Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

NJË DITË TË TËRË

HAVE YOU SEEN THIS MAN ON TVJavën që shkoi mediat përcollën një nga ato “lajme” që nuk dihet se kujt ia ngjethin mishtë: Kryeministri Edi Rama kish anuluar “në mënyrë të papritur” një intervistë të paralajmëruar për gazetaren Ilva Tare, në Ora News; lajm tërhiqte zvarrë pas vetes një tjetër njoftim tronditës: “Gjatë ditës së mërkurë kreu i qeverisë nuk është shfaqur në TV nga mëngjesi në mbrëmje.” E lexova këtë te Lapsi dhe pastaj te Sot, të formuluar njëlloj, dhe – çfarë duhet vënë në dukje – pa kurrfarë ironie. Me fjalë të tjera, raporti i pushtetit me median televizive në Shqipëri është tejngopur në mënyrë të tillë, sa kur një kryeministër nuk del një ditë të vetme në ekran, kjo përbën lajm. E kam të lehtë ta kuptoj këtë, nga këndvështrimi i medias, që duke u marrë me Ramën e luan lojën sipas rregullave; por e kam më të vështirë ta kuptoj, nga këndvështrimi i pushtetit dhe i vetë kryeministrit. Të jetë vallë ekzekutivi sot duke e riprodhuar statusin e vet nëpërmjet intervistash në televizion ose, më gjerë, duke komunikuar me gazetarët? Apo mos televizioni po ofron një rrugëdalje, ose funksionon si valvul shkarkimi, për një trysni të shtuar dhe një ngërç në marrëdhëniet me publikun? Përndryshe, për nga gramatika narrative, lajmi që një lider politik ka kohë që nuk ka dalë në publik i përket një periudhe tjetër historike; ose kohës kur mekanizmat kriptike të pushtetit në vendet totalitare duheshin lexuar sipas kodesh të tilla të dukjes dhe të zhdukjes, të tipit: “Kryetari Mao ka katër muaj që nuk është shfaqur gjëkundi në publik”; e kështu me radhë, për Fidel Kastron dhe Brezhnjevin e deri edhe për Chavez-in tani vonë. Edhe pse tani, me kryeministrin Rama, kohëzgjatja e zhdukjes është tkurrur deri në komedi: një ditë të tërë, logjika pas lajmit mbetet e njëjtë – diçka po ndodh, që ne nuk e dimë; dhe megjithëse ne nuk e dimë, sërish fakti që nuk dimë diçka, meriton të jetë lajm. [A.V.]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin