Lym Tuti
Si bëheshin fëmijët prindërit, ndonëse e dinin fare mirë, nuk ia shpjeguan kurrë.
E mësoi nga djemtë më të mëdhenj të pallatit, njëri prej të cilëve u orvat t’ia tregonte në praktikë duke e bërë të qante.
Mati Gjermeni
Mati me kalibër testikujt e të gjitha skulpturave në Muzeun e Akropolit.
Si kontroll përdori përmasat e testikujve të një grupi të rinjsh athinjotë.
Rezultatet qenë domethënëse, por arriti gjithsesi t’i botojë në një revistë gjermane.
Mikel Angjeli
E la skulpturën kur u operua nga hernie inguinale bilaterale.
Muzik Lulashi
Teatri i Operës dhe Baletit.
Ju kujtohet historia e Ali Pashës, që muzikantëve perëndimorë që luanin për të u tha se i kish pëlqyer më shumë pjesa e parë e koncertit, që në fakt ishte momenti kur akordoheshin instrumentat?
Të njëjtën gjë i tha ai dirigjentit Ciko gjatë mbrëmjes së fundit me muzikë bashkëkohore.
Pandi Bejtja
Rrëzëllinte patos kronika e zezë e gazetës Koha, e gjitha saje Pandit.
Nga disa romane të verdhë shkruar në rini pat marrë figuracionin e ndezur dhe gjuhën prej nepërke.
Për një vrasje me thikë, për shembull, shkruante: “E qëlloi me armë të ftohtë, por kur ekspertët ia shkulën viktimës nga trupi, ish bërë tashmë e ngrohtë”.
Pas një jave, për të njëjtin tip vrasjeje, ngaqë e neveriste mërzia ja ç’nxori nga armamentarium-i: “E vrau me armë të bardhë që, kur e hoqën nga trupi i viktimës, qe bërë sakaq e kuqe”.
Partizan Ylli
Fëmijë, u çua në mëngjes mbi çarçafin me një pllangë gjaku që i kish rrjedhur natën nga hundët.
Petrit Veshi
E vetmja gjë eksepsionale që ai shok i vjetër gjimnazi kish qenë në gjendje të bënte në jetë, i kujtohej, ishte kur në pushimin e madh mbylleshin në banjo për të pirë cigare.
Arrinte ta nxirrte tymin nga veshët.
Pleurat Xhumani
Kaloi pleurit të rëndë, pa pasoja ngaqë ra dëshmor.
Prof. Bistur Hishtja
– Profesori doli nga dera anësore për një urgjencë – foli infermierja, e mbytur lotë.
Dera anësore s’qe tjetër por dritarja, ndonëse, drejt ta themi, xhenazeja e kapobandës qe rregulluar për së mbari.
Drejtoria u përpoq më kot ta bëjë edhe Profesorin të paguajë një pjesë të dëmeve që iu shkaktuan Spitalit nga tërbimi i bandës.
Qëllim Tagani
Qëllon me kallash qentë e komshiut: njëri ngordh.
E ngujon të vetin në apartament.
Mungon lahuta, por prapë komshiu i këndon vargun e eposit: Tash njiqind vjet kam me ta vrâ qenin.
Sejfulla Kodra
Kishte propaganduar edhe ai gjatë luftës që komunistët do ta bënin popullin të hante me lugë floriri.
Komunist, por bir tregtari të pasur, pas çlirimit e rrasën brenda.
Nxirrte vërtet një lugë floriri për të ngrënë aty në burg, mbajtur fshehur s’di seku.
Derisa e pikasën: kur mbaronte punë, për të mos ia vjedhur, e mbështillte me një shami dhe e fuste në atë vend të errët që të gjithë e kemi.
Selaudin Veleshti
Me bluzë të bardhë, priste klientët te dera e Mini-marketit.
Të rrinte ashtu për një që e kish njërën këmbë të prekur nga poliomieliti nuk qe e lehtë.
Në fillim nuk u duk kush.
Avash-avash filluan të shkelin klientët e parë: pleq duardridhur, me qese plastike të zhubrosura xhepash.
Kur pas tre muajsh filloi të shiste mish qeni për mish “të freskët” viçi borxhi me furnitorët kishte kapur 10 milionshin.
Kur pas gjashtë muajsh e arrestuan kishte zbritur në 8.
Selman Syzja
Kur rreth të dyzetave pësoi shkolitjen e parë të retinës ndjeu imazhet si kala kartash bixhozi t’i rrëzoheshin befas leskëra-leskëra në dyshemenë e ndotur të trurit.
Sitrim Fidani
Kur ikte me shërbim (ndodhte shpesh) i ati e ngarkonte me një detyrë të rëndë, që as ai vetë nuk ish në gjendje ta kryente:
– Kujdes mamin!
Slogan Prifti
Ia nënvizuan emrin me të kuq kur zhdrivilloi tërë fantazi parrullën e Partisë: “T’u qepemi kodrave dhe t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat” në: “T’u qepemi maleve dhe t’i bëjmë ato pjellore si edhe kodrat”.
Tekefundit nuk kish këtu asgjë të gabuar, por e keqja i erdhi me parrullën tjetër: “Një bie – mijëra ngrihen” që e ktheu në: “Një ngrihet – mijëra bien!”.
Sose Qindi
Zotëron një letërnjoftim që e shpall të lindur qysh në shekullin e XIX.
Komisioni i Guinness-it mbetka gjithsesi skeptik, ndaj heton policia.
Duan të zbulojnë nëse plaku 75 vjeçar që banon me të është i biri apo i nipi.
Shekspire Gjokutaj
Me këtë emër nuk mund të mos përkthente, ndonëse vonë, të paktën “Hamletin”.
Ngaqë i vinte turp, përkthimin e nënshkroi vetëm: ShGj.
Timo Floku
I vetmi burrë që në pranverë-verën e 1982-shit u lejua të mbante flokë të gjata dhe mjekër në Shqipëri, meqë luante rolin e protagonistit (komiti Mete) në filmin që po xhironte Kinostudioja.
Gjithë aktorëve të tjerë, edhe bashkëprotagonistëve, Organizata e Partisë së Kinostudios, mbas një mbledhjeje që vazhdoi deri në mesnatë, ua ndaloi zgjatjen e flokëve dhe të mjekrës: do t’i kishin fallco.
Kurse për të s’qe punë: shumë plane të para, herët a vonë publiku do ta vinte re dhe… do t’ia plasnin barceletat.
Trëndafile Bajoneta
Mbiemrin nuk e kishte “Bajoneta”, mirëpo dikush në zbor e thirri kështu dhe kështu i mbeti.
Ishte shoqe e ngushtë me një vajzë tjetër që nuk më kujtohet si e quanin, por e thërrisnin Fenere Zisi.
U zunë me njera-tjetrën dhe u ndanë me shpresën mos nofkat u bjerreshin: nuk ndodhi.
Tuk Qafoku
Fëmijë, kish parë si varnin dikë, i cilësuar “armik i popullit”.
Plak, dy metra larg tij kishin vrarë me plumb në zverk anëtarin e një bande armike.
Gjithnjë pa një pikë gjak dhe ai që ndjente prapë lehtësim në shpirt.
Turgeniev Ypi
E mbartte biçikletën çdo mbrëmje tash 40 vjet deri në korridorin e apartamentit të tij në kat të katërt.
Infarkti i erdhi jo nga lodhja e hip-e-zbritjeve, por ngaqë një mëngjes gjeti që prapëseprapë i kishin vjedhur njërën rrotë.
Vaje Zela
Bashkë me gratë e tjera të përzgjedhura si vajtojca të Udhëheqësit i futën në paradhomë.
I dhanë një parruke që i ngjante flokëve të veta.
Do ta qante me “oji” duke shkulur flokët (e parrukes).
E ngjiti mirë me leukoplast.
Velo Arrëza
I dehur, u përmbys me gjithë biçikletën që nuk dinte ta ngiste, në kanal, ku theu arrëzën e qafës.
Ishte ndërkohë i vdekur kur mjeku i fshatit tentoi masazhin kardiak dhe berberi (po i fshatit) shkuli burgjish dritaren për ta shijuar skenën live.
Vojo Nushi
Tentuan ta vidhnin, por dera qe e blinduar.
As zbrazja e një karikatori të tërë nuk e shpërtheu.
Java pastaj rrodhi qetë, përveç mortit që u hap në katin poshtë: djali i shtëpisë i vrarë nga një plumb rikoshet.
Ylli Dulo
E vetmja gjë e denjë për t’iu përmendur në jetë ishte kur në zbor, me lugën e gavetës, hoqi një tullë nga muri ndarës i fjetores së djemve me atë të vajzave.