I themeluar në 2007 si blog kolektiv, “Peizazhe të fjalës” u rrit, vit pas viti, për ta lënë pas formatin fillestar të blogut dhe për t’u shndërruar në një platformë të përpunimit të mendimit shqip bashkëkohor për çështje të aktualitetit dhe me interes intelektual publik, duke tërhequr me dhjetëra bashkëpunëtorë dhe qindra komentues dhe duke marrë në thelb funksionet e një reviste online, edhe pse jo-konvencionale. Si forum i pavarur i fjalës së lirë, ai ka krijuar zhanrin e vet, duke përfituar nga mundësitë e reja të mediumit dhe nga privilegjet e komunikimit në kohë reale, që ofron Interneti.
Vetë blogu, si zhanër i medias, ka marrë tashmë një identitet të ri, në raport me statuset në Facebook, batutat në Twitter, fotot në Instagram, videot në YouTube dhe mënyra të tjera të shumëllojshme të komunikimit në kohë reale, të cilat janë ndërmjetësuar, mes të tjerash, edhe nga triumfi i teknologjisë smartphone dhe shkurtimi dramatik i asaj çfarë do ta quanim “tekst minimal.” Vetë thelbi i blogut si formë e publicistikës online, ose përsiatjet në kohë reale dhe në vetë të parë për çështje të ditës, tashmë është përfshirë i tëri në këtë projekt më madh dhe të shumëllojshëm, që është “Peizazhe të fjalës” sot; madje edhe në këta rreshta që jeni duke lexuar tani.
Përndryshe faqja jonë ka ardhur duke u zgjeruar – tashmë këtu gjen analiza dhe ese, kritikë kulturore dhe historike, refleksione dhe përsiatje, përkthime dhe satira; reagimi i shpejtë ndaj çështjeve të ditës, si karakteristikë e blogut, është vetëm një pjesë e vogël e shumëllojshmërisë që i ofrojmë lexuesit.
Na duhen edhe pak ditë, për t’i dhënë faqes së re formën përfundimtare, përfshi këtu edhe logon e re: deri atëherë, ju lutem të na i bëni kabull disa paqëndrueshmëri, luhatje dhe ndryshime të mëtejshme. [A.V.]