Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MËRZIA

 

Mërzia, për mua, është pikërisht një lloj pamjaftueshmërie ose papërshtatshmërie, ose mangësie e realitetit. Për të përdorur një metaforë, kur mërzitem, realiteti më jep ndjesinë turbulluese që i shkakton, në një nate dimri, mbulesa tejet e shkurtër një njeriu në gjumë: e ul te këmbët dhe ndien të ftohtë në kraharor, e ngre në kraharor dhe ndien të ftohtë në këmbë; e kështu nuk arrin kurrë të bjerë në gjumë.”

Ky është një fragment i shkëputur nga libri “Mërzia” i Alberto Moravia-s, libër i cili sapo i është ofruar lexuesit shqiptar nga shtëpia botuese Toena, me një përkthim të pasur (Erion Gjatolli) që nxit një lexim plot ëndje dhe rehati.

Protagonisti kryesor i veprës është Dino, një piktor tridhjetë e pesë vjeçar, krejtësisht i tëhuajësuar prej realitetit, i cili nuk është i aftë të krijojë marrëdhënie me askënd e asgjë përreth, përpos tentativave të dhunshme e obsesive ndaj një vajze gjashtëmbëdhjetë vjeçare (Çeçilian) me të cilën përfshihet në marrëdhënie.merzia

Historia, sikurse personazhi kryesor në këtë roman, do t’i kujtojnë lexuesit “Tunelin” e Ernesto Sabato-s e me shumë gjasa, do t’i sjellin atij reminishenca nga “Lolita” e Nabokov-it. Ngjashmëria me Tunelin vjen për arsyen se në këtë libër protagonisti është po ashtu një piktor depresiv, i izoluar nga shoqëria, me sjellje të njëjta e po aq mizore sa me piktorin e Sabato-s, i cili (në të dy rastet) përfshihet në një grackë maniake ndaj një figure femërore e cila paraqitet krejtësisht e distancuar prej tij. Ndryshimi mes librave vjen për theksin e fortë që Moravia i vë (edhe) aspektit ekonomik (në mënyrë të veçantë klasës së pasur borgjeze e cila portretizohet krejtësisht e neveritshme, e akullt, mbytur në dëshpërimin e patetizmin e formave pa përmbajtje prej nga ku në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë qëmton depresionin te Dino) dhe përqëndrimit thellësisht psikologjik që vepra e Sabato-s mbart, e cila rastin e protagonistit të saj e paraqet si një rast më të veçantë, jo kaq fort – e domosdoshmërisht të lidhur me pasjen/mungesën e parasë.

Dino është një burrë i ri në moshë i cili e përçmon të ëmën që në libër shfaqet si një grua klasike borgjeze, krejtësisht e përhumbur në apatinë mes sendeve dhe shifrave. Ai e fajëson atë për largimin e të atit e megjithatë, pavarësisht urrejtjes që ushqen ndaj saj, duket krejtësisht i paaftë për t’u shkëputuar dhe për të jetuar i pavarur. Një vëmendje goxha të përqëndruar gëzojnë raportet prindërore te Moravia në këtë vepër. Kjo del në pah te lidhja e Dinos me të ëmën sikurse te raporti i Çeçilias me të atin (ajo rrëfehet se në moshë fare të hershme fshihte ndjenja erotike për babain çka i shohim të kompesuara me raportin seksual me piktorin e vjetër, Balestrierin – alter egoja e Dinos; apo në përgjithësi me burrat më të mëdhenj në moshë). Në një lexim më pak artistik, romani nxit të menduarit, analizën dhe diskutimin brenda një qerrthuli thellësisht psikologjik.

Në mënyrë të vazhdueshme, Dino — ky fëmijë i rritur, duket se endet si një trup pa kokë, vazhdimisht në arratisje por që nuk i ikën dot kurrsesi të vërtetës: asaj se kush është dhe realitetit ku bën pjesë. Dino e urren paranë (ajo e ka ndarë nga e ëma prej një moshe të njomë) tashmë, njësoj siç urren edhe të ëmën, megjithatë e gjen veten rob të saj: njëlloj siç nuk ia del të shkëputet prej nënës e cila dashurinë e të birit mundohet ta blejë në të njëjtën formë të shëmtuar se si i biri dashurinë e vëmendjen e së dashurës së tij të vogël. Dino është një parazit. Njeri me karakter të lëkundshëm. I dobët. Ende i tërhequr zvarrë pas fustanit të së ëmës. Ai është dembel por krejtësisht i aftë për ta kuptuar vetveten (andaj dhe dëshiron t’i ikë asaj).

Ndërsa Çeçilia është një tjetër version i Lolita-s.: një adoleshente krejtësisht e ndërgjegjshme për padrejtësinë shoqërore të realitetit përreth, e cila ndërton marrëdhënie shfrytëzuese me burrat, duke i manipuluar me lojëra egoiste, si një mënyrë për të mbijetuar; duke u fshehur pas portretit prej fëmije dhe pafajësisë që përgjithësisht duket t’i karakterizojë fëmijët. Ajo vjen prapësëprapë, gjithmonë në dy: grua dhe fëmijë, në jetën përtej shtratit ashtu si dhe në qendër të këtij të fundit. Pavarësisht mprehtësisë, ajo nuk është kurrë një grua e plotë, siç nuk është kurrë tërësisht fëmijë.

Një objekt interesant e përherë i pranishëm në skena të ndryshme, është kanavaca boshe në studion e Dinos, një studio të cilin është munduar ta varfërojë sa më shumë, si e si për ta përforcuar më tej iluzionin e varfërisë te vetja (Dino jeton në një apartament larg së ëmës, qiranë për të cilin e paguan kjo e fundit). Kanavaca qëndron më këmbë bosh, e paprekur, e papërlyer. Ajo është pasqyra më e pastër e Dinos dhe jetës së tij. Ajo është njëkohësisht gjyqtarja e vetme e pamundësisë së Dinos, në mos për t’u kredhur në të, për ta blerë peizazhin që i ofron.

Alberto Moravia është një romancier italian, punimet e të cilit eksplorojnë dilema ekzistenciale, çështje të seksualitetit dhe tëhuajësimin e individit në shoqëri të konsumit. Shqipërimi korrekt i tij përpos kënaqësisë së të lexuarit të një libri të mirë, shërben si një urë e fortë lidhëse për lexuesin shqiptar me botëkuptimin universal të autorit dhe subjektet edukative të të cilit sa ngjallin kureshtje, po aq nxisin edhe të menduarit në mënyrë kritike. Për një shoqëri si kjo shqiptare e cila orientohet me një grykësi të marrë drejt konsumit dhe formave boshe që i vjel perëndimit, një roman si Mërzia shërben si çast reflektimi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin