Në një tekno-thriller që po lexoja këto ditë, një grup hacker-ësh ka arritur të krijojë “avatarë” të personaliteteve televizive; ose persona të rremë dhe të kopjuar, që përndryshe duken, flasin dhe sillen njëlloj si origjinalët. Ashtu duan të simulojnë një ndërhyrje kinse drejtpërsërdrejti të Presidentit të ShBA në rrjetet televizive, të tillë që të shkaktojë një crash të bursës.
Romanin nuk ia rekomandoj kujt; as unë nuk arrita dot ta përfundoj – por më ngacmoi një batutë e njërit prej hacker-ëve; sipas të cilit Presidenti paskësh rezultuar si një nga individët më të volitshëm, kur vinte puna për t’ia krijuar avatarin publik; pse algoritmet e sjelljes dhe të fjalëve dhe të gjesteve të tij ishin nga më të thjeshtat. Në thelb – dhe për këtë nuk ka nevojë të lexosh ndonjë tekno-thriller që ta marrësh vesh – personalitete në poste kaq të larta dhe me ekspozim publik absolut janë praktikisht fund e krye të skriptuara.
Këtë e them edhe në kuptimin që një President, a një Kryeministër a Kancelar a kushedi çfarë tjetër, në atë masë që flet dhe sillet në publik, mund edhe të mos e kalojë dot të ashtuquajturin “Turing test.”
Dhe kjo nuk ka të bëjë shumë me aftësitë vetjake të kreut të shtetit ose të liderit politik, as me inteligjencën, as me kulturën e përgjithshme, as me aftësitë krijuese; por me nevojën – shpesh imperative – që të shmangen improvizimet, të cilat vetvetiu do të çojnë në gafa, në rrethanat e sotme ku gjithçka amplifikohet nga mediat dhe publiku, pa folur pastaj për kundërshtarët, nuk ta falin moskorrektesën politike.
Kaq tinzare janë sot kurthet diskursive dhe kaq i ndërlikuar dhe arkan është bërë kodi i korrektesës politike, sa mendja e vdekëtarit nuk arrin dot ta negociojë, sidomos në momentet kur guxon ndonjë improvizim, ose ndonjë fioritura personale në daljen e vet publike.
Përndryshe, edhe vetë reagimi i publikut, të nxitur dhe të manipuluar prej mediave, ndaj një gabimi të tillë politik a shkeljeje në dërrasë të kalbur, është aq i standardizuar, sa mund t’i besohet pa problem softuerit përkatës. Lideri politik largohet nga skripti, për të thënë një mendim të vetin çfarëdo, ose për t’i rënë si të thuash fyellit me vesh jo me partiturë; menjëherë ky mendim do të “fyejë” një grup interesash të caktuar, të cilët do të vënë kujën; incidenti do ta errësojë gjithçka tjetër që lidhet me eventin në fjalë; dhe pastaj lideri politik do të detyrohet – këtë herë me skriptim – që të bëjë një mea culpa, ose të shpjegojë si dhe pse gaboi, çfarë kishte parasysh dhe çfarë i shpëtoi. Ashtu edhe publiku shndërrohet si pa dashur në një masë viktimash, shoqëruar sipas rastit me keqardhje ose dëshirë për shpagim.
Për këto raste kanë thënë se “i foli goja para mendjes”; sot, përkundrazi, më mirë të thuhej “i foli mendja para gojës.”
Për ta ilustruar këtë, po sjell incidentin që ndodhi gjatë ose si pasojë e një fjalimi të kryeministrit Rama në zonën e Bregut; ku ai akuzoi Berishën se, për mbështetje politike, kish nxitur shqiptarë nga Veriu të zbritnin drejt Jugut dhe të zaptonin prona të së tjerëve buzë detit. Menjëherë pas kësaj, ia behu reagimi – si edhe herë të tjera grotesk dhe histerik – i kryesisë së PD-së; të cilët sakaq e akuzuan kryeministrin për “racizëm.”
Dhe jo ngaqë ky i kish vënë emrin një plage në fakt të hapur dhe të qelbëzuar, për atë zonë dhe për zona të tjera, shkaktuar nga manipulimi i lëvizjeve demografike brenda vendit prej politikës; por ngaqë kish sjellë në vëmendjen publike një faktor që duhej të kish mbetur tabu: ndarjen gjeografike-sociale të shqiptarëve dhe, veçanërisht, rolin e faktorit gjeografik në përçarjen e sotme politike kombëtare.
Si edhe herë të tjera, incidenti u përdor për të shumuar të vetmen monedhë politike kallpe, me të cilën janë mësuar elitat e sotme të shtojnë e të fuqizojnë kapitalin e tyre politik: indinjatën e turmës.
Thonë se një avion modern pasagjerësh, të themi një Boeing a një Airbus, kombinon në vetvete sisteme dhe nënsisteme kaq të ndërlikuara, që bashkëveprojnë mes tyre dhe me mjedisin përreth, sa do të ishte praktikisht e pamundur që ta pilotoje, në mënyrë të sigurt, pa ndihmën e kompjuterit në bord; çka do të thotë se avionin mund ta përfytyrosh tash e tutje edhe si një kompjuter që fluturon, dhe që ka vend brenda edhe për pasagjerë.
Ashtu edhe veprimtaria publike e liderit nuk mund t’i besohet më njeriut; qoftë ky edhe gjeni; madje sidomos nëse është gjeni dhe i ndien rregullat dhe shtrëngimet diskursive si pengesa të sjelljes dhe të veprimit. Nëse nga liderët ishim mësuar të prisnim një etikë politike, sot e kemi ulur stekën dhe presim veç etiketë; meqë për etikën kujdesen telenovelat.
Deri më tash, mungesën e një truri prej silikoni në krye të shtetit e ka kompensuar aparati i sekretarëve, fjalim-shkruesve, këshilltarëve privatë, farmacistëve, trajnerëve, grimierëve, guruve, regjisorëve, rrobaqepësve, fotografëve; por herët a vonë këta do t’i hapin vend kompjuterëve, dhe – me kohë – edhe avatarëve për të cilët fliste ai romani; dhe që nuk gabojnë, në kuptimin që nuk e shkelin dot korrektesën politike; sepse nuk ua lejon vetë programimi.
Shënim: qartë dhe mirë Lorenc Vangjeli, në këtë analizë të incidentit (Për një batutë, djeg jorganin).
Ky konstatim eshte ne vazhdimesi te parashikimeve te kobshme qe rrobotet do asgjesojne komplet tregun e punes. Edhe puna e liderit nuk u shpetuaka dot.
Fansat e Star Trek si puna ime kishim nje perfytyrim me idilik te te ardhmes.
Megjithe skriptimin deri ne vdekje te diskursit tek personat publike dalja nga skripti eshte sa e demshme po aq dhe e dobishme dhe kjo ne nivele fare te larta. Le te marrim Donald Trump pershembull dhe kokefortesine me te cilin ai kryeson sondazhet prej muajve, pavaresisht thirrjeve te vazhduara te vdekjes se tij politike iminente nga establishmenti pas cdo rikosheje politikisht jokorrekte qe ben. Me teper sesa nje vije politike konsekuente (sado e cmendur te jete) ai eshte kandidati i daljes nga skripti dhe i pakorrekteses politike prandaj dhe suksesi besoj. Apo ndoshta dhe daljet e tij nga skripti jane te skriptuara?
Politika eshte skene dhe koha kur truri i silikonit dhe steriliteti ta dominojne eshte larg, shume larg
Perderisa i dha ‘besen’ stabilimentit Republikan se nuk do dilte nga vatha, dmth qe jo-skriptimi i tij eshte ne fakt i skriptuar. “Masa gri” vazhdon te jete me eficente se “masa e silikonit”