Gjatë një shkëmbimi idesh tani së fundi, rreth vetës foljore dhe përemrore që duhet përdorur në përkthimet e teksteve me natyrë juridike, ra fjala te komunikimi ynë i përditshëm me pajisje elektronike, të tilla si PC-ja, tableta ose telefoni inteligjent; dhe këtu Ilir Baçi, përkthyes me eksperiencë, më tha se “personalisht e kam problem kur një makineri më drejtohet me ti.”
Natyrisht, kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me mënyrën si u qasen përkthyesve teksteve të ndërfaqes së përdoruesit, të cilat një pajisje elektronike i përdor për të “folur” me ne; sikurse ne i përdorim, nga ana jonë, për të “folur” me këto pajisje. Pa u futur në hollësitë e funksioneve të ligjëratës në këtë ndërfaqe përdoruesi, le të themi se tekste të tilla janë zakonisht komanda, zëra në një listë mes të cilave duhet të zgjedhim, leje që na kërkohet për të kryer veprime të caktuar – zakonisht në formë pyetjesh, kërkesa për konfirmim, etj.
Edhe pse tanimë komunikimi me këto pajisje dhe sisteme pak a shumë “inteligjente” ka ardhur duke u bërë më i natyrshëm, në kuptimin që kompjuterit ose telefonit mund t’i kërkojmë diçka thjesht me zë ose duke i folur, gjithsesi peshën kryesore në komunikim e mbajnë tekstet e shkruara.
Për fatin e vet të mirë dhe për fatin e keq të gjuhëve të tjera, anglishtja nuk e përjeton vështirësinë dhe ambiguitetin e vetës së dytë në komunikime të tilla – meqë veta e dytë në atë gjuhë është unifikuar tashmë; dhe meqë në shumë kontekste pajisjet elektronike parapëlqejnë të përdorin foljen lakuriqe, sidomos në komandat dhe modalitetin urdhëror.
Shqipes, si shumë gjuhëve të tjera, u duhet përkundrazi të zgjedhin midis formave të ndryshme vetore të foljes dhe të përemrave.
Kështu, mesazhin e mëposhtëm:
Anglisht: You don’t have permission to read this section[1]
ku “you” i referohet përdoruesit, MS Windows shqip e jep si më poshtë:
Shqip: Nuk ke leje për ta lexuar këtë seksion
Këtu kompjuteri (ose softueri) i drejtohet përdoruesit në vetën e dytë njëjës (ti nuk ke leje), çka disa përdorues mund ta përjetojnë si tepër “informale.”
Në kontekste të tilla italishtja parapëlqen ta vendosë foljen në paskajore, duke i shmangur krejt dilemat e vetës, p.sh.
Anglisht: PINs don’t match. Try again.
Italisht: I PIN non corrispondono. Riprovare.
Ja edhe një shembull tjetër:
Anglisht: Don’t lose your work! Sign in to save this {doctype} to your {onedrive}.
Italisht: Per non perdere il lavoro svolto, accedere e salvare il file di tipo {doctype} in {onedrive}.
Frëngjishtja, nga ana e vet, përdor vetën e dytë shumës, të politesës:
Anglisht: PINs don’t match. Try again.
Frëngjisht: Les codes confidentiels ne correspondent pas. Réessayez.
Sikurse edhe gjermanishtja.
Anglisht: You don’t have permission to read this section.
Gjermanisht: Sie verfügen nicht über die Berechtigung zum Lesen dieses Abschnitts.
Njëlloj edhe rusishtja:
Anglisht: You don’t have permission to read this section.
Rusisht: У вас нет разрешения на чтение данного раздела.
Një pjesë e mirë e mesazheve të ndërfaqes së përdoruesit janë, megjithatë, urdhra dhe komanda që ia japim ne pajisjes. Për shembull, teksti Don’t show this dialog again i përgjigjet në fakt komandës që i jepet pajisjes, për të mos e shfaqur në ekran një dialog të caktuar.
Këto lloj tekstesh janë rrënjësisht të ndryshëm nga të parat, sa i përket ndërveprueshmërisë diskursive; sepse tani përemrat kanë këmbyer referencat dhe veta e dytë i përgjigjet pajisjes, jo përdoruesit.
Shumë nga gjuhët e kampionuara më lart, shfrytëzojnë mundësinë për ta shprehur komandën me paskajore, e cila është vetvetiu pavetore:
Anglisht: Don’t show this dialog again
Gjermanisht: Nicht mehr anzeigen
Italisht: Non visualizzare più questo messaggio
Frëngjisht: Ne plus afficher cette boîte de dialogue.
Kjo ndodh edhe në raste komandash pohore, të tipit:
Anglisht: Delete a contact
Frëngjisht: Supprimer un contact
Gjermanisht: Kontakt löschen
Rumanisht: Ștergere persoană de contact…
Ndërsa në shqip: Hiqe kontaktin
Shqipja pra përdor sërish vetën e dytë njëjës në komandat që ia jep përdoruesi pajisjes. Kjo duket një zgjedhje paradoksalisht më logjike, se ajo e formave të politesës – meqë nuk ka kuptim që ne t’u drejtohemi makinerive me “ju”. Nga ana tjetër, meqë shqipja nuk e ka mundësinë të përdorë paskajoren në këto urdhërore – edhe forma me punue e gegnishtes nuk do të ndihmonte shumë këtu – atëherë, po të donim të përdornim forma pak a shumë pavetore, që i afrohen së paku në kuptim paskajores, do të na duhej t’i faleshim lidhores (të ashtuquajturës lidhore-urdhërore):
Anglisht: Delete contact
Shqip: Të hiqet kontakti
E njëjta zgjidhje duket se është parapëlqyer në ato kontekste kur përkthyesit e shqipes e kanë pasur të vështirë ta bëjnë pajisjen të flasë në vetë të parë njëjës:
Anglisht: Cannot redo
Shqip: Nuk mund ta ribëjë
OSE
Shqip: Nuk është e mundur ribërja.
Për gjuhë të tjera:
Anglisht: Cannot burn
Frëngjisht: Impossible de graver
Italian: Impossibile masterizzare (pa folje, por këpuja “è” implikohet)
Anglisht: Cannot play
Frëngjisht: Lecture impossible (pa folje, por këpuja “est” implikohet)
Anglisht: Cannot save
Gjermanisht: Spechern nicht möglich (pa folje, por këpuja “ist” implikohet)
Anglisht: Cannot read
Gjermanisht: Kann nicht gelesen werden (me pësore të vetës së tretë).
Në dialogun e mëposhtëm:
User: Save
Program: Cannot save
Në thelb, përdoruesi i kërkon softuerit të ruajë (një skedar, etj.) dhe ky përgjigjet se nuk mund ta bëjë këtë – në shqip, kjo mund të jepej si “nuk mund të ruaj” ose, alternativisht, “nuk mund të ruhet,” ku kjo formë e dytë krijon një mospërkim vetash, meqë komanda ime “ruaj” parakupton një subjekt të vetës së dytë (“ruaj ti”), i cili më lehtë duhej të më përgjigjej “nuk mund të ruaj” se “nuk mund të ruhet”.[2]
Megjithatë, dhe pavarësisht vështirësive me natyrë psikologjike-pragmatike, instancat janë të panumërta – në anglishte dhe besoj edhe në gjuhë të tjera – ku makina flet në vetën e parë njëjës (“do you want me to save this information for you?”; të krahasohet kjo edhe me “do you want Google to save this information for you?”, ku softueri i drejtohet vetes në vetën e tretë, si indianët e Amerikës, në filmat tanë të fëmijërisë).
Tek e fundit, kjo “unë” e makinës, si subjekt i thënies, implikohet nga vetë gatishmëria e përdoruesit për të hyrë në dialog me të – atë e kërkon vetë ligjërata; çka nuk do të thotë se softueri ose kompjuteri ose telefoni po fitojnë ndonjë farë subjektiviteti, ose intencionaliteti (duke fituar të drejtën për t’u njohur si subjekte të thëniezimit).
Këtu flas për të drejtën; përndryshe subjektin e thëniezimit makinës ia atribuojmë ne vetë, sa herë që ndërveprojmë me të. Kur një uebsajt na thotë: Kliko mbi OK për të vazhduar, ky urdhër a kjo ftesë – i përcjellë në shqip përmes urdhërores kliko – duhet të dalë nga një “subjekt”, për të qenë urdhër, meqë vetëm një “subjekt”, i pajisur me intencionalitet, mund t’i japë çfarë në pragmatikë e quajnë forcë ilokutive. Të njëjtin subjekt ne, si përdorues, do ta gjejmë edhe pas formulimit në vetë të parë, Nuk mund ta hap këtë skedar dhe formulimit me pësore në vetë të tretë Ky skedar nuk mund të hapet, i cili e fsheh subjektin e thënies, ose kryefjalën (“unin” e makinës), por nuk arrin të fshehë subjektin tjetër, ose entitetin që e prodhon këtë thënie. Në analizë të fundit, ky subjekt i shkallës së dytë do të përkonte me programuesin e ndërfaqes së përdoruesit.
Thjesht supozohet se ne, si njerëz, e kemi më të lehtë të komunikojmë me një entitet që është në gjendje të hiqet sikur mund të thotë unë, gjatë kohës që informon për ngjarje të caktuara në të cilat ka marrë pjesë, ose i ka shkaktuar.
Për t’u kthyer te dilema që u bë shkas për këto shënime – nëse nuk e pranojmë dot lehtë që “një makineri të na drejtohet me ti”, po aq e vështirë do të ishte, besoj unë, që kompjuteri ose telefoni celular të na flisnin sikur të ishin kamerierët ose mazhordomët tanë.
Tek e fundit, shkëmbimi i replikave me një makineri – sado “inteligjente” – është një iluzion, i nevojshëm që informacioni të kalojë lirisht nga njëra palë në tjetrën dhe pajisja vetë të funksionojë në mënyrë optimale. Përndryshe, mesazhi “Më duhet ta mbyll këtë aplikacion, sepse pajisja po mbinxehet”, që del në ekranin e telefonit, nuk ndryshon në thelb nga informacioni që marrim kur dëgjojmë klikun e termostatit, që e fik furrën kur temperatura arrin një vlerë kritike të paracaktuar. Subjektiviteti i “më duhet ta mbyll këtë aplikacion”, veta e parë njëjës që nënkuptohet, këto janë thjesht lojëra të teatrit ligjërimor.
[1] Shembujt i kam marrë nga databaza terminologjike e Microsoft Windows.
[2] Shpresoj të mos ia arrijmë asaj dite kur kompjuteri, seriozisht, t’i përgjigjet komandës sonë me një “nuk dua të ruaj.”