Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Përkthim

RRETH SHQIPES NË WORDPRESS

Këto ditë që e kaluam faqen Peizazhe të fjalës nga WordPress.com në WordPress.org, u përballëm edhe me një befasi që do ta quaja të këndshme, sikur të mos kish rezultuar e sikletshme: menytë e përkthyera në shqip.

Nuk e kam idenë kush i ka përkthyer këto meny; por nuk më duket se kanë bërë punë të mirë, madje edhe sikur ta kenë ndërmarrë përkthimin falas.

Dhe kjo lidhet me të gjitha aspektet e përkthimit, por veçanërisht me ato më profesionale – si konsistencën ose qëndrueshmërinë e tonit, zgjedhjet terminologjike dhe mënyrën si e vendos faqja lidhjen me përdoruesin – ose pragmatikën e ndërfaqes së përdoruesit (user interface).

Po sjell këtu një shembull të vetëm, nga menyja e përpunimit të komenteve të lexuesve, që nga seksioni përkatës.

Capture

 

Kjo meny i përgjigjet pak a shumë kësaj tjetrës, edhe pse me ndonjë dallim të vogël.

capture 2

Problemet: i pari dhe më flagranti, ndryshimi në vetën me të cilën faqja i drejtohet përdoruesit: në vetën e dytë njëjës te “Shmiratoje”, pastaj në vetën e dytë shumës te “Përgjigjiuni”, pastaj duke hequr krejt dorë nga veta dhe duke kaluar në emër foljor veprimi (“Përpunim”) dhe më në fund duke u kthyer te veta e dytë njëjës.

Se çfarë vete duhet të përdoret në ndërfaqen e përdoruesit, ky është problem që meriton vëmendje më vete; unë parapëlqej vetën e dytë njëjës, të tjerë vetën e dytë shumës, të tjerë akoma vetën e tretë njëjës të pësores, etj. Ende nuk ka ndonjë konsensus për këtë.

Por e keqja me këtë meny të WordPress.org nuk është veta e zgjedhur, por inkonsistenca, ose kalimi nga njëjësi në shumës dhe kthim; ose edhe adoptimi, kuturu, i një modeli tjetër, atij emëror.

Kjo besoj se shpjegohet me atë që elemente të menysë, ose komandat e thjeshta të tipit “Përgjigju”, janë përkthyer nga përkthyes të ndryshëm, të cilët nuk e kanë bashkërenduar punën mes tyre, ose nuk kanë përdorur ndonjë një udhëzues stili.

Mungesë profesionalizmi, pra.

E cila kombinohet me mungesën tjetër, të rregullsive funksionale të shqipes, të cilat shkojnë përtej drejtshkrimit dhe gramatikës – për të prekur përdorimin aktiv të gjuhës në jetën e përditshme; si ky i ndërfaqes së përdoruesit.

Nuk ka, pra, një opinion nga ndonjë autoritet formal, të shprehur bie fjala nga një institucion që merret me standardet (kujdes, nuk e kam fjalën për standardin gjuhësor të 1972-shit); dhe që të thotë: në ndërfaqet e përdoruesit rekomandojmë përdorimin e vetës së dytë njëjës.

Kaq. Në mënyrë që përkthyesit të mos improvizojnë dhe pastaj të përftohen përbindësha, si menyja më sipër.

Por inkonsistenca është vetëm një nga problemet e këtij lokalizimi. Për mua nuk ka arsye pse fjala “Shpejtë”, te “Përpunim i Shpejtë”, të shkruhet me shkronjë të madhe shtypi – shqipja nuk e pranon këtë. Po ashtu, “Vëri shenjë si e padëshiruar” i referohet një kundrine të zhdrejtë të gjinisë femërore (e padëshiruar), pa çka se komenti është i gjinisë mashkullore.

Më në fund, “Shmiratoje” është një neologjizëm, por sipas rregullave elementare të drejtshkrimit shqip duhej të ishte “Çmiratoje” (për të njëjtën arsye që shkruajmë “çmagnetizoj,” “çmallem”, “çmagjeps”, “çmend”, “çmeroj”, “çminoj”, “çmobilizoj”, “çmoj”, “çmontoj”, etj.). Ja pra, edhe një përkthyes që nuk njeh rregullat e drejtshkrimit dhe teknikat e parashtesimit në shqipe.

Mua nuk më pëlqejnë as disa prej zgjidhjeve të fjalësimit; kështu “Vëri shenjë si e padëshiruar” do ta bëja “Shënjoje si të padëshiruar”; dhe “Shpjere te hedhurinat” do ta bëja “Hidhe në kosh”; dhe po ashtu “Përgjigjiuni” do ta bëja “Përgjigju(ni)”.

Dhe po ashtu, për të ruajtur njëtrajtësinë ose konsistencën pragmatike, siç do të thoja “Çmiratoje”, do të thoja edhe “Përpunoje” dhe “Përpunoje shpejt”; pra duke ruajtur modelin e urdhërores me trajtë të shkurtër të kallëzores.

Me fjalë të tjera, përkthim i keq dhe mungesë profesionalizmi nga ana e përkthyesve por edhe drejtuesit të projektit – që duhej t’i kish bashkërenduar përkthyesit, nëse ka punuar me disa të tillë.

Të tilla mangësi më nxitin mua, si përdorues, që të kërkoj me çdo kusht të kthehem te UI në anglishte; sepse kjo shqipe që është përdorur këtu më del përpara, më zë rrugën, më ngatërrohet nëpër këmbë, më thotë: “kush më ka shkruar, nuk ka punuar mirë.”

Dhe nuk është punë për administratorin e një faqeje në WordPress.org, që të gjykojë përkthyesit e menyve dhe as të paguajë, mendërisht, kusuret e tyre.

2 Komente

  1. Para nje muaji hasa nje gabim problematik ne faqene Keshillit te Europes (CoE); po lexoja perkthimet e Kartes per gjuhet minoritare (ECRML) qe eshte dokumenti me i rendesishem qe ekziston sot ne gjithe hapesiren europiane (jo vec EU) per gjuhet minoritare. Shqiperia nuk e ka firmosur karten, por dokumenti ekziston edhe ne shqip ne faqen zyrtare te CoE, sepse ka pasur shume percapje nga CoE per ta futur ne valle per Charter-in si vend anetar i CoE.

    Aty mu ne perkufizim eshte bere nje gabim trashanik ne shqip. Teksti i kartes eshte perpiluar me shume kujdes qe te kufizoje sasine e atyre varianteve gjuhesore qe fitojne te drejta nen Charter, edhe per arsye ekonomike, edhe qe te kenaqe shtetet dhe t’i ftoje te firmosin Karten pa i frikesuar. Ndaj ve kushtin e territorialitetit (gjuhet duhet te lidhen me nje territor te caktuar gjeografik) dhe historicitetit (te jene folur historikisht aty). Kjo behet qe te shmangen nga lista gjuhet e reja te emigracionit ne shtete te ndryshme perendimore. Ne nje pike ne hyrje thuhet gjuhe minoritare krahinore (regional minority languages) qe jane folur historikisht ne nje “zone” te caktuar duke iu referuar zones gjeografike. Por ne shqip eshte perkthyer: gjuhe qe jane perdorur historikisht ne nje “fushe” te caktuar. Kjo vjen se ne origjinal eshte perdorur “area”. Ngaterresa eshte politikisht sh problematike; dhe niveli ne te cilin eshte bere gabimi deshmon sa pak e vleresojme perkthimin e sakte dhe serioz. Kur vjen fjala per perkthimin per komunikimet online, kjo mungese kujdesi eshte edhe me e madhe. Shpesh eshte shume e veshtire “t’u bindesh” udhezimeve shqip ne Internet, sepse duhet se pari kohe te kuptosh se per cfare behet fjale. Koha per te studiuar e njesuar si duam t’i themi ato qe duam te themi. Problemi eshte se teoria ne Shqiperi eshte “cfare hallesh kemi ne, cfare doni ju!”

    1. Unë e njoh këtë proces pune dhe, sidomos kur janë disa përkthyes që e ndajnë mes tyre tekstin, duhet një PM që t’i bashkërendojë dhe një redaktor që të merret me ndreqje problemesh si ato që kam përmendur më lart.

      Por çfarë ndodh: edhe kur porositësi i përkthimit ka aq fonde sa të paguajë mirë një redaktor, ky i fundit mund të qëllojë inkompetent dhe, në vend që të kujdeset për terminologjinë, konsistencën, kontekstualizimet etj., vihet të predikojë budallallëqe, të tipit “përkthyesi ka përdorur shumë fjalë të huaja.”

      Kjo është qasje tipike prej zelltari, ose misionari të purizmit; që i bën disa njerëz të kujtojnë se, duke u shqetësuar për këto punë, vërtet mund ta “shpëtojnë” gjuhën; pa çka se teksti kalon nga njëjësi në shumës dhe i njëjti term i anglishtes përkthehet me katër-pesë fjalë të ndryshme.

      Më ka qëlluar, për shembull, të punoj me një tekst farmakologjik, ku redaktori vajti dhe ma zëvendësoi termin tromb (për “blood clot”) me “mpiksje gjaku”; në emër të kinse shqipërimit, u dëmtua integriteti i tekstit; pa çka se, kush do të punonte me atë tekst, do ta kuptonte menjëherë fjalën tromb, ndërsa do të ngatërrohej nga mpiksja e gjakut, e cila shënjon, me parazgjedhje, një proces; ndërsa trombi është objekt fizik.

      (Kur jam bërë kurioz dhe kam kërkuar në fjalor termin shqip për blood clot më ka dalë përpara droçkë; nuk di nëse ka ndonjë mjek në Shqipëri që e përdor këtë fjalë – e cila mua më tingëllon si prej marangozi; dhe që nuk do ta përdorja në lëmin mjekësor.)

      Është tipike për një përkthyes joprofesionist që t’i qaset tekstit jo në mënyrë funksionale, por religjioze; ose me idenë se, duke përkthyer, është edhe duke pasuruar gjuhën shqipe ose duke e mbrojtur atë nga degradimi. Në fakt, shumica e teksteve që përkthehen kanë natyrë teknike, ku saktësia dhe mënjanimi i keqkuptimeve kanë përparësi ndaj “pastërtisë” leksikore.

      Më zë lemeria kur mendoj si do t’i përkthejnë këta të ndërkryer fletushkat e udhëzimeve për një bar, ose dëftesat e sigurisë teknike që shoqërojnë kimikatet; pa e vrarë mendjen se si do t’u funksionojnë tekstet që u dalin nga duart.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin