Ka ditë që mediat po merren me çfarë mediat shqip zakonisht merren: me bisedën erotike kinse midis zëvendëskryeministrit shqiptar të Republikës së Maqedonisë Musa Xhaferi dhe deputetes shqiptare në parlamentin e atij vendi, Ermira Mehmeti.
Natyrisht të gjithë patën diçka për të thënë rreth përmbajtjes “hot” të kësaj bisede dhe pakkush u shqetësua për shkeljen e privatësisë dhe atë tjetrën, se këta që kinse bisedojnë për seks janë politikanë dhe jo celebrities të “show business” ase pjesëmarrës në një reality show.
Sikur të mos mjaftonte kjo, u ngrit edhe një palë e tretë, që me hipokrizi dhe tone të forta vetë-shërbyese i doli në mbrojtje deputetes Mehmeti “si grua”, me një patetikë dhe sentimentalizëm që u pat përdorur lirisht, deri dje, për Nazime Vishën.
Të gjithë këta (dhe këto) nuk po duan të kuptojnë thelbin e këtij skandali – dhe pikërisht, që kush përgjon dy politikanë me poste relativisht të larta dhe me shumëçka për të humbur, nuk e bën këtë si voyeur, dhe as ngaqë dëshiron të mbushë faqet “rozë” të gazetave; por sepse kërkon ta shfrytëzojë këtë bisedë, zakonisht për shantazh dhe ndonjëherë edhe për t’i goditur këta politikanë në publik.
Çështja është politike, jo morale dhe as mund të shfrytëzohet për të çuar përpara kauza feministe ose debate për “mashkullin shqiptar.”
Përndryshe, tash nuk ka mbetur veçse që të ngrihet ndonjë dialektolog dhe të analizojë të folmen e përdorur në bisedat e përgjuara; ose ndonjë seksolog, që të zbërthejë dinamikat e erotikës telefonike.
Dhe kjo që ndodh është skandal më vete. Mirë që për privatësinë e dy politikanëve nuk po e vret mendjen kush; por këtyre që flasin po u mungon deri edhe instinkti elementar i gazetarit.
Prandaj do të bënin mirë, besoj unë, të vazhdonin me Nazimen, kushedi edhe për ta sjellë nesër në parlament në Shqipëri; se tek ajo temë të paktën janë konfirmuar si kampionë të së pambrojtshmes. [A.V.]