Mesnatë e së shtunës kryeqytetase, qielli me vranësira të ndërrueshme, unë jam gati për t’i ulur qepenat.
Bie telefoni: numër privat. Alo? Zë femëror, i gërvishtur – si i një adoleshenti të sapokthyer nga stadiumi. Alo, kush je?
Fillojmë një pingpong të lehtë: Mirëmbrëma. (Mirëmbrëma je vetë.) Kush jeni ju, ju lutem? Prezantohuni ju në fillim, më thotë. Po ju cilin kërkoni? Më thoni ju. Ku e gjetët këtë numër, e pyes unë. I rashë një numri, thjesht, dhe ja, paskam qenë me fat, më thotë.
OK, atëherë, natën e mirë, e mbyll unë thirrjen.
Numrin tim të ri të celularit e kam blerë në Tiranë vetëm para tre ditësh, sipas të gjitha rregullave të shtetit.
Ja pra një biznes i admirueshëm, them me vete.
Për ta blerë numrin, kam paraqitur ID-në time amerikane. Te banaku madje më kanë lejuar të zgjedh midis 847 4746 dhe 293 5849: simpati, elegancë dhe eficiencë.
Sa është probabiliteti që t’i biesh një numri çfarëdo dhe të dalë imi? Një matematikan kushedi do të qeshte me këtë pyetje.
Hulumtoj rreth e rrotull, me të dijshmit: më thonë që ka rrjete informale, që i marrin numrat “me potencial” nga pikat e shitjeve të kompanive celulare dhe ua japin shërbimeve të eskortit ose bareve dhe klubeve që kanë shumëçka për të ofruar.
Me sa duket, i përmbushkam kriteret për t’u kapur në grep, cilatdo qofshin këto kritere.
E kanë e kanë futur në listën e duhur numrin e ri dhe kanë pritur gjithë delikatesë deri natën e së shtunës, ose fundin e një jave të lodhshme, të kaluar nga një OJQ në tjetrën, nga një tryezë e rrumbullakët në tjetrën, nga një studio televizive në tjetrën.
E shtunë mbrëma vonë, klienti anonim pak i pirë, pak i trullosur, pak i neveritur me veten, pak dyshues se mos ky udhëtim drejt Ballkanit mund të dalë fiasco.
“Alo, prezantohuni ju në fillim, që pastaj të prezantohem edhe unë.”
Mikpritja tradicionale shqiptare, e përditësuar në rrethanat e reja të globalizmit dhe të turizmit bashkëkohor.
Ma jep ti besën, që të ta jap edhe unë. Tit for tat.
Një transaksion qejfi i mbetur në tentativë, por jo për fajin “e tyre.” Uroj që vajzës me zë të ngjirur t’ia kenë dhënë megjithatë mëditjen. Për mua thirrja ishte, natyrisht, falas.
kam blete githe ato numra ne shqiperi (sepse skadojne apo bllokohen pas nje afati) por nuk kam qene me te tille fat. te pakten ne mos me shoqeri ne kuptimin fizik, disa nete te ftohta larg internetit (se atje ku banoj nuk kemi as drita) do kalonin bukur me nje ose disa zera te cjerret 😛