Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kulturë

ME KALË NË QYTET

Të dielën që shkoi m’u desh të pres ca minuta në Union Square, që është ndoshta sheshi që më pëlqen më shumë në New York; dhe aq më tepër po më tërheq tani, në kontekstin e debateve për sheshin “Skënderbej” në Tiranë – sepse Union Square i ka të gjitha ato virtyte që do të doja t’i shihja edhe te si-vëllai i tij shqiptar, por që pak gjasë ka t’i gjej atje ndonjëherë.

Gjithsesi, tek prisja te trotuari përballë hyrjes jugore në park, m’u ndalën sytë te statuja ekuestre përballë, dhe që gjithnjë e kisha anashkaluar, sikurse e bëj gjithnjë me statuja të tilla, kudo që jam; jo vetëm në New York por kudo gjetiu dhe sidomos në Europë. Për nga modeli i flokëve të kalorësit, m’u duk si George Washington-i dhe në fakt nuk kisha gabuar; por nuk mbaj mend të kem vrarë ndonjëherë mendjen më parë se kujt i kushtohej ai monument; dhe tani e bëra vetëm ngaqë isha i ngeshëm.

Union-Square-New-York-20068

Këto statuja ekuestre, ose “centaurë” siç i quajnë ndonjëherë, i gjen anembanë ShBA, por edhe e sidomos Europës; janë aq shenja të detyruara të respektit të qytetit për historinë, pa çka se figura e një lideri ushtarak, majë kalit, pak pajtohet me vetë kulturën e të jetuarit në qytet, aq sa jo rrallë në vend të respektit të qytetit për këta kalorës do duhet folur për lëshim a koncesion të detyruar; aq më tepër kur e dimë, së paku që nga koha e indo-europianëve e këtej, se kalorësit zakonisht kanë hyrë në qytete si pushtues dhe plaçkitës madje edhe kur kanë hyrë si “çlirues”, pavarësisht nga salltanetet; dhe këtu s’e kam fjalën vetëm për parahistorinë, por edhe e sidomos për gotët, hunët, mongolët, avarët në Europë; ose, në rrethana të tjera, spanjollët në Meksikë, në Peru dhe gjetiu në Amerikën Latine; pa përmendur gjithfarë mbretërish me të cilët nuk po dua t’ju lodh.

Nga ana e vet, statuja ekuestre e Skënderbeut, në Tiranë, është tribut i vonë për heroin tonë kombëtar, por edhe e njëkohësisht ka shërbyer si shenjë e normalizimit të kryeqytetit shqiptar si qytet europian; në kuptimin edhe ne. Kjo vjen e bëhet më e qartë po të kemi parasysh rrethanat e jashtëzakonshme kur u vendos statuja në Tiranën e vitit 1968 – ose në vitet e izolimit të Shqipërisë, të frikës nga një pushtim i mundshëm prej Traktatit të Varshavës dhe të fundit të “revolucionarizimit” të jetës së vendit. Edhe vetë fakti që monumenti i një feudali mesjetar që kish luftuar, mes të tjerash, edhe për Krishterimin dhe Papën e Romës, ia zuri vendin Stalinit, dëshmon për kthesën dramatike të punëve, ose ri-orientimin e regjimit të Hoxhës drejt kombëtarizmit.

Që nga ajo kohë, shumëçka ka ndryshuar e ndërruar në shesh, por vetëm monumenti i Gjergjit nuk është vënë ndonjëherë në diskutim; rreth tij është shkatërruar, gërmuar dhe ndërtuar sërish, janë prerë pemë dhe pastaj janë mbjellë prapë, është shtruar rruga me pllaka dhe pastaj me asfalt, është hedhur zhavorr dhe është mbjellë bar, janë ulur me mijëra e mijëra tiranas dhe të ardhur, kanë ardhur rrotull me mijëra e mijëra makina; por vetë monumenti jo vetëm nuk ka lëvizur, por edhe ka qenë i detyruar të mbetet i barabartë me vetveten, për të mundësuar normalitetin e një konteksti aq të paqëndrueshëm.

Gjithsesi, unë statujën e Skënderbeut mbi kalë e lidh edhe me fëmijërinë dhe me simbolikën e identitetit tim, ashtu siç m’u mësua në ato vite; nuk di çfarë do të provoja, sikur të vija në Tiranë si turist dhe ta shihja monumentin për herë të parë. Përkundrazi, di që, kur shëtis nëpër Europë, rrallëherë më shkon mendja të vizitoj e aq më pak të admiroj “centaurët” e kontinentit të vjetër; gjithfarë monarkësh, sovranësh, princash, dukësh dhe kondotierësh zemërluanë, që kanë pretenduar të ngrihen “mbi” qytetet, duke përfituar edhe nga vetë pozicioni i tyre hipur në kalë.

Madje kur mendoj sa qesharake do të ishte sot, sikur një burri shteti sado të shquar t’i ngrinin diku një statujë të hipur në makinë (p.sh. Bill Clinton-it, në Prishtinë, në timonin e ndonjë Jeep Wrangler ose tjetër convertible të denjë për ish-presidentë); ose edhe duke hyrë triumfalisht në qytet përmes bulevardit, i ngritur në këmbë në Cadillac-un e hapur dhe duke përshëndetur gjindjen me dorë, si ish-kryeministri kinez Çu En-Lai në Tiranën e viteve 1960.

Nuk shkon. Dhe kjo lidhet me simbolikën e kalit vetë, jo të kalorësit; sepse kali prej shekujsh metaforizon lidershipin ushtarak dhe fitoren në fushën e betejës – dy tipare të shtrenjta, për çdo lloj kombëtarizmi që themelohet mbi parimin e luftës dhe të mbijetesës.

Ironikisht, shumë nga këto statuja ekuestre, sidomos në Europë, do të ishin katandisur në shenja anakronike të një epoke historike të kapërcyer, sikur të mos e rithemelonin funksionin e tyre shenjik, për të përfaqësuar jo më pushtetin dhe shkëlqimin e liderit përkatës, as bëmat e tij të gjithfarshme; por epokën kur janë ngritur, skulptorin dhe arkitektin që i ka gdhendur dhe dizajnuar, stilin e monumentit. Referenca e tyre, në fakt, ka ardhur duke u shndërruar, gradualisht por pakthyeshëm, në vetë-referencë.

Ç’është e vërteta, edhe centauri i Kastriotit, në zemër të Tiranës, mua nuk më bën gjë detyrimisht të mendoj për skënderbejadën, otomanët, rrethimin e Krujës dhe të tjera ngjarje të mëdha në Arbërinë e shekullit XV; por më kujton qasjen ndaj Skënderbeut gjatë viteve të totalitarizmit, paraqitjen e tij si hero të tipit të Davidit që lufton kundër Goliat-it dhe që doemos do t’i referohej, në atë kohë, Enver Hoxhës që kish guxuar të rebelohej kundër gjigantit sovjetik; sikurse më kujton kremtimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergjit dhe ditët menjëherë para përurimit të monumentit, kur ky qëndronte i mbuluar, në piedestalin e vet aq të ndryshëm nga ai i Stalinit; dhe më në fund, grupin e skulptorëve që punuan për ta ngritur statujën, me Odhise Paskalin në krye dhe stilin e tyre anakronik, por që pajtohej me vullnetin e regjimit, për të pasur një statujë të Skënderbeut që t’i referohej jo vetëm së shkuarës shqiptare, por edhe një të shkuare imagjinare të traditës historike dhe kulturore mes shqiptarëve – ose një periudhe, në fakt të paqenë, kur do të mund të ishte ngritur ajo lloj statuje.

Ironikisht, ndoshta të vetmet monumente të kësaj kategorie, që kanë arritur t’i ruhen vjetrimit sa fatal aq edhe të domosdoshëm, janë ato që u kushtohen ikonave kulturore globale, si Don Kishoti a Nastradin Hoxha; edhe pse ky i fundit jo ekzaktësisht me kalë.

Për t’u kthyer atje ku e nisa ose në New York, ndoshta ia vlen të përmend se një nga statujat ekuestre më të mëdha dhe më imponente, në Central Park, është ajo e Jagiello-s, Mbret i Polonisë dhe Dukë i Madh i Lituanisë (1386-1434), fitimtar në betejën e Grunwald-it kundër kalorësve të Urdhrit të Teutonëve. Nuk dyshoj se ndonjë turist polak në qytet dhe ndonjë polak-amerikan me interesa të gjera kulturore dhe patriotike do të gjejnë kohën për ta vizituar monumentin; por përndryshe, kam frikë se pakkujt nga milionat e banorëve të New York-ut dhe nga milionat e tjerë të turistëve do t’i bëhej vonë për këtë vjetërsirë të hatashme, e cila tërheq shumë më tepër me historinë e vet si statujë e pranuar në parkun kryesor të qytetit kryesor në ShBA, se ngjarjen historike së cilës i referohet.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin