Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Muzikë

KITARA KOMBËTARE

Do të ketë qenë pranverë e vitit 1987, kur një i afërmi im shkoi për ca kohë në Izmir, dhe unë iu luta të më sillte pak muzikë që andej, madje i dhashë edhe një listë me autorët e mi të preferuar. Ashtu edhe më erdhi në dorë një plaçkë e rrallë – për Shqipërinë – dhe krejt e çuditshme, sepse jashtë hapësirës dhe kohës ku jetoja unë; albumi “Graceland” i Paul Simon-it, që kish dalë në qarkullim më pak se një vit më parë dhe që, me kohë, do të konsiderohej si një nga albumet kyçe të muzikës pop dhe world, në vitet 1980-1990.

Qëlloi edhe që, në verë të po atij viti, të kthehej nga Innsbruck-u i Austrisë një shoku im, A.K., edhe ai kontrabandues i muzikës aq të dëshiruar, në trajtën kaba të disqeve të gramafonit: “Déjà-Vu” i Crosby, Stills, Nash & Young, dhe pastaj, doemos, “Graceland” i Paul Simon-it. Mua ky i fundit më kish ardhur me një kasetë bootleg; ndërsa vinili i A.K.-së ishte i mirëfilltë, safí, madje vinte edhe me një këllëf kartoni të palosur disafish, ku i lexoje të gjitha tekstet. Por janë tekste surreale, më tha shoku im; ja lexoji vetë, që të bindesh.

Mua ndërkohë më kish tërhequr vëmendjen një dyvargsh i hatashëm nga kënga “Graceland”, që ia jep edhe emrin albumit. Ndryshe nga shumë të tjera, ishin fjalë që i kuptoja, pa pasur nevojë t’i shihja të shkruara. Narratori i këngës, që kushedi nuk gaboj shumë po ta identifikoj me vetë Paul Simon-in, është duke udhëtuar “down the highway, through the cradle of the civil war” për Memphis, Tennessee, ku gjendet edhe një nga tempujt e qytetërimit amerikan të shekullit XX: shtëpia e Elvis Presley-t; dhe ashtu përshkruan çfarë i del para sysh:

The Mississippi Delta was shining
Like a National guitar

Një imazh që më ka mbetur tatuazh në përfytyrim që atëherë, njëlloj si drita e fortë, llamburitëse, që t’i djeg retinat dhe të mbetet aty njollë inerte, e gjelbër mbi të zezë, për një farë kohe, në mos përgjithmonë.

Nuk e dija atëherë çfarë ishte pikërisht Delta e Mississipi-t dhe si ishte – tani mësoj që e kanë quajtur vendi më “southern” në ShBA, për nga gjeografia dhe nga kultura dhe banorët; por e përfytyroja megjithatë deltën (Δ) e një lumi si në ilustrimet e një libri shkolle; dhe pastaj e përafroja me mendje me ca nga ato kitarat elektrike, në formë trekëndëshi, të kromuara, që sikur ta presin vështrimin me thikë në koncertet rock, sa herë që qëllon të pasqyrojnë ndonjë dritë skene rebele.

Paul Simon-in e kam njohur më pas si poet të hollë, edhe pse rrallë ndonjëherë kitsch; por disa nga metaforat e tij m’i vënë neuronet në qark të shkurtër. Duhet të jesh pak i krisur nga trutë, që të të duket delta e një lumi si faqja e një kitare prej metali.

Më vonë e kam parë Mississipi-n, në dy pika të ndryshme të globit; më parë në Minneapolis (Minnesota), më pas në New Orleans (Louisiana); nuk i thua dot lumë i bukur, por e kupton që ke të bësh me diçka ku e ku më të madhe se kapaciteti yt i perceptimit, ose e një shkalle që ti nuk e rrok dot, përveçse po ta soditësh nga dritarja e avionit ose në ndonjë fletë enciklopedie.

Që nga avioni imagjinar, në mos nga sateliti, e pata përfytyruar atëherë edhe deltën e Mississipi-t, duke llamburitur egër siç bëjnë ndonjëherë sipërfaqet e ujit, kur u kalon sipër ditën me diell; por çfarë kontinenti ende adoleshent paskësh qenë ky, që e vringëllinte lumin e vet madhështor si ta kishte kitarë! Vetëm imagjinata e rock-ut mund ta sillte në jetë, si për të konfirmuar se ndonjëherë duhet të jesh poet, madje bard, edhe për t’ua shpjeguar si duhet shkallën sendeve të kësaj bote.

Një diçka që më pati ngecur në mendje atëherë, dhe që e pata diskutuar me veten, por jo me të tjerë, ishte kjo “National guitar” e këngës – ishin kohë kur këto enigma nuk i zgjidhje dot thjesht duke qëmtuar në Google. E pata përkthyer vetmevete, pa qenë shumë i bindur, si “kitarë amerikane”, duke e futur edhe atë në një vitrinë virtuale muzeu, ku gjendej një manekin dylli i Elvis Presley-t, një hartë e detyruar e deltës së Mississipi-t, maketi i Graceland-it pak i dalë boje dhe kushedi edhe modeli i ndonjë kadillaku të bardhë.

dobro 2

Mirëpo, siç do të mësoja më vonë, National guitar nuk lidhej shumë me “frymën kombëtare” në muzikë; por ishte veç një markë e njohur kitarash të llojit “resonator”, të cilat në fakt përdorin kone metalike për ta amplifikuar tingullin (te kjo video, do të shihni Mark Knopfler-in që luan “Romeo and Juliet” me një National Style Resonator).

Ka një marrëdhënie gati ezoterike, alkimike, midis kromit a metalit pasqyrues verbues, dhe rock-ut; pa lënë këtu jashtë as edhe poemat metalike të automobilizmit – dhe të motoçiklizmit amerikan – të Pasluftës; marrëdhënie që nuk e shkëput dot as nga shtrirja e frikshme e kontinentit amerikan-verior në hapësirë (por tkurrja në kohë), dhe as nga sekreti i South-it, kësaj toke mitike që, pa çka se e dalë e humbur nga konflikti me North-in industrial dhe të iluminuar, mbijetoi si shpirt i pareduktueshëm i gjithçkaje amerikane, nëmos fare si nënvetëdija e Amerikës së dalë nga Lufta Civile.

Në vitin 1987 unë nuk dija pothuajse asgjë të mirëfilltë për Amerikën, edhe pse e kisha përcjellë në përfytyrim kaq e kaq herë, që nga kartolinat e tim gjyshi që jetoi atje deri në fund të viteve 1960 te Lufta në Vietnam, Ray Charles-i, Buster Keaton, Jack London-i, Coca-Cola, JFK, “i holli me të trashin”, Tom & Jerry, Yankee Go Home, Statuja e Lirisë, CIA, Woodstock-u, Walt Whitman-i, Bob Dylan-i, John Ford-i, zbritja e Armstrong-ut në Hënë, Marilyn Monroe, Cassius Clay dhe filmat me “kauboj”; dhe nuk e bëja dot timin as atë varg të hidhur të Francesco de Gregori-t, që në këngën “Bufalo Bill” (1976) kish kënduar:

A quel tempo io ero un ragazzo
Che giocava a ramino e fischiava alle donne
Un eroe romantico
Con due baffi da uomo
Se avessi potuto scegliere tra la vita e la morte,
Tra la vita e la morte avrei scelto l’America

I ushqyer me kulturën pop italiane, nuk e ndieja dot atë admirim të pakufishëm për Amerikën, pa çka se e tërë fasada e asaj kulture mbi atë admirim, nëmos adhurim mbështetej. Për këtë nuk ishte faji im; edhe pse “Graceland” i Paul Simon-it do të ngjitej ca kohë në vend të 4-t të Hit Parade-t italian të albumeve, në Shqipëri ne pothuajse nuk kishim dëgjuar asgjë as për të, as prej tij. Në 1987 radios italiane i kish ngecur disku (pun intended) te “La Bamba” (Los Lobos), “The Final Countdown” (Europe), “Who’s that girl” (Madonna), “Faith” (George Michael), “I want your sex” (George Michael), e kështu me radhë; dhe RAI nuk mbetej prapa.

Dhe e gjithë kjo, për shkak të një albumi si ky i Paul Simon-it, që vërtet mund të kish sjellë Amerikën tek unë, por që përndryshe e kish çuar botën, veçanërisht Afrikën, edhe një herë tjetër në Amerikë, nëpërmjet tingujve dhe muzikës së atij kontinenti, këtë herë jo vargonj por si graceland.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin