Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

PSY-OP

Edhe pse e ndoqa vetëm kalimthi, historia groteske dhe e trishtuar e Shukri Xhelilit ishte një tjetër katastrofë totale: ku pushtetari kërkon favore seksuale për të gjetur punë dhe mediat shkelin me të dy këmbët privatësinë jo vetëm të palëve të përfshira në skandal, por edhe të palëve të treta të pafajshme – ngaqë aq dinë, por edhe për të devijuar vëmendjen nga skandali i mirëfilltë, që ka natyrë politike.

Një tjetër katastrofë totale, pra, që konfirmon nivelin e ulët të komunikimit mes pushtetit dhe qytetarëve, por edhe të mediave me publikun; dhe që do të kish qenë një tjetër dështim për shoqërinë shqiptare, sikur të mos ekzistonte dyshimi – legjitim – se e gjithë kjo mund të ketë qenë edhe një psy-op.

Ministria britanike e Mbrojtjes e përkufizon psy-op-in (shkurtim për “psychological operation”) si një teknikë për ta bërë “armikun, ose ndonjë tjetër objektiv të synuar, që të mendojë dhe të veprojë në një mënyrë të tillë që kjo të jetë në favorin tonë.”

Në rastin e video-skandalit Xhelili, ideja e këtij psy-op-i do të ishte që t’i bëjë pushtetarët dhe nëpunësit publikë të korruptueshëm të dyshojnë se çdo transaksion privat në të cilin hyjnë mund të jetë duke u regjistruar nga pala tjetër.

Dhe kjo do të çonte, doemos, në reduktimin dramatik të korrupsionit, pa çka se me shpenzimet e privatësisë.

Në fakt, çdokush që inicion një transaksion korruptiv, e bën këtë duke qenë i sigurt se ky do të mbetet privat, i fshehtë, larg syve të publikut dhe të organeve të rendit.

Këto të fundit, që nuk munden dhe as lejohen të instalojnë kamera, mikrofonë dhe teknologji të tjera përgjimi në çdo skutë të territorit, e kanë më të lehtë dhe më ekonomike të investojnë për të krijuar dyshimin, frikën ose psikozën se mundësia për një përgjim të tillë privat, nga qytetarët çfarëdo, është reale.

regenschirmMadje aq reale, sa përfitimi nga transaksioni korruptiv nuk do të ishte më i tillë, sa të përligjte rrezikun ndaj ekspozimit publik dhe procedimit penal.

Nga pikëpamja juridike, ajo çfarë ndodhi me Xhelilin ishte shkelje e privatësisë dhe vështirë se mund t’i qëndrojë kritikës; çka do të thotë se fajtori i sotëm nesër fare mirë mund të lirohet si viktimë, madje edhe pasi të jetë dëmshpërblyer rëndshëm.

Por shoqëria në tërësi përfiton nga kjo disfatë kaq e brendashkruar, sepse transaksionet korruptive me kohë do të pakësohen, për shkak të frikës, dyshimit e sidomos psikozës se privatësia e deridjeshme nuk sigurohet dot më.

Që të dalë ky psy-op me sukses, duhen jo vetëm shërbime sekrete të mençura dhe efikase, por edhe media idiote: ja një martesë e lumtur!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin