Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

FILIGRAN FONETIK

Më ka qëlluar të bisedoj, drejtpërdrejt ose nëpërmjet leximeve, me kritikë të shqipes së njësuar, të cilët e konsiderojnë të papranueshme, nëmos edhe moralisht të dyshimtë, hapjen strukturore të kësaj forme të shqipes ndaj trajtave dhe strukturave heterogjene.

E kam fjalën, mes të tjerash, për bashkëjetesën e grupeve ua dhe ue brenda paradigmave gramatikore dhe fjalëformuese, e cila nuk “gjendet në natyrë” – sepse aty ku toskërishtja ka ua, gegërishtja ka ue. Megjithatë, shqipja e njësuar pranon edhe lexuam, lexuar, edhe lexues dhe i lexueshëm; duke i detyruar këto forma përndryshe përjashtuese që të bashkëjetojnë. Këta kritikë shqetësohen, për shembull, kur emrit rërë i bashkëlidhet mbiemri ranor; sepse rërë është e toskërishtes, për shkak të rotacizmit; ndërsa ranor e gegërishtes.

Po ashtu, në Fjalorin e Shqipes së Sotme gjen edhe rini, edhe fëmijëri – e para me një formant karakteristik të gegërishtes, e dyta me të njëjtin formant, por të rotacizuar; sikurse fjalës bar ia gjen dy shumësat – barëra (në kuptimin “barëra të këqia”) dhe barna (në kuptimin “ilaçe”); të ndërtuara me versione dialektore të së njëjtës prapashtesë të shumësit -na/-ra.

Mua vetë më pëlqejnë këto hibridizime, sidomos kur bëhen nga njerëz që e njohin shqipen mirë; por ka të tjerë që, duke e konsideruar shqipen e 1972-shit si toskërishte të veshur me uniformë, e quajnë huazimin e formave të gegërishtes si një lloj konfiskimi ose shtetëzimi të pasurive dialektore; ose të njëjtën karakteristikë të shqipes së njësuar, që disa e përshëndetin si provë të natyrës së saj të hapur ndaj dialekteve, këta e shohin si rrezik edhe për cilësinë e shqipes publike, edhe për identitetin e dialekteve vetë.

Nuk po dua ta gjykoj këtë më tej; po mjaftohem të konstatoj që ndeshet si dukuri psikologjike – dhe ndoshta lidhet me atë që bartësit e një dialekti ndonjëherë i shohin shenjat e tij dalluese, në fonetikë dhe në gramatikë, si prona të tyret dhe nuk duan t’ua marrin të tjerët.

Nga ana tjetër, këto ditë më doli përpara një dukuri tjetër e së njëjtës kategori: një lexues, duke komentuar për shkrimin tim për çështjet dhe mistifikimet e gegërishtes, vërejti se “nuk [i] pëlqeu kur thuhet gegërishte e jo gegnisht. Kjo është si t’ia deformosh emrin dikujt.”

Natyrisht, e kisha ndier edhe më parë një tension midis këtyre dy formave: gegërisht dhe gegnisht; dhe unë vetë jam luhatur mes njërës dhe tjetrës, duke u prirur të përdor gegnisht atëherë kur i referohem këtij dialekti, por nga pikëpamja e bartësve të tij.[1] Sikurse kam parë që kritikët gegë të standardit të përdorin gjerësisht në mos rregullisht formën gegnisht(e) edhe kur ndjekin rregullat e drejtshkrimit dhe normën gramatikore të shqipes së njësuar. Kjo duhet marrë si një statement ose pozicionim; sa kohë që gegnisht(e) jo vetëm që sjell një element heterogjen në sistem, ose n-në e parotacizuar; por edhe futet si trajtë paralele me gegërisht(e). Do të kuturisesha dhe të supozoja se diferenca midis njërës dhe tjetrës formë nuk është thjesht normative dhe as morfonemike; por tashmë sundohet nga konotacioni – meqë gegnishte shënjon diçka të ndryshme nga gegërishtja, dhe pikërisht bindjen e shumë prej atyre që e përdorin rregullisht se gegnishtja nuk është vetëm një dialekt mes dialektesh, por edhe një variant i shqipes që ka pësuar një padrejtësi politike dhe kulturore.

Dhe nëse është kështu, atëherë trajta jonormative gegnisht(e) funksionon si shibboleth, duke lejuar dallimin e lehtë dhe të menjëhershëm midis atyre që janë për rishikimin e standardit, prej atyre që janë për ruajtjen e tij; pa çka se sot thirrjet për rishikim të standardit nuk është se i censuron kush.

Përndryshe, nuk më duket se qëndron argumenti, se gegnisht(e) është emri i mirëfilltë i dialektit dhe se nuk duhet shtrembëruar; meqë ky argument nuk merr parasysh faktin që edhe toskërishtja e ka pasur dhe e ka një emër për dialektin në fjalë; dhe se shqipja e njësuar, duke përzgjedhur mes alternativave, ka parapëlqyer atë me rotacizëm (gegërisht), meqë kjo integrohet më mirë në sistemin morfonologjik; pa marrë këtu parasysh që emri i një dialekti nuk është emër i përveçëm.

Nga ana tjetër, vetë ekzistenca e këtyre formave paralele, si burrëri dhe burrni, kurvëri dhe kurvni, shoqëri dhe shoqni, etj. lë shteg për të pyetur nëse këto diferenca fonetike minimale mund të shtihen në punë, për ta pasuruar leksikun e shqipes; duke e përdorur, bie fjala, shoqëri për “society” dhe shoqni për “friends, friendship”; fëmijëri për “childhood” dhe fëmini për “my childhood”; robëri për “captivity” dhe robni për “servitude” e kështu me radhë. Puristët do të rrudhnin hundët, por ideja vetë nuk më duket për t’u hedhur në kosh – sidomos në rrethanat kur shqipja e sotme mbetet tejet e varfër me fjalë abstrakte.


 

[1] Dallimi midis gegërisht dhe gegërishte (përkatësisht gegnisht dhe gegnishte) është thjesht dallim midis ndajfoljes dhe emrit dhe nuk hyn në këtë mes.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin