Në vitet 1990, imazhi i shqiptarëve që po merrte formë në mediat italiane kishte nevojë edhe për konceptin e “shqiptarit të mirë”.
Gjatë studimit të mediave të asaj kohe, së bashku me Ardian Vehbiun, na pati rënë në sy ky fakt – në pamje të parë detajor e dytësor -, por me rëndësi funksionale ndaj imazhit dhe opinionit publik. Koncepti i “shqiptarit të mirë” trajtohet edhe në librin tonë “La scoperta dell‘Albania: gli albanesi secondo i mass media” (Milano 1996).
Aty këtu nëpër media, herë me lidhje e herë pa lidhje, mes lajmeve të zeza për shqiptarët futeshin edhe disa informacione pozitive. Shqiptarë me histori të suksesshme, italishte të rrjedhshme, veshje moderne, kulturë të mirë, pamje të këndshme. Me pak fjalë, shqiptarët paraqiteshin si njerëz normalë.
Në qoftë se nga një anë ky përjashtim, pra paraqitja e shqiptarit pozitiv e të integruar në shoqërinë italiane i jepte alibinë e objektivitetit imazhit negativ që u krijua në ato vite në Itali, duke i siguruar ekuilibrin narrativ, nga ana tjetër i jepte mundësinë opinionit publik ta shijonte pozitivitetin e shqiptarit si rezultat i veprimit shëlbues të shoqërisë perëndimore dhe i aftësisë së saj integruese.
Me kalimin e kohës trysnia e mediave në krijimin e imazhit negativ për shqiptarët erdhi duke rënë, çka krijoi kushtet që paraqitja e “shqiptarëve të mirë” të përftonte dukshmëri më të madhe mediatike. Megjithatë, lajmet negative për shqiptarët nuk kanë kapur asnjëherë vlerën zero. Vetë batutat e llojit “Non sembri albanese” (Nuk dukesh si shqiptar), që shumë shqiptarë kanë duruar në vite, tregonin se ata perceptoheshin si përjashtime e të ndryshëm ndaj një modeli që ishte stampuar gjetiu.
Vetë lajmet pozitive për shqiptarët duket se shpreh(n)in një lloj habie, përndryshe nuk ka asnjë arsye për ta informuar publikun e për të harxhuar bojë tipografike. E ç’lajm do të ishte ai që flet për një gjest pozitiv të një shqiptari? A nuk janë edhe ata njerëz të aftë, si gjithë të tjerët, për të bërë gjeste të mira? Çfarë i komunikohet lexuesit me lajme të tilla? Apo kemi të bëjmë me barna qetësuese për një opinion publik gjithnjë e më të alarmuar për migracionet?
Në fund të tetorit 2015, në gazetën provinciale “La tribuna di Treviso” (31.10.2015) u botua një artikull i shkurtër me titull: “Çanta e hedhur nga hajdutët, djaloshi shqiptar e gjen dhe e dorëzon“. Ja çfarë lexohet në brendi:
Ka qenë një djalosh shqiptar, ditën e kaluar, që e gjeti çantën e punës së sipërmarrësit Giacomo Saccol të flakur nga hajdutët në ikje e sipër… Djali me prejardhje shqiptare, të enjten e dalloi çantën në një gropë e brenda gjeti kartëvizitën e Saccol me numrin e telefonit ku mund ta gjente. Pastaj kontaktoi pronarin e ligjshëm […] “E falënderova për gjestin, tani shpresoj që të gjendet edhe makina ime”, thotë Giacomo Saccol. Në çastin e parë, sipërmarrësi kishte dyshuar e kështu edhe policët kanë dashur të jenë të pranishëm në takim. Djali shqiptar ishte në mirëbesim e me gjestin e tij prej altruizmi pa interes ofroi edhe një spunto të re për hetime.
Natyrisht, kemi të bëjmë me një lajm të thjeshtë provincial. Me siguri gjeste të tilla kanë ndodhur plot, por nuk e kanë pasur nderin kurrë të dalin në gazetë. Megjithëse modest, njoftimi na thotë shumë gjëra. P.sh. nuk është pa rëndësi fakti që në çastin e parë viktima e vjedhjes kishte dyshuar për djalin shqiptar. E për këtë arsye kishte thirrur policinë, e cila është paraqitur në takimin e tyre, sepse ka pasur frikë se mos shqiptari ishte keqbërës. Figurativisht, në atë çantë djaloshi shqiptari gjeti paragjykimet për prejardhjen e tij.
Kuptohet, kushdo që do të kishte qenë në vendin e sipërmarrësit do të kishte pasur frikë, pavarësisht nga prejardhja e personit që gjeti çantën e punës (sepse mund të kishte qenë kurth). Por lajmi përmban një lloj habie gati të padukshme për mirëbesimin e shqiptarit, ose ndoshta një farë pendese për dyshimet e para (por përse ta ketë marrë gazetari pendesën mbi supe?!).
Sidoqoftë, në rast se do të kishim pasur një situatë mediatike ku të mbretëronte mendimi pozitiv për shqiptarët, ndoshta as sipërmarrësi nuk do të dyshonte, as policia nuk do të shkonte, e as mediat nuk do ta botonin një lajm të tillë. P.sh. ta zëmë se çantën në gropë do ta kishte gjetur një zviceran, një gjerman ose një amerikan, çfarë do të kishte ndodhur?
Kemi një farë riedicioni të elementit “shqiptari i mirë”, që vërtet rievokon të kaluarën jo shumë të largët, por që del në dritë ndryshe pikërisht sepse skena ka ndryshuar. Megjithatë, duhet parë nëse ka ndryshuar edhe mënyra se si ndërtohet narrativa për Tjetrin.
Vetem shfaqja e “shqiptarit te mire” i jep vlere normale gjemes mediatike te shqiptarit te keq. Ajo jo vetem me ben mua qe zbuloj te mirin, “una persona per bene”, qe s’kam paragjykime dhe paranoia ndaj shqiptareve, por edhe gjithe tufen se ciles une i perkas, e ben te kete nje lloj te drejte ne sulmet e veta me bias etnicist.
Vec shprehjes qe permend “non sembri albanese” ka edhe nje qe kam degjuar ne vete te trete “lei e’ una di noi”. Nuk e harroj te keqen e atij momenti.
Ne vitin 92, nje kliente e dyqanit te shtrenjte, ku motra ime punonte si shitse, pasi mori vesh qe ” questa bella signora ” era albanese i tha… poverina, quando mi dispiace, e pure non l’avrei creduto
Të dyja shprehjet e mësipërme janë më të rënda se sa ajo që citova në shkrim (Nuk dukesh si shqiptar); por kategorinë dhe zanafillën e kanë të njëjtë.