Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

SHAHMAT

Në shah, njëri nga lojtarët thuhet se “është kapur mat” kur mbreti gjendet nën sulm, por nuk ka asnjë mënyrë për t’iu shmangur këtij sulmi.

Shprehja është përdorur pastaj edhe si metaforë, për të shënjuar pamundësinë për t’u mbrojtur më tej kur je i sulmuar, ose vënien me shpatulla për muri.

Për arsye misterioze, tani ndeshet edhe në zhargonin e titujve të tabloidëve, me një kuptim disi të ndryshëm:

Geti kapet mat me Marinën (GazetaExpress)

Luana kapet “mat” në plazh me Adrian Gaxhën (Telegrafi)

Nusja kapet mat, ja çfarë i bënte vjehrrës (Telegrafi)

Plaku kapet “mat” me dy prostituta në motel (Telegrafi)

Mësuesi kapet mat duke urinuar te pijet e kolegeve (Kosovapress)

Enca “kapet mat” duke tymosur marijuanë (Mapo)

Profesori kapet mat duke bërë seks me studenten në klasë (Mapo)

Ricky Martin kapet ‘mat’ në Malibu me të dashurin e ri (BalkanWeb)

Bred Pit “kapet mat” (Shekulli Online)

Marokeni kapet ‘mat’ me të fejuarën e shqiptarit (Shqiptarja.com)

Ramush Haradinaj kapet ‘mat’ mes dy bukurosheve në Tiranë (Bota Sot)

Xhesika Ndoj “kapet mat” me Ilir Metën në plazh (Lapsi.al)

Rama kapet mat duke i kërkuar gazetarit llogari për pyetjet (tetovasot)

Rama “kapet mat” duke lexuar dosjen e Vuçiç (albeu.com)

Olta Gixhari “kapet mat” me të dashurin (newsbomb.al)

Vajza nga Elbasani kapet “mat” duke parë porno në Internet-Kafe (27.al)

Politikania shqiptare “kapet mat” pa të brendshme (bota.al)

Kryeministri Rama kapet “mat” duke fjetur gjatë udhëtimit (gazetatema.net)

Polici kapet “mat” duke kënduar këngën e Taylor Swift (koha.net)

Kapet mat Elvana Gjata, asaj i dalin të gjitha në pah (Indeksi Shqip)

Shkenda Dubova kapet mat, tërësisht nudo (Postieri.net)

Mund të kisha sjellë edhe qindra tituj të tjerë.

Nga një analizë e shpejtë e këtyre shembujve, dikush kapet mat kur e zbulojnë, zakonisht kur e fotografojnë ose e filmojnë, jo rrallë lakuriq, në një situatë të pakëndshme ose gjithsesi private.

Situata nënkupton praninë e padëshiruar të një paparaci, një kamere sigurie ose një mjeti tjetër vëzhgues.

Shprehje të ngjashme, si “kapet në flagrancë”, “kapet me presh në duar” ose “kapet gafil” tashmë i ndesh më rrallë, sepse e kanë humbur fuqinë, por edhe ngaqë u referohen krimeve ose shkeljeve të ligjit.

Përkundrazi, kapet mat ka marrë forcë të madhe në momentin e tanishëm, kur publiku – sidomos ai i rrjeteve sociale dhe i videoklipeve – tërhiqet pas atyre situatave kur dikushi (përfshi këtu edhe qen e mace) gjendet në vështirësi, rrëzohet, ngatërrohet, bie në ujë, rrëshqet në akull, përplaset me makinë, kafshohet nga një qen ose në përgjithësi bën figurë të keqe a diskreditohet.

E megjithatë, e përdorur në këtë mënyrë shprehja është metaforë thjeshtligjërimi, që tradhton një mënyrë komunikimi ku ka rëndësi konotacioni, jo denotacioni – sikurse përpiqen ta tregojnë, në shkrim, thonjëzat.

diagram-lanczos3Por nuk ka gjë të përbashkët me matin në shah, ajo situatë kur një fotograf me teleobjektiv të ndjek nga mbrapa në plazh, derisa të të fiksojë kur je duke ndërruar brekët.

Para së gjithash, ngaqë ti nuk ke rënë dakord që të luash me këtë fotograf, as me gazetën a televizionin që do t’ia botojë fotot; dhe as me publikun që do t’i shohë ato.

Kjo është njëlloj si të kapësh mat kundërshtarin në shah, kur ky është duke fjetur.

Prandaj edhe autorët e titujve parapëlqejnë pësoren (“kapet mat”), për të shmangur vëmendjen e publikut nga autorët e këtij zbulimi, ose agjentët që kapin.

Arsyet pse është zgjedhur “kapet mat” për të shënjuar situata të tilla ku dikush vihet në pozitë të vështirë, sepse ka gabuar ose sepse po i bëhet publike diçka që ai do të kish dashur t’i mbetej private, ndoshta lidhet me perceptimin e matit, mes atyre që e luajnë shahun në nivel elementar; ose atëherë kur mati i vjen viktimës papritur, si rrufeja në të kthjellët.

Çfarë do të thotë se në këto nivele kapet mat dikush që nuk e ka parë matin, që nuk e priste; pa çka se tjetri mund ta kish bërë gati me kujdes, në formë kurthi; dhe vetë mati është shenjë mosvëmendjeje ose hutimi.

Ky përjetim i thjeshtë nuk duhet ngatërruar me matin në shahun e niveleve më të larta dhe që kurorëzon një plan të menduar mirë; atë mat që rrallë shihet në fushën e lojës, por që gjithnjë është përcaktues, si mundësi për t’u shmangur, në llogaritjen e varianteve.

Shpesh, në këto nivele, në vend që ta dorëzojë lojën, humbësi e lejon kundërshtarin ta kapë mat, për t’i dhënë kënaqësinë e një kombinacioni të bukur; dhe ky gjest konsiderohet si kalorësiak dhe vlerësohet veçanërisht.

Një paralelizëm që të bën të dyshosh edhe mos shumë nga këto “mate” të mediave janë të paramenduara, në mos të inskenuara për të tërhequr lexues dhe klike.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin