Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

SOUL FOOD

Te një koment të botuar në “TemA”, me titull “Fëshfërimat e së shtunës”, Enver Robelli shkruan për një tregim të Peter Bichsel, me titull “Shitësi i qumështit”, ku përshkruhen mes të tjerash shkëmbimet me pusulla, mes një shpërndarësi të qumështit dhe një blerëseje.

Një nga këto pusulla, Robelli e ka përkthyer kështu: “Sot s’ka më tëlyen për fat të keq.” Një komentues atje ia ka vënë në dukje se ka përdorur një fjalë dialektore, në vend të gjalpë, që është më normative; dhe nuk ka nevojë të jesh pedant, për ta ndier se ka diçka që ngec, tek tëlyeni në artikull.

E megjithatë, mjafton një verifikim i shpejtë në Fjalorin e Shqipes së Sotme, për t’u bindur që tëlyen është edhe ajo fjalë normative; edhe pse na jepet shkurtimisht me shpjegimin lakonik “gjalpë”, por pa ndonjë informacion shtesë se ku dallon prej kësaj fjale më të përgjithshme.

Edhe mua, që e di mirë se ç’do të thotë tëlyen, më bëri përshtypje përdorimi i Robellit; por vetëm ngaqë nuk munda t’i jap një arsye a interpretim kësaj fjale.

Dhe kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me mënyrën si e konceptojmë dhe zbatojmë normën leksikore: nëse gjalpë dhe tëlyen kanë ekzaktësisht të njëjtin kuptim, atëherë cila nga të dyja është për t’u parapëlqyer në kontekste asnjanëse?

Leksikologu mund të shtonte këtu se, në shqipen e sotme standard, gjalpë është e pashënjuar, ndërsa tëlyen e shënjuar; çka do të thotë se e dyta tërheq vëmendjen edhe për arsyen pse është përdorur në një tekst, ndërsa e para jo.

Dhe kjo nuk do të thotë aspak se duhet të përdorim gjalpë dhe jo tëlyen, por se duhet t’i përdorim në mënyrë të tillë, që kjo sinonimí mes tyre të përdoret për ta pasuruar shqipen edhe kuptimisht.

gjalp

Një imazh i produktit për treg, me fjalën “gjalpë” të shkruar gabim.

Besoj se gjalpë nuk e ka fituar arbitrarisht statusin e fjalës së pashënjuar, ose default; sot duhet të jetë më e përhapur se tëlyen në tekstet e shkruara dhe tashmë është adoptuar edhe nga nomenklaturat (p.sh. në merceologji). Nga ana e vet, tëlyen është e vjetër në shqipe, del që te Buzuku me këtë kuptim; dhe nuk mund të likuidohet si element skajor ose thjesht jonormativ.

Të njëjtës lëndë ushqimore në shqipe i thonë edhe burrofresko, por kjo e fundit mbetet një krahinizëm, një kuriozitet, një fjalë që pakkush sot do ta përdorte në vend të gjalpë ose tëlyen, përveçse për t’iu referuar konotativisht atyre që e përdorin.

Me tëlyen çështja qëndron pak ndryshe. Më ka qëlluar dy herë, këtu në Peizazhet, të hyj në debate për fjalë të ngjashme: herën e parë për tamël përballë qumësht; dhe herën e dytë për lukth përballë stomak.

Të dyja këto herë, kundërshtimi më ka ardhur nga lexues dhe kolegë nga Kosova.

Për t’u shënuar, këtu, se Robelli, i cili është gjithashtu nga Kosova, përdor tëlyen, por jo tamël (për këtë të fundit, parapëlqen qumësht). Një hollësi e vogël dhe në dukje e parëndësishme, por që tradhton, për mua, faktin që normës leksikore të shqipes, të shprehur edhe në fjalë si gjalpë, qumësht dhe stomak, nuk i kundërvihet ende ndonjë normë alternative.

Veç kësaj, a mund të mendojmë një shqipe gjithnjë normative, ku gjalpë dhe tëlyen të përdoren lirisht, krahas njëra-tjetrës, pa ndonjë diferencim denotativ, konotativ ose sintagmatik mes tyre?

Këtu të vjen në mendje shembulli i anglishtes, ku fjalë si lorry, trousers, knickers, lift, trainers janë të anglishtes britanike, ndërsa sinonimet e tyre truck, pants, underwear, elevator, sneakers janë të anglishtes amerikane.[1]

Është krejt normale, për një lexues amerikan, që të lexojë një tekst ku flitet për lift dhe ta kuptojë se bëhet fjalë për “ashensorin”; ky lexues zakonisht do ta kuptojë edhe se teksti në fjalë ekziston në një kontekst “British”.[2]

Çfarë nuk është normale, as normative për lexuesin e anglishtes është që në të njëjtin tekst dhe kontekst të gjejë të përdorura lirisht edhe lorry, lift dhe trainers; edhe truck, elevator dhe sneakers, të përziera së bashku; sepse kjo përzierje e prish kodin leksikor, duke e “korruptuar.”

Fjalë të tilla si lift dhe elevator i ankorojnë tekstet në gjeografi; dhe, për t’u kthyer te shqipja, asnjë e keqe nuk do t’i vinte gjuhës, përdorimit të saj dhe vetë përdoruesve, sikur tamël dhe tëlyen ta ankoronin një tekst në Kosovë, ndërsa qumësht dhe gjalpë në Shqipëri.

Përkundrazi, e keqja do të vinte komunikimit në masën që këto përdorime të diferencuara ende nuk janë normëzuar. Dhe me “normëzim” këtu nuk kam parasysh kodifikimin, ose formalizimin e një rregulle gjuhësore nga një autoritet; por vetëm atë lloj disiplinimi diskursiv që vjen nëpërmjet përdorimit të përgjegjshëm të fjalës, ose vullnetit qytetar për të komunikuar me sa më shumë bashkëbisedues.

Kjo dukuri mund të shihet edhe nga një këndvështrim tjetër: ti që përdor fjalën tëlyen, sa je i vetëdijshëm se kjo fjalë nuk do të kuptohet, ose në rastin më të mirë, do të tërheqë vëmendjen e një numri të madh folësish të shqipes?

Dhe se, përkundrazi, ti vetë e njeh dhe me siguri edhe e përdor lirisht fjalën gjalpë?

Përgjigjet e këtyre dy pyetjeve lidhen me qëllimet që duam të arrijmë nëpërmjet gjuhës që përdorim: të përcjellim një ide, një arsyetim, një emocion a një thirrje për veprim; apo të veprojmë drejtpërdrejt mbi normën gjuhësore, duke ia testuar caqet dhe rezistencën?

Me fjalë të tjera, kur një autor i njohur si Enver Robelli përdor fjalën tëlyen, a u drejtohet vetëm atyre që këtë nënprodukt të qumështit e quajnë pikërisht tëlyen duke lënë jashtë ata të gjalpit, dëshiron t’u thotë lexuesve se ai është nga Kosova (ose gegë) dhe nuk ndihet i detyruar që të përdorë fjalën normative gjalpë; apo e bën këtë nga pafajësia (ose mosnjohja e normës)?

Paradoksalisht, përpjekjet sistematike për një norme leksikore për shqipen e Kosovës do të përbënin një zgjidhje alternative dhe më se të pranueshme, të tensioneve gjuhësore midis Shqipërisë dhe Kosovës; por këto do të kërkonin angazhim qytetar më cilësor se ç’kemi parë deri më tash.

Aq më tepër që leksiku nuk mund të pasurohet duke e shndërruar fjalësin normativ në një “parlament” të shqipes; por duke i sjellë fjalët e reja së bashku me diferencat kuptimore (denotative dhe konotative) përkatëse.

Në terminologji, kjo ndonjëherë zgjidhet nëpërmjet specializimit ose ngushtimit kuptimor; çka në rastin tonë do të ishte specializimi i tëlyen për gjalpin si produkt konsumi, ndërsa i gjalpë për përbërësin ushqimor të biskotave, etj. Mirëpo kjo vështirë se mund të ndodhë me fjalën tonë, për shkak të përhapjes reale të përdorimeve.

Prandaj, sikur të arrinim që gjalpë dhe tëlyen të kishin mes tyre dallime të ngjashme si ato mes lift dhe elevator (diatopike), do ta pasuronim edhe shqipen normative; edhe pse kjo nuk mund të bëhet me nisma individuale dhe sporadike, as me kokëfortësi krahiniste, as me politika pasive-agresive të titullimit (“unë do t’i them tamël sepse kështu ma ka mësuar nëna”).

Edhe sikur të mos ish kodifikuar ndonjëherë shqipja, komunikimi në nivel kombëtar, ose mbikrahinor, nuk mund të ndodhë pa përpjekje të vetëdijshme për të gjetur dhe stabilizuar një normë gjuhësore, përfshi edhe normën leksikore. Që nga momenti që ti kërkon të komunikosh me mua, ti nuk mund të jesh më i njëjti – dhe kjo vlen për të gjithë ne.

Në rastin tonë, një treg që kërkon të funksionojë i organizuar, nuk mund të pranojë që i njëjti mall të quhet edhe gjalpë edhe tëlyen, në dokumentet përkatëse ose në listat e çmimeve: normën këtu e lyp dhe e imponon jo ndonjë politikë gjuhësore dhe kulturore hegjemoniste, por funksionaliteti.


 

[1] Për t’u shënuar se midis frëngjishtes europiane dhe asaj të Québec-ut, në Kanada, nuk janë përftuar diferenca të tilla; ndoshta për shkak të profilit kulturor relativisht të ulët të Québec-ut, por edhe për shkak të politikave gjuhësore më të centralizuara të Francës.

[2] Të kihet këtu parasysh se bëhet fjalë për dallime leksikore, jo të realitetit jashtëgjuhësor; në kuptimin që ashensorët janë të njëjtë në të dy anët e Atlantikut. Përkundrazi, dallimet leksikore, që u referohen diferencave reale ose kulturore, i përkasin një kategorie tjetër.

11 Komente

  1. Më ka qëlluar dy herë, këtu në Peizazhet, të hyj në debate për fjalë të ngjashme: herën e parë për tamël përballë qumësht…

    Pa dashur gjithashtu të bëj pedantin; është: tamBël, të paktën në këtë fjalorin online: http://www.fjalori.shkenca.org/

    TAMBËL m. krahin.
    Qumësht. Tambël lope (deleje, dhie). Përshesh me tambël.
    * Bar tambli bot. qumështore. Lule tambli bot. qumështore, bar tambli.

    1. Vërtet, por unë debatin nuk e kam bërë me fjalori.shkenca.org, por me një person që përdorte formën tamël, jo tambël.

      1. Unë nuk do të habitesha aspak, nëse do ishte gabim edhe në fjalor. Prandaj edhe e përmenda; një nga parësitë e qeverisë aktuale dhe të ardhshme duhej të ishte medoemos hedhja e gjithë fjalorëve të mundshëm online, përgatitja e programeve kompjuterikë për shqipen. Ky po, që do të ishte një investim me mend. Mirëpo z.Kumbaro mendon se duhet të jenë me patjetër përkthimet e librave për lexues që dinë të paktën dy gjuhë të tjera e i lexojnë sidoqoftë në origjinal veprat.

  2. Për t’iu kthyer temës qendrore të shkrimit, desha të shtoj se lexuesi i një teksti, kur lexon tëlyen dhe jo gjalpë, ose tambël e jo qumësht, anon ta interpretojë zgjedhjen e fjalës. Përse vallë autori nuk ka shkruar gjalpë por tëlyen, qumësht por tambël? Në rast se këto fjalë vihen në gojën e dikujt, ta zëmë të një personazhi, ky ka gjasa të lexohet si pjesëtar i arealit gegë. Sepse është teksti që i thotë lexuesit: Shiko, ke një ngjyrim aty që tregon zonën e prejardhjes së personazhit. Nëse nuk është kështu, pra nëse fjalët e mësipërme përdoren si sinonime të përkryera, atëherë ka diçka që nuk shkon, meqë fjalët anojnë ta shmangin sinoniminë e përkryer, duke u specializuar në nivel denotativ e konotativ. Por nëse normëzohen sipas modelit të anglishtes britanike e amerikane, lexuesi e kupton që botimi që përmban këto fjalë vjen nga territor i caktuar. Mirëpo si t’ia bëjmë nëse në një roman shqip përdoren forma të tilla njëherësh, në gojë personazhesh të ndryshme, pa ndonjë arsye të dukshme? Konfuzioni është i siguruar.

    1. Siç lexoj në shkrim, Robelli ka përkthyer nga një tregim, citoj:… ku përshkruhen mes të tjerash shkëmbimet me pusulla, mes një shpërndarësi të qumështit dhe një blerëseje.

      Tani, nëse shpërndarësi i qumështit përdor në atë tregim një të folme paksa dialektore, ndoshta Robelli ka bërë mirë që e ka dhënë me “tëlyen”.

      Një herë më patën pyetur në mund të merrja përsipër të përktheja ca pjesë nga “Berlin Alexanderplatz”. Arsyeja pse e refuzova atë punë ishte e folura jiddisch (yddish- engl.) në shumë pjesë të librit, si edhe dialekti i Berlinit i personazhit kryesor. Në ç’dialekt të shqipes ta japësh atë, në “tironsçe”?

      1. Në fakt, me sa mund të gjej, Der Milchmann shkruan kështu në pusullën e vet:

        Heute keine Butter mehr, leider.

        Asnjë e folme paksa dialektore, këtu.

        1. Atëherë ke shumë të drejtë dhe Robelli pa dyshim e ka përdorur atë fjalë për t’u dukur i lëvruar.

        2. Më kujtohet këtu një e njohur, e cila kishte përkthyer një poezi të Ungaretti-t, e cila ishte në vetvete shumë e thjeshtë; vetëm ca fjalë. Fjala e parë ishte “Alba”, të cilën e njohura ime e kishte dhënë me: “Agshol”. Kur e pyesja: pse jo “Agim”, apo thjesht “Ag”, më thoshte se “Agshol” i dukej si më e veçantë, si “më e bukur”.

          Shumë përkthyes (pata sjellë para ca kohësh këtu një shembull të keq për këtë me “Der Erlkönig” të Gëtes), kujtojnë se u duhet ta “zbukurojnë” origjinalin, se po i japin një dorë autorit; është, sidomos, pas ’90-ës, një simptomë epidemike kjo në 95% të librave të botuar, (që nuk i kam lexuar të tërë, por që i kam sonduar në mënyrë punktuale), gjë që ka më çuar në mënjanimin total të leximit të përkthimeve në shqip. Kjo është për të ardhur keq, pasi ka edhe përkthyes të mirë; vërtet vetëm ca kokrra, por ka akoma ca.

          Si ç’merret lehtë me mend, edhe kjo çon në efektin e nxjerrjes së syve gjuhës mëmë,- nga dashuria për artin ndoshta,- për t’i vënë vetulla kësaj.

          Edhe ky i Robellit më ngjan nga e njëjta zonë mugëtire (“Twilight zone” – për ata që e dinë se ç’është).

    2. E drejtë vërejtja, Pishak. Rasti i romanit, ose i romanizimit, d.m.th. i ndikimit të këtij zhanri mbi zhanret e tjera, ndryshon nga ai i një shkrimi eseist, publicistik si i Robellit. Në rastin e romanit, po të anojmë nga teoria e M. Bakhtin-it, bashkëjetesa e dialekteve, standardit, idiolekteve dëshmon për praninë e “heteroglossia-s” (varietet gjuhësh, ose edhe gjuhë të huaja) dhe vizionin polifonik (shumë-zërash) të autorit/narratorit, pra vizionin e një krijuesi decentralizues që s’merr përsipër as stabilizimin, as fiksimin e gjuhës së personazheve.

      E përdor këtu fiksimin në të dy kuptimet që i jep leksikografi britanik, Samuel Johnson, në parathënien e Fjalorit të 1755: fix=fiksoj, fix= ndreq.

      Vërtet në gjuhën zyrtare, apo në komunikime që synojnë të përcjellin mesazhe më shumë se të aktivizojnë shqisat e leximit, konfuzioni zor të jetë i mirëpritur. Ndryshe në roman dhe çdo formë shkrimi që përfton “novelness” për arsye, në rastet më të arrira, jo thjesht të dukshme.

  3. Sa mirë do të ishte sikur të kishim mundësi të pyesnim zotin Robelli për arsyen apo arsyet e ndërgjegjëshme (në dallim nga ato të nën-ndërgjegjëshme për të cilat mund të hamendësojmë vetëm pas një studimi të hollësishëm të jetës së z. Robelli – megjithëse në këtë pikë ndoshta do ta kishim të vështirë të gjenim një kërkues shkencor për të ndërmarrë studimin) që e shtynë të përdorë “tëlyen” në vend të “gjalpit”.

    Kam përshtypjen që 2Xhai e ka përdorur shembullin e z. Robelli si sebep/shkak për të dialoguar mbi një çështje që duket se e ka përzemër.

    Me sebepin e “tëlyen-it” të z. Robelli vizitova edhe faqen e TemA-s ku u përballa me realitetin delirant të ligjëratës on line në shqip (patjetër një përgjithësim). Komentuesi i tretë sipas rradhës kishte vendosur ta quante vehten “qiresi i zvicer kurves”!!!

    Me këtë rast dua të përgëzoj dhe falënderoj administratorët, autorët dhe komentuesit e “Peizazheve” për paraqitjen e një “Shqipërie tjetër” në blogosferë. Ndoshta “rilindja” mund të fillojë nga dimensioni “virtual” i realitetit – një lloj anti-Matrix ndoshta.

    IM

  4. Pa i hequr asgjë shkrimit, andej nga përdoret fjala burrofresko (burrafresk) duhet nënvizuar se tëlyen-i (tlyn-i) identifikon një nënprodukt të qumështit që diferencohet nga gjalpi (burrofresko), sepse është përpunimi i këtij të fundit i përzier me kripë, prej ku del edhe një nënprodukt tjetër në formë “skorieje” (i kripur dhe me ngjyre kafe, i quajtur dra). Pastaj, ka shumë mundësi që Robelli nuk ka pasur për qellim “këtë” tëlyen dhe pikërisht ekzistenca e një nënprodukti të tillë është arsye me tepër për të mos i vendosur shenjën e barazimit në transportimin në shqip të gjalpit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin