U përfshiva këto ditë në një diskutim profesional rreth me vetën (foljore dhe përemërore) që duhet përdorur në tekstin e një marrëveshjeje të përdoruesit, për një produkt elektronik.
A duhet përdorur veta e dytë shumës, si kërkesë elementare e regjistrit formal të shqipes, apo veta e dytë njëjës?
Për ta thjeshtuar argumentin me një shembull, si duhet përkthyer një frazë e tillë si:
Do you agree to these conditions?
Në vetën e dytë njëjës:
I pranon këto kushte?
Apo në vetën e dytë shumës:
I pranoni këto kushte?
Ka përkthyes që instinktivisht do të zgjidhnin versionin formal, meqë veta e dytë njëjës për ta është vetvetiu e papranueshme në tekste të shkruara dhe aq më tepër në kontekste me natyrë ligjore (juridike, burokratike, kontraktuale).
Unë, nga ana tjetër, kam përdorur gjithnjë vetën e dytë njëjës për një arsye krejt praktike – meqë veta e dytë njëjës përdoret, me përparësi, në të gjitha tekstet UI, ose të ndërfaqes së përdoruesit.
Çfarë do të thotë se pajisjet elektronike, si kompjuterët, tabletat dhe telefonat inteligjentë na drejtohen rëndom me “ti” – në ato rrethana kur i vëmë të flasin shqip.
Edhe përdorimi i vetës së dytë njëjës në UI ka një arsye të vetën – kufizimet në hapësirën e tekstit. Në fakt, sikurse çdo përkthyes i teksteve të tilla e di, format në vetën e dytë njëjës janë vetvetiu më të shkurtra se ato në vetën e dytë shumës – dhe, sa më të gjata të jenë tekstet në vetvete, aq më e rëndësishme vjen e bëhet diferenca.
Dhe, meqë veta e dytë njëjës tani ka zënë vend në shqipen e UI-ve, duke filluar nga versioni zyrtar i Microsoft Windows në shqip, atëherë i njëjti regjistër do të ruhet edhe në tekstet me përmbajtje ligjore; për të ruajtur njëtrajtshmërinë (konsistencën).
Që këtej, edhe pyetja e mësipërme do të përkthehet si I pranon këto kushte?, sikurse edhe e jep databaza e Microsoft-it në shqip.
A tingëllon keq kështu? Unë jam mësuar tashmë me këtë regjistër dhe nuk më bën përshtypje – por nuk di të them për dikë që u afrohet këtyre teksteve për herë të parë.
Nga ana tjetër, diskutimi në fjalë, në lidhje me përdorimin e vetës së dytë njëjës, përkatësisht shumës, brenda teksteve me natyrë ligjore (legal) që shoqërojnë produktet elektronike, të tilla si marrëveshjet e licencimit ose termat e shërbimit, më bëri të mendoj se ka edhe një arsye tjetër, për mua mjaft bindëse, që mbështet përdorimin e vetës së parë njëjës – dhe që vepron, me sa më duket mua, edhe jashtë sferës së produkteve elektronike të konsumit.
Në fakt, veta e dytë shumës, e nxjerrë nga konteksti pragmatik ose mjedisi njerëzor ku po përdoret gjuha, është e dykuptimshme: mund t’u referohet disa bashkëfolësve njëherësh, por mund të jetë edhe shenjë e regjistrit formal ose politesës.
Kështu, pyetja:
I pranoni këto kushte?
E nxjerrë nga konteksti ku bëhet, mund t’u drejtohet një grupi (ju si përdoruesit e këtij produkti), por mund t’i drejtohet edhe përdoruesit individual, në shenjë politese (I pranoni këto kushte, ju zotëri?).
Çështja është se sa mund të tolerohet ky ambiguitet në tekste me natyrë ligjore.
Të marrim një shembull tjetër, disi më të artikuluar:
Anglisht:
If you do not consent, or if you do not install critical updates, including security updates, you may lose access to the service.
Shqip në vetën e dytë njëjës:
Në qoftë se ti nuk jep pëlqimin ose nuk instalon përditësime kritike, përfshi këtu përditësime të sigurisë, mund ta humbësh aksesin ndaj shërbimit.
Shqip në vetën e dytë shumës:
Në qoftë se ju nuk jepni pëlqimin ose nuk instaloni përditësime kritike, përfshi këtu përditësime të sigurisë, mund ta humbni aksesin ndaj shërbimit.
Tani, le të supozojmë se bëhet fjalë për një laptop, të cilën e përdorin burrë e grua, secili me llogarinë e vet; dhe se teksti më lart ka të bëjë me një shërbim të transmetimit streaming të materialeve video, të llojit Netflix.
Le të supozojmë edhe se gruaja e mban të përditësuar Netflix-in e vet, ndërsa burri jo; derisa vjen një moment kur burri e humb aksesin ndaj shërbimit, edhe pse, i nisur nga teksti më lart, ai kish supozuar se veta e dytë shumës u drejtohej të dyve; dhe se, sa kohë që përditësimin e softuerit e kish bërë njëri prej tyre, kjo do të konsiderohej sikur pajisja vetë ishte e përditësuar.
Më në fund, le të supozojmë edhe se kjo punë shkon deri në gjyq; dhe këtu do të isha kureshtar të dija si do ta interpretonte një gjykatës ambiguitetin themelor të tekstit më sipër – ose ç’argument do të përdorte për të vërtetuar se bëhet fjalë, aty, për regjistrin e politesës dhe jo për një tekst që i drejtohet një grupi personash, ose edhe burrit edhe gruas.
Shembulli që solla mund të tingëllojë i sajuar; dhe mbase ashtu është – por ambiguiteti i vetës së dytë shumës është real; dhe vjen e rëndohet edhe më, në rrethanat kur shumë emra vepruesi të shqipes që përdoren shpesh në tekste të tilla dalin me mbaresë zero në shumës: ju si përdorues mbani përgjegjësi… Në ç’numër është emri përdorues?
Mendimi im, në këtë rast, është se shqipja juridike, si stil funksional, nuk e toleron dot këtë lloj ambiguiteti – prandaj adoptimi i vetës së dytë njëjës (ti), që nga regjistri informal, do të ishte më i pranueshëm; me marrëveshje që efekti informal i këtyre formave, duke filluar nga përemri vetor ti, të pezullohej me marrëveshje në kontekste të tilla.
Këtu ndoshta duhet shtuar se nuk ka asgjë “të natyrshme” në përdorimin e vetës së dytë shumës si formë politese ose në kontekste formale; italishtja përdor, me të njëjtin funksion, vetën e tretë njëjës dhe përemrin Lei (“Mi dica, dottore, Lei per chi tifa oggi?”), por e ka ruajtur, si të vjetruar ose folklorizante, vetën e dytë shumës (“Caro abate, caro abate, senza moglie, come fate?”); spanjishtja përdor vetën e tretë si italishtja, por me përemrat usted dhe ustedes (por edhe kjo gjuhë e ka ruajtur vetën e dytë shumës); rumanishtja përdor “përemrin” dumneavoastră të shoqëruar me folje në vetën e dytë shumës, të krahasueshëm me shqipen tashmë të vjetruar zotrote; gjermanishtja përdor përemrin Sie, të shoqëruar me një folje në vetën e tretë shumës (“Kommen Sie heute auf Arbeit?”); rusishtja (Вы) dhe frëngjishtja (vous), në këtë pikë, i ngjajnë shqipes. Shumë nga këto gjuhë përdorin edhe konvencione të tjera, p.sh. shkronjën e madhe, për të mënjanuar ambiguitetin.
Anglishtja, përkundrazi, e ka humbur tashmë dallimin midis njëjësit dhe shumësit në vetën e dytë – çka e bën detyrimisht të dykuptimshëm përemrin you, aq më tepër në kontekstet ku forma të tjera të shumësit në fjali mungojnë. Natyrisht, asnjë gjuhë nuk është “e detyruar” të bëjë dallim midis vetës së dytë njëjës dhe shumës; dhe fakti është që anglishten vetë ky zhvillim relativisht i vonë – humbja e vetës së dytë njëjës, ose e përemrit thou dhe mbaresave foljore të tipit understandest thou what thou readest?- nuk e ka penguar për asgjë.
Megjithatë, në kontekstet me natyrë ligjore (juridike) shpesh ka rëndësi që teksti të mos jetë i tillë që të lërë shteg për ambiguitet, sepse çdo ambiguitet mund t’i shërbejë një avokati ose një gjykatësi për ta shfuqizuar, bie fjala, një kontratë ose për ta interpretuar atë në kundërshtim me synimin e hartuesve ose dëshirën a vullnetin e paditësve.
Që këtej, është propozuar – mes të tjerash – që tekstet me natyrë juridike të mos përdorin vetën e dytë, por të kufizohen me detyrim në vetën e tretë, e cila këtë ambiguitet e mënjanon.
Kështu, teksti:
If you do not consent, or if you do not install critical updates, including security updates, you may lose access to the service.
Do të rishkruhej si vijon:
If the User does not consent, or if the User does not install critical updates, including security updates, the User may lose access to the service.
(Në këtë rast, kuptimi i termit “User” do të përkufizohej në hyrje të kontratës.)
Dhe shqipja do të tingëllonte kështu:
Në qoftë se Përdoruesi nuk jep pëlqimin ose nuk instalon përditësime kritike, përfshi këtu përditësime të sigurisë, Përdoruesi mund ta humbë aksesin ndaj shërbimit.
Çka do të ishte më e pranueshme, për palët që lidhin kontratën dhe për zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshjeje të mundshme në të ardhmen.
Shkrimi trajton nje teme serioze dhe nje problem teorik dhe praktik qe duhet zgjidhur shpejt. Por une kam qe nga shembulli i sjelle per perdorimin si forme kortezie te vetes se dyte shumes ne italisht, qe qesh. (i kufizuar, por qe ne jug te Italise ende haset dendur ne mosha te avancuara).