Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

TË RRËFESH SKANDALIN

Çapajev Gjokutaj analizonte sot në “Panorama” efektet e pasqyrimit të skandaleve të njëpasnjëshme nga mediat (Grackat e skandalit).

Edhe pse unë nuk bindem nga përcaktimi i tij se “skandali është një nga zhanret e ligjërimit publik”, meqë kam përshtypjen se ky përcaktim ngatërron rrafshin narrativ me atë diskursiv – ose skandalin me skandalistikën, gjithnjë ndaj me autorin bindjen se zhurma për çfarë ndodh dhe sidomos për çfarë supozohet të ketë ndodhur përdoret, në fakt, jo për të informuar publikun, por si formë shantazhi që ia bëjnë palët e pushtetit njëra-tjetrës.

Do të shtoja se skandali ka jo vetëm efekte topitëse ndaj publikut që e konsumon dhe jo vetëm mund të lërë pasoja të pashlyeshme ndaj viktimave të një mashtrimi ose provokimi, por edhe ndikon në funksionimin e mediave dhe në rolin që këto luajnë brenda komunikimit publik.

Nga njëra anë, publiku de-sensitizohet nga skandalet e njëpasnjëshme, teksa asnjë prej tyre nuk “zbardhet” – në kuptimin që të demaskohen faktorët ose keqbërësit dhe të vihen të paguajnë koston sociale ose edhe legale të asaj çfarë kanë bërë, siç e ka sqaruar mirë edhe Gjokutaj në analizë; dhe kjo në afat të gjatë e neutralizon reagimin ose edhe zemëratën e publikut (outrage), e cila me përkufizim është pjesë e rrëfimit ose “zbulimit” të një skandali. Në fakt, nuk mund të indinjohesh me diçka të re çdo ditë; dhe në momentin kur heq dorë nga të indinjuarit, edhe profili yt moral modifikohet. Gjokutaj e shpjegon mirë si përjetimi – i mediatizuar – i skandalit e bën publikun të ndihet mirë, ose i distancuar nga shkeljet e normave juridike ose etike me të cilat merret skandali; mirëpo këto norma nuk janë gjë të gdhendura në mermer, por ato vetë vijnë si produkt i atyre marrëdhënieve që konstituojnë qenien dhe vetëdijen sociale; në kuptimin që një ditë vetë indiferenca etike mund të konstituohet dhe të perceptohet si virtyt, thjesht nëpërmjet seleksionit. Dhe kujt do t’i shërbente kjo drejtpërdrejt, në mos atyre që ndihen ende të penguar nga normat morale, edhe ato më elementaret?

Nga ana tjetër, vetë mediave u bëhet e zakonshme, ose rutinë, që të përcjellin dita-ditës skandalet përkatëse; pa mbajtur ndonjë përgjegjësi ato vetë dhe pa treguar me gisht se kush mban përgjegjësi për lëshimin në qarkullim të këtij rrëfimi, i cili ende nuk është verifikuar dhe as gjetur si i vërtetë. Çfarë do të thotë se një media s’e ka për gjë të raportojë se “aksh ministër vjedh” dhe ta vërë ministrin me shpatulla për muri, por nuk kujdeset që t’i dalë zot këtij lajmi deri në fund dhe as shqetësohet që të identifikojë dhe të vërë para përgjegjësisë burimin “zyrtar” të kësaj akuze. Që mund të jetë faqja në FB e ndonjë politikani të opozitës, i cili nga ana e vet citon lirisht burime anonime.

Efekti i menjëhershëm i kësaj shpërfilljeje të përgjegjësisë (dhe të përgjegjshmërisë) është se akuzat e mirëfillta, që kanë vërtet një bazë në realitet, treten në një lëtyrë të përgjithshme gënjeshtrash, lajmesh të shpikura, lajmesh të provokuara dhe kërcënimesh a shantazhesh të koduara; çfarë do të thotë edhe se bota ku “ndodhin” këto skandale të njëpasnjëshme nuk përkon më me botën reale; por i ngjan një realiteti paralel, i cili nuk mund të përjetohet drejtpërdrejt, por vetëm duhet dekoduar, si të ishte i shkruar me shifër.

Efekti tjetër, më teknik, ka të bëjë me faktin që mediat e nisin dhe e mbarojnë ditën duke referuar për këto skandale; dhe me kalimin e kohës kjo u bëhet pjesë e kodit të tyre, ose e mënyrës si funksionojnë dhe e vetë identitetit të tyre, ose misionit që kanë marrë përsipër të luajnë; në kuptimin që kalohet nga “all the news that’s fit to print” te parimi tjetër, më aktual, sipas të cilit “ne ju referojmë vetëm për skandalet”; në kuptimin që një ngjarje, për t’u shndërruar në lajm, ose duhet të vijë e paketuar nga zyrat e propagandës partiake, ose duhet të ketë natyrën e rrëfimit për një skandal (pa çka se shpesh kjo është e njëjta gjë).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin