Tek qasjet publike ndaj të kaluarës komuniste në Shqipëri, vihet re një paradoks. Nga njëra anë, diktatura është e pranishme pothuajse kudo: tek faqet rozë të gazetave, që përndryshe zezojnë me njoftime përgjimesh, grabitjesh dhe fluturimesh mielli në qiell; tek ekrani përjetësisht me pullë të kuqe i televizorit; apo brenda stomakut të riqepur të godinës qeveritare, përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Për hir të nxjerrjes së sekreteve nga bodrumet e arkivit të shtetit, ndërtesa e përhimët e të cilit ngrihet në një hapësirë të ruajtur me policë, afër me burgun e vjetër në Tiranë, dokumentet shpluhurosen, zhvishen, dhe rreshtohen lakuriq tek rubrikat “dossier”, poshtë titujve me gërma të mëdha. Pastaj, mbesin përfundimisht pezull në hapësirën pa nam e nishan të arkivit të internetit. Nga njëri arkiv (fizik) tek tjetri (virtual), gati pa u përtypur fare. E kaluara na skandalizon me arbitrariten e saj, e pastaj tretet online.
Nga ana tjetër, megjithëse diktatura gëlon në publik, vështirë të gjesh studime serioze historike që rreken ta analizojnë periudhën e shtetit komunist në tërësinë e vet, dhe jo si prapaskenë të jetëve të mërzitshme të ca pleqve të Byrosë Politike.
Shumica dërrmuese e botimeve shqip për historinë e vonë janë të lëmit të kujtimeve ose të gazetarisë. Jo se kujtimet, gazetaria, apo edhe historia amatore, nuk kanë rolin e tyre në përpunimin e së shkuarës. Por rrebeshi pa fund i dokumenteve nxjerrë nga arkivat komuniste, si dhe emisionet limonatë për diktatorin, vetëm sa e bëjnë akoma dhe më të dallueshëm batakun e mendimit historik shqiptar.
Studime historike të hajrit në shqip (nga ato që meritojnë të përkthehen edhe në gjuhë të huaja) mbase nuk gjen me shumicë në Tiranë, por gjen këtë historinë e majmur me sekrete shtetërore, thashetheme për jetën në Bllok, të pathëna e të padëgjuara nga kuzhinat, banjat, dhe krevatët dopio të Byrosë Politike, prapaskena nga betejat e Kiços dhe Kadriut, apo intervistat përkujtimore me Nexhmijen, e cila bën sikur u përgjigjet pyetjeve të pambukta të dikujt që bën si gazetare. (A besonte Enveri në Zot? Jo, Enveri nuk besonte në Zot. Por Enveri paska respektuar adetet.)
Edhe jashtë kufijve të vendit, gjendja me studimet shqiptare le shumë për të dëshiruar. Për nga popullsia, Shqipëria është sa 2-3 lagje të Moskës apo të Pekinit. Do të qe naive, ndoshta, të prisnim që me një vend kaq të vogël të merreshin qendra të mirëfillta akademike nëpër universitetet e dorës së parë në Perëndim, siç merren, bie fjala, me Greqinë apo me Poloninë.
Të specializohesh në studimet shqiptare është një farë autogoli profesional; në ndryshim me periudhën e Luftës së Ftohtë, është bërë tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të punësohesh sot në një universitet perëndimor duke patur si profil çështjet shqiptare.
Ka dhe autorë “të jashtëm” që merren me historinë e Shqipërisë pa e ditur fare shqipen, e pa ia patur fare haberin arkivave, por që mediat e çoroditura në Shqipëri i trajtojnë si guru. As Tirana zyrtare, as diaspora shqiptare e mpleksur pazgjidhshëm me mbrëmjet gala dhe këngëtarët e dasmave, nuk kanë bërë ndonjë gjë për t’u shënuar në lidhje me studimet shqiptare në qendrat akademike perëndimore.
Thënë shkurt, në rrafshin e analizës historike, të jepet përshtypja se Shqipëria ka qenë më e hulumtuar kur ishte nën izolimin e diktaturës komuniste, se sa është sot. Hapja e vendit ka sjellë lloj-lloj sharlatanësh e aktorësh të huaj mediatikë, por në vend që studimi i diktaturës të hapej ndaj interpretimeve dhe metodave ndërkombëtare, vazhdon të ripërtypë të njëjtat tema si dhe në vitet ’90.
Nga ana e vet, Tirana zyrtare, e fiksuar me ekspozita dhe deklarata për shtyp, duket sikur e imagjinon njohjen e Shqipërisë jashtë vendit maksimumi si reklamë e paguar tek The Economist, ose tek klishetë e recikluara (pa thellim) për Shqipërinë dhe çifutët.
Pra: o histori si vjellje nëpër gazeta e çdo gjëje që ka stomaku, o si shfaqje cirku nëpër pritje para kamerave. Konferencat “shkencore” të Institutit të Historisë ngjajnë si ushtrime noti të sinkronizuar. Pritjet dhe fjalimet për rëndësinë e historisë dhe diktaturën që duhen përkujtuar s’kanë të sosur. Dosjet e famshme vazhdojnë të mbledhin pluhur në imagjinatën e shumë zërave publikë, që as s’e kanë idenë se ç’janë dosjet, por kjo s’i pengon t’i përdorin si bajoneta ndaj kundërshtarëve politikë.
E kaluara si marrëdhënie skizofrenike me publikun
Qasja e gazetave dhe e mediave në përgjithësi—e kaluara si zbardhje dokumentesh kuturu—na flet nëpërmjet gjuhës në dukje të pamohueshme të arkivit. Përçohet ideja se “sekreti nuk mund të fshehë veçse të vërtetën”. Dossier-i na ushqen me lloj-lloj tekstesh, pa bërë dallim se çfarë tekstesh janë, pa na mësuar si t’i përtypim ushqimet e rënda që po na serviren.
Na shtrohet përpara një vakt pa anë e pa fund: supë emrash e datash; gulash procesverbalesh; dosje me fraksion; dosje pa fraksion; iniciale dhe dëshmi; rrena; gjyqe, zënka; akuza dhe kundër-akuza; spiunllëqe; dhe, në fund, një shurup dashnoresh dhe sigurimsash, të gjallë, të vdekur, apo të pakallur.
Nga ana tjetër, qasja e Tiranës zyrtare është pothuajse tërësisht e zbrazur nga trupat. Diktatura përvijohet nëpërmjet hapësirave boshe (bunkerët, bodrumet, dhomat e gjumit, zyrat e hetuesisë) si dhe orendive.
Edhe kur shfaqen trupat, ata na fanepsen si mungesë: tek Krevati Bosh i Diktatorit; tek Libraria e Tij, që, siç na kujton Nexhmija cdo pesëvjecar kapitalisto-demokratik, kishte mbi 25,000 tituj; tek Shtëpia e Gjetheve rrethuar me tekste të vyshkura kuratoriale; tek kronikat filmike të pushimeve të fëmijëve, nipave, dhe mbesave të diktatorit në Dhërmi (diktatori edhe notonte!).
Të dy qasjet, në fakt, kanë në thelb të njëjtin gjest. Llokma nga e kaluara shkulen nga konteksti dhe serviren shqeto për publikun (klientët), të cilët tashmë mund të zgjedhin. E do të kaluarën mish të bardhë? Apo mish të zi? (Në sfond, një pirg kockash.) Kur vjen si hapësirë ekspozitash, apo si vepër arti që gjithsecili mund ta interpretojë sipas dëshirës, e kaluara zhbëhet në hapësirën e shijeve demokratike të publikut. Veprimet artistike me të shkuarën kanë ardhur të cekëta edhe sepse artistëve dhe zyrtarëve u kanë munguar aftësitë bazë hulumtuese.
Nuk është se dokumentet e gazetave vijnë me interpretime të reja, apo analiza dhe kundërshtime. Nuk është se kultura materiale e së shkuarës vjen si pjesë e qenësishme e ndonjë debati të mirëfilltë mbi përditshmërinë nën diktaturë. Madje, debati duket sikur krijon bezdi tek shfaqjet kulturoro-artistike të Tiranës.
Kur ndodh, debati duket i rastësishëm. Të krijohet përshtypja sikur mbyllja e debatit është kusht për marrjen me të kaluarën. (Si guxojnë shqiptarët e vdekshëm të kritikojnë kuratorin më të mirë islandez? Pse të mos hapim edhe ne muzeume si të gjermanëve?) Prandaj edhe kritikat ndaj qasjeve zyrtare dhe gjysmë-zyrtare ndaj diktaturës merren si sulme politike; në Shqipëri vazhdon të jetë e pamundur të merresh me kritikë serioze jashtë kornizave të pushtetit dhe armiqve të tij.
Sendërgjohet një e kaluar që në dukje bëhet më e prekshme dhe më e afërt për publikun, por që në fakt i shpëton analizës, sepse nuk thotë asgjë.
Pa dyshim, qasja ndaj të kaluarës si projekt transparence me publikun ka një sërë avantazhesh për ata që i drejtojnë këto punë. Përveç marketimit gazetaresk të historisë si skandal, është dhe mundësia e vjeljes së ndonjë fondi, sepse perëndimorët dhe OJQ-të vdesin për pak Vergangenheitsbewältigung (llogari-bërje, alla gjermançe, me të kaluarën), sidomos me sponsorizime afat-shkurta.
Ngaqë pushteti i majtë sillet sikur mban mbi shpatulla një farë peshe të së kaluarës, marrja me diktaturën merr edhe nota gati heroike. Ky kompleksim është i çuditshëm. Edhe një hulumtues mesatar që merret profesionalisht me historinë e di që analiza serioze historike mbështetet mbi kritikën dhe kundërshtinë. Studiuesi nuk shkon tek arkivi për të gjetur prova për tezat e veta por për të gjetur prova që i kundërshtojnë ato.
Historia nuk merret si një realitet i fshehur në zgavrat e arkivit, që duhet nxjerrë në dritë dhe kaq, por si një lloj dialogu mes palëve, si një angazhim afatgjatë, që nuk mund të bëhet shpejt e shpejt, brenda 2-3 muajve, sepse ka zgjedhje mot, sepse presin donatorët, apo sepse e kërkon shefi.
Ca nga nguti, ca nga mosdija, marrja me diktaturën në Shqipëri mbetet në nivele amatoriale. Diktatura vazhdon të na shfaqet e rishfaqet, njëherë si kasaphanë, e herën tjetër si inskenim në Instagram. Tekstet dhe dëshmitë na ulërijnë nga faqet e gazetave dhe nga skutat e internetit, në mungesë dëshpëruese të një reflektimi për gjuhën dhe teknikat me të cilat po punohet me të shkuarën.
Çfarë mban arkivi i diktaturës?
Qasjet ndaj diktaturës si projekt transparence me publikun e trajtojnë arkivin si një lloj depozite të vërtetash. Ka dhe nga ata, që duke e marrë të mirëqenë se arkivi mban brenda gënjeshtra pa fund, meqë gënjeshtrat ishin nevojë strukturore e diktaturës, e shohin marrjen me arkivat si humbje kohe. Të dy qasjet janë anë të së njëjtës medalje, shfaqje të një përtacie mendore.
Arkivi mban brenda shumë të vërteta, siç mban edhe gënjeshtra plot, mirëpo qasja ndaj historisë si një lloj materiali bruto për ekspozita nuk na thotë se si duhen kuptuar e diferencuar kumtet e tij.
Mos vallë nëse do të kishim gjithë arkivin të gatshëm nëpër gishta, lehtësisht të kontrollueshëm më një “word search” të thjeshtë, marrëdhënia jonë me të kaluarën do të zgjidhej magjishëm? Fundja, çfarë do të mësonim?[1] Ç’është arkivi në mungesë të instrumenteve të interpretimit?[2] Ku na shpie?[3] Ç’do të thotë të lexosh të kaluarën nëpërmjet kategorive të një partie-shtet?
Përveç se depozitë të vërtetash e gënjeshtrash, arkivi është edhe një sistem, teknologji pushteti, institucion me rregulla të brendshme, një logjikë përpunimi dhe redaktimi, një hierarki vlerash dhe autoriteti mbi të kaluarën, si dhe një marrëdhënie jo e rastësishme me institucionin e partisë, e cila, siç do të shohim më poshtë, i parapriu organizimit të arkivave të shtetit shqiptar.
Si edhe shteti që e krijon, arkivi nuk është as i përjetshëm, as i natyrshëm. Marrëdhënia me të, si dhe me nacionalizmin e një vendi të vogël e të keqtrajtuar si Shqipëria, ka mundësi të sakatojë ndonjë damar të shenjtë të kombit.
Arkivi është edhe një kompleks manipulimesh e grackash, si dhe mundësish të pafundme keqinterpretimi. Ai ofron shumëçka, por jo imagjinatë historike. Prandaj edhe debati shqiptar për diktaturën ka ngecur në llucë, e sado dokumente të vazhdojnë të “zbardhen”, e sado projekte qeveritare të inaugurohen, asnjë nga këto nuk përbën garanci se do të hapen fronte të reja në imagjinatën historike për të kaluarën.
Arkivi si zgjatim i pushtetit
Arkivi nuk është hapësirë neutrale; ndërhyrjet në të nuk janë të pafajshme. Arkivi është edhe pasqyrim i pushtetit, siç mund të jetë edhe instrument i tij. Na flet në gjuhën e rreptë të autoritetit mbi palët, por është vetë pjellë e një lufte të vazhdueshme për të sunduar. Kur i bindemi klasifikimeve të arkivit, rendit të gjërave në katalogët e tij, kategorive të autoritetit të shkresave zyrtare, hapësirës dhe kohës së dosjeve që janë rradhitur atje, marrim edhe vetë pjesë edhe në botëkuptimin e shtet-ndërtimit në vitet ‘60-‘70.
Sepse historia e arkivit shqiptar është pjesë e pandashme e historisë së pushtetit komunist. Ndryshe nga vende të tjera europiane, arkivat e shtetit u organizuan mbas mesit të shekullit të 20-të.[4] Gjatë viteve të pasluftës, vëmendja e regjimit u përqendrua tek grumbullimi i materialeve për luftën dhe lëvizjen komuniste, por këto perçapje mbetën në kuadrin e shkrimit të historisë së partisë.
Historia e partisë ishte dyfish e rëndësishme për regjimin e Enver Hoxhës, pasi PPSH-ja e përjetoi dekadën e parë të jetës së vet si një luftë për mbijetesë kundër “tradhtarëve” të brendshëm e të jashtëm. Duke i shpëtuar shkathtësisht konfliktit shqiptaro-jugosllav në fund të viteve ‘40, Hoxha do të vihej edhe në rolin e shpëtimtarit të kombit (ide që e kanë trashëguar edhe disa historianë të majtë që merren edhe me politikë), përveç se edhe si student i zellshëm i Stalinit, i cili, nga ana e vet, kishte veç qortime për udhëheqësin shqiptar.
Ç’ka hyrë, e ç’nuk ka hyrë, në arkiv, pra, ka qenë edhe paqyrim i kësaj lufte të vazhdueshme jo vetëm për pushtet, po edhe për interpretim historik. Pas prishjes me “vëllezërit” jugosllavë, për shembull, aparatçikët “krehën” edhe rradhët e bibliotekave, faqet e librave, dhe fashikujt kompromentues.
Arkivi shqiptar i viteve ’40-’50 është përftuar si një përpjekje e viteve ’60 -’70 për të organizuar, kataloguar, dhe redaktuar—në retrospektivë—një histori të Rindërtimit si një narrativë peripecish, tradhtish, dhe suksesesh. Kjo është me rëndësi, sepse brendia e arkivit nuk ka ardhur si zhvillim paralel me ngjarjet, por si ndërhyrje e mëvonshme, duke pasqyruar teknika, praktika, dhe interesa specifike pas “prishjeve të mëdha” me qendrat e botës komuniste.
Puna arkivore në Shqipërinë e herët komuniste pasqyronte edhe dyzimin e partisë-shtet, ku shumë funksione kryheshin në paralel, por vendimet përfundimtare për çështje të rëndësishme kalonin, si rregull, nëpër zyrat e Komitetit Qendror të PPSH-së. Si pasojë e këtij organizmi ideologjik, arkivi i PPSH-së u mbajt i veçuar nga arkivat e tjera të shtetit. Ai kishte prioritet.
Kështu mbahet edhe sot—pjesë e së tërës, por i veçuar—edhe pse Fondi 14 (ish Arkivi i Komitetit Qendror të PPSH-së) gjendet në të njëjtën godinë në Tiranë, e administrohet nga e njëjta drejtori e përgjithshme.[5]
Filtrat partiakë, pra, si dhe praktikat partiake të grumbullimit dhe interpretimit të dokumentacionit, u formësuan përpara se të krijohej një institucion arkivor shtetëror i veçantë, me përgjegjësi, rregulla, dhe autoritet të vetin institucional. Kjo ka qenë esenciale, si për brendinë e arkivave (çfarë mblidhej aty, e çfarë shkonte tjetërkund), ashtu edhe për ata që kanë drejtuar punën me arkivat.
Edhe sot, si atëherë, institucioni i arkivave të shtetit shqiptar nuk është i pavarur nga pushteti, gjë që dallohet për bukuri me ndërrimin e drejtorit pas çdo stine zgjedhjesh, sipas përkatësive politike.
Në vitet ’50, drejtoria e arkivave të shtetit ishte nën varësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Një zgjidhje e tillë rrëfen për mënyrën se si pushtetarët shqiptarë e kuptonin arkivin—si një hapësirë policore. Vetë ministri i punëve të brendshme (Hazbiu, pas 1954-ës) merrej edhe me çështjet e arkivave të shtetit.[6] Shumica e personelit të drejtorisë së arkivave ishin ushtarakë.[7] Drejtori ishte një gjeneral-major.[8]
Gjendja me dokumentacionin ishte e mjerë. Së pari, nuk qe fort e qartë se çfarë përbënte “sekret” e çfarë jo. Shumë çështje të partisë, të sigurisë së brendshme, dhe të mbrojtjes mbaheshin instinkitivisht sekret.
Mirëpo, për nga natyra e vet, shteti komunist e quante sekret, për shembull, edhe punën e Komisionit të Planit.[9] Formalisht, edhe materialet ekonomike do të duhej të kalonin në filtrat e Ministrisë së Brendshme. Zyrtarë të tjerë, siç duket duke mos dashur të bien në gabim, përdornin siglën “sekret” edhe kur nuk ishte e qartë nëse materiali ishtë vërtet i tillë.
Gjithë këto praktika kanë lënë gjurmë në arkivin e shtetit, ku, edhe sot, arkivistët e punësuar aty, të frikësuar ende nga pushimet nga puna për motive arbitrare, e kanë të vështirë të dallojnë mes “sekreteve” të para 60 vjetëve dhe sekreteve që duhen ruajtur edhe sot. Deklasifikimi edhe ka ndodhur, edhe s’ka ndodhur. Shumë prej rregullvea që i gjen të shkruara në letër, në praktikë shpesh nuk zbatohen.
Nga njëra anë, shteti komunist shihte sekrete gjithandej. Nga ana tjetër, nuk e kishte kapacitetin për të kategorizuar tërë atë mal materialesh, urdhrash, e shkresash që prodhonte po vetë. Një relacion i vitit 1961, për shembull, rrëfente se shumë dokumente ishin “të shpërndara dhe të pa sigurta në vende e individ të ndryshëm.”[10]
Po atë vit, ministri i brendshëm ankohej se nuk kishte godina të përshtatshme për arkivat, dhe se përpunimi i materialit nuk bëhej “mbi baza shkencore”. Mungonin, gjithashtu, regulla të qarta që sqaronin afatet për ruajtjen e dokumentacionit, apo për asgjesimin e tij.
Përveç se shihej si praktikë e sigurisë së lartë, puna me arkivat e shtetit tregonte edhe se sa e çorganizuar ishte përditshmëria e një shteti, që, në retrospektivë, kur e quajmë “diktaturë” duket sikur i veshim edhe tipare të një strukture të mirë-komanduar e gjithë-pamëse.
Përpara viteve ’60, pothuaj asnjëra prej ministrive dhe drejtorive të ndryshme të administratës shtetërore nuk kishin arkivistë. Me dokumentet merreshin kryetarët e degëve administrative, ose shefat e zyrave sekrete (shumë prej ministrive gjatë viteve ’50 nuk i kishin as këto). Shumica dërrmuese e komiteteve ekzekutive në rrethe, apo këshillat popullore atje, gjithashtu nuk kishin arkiva. Radio-difuzioni nuk kishte arkiv. As Agjensia Telegrafike Shqiptare. Arkiv nuk kishte as Kinostudioja “Shqipëria e Re”, ku regjistrimet mykeshin në depo.
Në këtë kuptim, arkivimi në vitet ’50 ka qenë një punë rastësore. Kjo shpjegon edhe përpjekjet qeveritare në maj të 1955-ës që të sistematizohej puna me dokumentet. Në disa degë, filloi ndarja e tyre në dosje të veçanta (deri atëherë, fletët mbaheshin të pandara në kuti kartoni). Dokumentacioni duhej klasifikuar edhe në bazë dikasteresh dhe datash—një punë që studiuesi i sotëm i arkivave nuk e sheh fare, por që ka qenë një punë jo e vogël, sidomos në kontekstin e një vendi të skamur, ku nuk gjeje kollaj profesionistë të fushës.
As ky vendim qeveritar nuk dha rezultat të kënaqshëm. Shumë prej ministrive dhe drejtorive vazhdonin të mos kishin as dhoma të veçanta për arkivat, e jo më “metoda shkencore” për përpunimin e materialit.
“Në Ministrin e Tregëtis dokumentat ndodhen në dysheme në nji dhomë të pa ajrosur të bodrumit, ku mbahen edhe materiale të tjera si fshesa, thasë boshë, çadra, etj.” thuhej në një shkresë të Komisionit të Kontrollit të Shtetit në maj të ’61-shit, ndërsa “në bodrumin e Bashkimit Qendror të Koop. Konsumit ku janë hedhur grumbull dokumentat, më daten 3 shkurt të k.v. kishte hyrë ujë dhe një pjesë e mirë e tyre ishin lagur; në lokalet Nr. 1 e 3 të Bankës së Shtetit dokumentat kanë filluar te myken, sepse pikon dhe ka lagështirë”.[11]
Një projekt-vendim i vitit 1961 propozonte ta kalonte drejtorinë e arkivave nën varësinë e Këshillit të Ministrave. Rritja e rrangut të drejtorisë nënkuptonte një personel më të madh, përveç se edhe një botëkuptim të caktuar për rolin e arkivave në hierarkinë e një shteti modern.[12]
Zv. kryeministri i atëhershëm arsyetonte se drejtoria e arkivave të shtetit nuk mund të kishte rrang më të ulët se Drejtoria e Përgjithshme e Statistikave. Në fakt, drejtori i arkivave insistonte se drejtoria e tij nuk duhej të kishte rrang më të ulët se Drejtoria e Përgjithshme e Bankës së Shtetit, por kjo nuk vinte nga ndonjë sens përgjegjshmërie për arkivat, por nga fakti i thjeshtë se drejtori i Bankës kishte rrogë më të lartë se drejtori i Statistikave.
“Mbasi për karakterin që ka kjo drejtori do të ketë personel ushtarak, shkencor, dhe tekniko-shkencor”, thuhej në një relacion të zv. kryeministrit, edhe pagat e personelit do duhej të pasqyronin rrangjet e ushtarakëve dhe personelit shkencor.[13]
Arkivat nuk shiheshin si një punë rutinë shtetërore përtej çështjeve të tjera teknike të qeverisjes, por si zgjatim i punëve dhe prioriteve të partisë-shtet. Korespondenca e viteve ‘60 për arkivat është korespondencë mes shtetarësh që nuk dinë asgjë për çështjet teknike të arkivimit, por që kanë në dorë pushtetin administrativ dhe buxhetin.[14] Vihet re, për herë të parë, një farë theksi tek nevojat materiale për arkivat (laboratorë, pajisje speciale, valutë e huaj, kurse edukimi për arkivistë, specializim jashtë vendit).
Centralizimi i skajshëm i pushtetit, sipas të cilit pothuaj çdo vendim duhej qarkulluar lart, bënte të mundur marrjen e vendimeve të prera, por edhe vështirësonte zgjidhjen e problemit të arkivave, pasi ato ishin, në një fare mënyre, jetime—pa një autoritet të veçantë, përtej një dore uniformash tek Ministria e Punëve të Brendshme.
Fillimisht, u mendua që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave Shtetërore të krijohej si një organ qendror me disa nën-degë në varësi: Arkivin Qendror Shtetëror, Arkivin Qendror Historik, dhe Arkivin Qendror të fotomaterialeve. Mirëpo, në vendimin përkatës për riorganizmin e arkivave, që daton në prill të 61-shit, drejtoria u bë “autonome” por “me buxhet dhe limit kuadri të veçantë nën varësinë e Ministrisë së punëve të brendshme”.[15]
Deri në vitet ’60 nuk ka patur një godinë të veçantë për arkivat e shtetit. Në fund të ’61-shit qarkulloi një kërkesë për t’i vendosur ato në ndërtesën e ish-ambasadës sovjetike në kryeqytet. Vetëm disa muaj më parë, një tjetër relacion kishte kërkuar të dërgohej nga Moska një specialist sovjetik i arkivave “për përvojë”.[16]
Në vend që të vinte specialisti i arkivave nga Moska, sovjetikët u zhdukën fare nga Shqipëria, dhe zyrtarët shqiptarë, të etur për godina të mira në kryeqytet, i kthyhen sytë me vrap nga ambasada. “Legata sovjetike do bëhet HOTEL,” kumbonte kundërshtia e kryeministrit Mehmet Shehu, i cili nevrikosej me faktin që vartësit i sillnin shkresa për gjëra që duheshin diskutuar tek ekzekutivi i Tiranës. Pushteti edhe të dënonte kur i dilje jashtë kontrollit, edhe bezdisej me faktin që duhet të të kontrollonte vazhdimisht.
Pjellë e një pushteti të tillë, i cili e shihte partinë si instrumentin kryesor historik, arkivi i trashëguar është edhe dëshmi e këtyre përplasjeve të brendshme mes zyrtarësh që sytë i kishin nga e ardhmja e ndritur, dhe që të kaluarën e kanë parë me përçmim.
Me arkivin, kundër arkivit
Edhe një historik fare i shkurtër si ky, na lejon ta shohim arkivin në kontekst—jo si një hapësirë paralele dhe neutrale e realitetit shqiptar, por si një nyje në historinë e formimit të partisë-shtet.
Arkivi rrëfen edhe për përpjekjet e aparatçikëve për të vendosur rregull në kaosin e luftës dhe pasluftës, për të sistemuar historinë e një partie që jetonte në luftë të përhershme me veten. Debatet e lodhshme për rishkrimin e historisë neglizhojnë faktin që historia ka qenë rishkrim që në krye të herës; ç’do përpjekje e re do të jetë detyrimisht jo vetëm rishkrim, por edhe një farë arkeologjie e këtyre ndërhyrjeve.
Kjo nuk e bën arkivin të pavlefshëm. Nuk do të thotë se në arkivin e shtetit komunist mund të bëhet vetëm etnografi. Fakti që arkivi shtetëror shqiptar është prodhim i viteve ’60-’70 nuk do të thotë se e kemi të pamundur të shohim përmes tij, dhe përtej tij. Çdo arkiv pasqyron interesa të caktuara të pushtetarëve, mirëpo arkivi shqiptar pasqyron një histori specifike të PPSH-së, me ankthe dhe nevoja specifike të regjimit.
Arkivi është edhe një ftesë për të identifikuar Shqipëritë e ndryshme që kanë egzistuar në përditshmërinë e pasluftës, dhe jo vetëm Shqipërinë zyrtare, të sheshuar e unifikuar dhunshëm tek tekstet zyrtare.
Pikërisht fakti që një vend i vogël—i parëndësishëm në rendin botëror—e gjente veten në mesin e krizave të mëdha të Luftës së Ftohtë është edhe një mundësi e shtuar për të hapur botëkuptimin për historinë e Shqipërisë, përtej temave tashmë bajate dhe që nuk thonë asgjë të re. (A ishte Lufta Nacionalçlirimtare luftë civile apo jo? Ishte Enver Hoxha nacionalist apo s’ishte?)
Parë në një kontekst më të gjerë, shumë prej gjesteve, manovrave, dhe praktikave që sot na duken “shqiptare” marrin përmasa më të mëdha gjeografike, kur shprehitë e arkivave të Tiranës, për shembul, krahasohen sistematikisht me arkivat e Moskës, Berlinit, apo të Beogradit.
Do të ishte gabim t’i shihnim arkivat si të izoluara nga “levat” e pushtetit. Mungon, në shqip, mes shumë të tjerash, edhe një histori institucionale e tërë atij aparati formal dhe informal partiak që merrej me mbledhjen e biografive, përkthimet nga rusishtja, me përshtatjen dhe ripërshtatjen e historisë së partisë (që ndryshonte me çdo kurs të ri të “revizionistëve” dhe “bukëshkalëve” të botës komuniste), si dhe me përgatitjen dhe redaktimin e veprave te udhëheqësit, që bazohen edhe ato në copa dokumentesh arkivore, të nxjerra nga konteksti historik dhe të manipuluara artistikisht.
Arkivi ka qenë edhe pjesë e përpjekjes së partisë-shtet për të prodhuar institucione të dijes, që mbaheshin nën kontrollin e pushtetit. Instituti i Studimeve (1946), i riemërtuar Instituti i Shkencave dy vjet më pas, ishte nga përpjekjet e para për ta përqendruar hulumtimin.[17]
Por ishte Instituti i Studimeve Marksiste Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH-së që shërbeu si qendra “teorike” e PPSH-së, deleguar me detyrën për të pasqyruar vijën politike, ideologjike, ekonomike, dhe organizative të partisë.[18] Përveç botimeve historike të partisë, Instituti organizoi konferenca kombëtare për studimet shoqërore (1969-1972), problemet e kushtetutës (1976), si dhe seksione shkencore per luftën e klasave (1977), apo zhvillimet në rendin botëror (1978).
Vini re datat e konferencave; nuk janë të rastësishme. Ato përkojnë me ndryshime të rëndësishme brenda vendit si dhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën. Ndërsa vendet e tjera të bllokut lindor përpiqeshin me mish e me shpirt (dhe dështonin) që të gjenin formulën e “socializmit me fytyrë njerëzore,” Instituti i Studimeve Marksiste Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH-së organizonte konferenca për të demaskuar revizionizmin sovjetik—në nëntor të 1983-shit!
Sot, përpjekje të tilla don-kishoteske mund të duken qesharake. Ata zëra publikë që i kanë rrënjët e tyre intelektuale nëpër zyrat rinore të PPSH-së mund të mos duan fare të merren me këtë të kaluar të sikletshme.
Por përqeshja nuk është analizë. Ishte dhe kjo një punë mendore e një lloji të caktuar—përpilimi i një harte ideologjike të rruzullit; një kronologji alternative e historisë, ku Shqipëria e vogël sypatrembur vazhdonte luftën e saj imagjinare me të kaluarën dhe të tashmen.
Nuk është rastësi fakti që sistematizmi i arkivave të shtetit, vëllimet e Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste, dhe fillesa e botimeve të veprave të Enver Hoxhës datojnë në të njëjtën periudhë të viteve ‘60.[19] Gjymtyrë të arkivit partiak lëngojnë edhe atje—tek “ditarët” dhe përshtypjet e botuara më vonë nga udhëheqësi (dhe redaktorët e tij anonimë) për Yugosllavinë, Greqinë, anglo-amerikanët, Kinën, sovjetikët, Lindjen e Mesme, dhe masat e shtypura të globit.
“Ditarët” e Hoxhës bazohen pikërisht në dokumentet e arkivit të partisë, që redaktorët i kanë marrë pjesë-pjesë edhe i kanë “qepur” herë hollë-hollë, e herë trashë-trashë, për të krijuar një version historie ku Enveri dilte përgjithmonë vigjilent, e ku Shqipëria trime paska qendruar e patundur përballë armiqve të brendshëm e të jashtëm.[20]
Le të mos harrojmë se “ditarët” e Hoxhës vazhdojnë të përdoren edhe sot e kësaj dite nga autorë të huaj që merren shkarazi me Shqipërinë, duke qenë nga të paktat burime historike të përkthyera në gjuhën angleze.
Këto lloj ndërhyrjesh kërkojnë impenjim jo vetëm me çfarë thonë arkivat, po edhe me çfarë nuk thonë. Nuk ka një qasje të vetme ndaj këtij problemi. Ca autorë perëndimorë preferojnë ta lexojnë arkivin kundër rrymës (against the grain), pra duke i kthyer kumtet e tij me kokë poshtë. Qëllimi është të shkohet përtej teksteve zyrtare dhe zërave që kanë prodhuar fondin arkivor. Kjo kërkon një punë sistematike, për të mësuar gjuhën e zyrtarëve dhe shkresave të tyre, për të kapur të pathënat e tekstit.
Të tjerë preferojnë ta lexojnë arkivin sipas rrymës, duke nxjerrë në pah interesat, nevojat, dhe ankthet e pushtetit, të pasqyruara në gjuhën, reflekset, dhe veset e dokumentacionit. Të tjerë akoma kërkojnë të lexojnë midis rreshtave. Edhe kjo qasje kërkon një punë të gjatë me fondin arkivor, sepse leximi midis rreshtave është i vështirë, dhe mundësitë për keqinterpretim të shumta.
Mua më duket se arkivi shqiptar mund të lexohet jo thjesht midis rreshtave, po edhe midis fletëve. Ngaqë stalinizimi shqiptar nuk u zbut në vitet ’50, sikur gjetkë në bllokun lindor, edhe praktikat e heqjeve, fshirjeve, zëvendësimeve, dhe zaptimit të hapësirave mendore vazhduan të papenguara. Çfarë është prerë, redaktuar, shtuar tek trupi i arkivit të shtetit? Ç’hapësira janë liruar nëpër faqe, tekste, dëshmi, harta, dhe kronologji, për t’u mbushur më pas me shpjegime, tekste, dhe kontekste të tjera?
Një qasje e tillë e njeh arkivin si prodhim e riprodhim të pushtetit, por kërkon edhe ta lexojë atë si pjesë e një arkitekture më të gjerë të shtet-ndërtimit. Kjo qasje do të rrekej të përçonte edhe paradoksin e madh të diktaturës shqiptare: shtet i fuqishëm dhe i dhunshëm, që s’e kishte për gjë të fshinte jetë njerëzish nga biografia e vet; por gjithashtu shtet i kompleksuar me të kaluarën dhe me pasigurinë gjeopolitike që e maskonte me krenari. Shtet që shkonte nga fitorja në fitore kundrejt spiunëve, kurtheve, përgjimeve, dhe sulmeve-fantazmë të imperialistëve, por edhe shtet i frikësuar deri në palcë nga fuqia e një fjale, e një fjalie, apo të një sinjali të dobët televiziv.
Si një lloj arkeologjie e arkivit, kjo qasje do të rrëfente edhe se si dokumentet dhe “faktet” kanë qenë edhe ato armë pushteti, që pushtetarët shqiptarë i kanë përdorur e vazhdojnë t’i përdorin sipas qejfit dhe interesit.
Nëse ofiqarët e sotëm në Tiranë e kanë seriozisht marrjen me diktaturën dhe të kaluarën e dhunshme të vendit, dhe nuk e bëjnë këtë punë thjesht si propagandistikë, do duhej filluar me ligjet dhe praktikat e deklasifikimit, dhe jo me ekspozita memece dhe photo ops. Do duhej investim dhe pavarësi tek arkivat, mbështetje për studiuesit e rinj, si dhe mundësi konkrete për bashkëpunim me qendra të specializuara jashtë Shqipërisë, që në fakt kanë qenë të gatshme për bashkëpunim, por që kanë hasur në ngërç dhe mediokritet në Tiranë.
Duke patur parasysh këtë histori të arkivit të shtetit shqiptar, i cili është formuar si një shtojcë e partisë-shtet, do të duhej që pushteti i Tiranës, gjithashtu, të mbante distancë nga punët historike. Le të krijohen hapësira dhe mundësi për hulumtim serioz dhe reflektim, por pa i detyruar studiuesit dhe pjesëmarrësit në debat të kalojnë nëpër filtrat e shtetit, që vazhdon të funksionojë si kostum (herë blu, herë lejla) për partinë.
Përndryshe, pushteti do të vazhdojë të riprodhojë të njëjtat manovra si paraardhësit e vet: tregti përrallash nga e kaluara dhe paketim historie nëpër korridoret e qeverisë dhe faqet Facebook të gaztorëve të pushtetit. Ose: një histori e cekët, si sfond laraman për të plotfuqishmin e rradhës.
Pasthënie: Teksti i internuar
Sa më shumë armiq prodhonte aparati i partisë ndër vite—të brendshëm, të diasporës, britanikë, amerikanë, jugosllavë, sovjetikë, kinezë—aq më i komplikuar bëhej edhe përpunimi i së shkuarës. Miqtë e dikurshëm shndërroheshin, befas, në armiq të përbetuar. Biografitë ktheheshin më kokë poshtë. Fjalët e thëna dikur tashmë duhet të ç’thuheshin. Edhe materialet arkivore duheshin spastruar, si edhe rradhët e partisë, nga elementët armiq. Tek tekstet e plenumeve, bisedat me dyer të mbyllura në Komitetin Qendror, apo tek “ditarët” e udhëheqësit, origjinalet e të cilëve ende nuk kanë dalë në dritë, duhej ripeshuar çdo fjali, në mënyrë që udhëheqësi, pas gjithë këtij redaktimi të lodhshëm, të dilte largpamës i madh, ndërsa Shqipëria e varfër të dilte krenare dhe e pamposhtur. Ishte një luftë me të kaluarën, që ka lënë gjurmë edhe në arkiv. Përveç jetëve të shkatërruara, betejat ideologjike të PPSH-së prodhuan edhe këto fjalë e fjali jetime.
Fig. 1-2
Fig. 1-2: “dora e shoqes Nexhmije”: Version i redaktuar (me shënimin përkatës pa numër flete) i proces verbalit të mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PPSH-së të datës 15 shtator 1955 [1967], Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), F. 14/AP, Organet Udhëheqëse (OU), V. 1967, Dos. 32, Fl. 140.
Fig. 3-4
Fig. 3-4: “Vija e Maos është e drejtë”: Pjesë të hequra nga teksti “Mbi zhvillimin e mëtejshëm të revolucionit kulturor proletar kinez”, nga fjala e Enver Hoxhës mbajtur më 16 qershor 1967 në plenumin e 2-të të KQ të Kongresit të 5-të të PPSH-së. Teksti i plotë gjendet në AQSH, F. 14/AP, Plenumi, v. 1967, dos. 1. Versioni i redaktuar i fjalës është botuar në Enver Hoxha, Vepra, vëll. 36 (1982), f. 32-60.
Fig. 5-10
Fig. 5-10: “Kinezët gabojnë” dhe “Revolucioni i Maos na mëson shumë gjëra”: Fletë nga Enver Hoxha, Reflections on China (1962–1972): Extracts from the Political Diary, vol. I (Tiranë: “8 Nëntori”, 1979), fl. 369-371. Bëhet fjalë për ekstrakte “ditari” të datës 14 korrik 1967. Gjashtë ditë më parë, Hoxha takohej me një delegacion të gardistëve të kuq, të cilëve u shprehte mbështetje të plotë për revolucionin e Maos. Pjesë nga biseda mes Enver Hoxhës dhe delegacionit të gardistëve të kuq kinezë, 8 korrik 1967, AQSH, F. 14/AP, Marrëdhënie me Partinë Komuniste të Kinës (M-PKK), v. 1967, dos. 43, fl. 1-18.
Fig. 11-14
Fig. 11-14: “Fjalë jetime”: Fraza dhe fjali të hequra nga letra e KQ të PPSH-së dërguar KQ të PK të Kinës, 6 gusht 1971, risjellë këtu sipas dokumentit origjinal. Bazuar në dokumentin që ndodhet në AQSH, F. 14/AP, M-PKK, v. 1971, dos. 3, fl. 48-66. Versioni i redaktuar, pa këto pjesë, është botuar në gjuhën angleze: “It is not right to receive Nixon in Beijing. We do not support it”, në Enver Hoxha, Selected Works, February 1966 – July 1975, vol. IV (Tiranë: “8 Nëntori”, 1982), fl. 665-82. Tek botimi, heqjet nga teksti janë të shënuara me tre pika. Në fund të tekstit është shënimi: “Published for the first time from the original in the CPA [Central Party Archive]”. Një version i plotë i këtij punimi me dy tekstet është botuar më parë: Elidor Mëhilli, “Written. (Erased.) Rewritten”, Pavilion of the Republic of Albania at the 56th International Art Exhibition, Venice, 9 May – 22 November 2015, në Armando Lulaj et. al., Albanian Trilogy: A Series of Devious Stratagems (Berlin: Sternberg Press, 2015).
[divider style=”dotted” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]
[1] Tek studiuesit anglofonë të stalinizmit, hapja e arkivave sovjetike në fillim të viteve ’90 ushqeu edhe shpresa se do të sillte ndryshime rrënjësore në interpretimin e historisë sovjetike. Flitej, madje, edhe për një revolucion arkivor (archival revolution). Në fakt, zbulimet nga arkivat sovjetike, më shumë se ndonjë revolucion në interpretim, mundësuan një farë pluralizmi idesh, qasjesh, dhe temash studimi. Historia shqiptare mbetet mjerisht e izoluar prej zhvillimeve në këto fusha, që tashmë duken si “të huaja”, meqë edhe publicistët shqiptarë sot e përdorin termin “sovjetik” si fyerje në publik.
[2] “Arkivi është, së pari, ligji për çka mund të thuhet, sistemi që qeveris shfaqjen e thënieve si ngjarje unike. Po arkivi është edhe çka sanksionon që gjithë këto gjëra që janë thënë të mos grumbullohen pa fund në një masë amorfe, as që t’i nënshtrohen një vijësimi të pandërprerë [… ]”. Michel Foucault, The Archaeology of Knowledge (London: Tavistock, 1972), f. 129.
[3] “Të kesh një dëshirë fiksuese, përsëritëse, nostalgjike për arkivin, një dëshirë të pandrydhshme për t’u kthyer tek origjina, një mall për vendlindjen, një nostalgji për kthimin tek vendi më arkaik i fillimit absolut”. Jacques Derrida, Archive Fever: A Freudian Impression (Chicago: University of Chicago Press, 1996), f. 91. Një studiuese e arkivave të kolonializmit shkruante para ca kohësh se historianët shpesh e kanë neglizhuar vendndodhjen dhe formën e arkivave, pa mundur të kalojnë nga “arkivi-si-burim” tek “arkivi-si-subjekt”. Ann Laura Stoler, Along the Archival Grain: Epistemic Anxieties and Colonial Common Sense (Princeton: Princeton University Press, 2009), f. 44. Tek historianët e komunizmit, sidomos, qasja ndaj arkivit si një lloj miniere për t’u gërrmuar shpesh ka eklipsuar idenë e arkivit si praktikë të pushtetit.
[4] Historiku fare i përciptë zyrtar i Arkivit Qendror Shtetëror i daton përçapjet për një arkiv shtetëror që në vitet ’30, duke cituar, ndër të tjera, një projekt-ligj të vitit 1932 dhe duke shtuar këtë fjali të pakuptimtë: “Megjithëse projekt-ligji nuk u zbatua, ai i dha një nxitje zhvillimit të veprimtarisë arkivore”. http://www.albarchive.gov.al/?page_id=188 Nuk sqarohet se ç’do të thotë “nxitje” ndaj “veprimtarisë arkivore” në kuadrin e një projekt-ligji që nuk u zbatua kurrë.
[5] Kujtim Nako, Historia e arkivit qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë (Tiranë: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, 2004).
[6] Ministria e Punëve të Brendshme (Hazbiu), Drejtoria e Arkivave, relacion mbi gjendjen dhe masat për përmirësimin e punës në sektorin e arkivave shtetërore të R. P. Shqipërisë (Tepër Sekret), 23 shkurt (?) 1961, Arkivi Qendror Shtetëror, Tiranë (AQSH), f. 490, v. 1961, dos. 126, fl. 15-20.
[7] Zv. kryeministri (Këllëzi), vërejtje e aparatit, 4 Janar 1961, AQSH, f. 490, v. 1961, dos. 55, fl. 4.
[8] Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Arkivave, dërguar Këshillit të Ministrave (Tepër Sekret), 21 dhjetor 1960, AQSH, f. 490, v. 1961, dos. 126, fl. 1.
[9] Mbi problemet me ruajtjen e sekretit shtetëror, AQSH, f. 495, v. 1953, dos. 59, fl. 1-2.
[10] Ministri i Punëve të Brendshme (Hazbiu), relacion mbi projekt-vendimin “Mbi organizimin e arkivave shtetërore”, AQSH, f. 490, v. 1961, dos. 55, fl. 3.
[11] Komisioni i Kontrollit të Shtetit, mbi gjendjen e arkivave të përkohëshme të ministrive, institucioneve, ndërrmarjeve, dhe organizatave ekonomike (Sekret), 10 maj 1961, AQSH, f. 490, v. 1961, dos. 126, fl. 11-12. “Në Lushnje”, thuhej në këtë raport, “nji pjesë e dokumentave mbaheshe në bodrume bashkë me materiale të tjera dhe nji pjesë në sallonet e komitetit ekzekutiv, kurse në Durrës me që dokumentat sekrete janë vendosur në nji dhomë me lagështirë nji pjesë e tyre ishte dekompozuar”. Edhe nëpër ndërrmarje, gjendja ishte e keqe: “… në kooperativën e vesh-mbathjes Durrës dokumentat e vitit 1958 ishin hedhur në nji qoshe të repartit të këpucarëve”. Po aty, fl. 13.
[12] Projekt-vendimi kërkonte një rritje të konsiderueshme të personelit të arkivave në gjithë vendin—nga 65 vetë që ishte në vitin 1961, në 125. Vendimi qeveritar përkatës i prillit të ’61-shit vendosi 57 kryearkivistë nëpër institucionet qendrore, agjensi të ndryshme, si dhe në komitetet ekzekutive të rretheve.
[13] Zv. kryeministri (Këllëzi), vërejtje e aparatit, 4 Janar 1961, AQSH, f. 490, v. 1961, dos. 55, fl. 4.
[14] Komiteti Shtetëror i Punës dhe Pagave, për shembull, e shihte çështjen e rrangut të arkivit në rradhë të parë si çështje page të drejtorit. Komiteti Shtetëror i Punës dhe Pagave, mbi projektin e paraqitur nga drejtori i arkivave, 24 dhjetor 1960, AQSH, f. 490, v. 1961, dos. 126, fl. 6-6 verso.
[15] Këshilli i Ministrave, vendim Nr. 109, 21 prill 1961, “Mbi organizimin e arkivave shtetërore”, AQSH, f. 490, v. 1961, dos. 126, fl. 24. Ca pjesë të vendimit që kishin lidhje me personelin u zvarritën me muaj të tërë. Për shembull, vendimi kërkonte që institucionet e administratës të delegonin persona të veçantë për arkivat. Mirëpo institucionet, nga ana e tyre, ankoheshin se nuk e kishin të mundur të delegonin persona të tillë për arsye se mungonte kuadri. Deri në tetor të ’61-shit, vetëm 31 persona ishin aprovuar për kryearkivistë. Mbi njëzet vende mbeteshin ende bosh. Shih: Ministria e Punëve të Brendshme, Sekretariati, dërguar Kryeministrisë (Sekret), 7 tetor 1961, AQSH, f. 490, v. 1961, dos. 126, fl. 35.
[16] Projekt-vendim mbi riorganizimin e arkivave shtetërore, p. d. AQSH, f. 490, v. 1961, dos. 55, fl. 8.
[17] Instituti kishte fillimisht tre seksione: gjuhë dhe letërsi; histori dhe shkenca sociologjike e ekonomike; dhe shkenca natyrore e biologjike.
[18] Instituti i Studimeve Marksiste Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH-së fillimisht quhej Instituti i Historisë së PPSH-së (organizuar në vitin 1956). Mori emrin e mëvonshëm më 23 shkurt 1966. Unë nuk kam mundur të merrem me arkivin e këtij Instituti. Më është thënë vazhdimisht se nuk është i kataloguar dhe se materiali gjendet në një depo në periferi të Tiranës. Nuk mundem ta verifikoj këtë detaj.
[19] Dokumente kryesore të Partisë së Punës të Shqipërisë (Tiranë: Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së, 1970).
[20] Sipas një autori që është marrë me tjetërsimin e veprës intelektuale nën regjimin komunist: “Procesi i përgatitjes se veprave të Enver Hoxhes kalonte përmes një pune kolektive, dhe shkrimtarë hije të tyre, përveç pagës nuk kishin ndonjë të drejtë tjetër përveç heshtjes fatale të këtyre autorëve-hije”. Leka Ndoja, Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri, 1944-1990 (Tiranë: ISKK, 2013), f. 91.
Laboratori i diskursit kritik shqip synon t’i ofrojë lexuesit një seri prej dhjetë esesh të përzgjedhura me temë nga fusha e kulturës, nisur nga bindja se kultura shqiptare sot ka nevojë të ngutshme për tekste që ftojnë lexuesin për reflektim dhe kritikë; për t’u shkuar më thellë disa temave kyçe të kulturës sot, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfituar nga artikulimi më i gjatë i eseve dhe nga instrumentet e diskursit kritik.
Qëllimi i këtij projekti është që të funksionojë si laborator për të praktikuar dhe zhvilluar një lloj kritike, publicistike dhe eseistike që nuk ofrohet dhe nuk mund të ofrohet në formatin ekzistues të mediave elektronike të bashkëlidhura me gazetat dhe televizionet; si dhe të shtypit të përditshëm.
E kemi quajtur laborator me idenë se mendimet dhe analizat që do të përfshihen nuk duhet të merren si autoritare (ndonëse shumë prej kontribuuesve e kanë autoritetin e duhur) por si pikënisje për të mundësuar ndërveprimin dhe shkëmbimin e ideve mes autorëve, kritikëve, krijuesve dhe publikut. Zërat e përfshirë në këtë seri janë nga fusha të ndryshme (historianë, muzikologë, kritikë e historianë arti, gazetarë), prandaj secila ese do të reflektojë qasjet dhe stilet unike të këtyre
Kjo seri është në vazhdim të politikave editoriale që Peizazhe të Fjalës ka ndjekur që në fillim; me përjashtimin se autorët do të shpërblehen me një honorar modest.
I bukur artikulli, dhe i dobishëm, në një kohë kur pak (për të qenë politikisht korrekt, pasi nuk e kam ndjekur rregullisht shtypin) apo aspak flitet për këtë çështje. Informacioni nuk mungon, por, më la të uritur. Sepse:
1) Besoj, publiku e meriton t’i shpjegohet një hollësi teknike: se Arkivi Qendror Shtetëror, Arkivi Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk kanë qenë i njëjti institucion, as kanë funksionuar ndonjëherë sipas të njëjtit ligj dhe metodologjie tekniko-shkencore të arkivistiskë (ndër të tjera, AQSh sot ndodhet pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila është futur mes AQSh dhe Burgut 313).
2) Metodat e punës së ndjekur në AQ të PPSh nuk kanë qenë të njëjta me ato të AQSh, rrjedhimisht, të thuash se retushimet apo zhdukjet e informacionit kanë ndodhur në mënyrë të barabartë në të dy institucionet, është keqinformim. AQ i PPSh u bashkua me fondin e AQSh disa vite pas shpërbërjes së PPSh, dhe ruhet ashtu siç ka mbërritur.
3) Në AQSh nuk ka “dosje” të klasifikuara, por dokumente të maturuara apo të pa maturuara (siç e përcakton Ligji për Arkivat i vitit 2003 dhe normat tekniko-shkencore bashkangjitur), dhe këto të fundit janë tjetër gjë nga dokumentet e klasifikuara.
4) Të famshmet “dosje të komunizmit” ndodhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Arkivin e Shërbimit Informativ Kombëtar, apo në arkivat e gjykatave të dikurshme, dhe jo në AQSh. Si rrjedhojë, ndodhen nën një tjetër regjim ligjor, varen nga të tjera institucione, jo nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.
5) Teksa artikulli, kur flet për punën me dokumentet arkivore, i referohet periudhës 1944-1991/2, nuk përmend aspak se në AQSh ruhen edhe dokumente të tjera, të cilat datojnë që nga shek. VI (pas Krishtit) deri më 1944, dhe përbëjnë, pothuaj, 2/5 e fondit të AQSh. Nga ana tjetër, është shumë interesante të shohësh se si janë përpunuar (sistemuar në fondin arkivor sipas një metodologjie të caktuar) dokumentet e Perandorisë Osmane, të ndara në skedarin sistematik në rubrikën “Organizim-Kuadër” (kur bëhet fjalë për nëpunësa institucionesh), apo, kur bëhet fjalë për komunitetet fetare, një nga ndarjet e skedarit është “Feja” (kur bëhet fjalë për regjistra pagëzimesh, p.sh., a thua se Mitropolia e Korçës, apo Arqipeshkvia e Shkodrës nuk janë kokë e këmbë pjesë e fesë!!).
Sidoqoftë, artikulli mbetet shumë orientues, sidomos kur prek çështjen e marrëdhënies së arkivave me publikun, të dikurshëm a të sotshëm, kjo pjesë nuk zhvlerësohet.
Faleminderit për fjalët e mira.
1. Nuk thuhet gjëkundi se AQSH, arkivi i PPSH-së, dhe arkivi i MPB-me kanë qenë i njëjti institucion, apo se paskan funksionuar sipas të njëjtit ligj (cilit ligj?). Historiku i paraqitur këtu, i shkurtër, i përciptë, por i bazuar në dokumente të arkivit, e tregon qartë se në fillimet e veta, arkivat e shtetit mbaheshin nën autoritetin e MPB. Konfuzioni është tek dokumentet; nuk e solla unë. Ndërsa fondi i partisë mbahej më vete. Edhe kjo thuhet qartë; s’e di si mund të thuhet më shqip se kaq.
2. Nuk thuhet gjëkundi se metodat e punës kanë qenë të njëjta apo se retushimet kanë ndodhur në menyrë “të barabartë”, por se çka hyrë në AQSH ka pasqyruar mundësitë dhe të metat e kohës kur është institucionalizuar arkivi (dhe jepen shembuj konkrete empirikë për këtë). Sqarohet, gjithashtu, se puna me arkivin e partise i ka paraprirë punës tek arkivat shtetërore. Fakti që arkivi i PPSH-së “u bashkua” tek AQSH-ja në vitet ’90 nuk ndryshon ndonjë gjë tek ky historik, apo tek fakti qe ne vitet ’60 kishte propozime për t’i bërë arkivat bashkë. Nuk ka asnjë keqinformim këtu. Ka keqlexim të analizës.
3.Ështe shumë e çuditshme të thuash se në AQSH nuk ka dosje të klasifikuara, kur sapo ke thënë se fondi i PPSH-së i është bashkangjitur AQSH-së, dhe kur neni 67 i ligjit “Për arkivat” (6/11/2003) specifikon se ka dokumente që cilësohen “sekret shtetëror”. Është po ashtu fare e papërgjegjshme të injorosh nenin 63, për mbrojtjen e jetës intime të personave, i cili funksionon edhe ai si një lloj klasifikimi (50-150 vjet) dhe ndërvepron si masë a shtuar ndaj maturimit të dokumenteve. Pra, nuk është aspak e vërtetë se puna tek AQSH-ja u organizoka vetëm në bazë të maturimit të dokumenteve. Në praktikë, aplikimi i këtij ligji të vjetëruar bëhet edhe arbitrarisht, dhe për këtë s’kanë faj arkivistët.
4. “Dosje të komunizmit” është shprehje pa kuptim. Vërtet: me “dosje” rëndom nënkuptohen materialet e MPB-me. Nuk e di se si mund të flitet për “regjim ligjor” me to, për këdo që ka parë nga afër në çfarë mizerjeje janë mbajtur.
5. Dakord: duhet trajtuar edhe mënyra se si është përpunuar materiali para vitit 1944. Qëllimi këtu nuk ishte historiku i AQSH-së; AQSH-ja mbase e bën historikun vet, po ka qejf. Kjo do të ishte punë me vlerë për ata që e njohin e punojnë me atë material. (Unë nuk jam ndër ta.)
E lexova me kenaqesi.
Nuk mund te jap nje mendim per arkivin ne teresi, pse nuk e kam studiuar kete institucion dhe as kam qene punonjes i tij ndonjehere.Por duke studiuar ne Arkivin Qendror te Shtetit, ne Arkivin e Partise, ne Arkivin e Ushtrise dhe duke pasur te beje ne punen time me dokumente qe kane leshuar keto arkiva per vertetime etj,bie dakort me autorin ne teresi
.Do te shtoj se Arkivi i Forcave te Armatosura edhe sot nuk e posedon nje pjese te mire,( ndofta pjesen kryesore) te dokumenteve te Luftes dhe te Ushtrise Nacionalclirimtare, meqe ato i mori Arkivi i Partise me tu organizuar. Madje edhe sot keto dokumente ndodhen ne kete fond , prane Arkivit Qendror te shtetit, ne vend qe te ishin dorezuar ne Arkivin Qendror te Forcave te Armatosura.
Une dua te besoj se arkivistet e arkivave qendror kane bere shume pune per nje page qesharake.E njejta gjendje vijon edhe sot.
Vellimi madh i dokumenteve qe hyjne cdo vit ne arkiva , eshte teper veshtire te perpunohet, sistemohet e arkivohet me pak specialiste.
Dixhitalizimi i ketyre arkivave eshte nje problem madhor sot
.Nderkohe kam pershtypje se ne mungese te arkivisteve dhe te kultures e te metodologjise se arkivimit, arkivimi konsiderohet nje lloj magazinimi i dokumenteve, pa ndare dhe sistemuar ato qe duhen ruajtur dhe perbejne dokumente historike nga ata qe jane letra dite e viti pa ndonje vlere te metejshme dhe qe mbushin raftet dhe arkivat, por rrisin edhe koston e punes me to e per to .
Me respekt per autorin Mhilli qe ka trajtuar kete teme, eshte nje ndihme per Arkivat dhe per shtetin shqiptar.
Nga nje vezhgim imi ne arkiven e sektorit te arsimit ka nje reduktim te ndjeshem te numrit te dokumenteve qe arkivohen, dhe nje shkel e shko e merzitshme ne inventar. Jo se prodhohen me pak shkresurina, por se burokratet i ja zene frike nga arkiva.
Gjate funksionit tim si nepunes nuk protollokoheshin memot. Por edhe para viteve 90 pak memo kam verejtur. Memo ishte nje shkrese ne format te vogel para 90, ne A4 pas 90, per komunikim te brendshem.
Shkrimi ishte shume informativ.