverinë shqiptare, sidomos gjatë këtyre muajve që paraprijnë samitin e diasporës, se diçka duhet të ndryshojë në raportin e përparësive. Shifrat e fundit për shtetësitë e reja tregojnë se vetëm në 2-3 vitet e fundit rreth 60 mijë shqiptarë kanë marrë pasaportë italiane. Siç dihet, marrja e shtetësisë së re shënon edhe uljen e kërkesave për shërbime të thjeshta konsullore, meqë pasaporta e re e shpëton emigrantin të paktën nga angaritë e certifikatave me shumë vula. Duhet shtuar se ka gjasa që tendenca e marrjes së pasaportave të huaja do të vijojë edhe në vitet e ardhshme.

Kjo nuk do të thotë se qeveria shqiptare duhet t’i reduktojë shërbimet konsullore. Përkundrazi. Madje kërkohet detyrimisht rritja sasiore e cilësore e tyre, në përputhje me kohët moderne. Por kontingjenti i atyre që marrin shtetësi tjetër ka kërkesa të tjera, duke filluar nga ato kulturore, por edhe politike dhe ekonomike, të cilave shteti shqiptar duhet t’u kushtojë vëmendje, në rast se është i bindur se marrëdhëniet shumëplanëshe me diasporën janë të dobishme për të gjithë.

 

 


[1] Istat, Bilancio demografico nazionale, 10 qershor 2016.

[2] Sipas të dhënave të botuara nga Istat, gjithsej kanë marrë shtetësinë italiane rreth 178 mijë të huaj. Nga këta 20,4% janë shqiptarë.

[3] Gjatë vitit 2014 u dhanë 21.148 shtetësi italiane për qytetarët shqiptarë.

2 Komente

  1. Shkrim shumë informativ, faleminderit.

    Domethënëse është rritja e numrit të emigrantëve shqiptarë që marrin shtetësine italiane: 21 mijë në 2014, 36 mijë në 2015, 40-50 mijë ndoshta në 2016… I bie që, me këtë ritëm, pothuajse të gjithë emigrantët shqiptarë në Itali të bëhen shtetas italianë brenda një dekade, çfarë do të jetë, në radhë të parë, një arritje e madhe personale e çdonjërit prej tyre, por dhe një sukses i komunitetit shqiptar në Itali, në tërësi.
    (Me këtë rast, kjo do të shpëtoj një herë e mirë edhe shtetin shqiptar nga bezdia – se s’mund ta quaj ndryshe sjelljen e tij këto 25 vite – për tu shërbyer shtetasve të vet në emigracion!)

    1. Hipoteza qëndron, pavarësisht se duhen studiuar mirë ritmet e marrjes së shtetësisë për të bërë ndonjë vlerësim statistikor të besueshëm. Nuk është e lehtë, por as shumë e vështirë. Mjafton të studiohet kohëzgjatja e lejeqëndrimeve duke pasur parasysh edhe motivet e tyre.
      Po dua ta përsëris prapë: shqiptarët që marrin pasaportë të huaj nuk e harrojnë me magji gjuhën dhe identitetin e tyre. Shpeshherë e marrin shtetësinë tjetër thjesht për të hequr qafe andrallat e dokumenteve, vizave, kontrolleve… Mirëpo, marrja e shtetësisë tjetër e ndryshon disi qasjen ndaj shtetit shqiptar, të paktën në rrafshin burokratik. Prandaj edhe shteti duhet ta ketë parasysh këtë element në hartimin e politikave për diasporën.
      Nga ana tjetër – por për këtë do të flasim herët e ardhshme – ata përbëjnë një kontigjent interesant nga pikëpamja politike. Vërtet shteti i vet i origjinës nuk ua ka dhënë të drejtën të votojnë, por tani e kanë në shtetin e ri. Ja edhe një element tjetër interesant.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin