Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

VIRTYTI PATRIOTIK

zervaStuhia më e fundit në një gotë uji, ajo rreth përkatësisë etnike së Napoleon Zervës (shqiptar apo grek?), dëshmoi në mos tjetër, të paktën skizofreninë e folk-patriotizmit shqip, duke i dhënë jo një, por dy përgjigje të kundërta pyetjes se çfarë do të thotë pikërisht të jesh shqiptar. Kësaj pyetjeje deri më sot ca i përgjigjeshin me argumente esencialiste, të cilat orbitojnë rreth gjakut, si ADN dhe si metaforë; ndërsa ca të tjerë, me argumente morale, thelbi i të cilave është që shqiptarët janë një lloj klubi, ku e vetmja teserë që t’i hap dyert është përkushtimi për kombin e për atdheun; çka do të thotë edhe që të jesh shqiptar është virtyt. Tani po del sikur kjo dikotomi nuk mjafton; dhe se, që të jesh vërtet shqiptar, duhen plotësuar të dy kushtet njëherësh: edhe të kesh gjak të pastër shqiptari – ose të mos jesh gjakprishur; edhe ta praktikosh shqiptarizmin si ndonjë lloj feje publike. Kjo u jep mbikëqyrësve të racës, shqiptarëve profesionistë a shqytarëve të vetëdeklaruar të kombit mundësinë për të përcaktuar se cili është dhe cili nuk është shqiptar, sot dhe në histori. Sidomos në histori; por edhe aftësinë për ta bërë gjakun e tjetrit ujë dhe për ta shfuqizuar argumentin e gjakut – çka e katandis dikotominë në antinomi, por kur e kanë ndalur ndonjëherë antinomitë fanatizmin? [A.V.]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin