Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

LEVERDIA E KULTURËS

Ekziston një prirje e gjithanshme reduksioniste në qasjet që i bëhen kulturës në Perëndim në përgjithësi, dhe në Europë në veçanti. Për çfarë reduksionizmi bëhet fjalë më konkretisht? Është fjala për marketizimin e kulturës, matjen e vlerës së saj në vlera jo kulturore por tregu.

Tani nuk është më kultura si kulturë ajo që determinon përmbajtjen e (objekteve të) kulturës por është tregu: sa i leverdishëm në kthime financiare është një projekt kulturor, d.m.th., sa tregon tregu interes për një çështje kulturore, që do të arsyetonte investimet në të. Nëse nuk ka interes për të, atëherë edhe investimet dhe mbështetjet financiare ndërpriten, dhe si rrjedhojë ky aspekt i kulturës fillon të venitet dhe dikur edhe të shuhet krejtësisht.

Në një farë kuptimi ky proces i marketizimit (transformimit në vlerë tregtare) është i domosdoshëm për shumë dukuri që vërtet nuk kanë nevojë të ekzistojnë, për disa aspekte të kulturës që nxisin urrejtje dhe diskriminim ndaj tjetrit, për shembull. Shumë aspekte të këtilla të kulturës mbijetojnë vetëm sepse nuk jemi mjaftueshëm kritikë ndaj tyre, apo nuk kemi vullnetin dhe dëshirën që t’i flakim nga kultura.

Kështu që edhe pse nuk sjellin kurrfarë dobie kulturore, ato mbijetojnë si parazitë që konsumojnë mund dhe energji, por edhe resurset ekonomike. Problemi me këtë formë të çrrënjosjes së dukurive kulturore të padëshiruara, megjithatë, është se përzgjedhja bëhet jo nga perspektiva e vlerave kulturore, por nga ajo e leverdisë në treg. Është proces i verbër në kuptimin kulturor, ngase të njëjtin fat mund ta pësojnë edhe idetë që jo vetëm që nuk duhen shkatërruar, por që përkundrazi duhen kultivuar me të madhe, ngaqë ato janë të rëndësishme për mirëqenien e njeriut si njeri, madje përbëjnë substancën e asaj që mund të quhet njeri.

Do të ishte absurd të mendohet që aspekti i tregut mund të mënjanohet nga vlerësimet për investim në kulturë: vlera tregtare e tyre është pjesë e pandashme e shoqërisë moderne, por nuk mund të reduktohet vlera totale e tyre në vetëm një vlerë. Si rezultat i këtij reduktimi, sot po zhvillohet një kulturë njëdimensionale, jo historike dhe jo-komparative. Janë duke u krijuar gjenerata që nuk kanë idenë se kultura ka dimensione tjera përveç atyre të tregut, dhe që rrjedhimisht krijojnë kushtet për investimet vetëm në ato aspekte të kulturës që kanë vlerë tregu, që sjellin të ardhura. Kështu kultura e humb cilësinë e vet kulturore dhe fillon t’u shërbejë idealeve të tregut. Krijohet edhe një marrëdhënie varësie, madje edhe një rreth vicioz ku tregu krijon shijen kulturore dhe kultura e detyron tregun të investojë në atë që shitet.

Michael Glenwood

Michael Glenwood

Të investohet në kulturë për hir të kulturës është bërë një ide qesharake. Prandaj edhe nëpër universitete, fakultetet e shkencave humane, sidomos filozofia, po përjetojnë rënie drastike. Si rezultat i krijimit të njeriut njëdimensional, shumë pak interesim shfaqet për hibridizimin dhe zgjerimin e sferës kulturore. Rrjedhimisht po bëhet çdo ditë e më vështirë të bisedohet për gjëra të kulturës që nuk janë të marketizuara. Një protestant lexon, nëse lexon, vetëm për protestantizmin dhe ka njohuri të ngushta për kulturën së cilës i përket, por ai nuk ka idenë për mendimet dhe zhvillimet kulturore të tjera. Kjo shpejt shndërrohet në fanatizëm për kulturën vetjake, në paaftësi për të parë dhe vlerësuar kulturat e tjera nga këndvështrimet e tyre.

Zaten njohuria e tjetrit nuk mund as të presupozohet pa këtë aftësi për të parë botën nga këndvështrimi i tjetrit, që është tërësisht vështrim kulturor. Pa këtë përgatitje kulturore të gjerë jo vetëm që nuk do të jemi në gjendje që ta kuptojmë tjetrin, të krijojmë marrëdhënie të barabarta me të, ta respektojmë dhe të na respektojë, por njëkohësisht krijojmë edhe kushtet për konflikte ndërkulturore. Njeriu njëdimensional mund ta shohë botën dhe tjetrin vetëm përmes njëdimensionalitetit të tij dhe, në pamundësi të ngritjes mbi të, krijon iluzionin se çdo gjë që është e pëlqyeshme për të, është edhe e vërtetë.

Prandaj edhe nuk duhet të habitemi nga përhapja e ideve fashiste dhe lëvizjeve politike ultra të djathta në Europë. Sikurse për Walter Benjamin-in fashizmi ishte tregues i revolucionit të dështuar, po ashtu ai është indeks i dështimit kulturor, i krijimit të njëdimensionalitetit kulturor.

 

7 Komente

  1. E pergezoj sinqerisht autorin per guximin qe te preke nje teme te tille, por nuk gjej fjale te tjera per te shkuar me tej. Respektoj idete e tij, por do te desha qe gjithe ate veshtrim te pergjithshem ta ilustronte me ndonje shembull.. Me fort me keqardhje se sa me qellim te keq them se me kujtoi artikujt dhe leksionet e Alfred Uçit, per artin dhe kulturen borgjeze, por ato te parat fare ama, ato qe ai i mohoi edhe vete me pas. Nuk e di se nga i nxjerr keto ide atuori (tamam per kete desha ta liustronte ), por puna ma do qe tu hedh nga nje sy atyre miliona e miliona eurove qe shkojne ne sherbim te kultures e te artit, te cilat jepen pa kerkuar asnje lloj llogarie per permbajtjen ideologjike a artistike te menyres se shpenzimit te tyre (po flas per qytetin tim). Them se jam ndjekes i rregull i jetes artistike e kulturore dhe te pakten njezet vjetet e fundit nuk gjej as une nje fakt per t’i ardhur ne ndihem autorit tone e per ti thene se ka te drejte se kam pare me syte e mi nje kulture “reduksioniste” a nuk e di per çka e ka fjalen ai. Eshte kultura ne kuptimin me te gjere motorri i shoqerive te sotme. Me statistike del se megjithe problmemet e krizes ekonomike, kurre me shume se sot nuk jane frekuentuar muzete, monumentet, eshte rritur jashtezakoonisht numri i shitjes se disqeve, shfaqjeve teatrale, baleteve, operave etj., te cilat kane arritur nivele te jashtezakoneshme artistike.
    Jam dakort me opoziten e qytetit tim, qe do kohe me pare i tha kryetares se bashkise se ke dhene 6 milione euro per dhjetra spetakle trupash te ndryshme, por ata do te ishin te kenaqur ta kritikonin edhe per “reduksionizem”, por ato dhjetra trupa, muzikante, aktore, kineaste, piktore, ekspozita etj, vetem se na kenaqen me shumellojshmerine e artit e kultures qe sollen dhe ne asnje rast nuk iu kerkua “kthim te ardhurash a kulture reduksioniste. Atyre ne asnje rast nuk iu kerkua te kthenin parate, pra te luanin me permbajtjen. Arti financohet nga shoqeria por ate e bejne artistet qe nuk i japin llogari askujt, pa permendur ketu se radiot dhe tv me te medha jene publike, financohen nga shteti dhe jane po ato qe i thyejne brinjet qeverise qe fvj nuk po ulin perqindjen e papunesise etj.
    Trupat private mund te jetojne me gjithfaresoj gjerash, por kurre me kulture “reduksioniste”. Eshte ide e shk. XIX-te. Shijet e spektatorit kane evuluar se teprmi, por vete shoqeria gjen force te vetja t’u kriojoje hapsire edh epervojave artistike paralele, qe ne te shumten e rastve nuk jetojne gjate.

    Qe mund te kete edhe raste si keto qe thuhen ketu, mund te jete e vertete, kete e kam degjuar qe ne Shqiperi, por ama as ne Shqiperi nuk kisha degjuar se edhe kultura na paska ca faj per ardhen e fashizmit apo lindjen e korrenteve fashiste. Niveli i kultures gjermane te viteve 30, ne prag te ardhjes se fashizmit nuk arrihet as sot e kesaj dite. Pyetni B. Brehtin per kete.

    Nuk i kuptoj fare shprehje te tilla: Prandaj edhe nëpër universitete, fakultetet e shkencave humane, sidomos filozofia, po përjetojnë rënie drastike.
    E kur me shume se sot filozofia eshte bere pjese e jetes se perditeshme, edhe per shtresat me pak te privilegjuara, kur me shume se sot fenomenet boterore qe po perjetojme edhe nje puntor i thjeshte perpiqet t’i kuptoje nepermjet ideve te S. Huningtonit, kur me shume se ne kohen tone, edhe nga njerzit me te thjeshte u cituan idete filozofike te F. Fukuyames, interpretojne problemet e tyre nepermjet teorive ekzstencialiste, frojdiste etj. Frekuentimi i leksioneve te filozofise neper universitetet e hapura popullore, sot ka kapur shifra te paimegjinueshme.

    Autori citon W. Benjaminin dhe thote se “fashizmi ishte tregues i revolucionit të dështuar..” Kjo le te kuptoje se autori vete duhet t’u beje nje up to date ideve te tij.
    Ardhja e fashizmit ishte nje problem shume me kompleks se kulturor. Ne origjine te fashizmit mbi te gjitha ishte ajo qe Grossman shkoi e tha qe vitet “70 m’u ne mes te Moskes se: pasoja e pare e Revolucionit te Tetorit ishte lindja e fashizmit dhe perligjja e ekzistences se tij…

  2. Shpresoj që autori të gjejë pak kohë dhe t’i përgjigjet Lyss-it më lart, për të hapur kështu edhe një debat që do t’ia vlente.

    Ndërkohë, mua shkrimi i Seadit më bëri të mendoj për modelin kulturor tashmë të shprehur me elokuencë të madhe nga kombëtarja shqiptare e futbollit: një grup futbollistësh yje, pa lidhje me strukturat sportive dhe skuadrat e futbollit të Shqipërisë, por të formuar si sportistë profesionistë gjetiu; dhe që shteti shqiptar i gjen të gatshëm dhe i përdor pastaj për qëllimet e veta, që mund të jenë fisnike, por që mbeten propagandistike.

    Këtë model nuk e gjen vetëm në futboll, por kudo: dhe është bërë e zakonshme që institucionet të mburrin dhe të promovojnë artistë, krijues dhe autorë të cilët janë formuar jashtë Shqipërisë dhe e kanë bërë karrierën dhe e kanë arritur suksesin jashtë Shqipërisë, por që e kanë ruajtur një interes të natyrës kryesisht sentimentale (patriotike) me dheun mëmë dhe publikun e atjeshëm. Kjo përfshin jo vetëm pop stars si Elsa Lila ose Rita Ora ose Eliza Dushku, ose balerinë televizivë dhe por edhe artiste “serioze”, si Ermonela Jaho dhe muzikantë dhe këngëtarë të tjerë lirikë, ose të muzikës jazz si Elina Duni, ose instrumentistë të shquar të muzikës klasike, ose artistë të kalibrit të Anri Salës ose të tjerëve që tashmë janë pjesë e cirkuiteve të artit global.

    Këtu unë do të futja madje edhe mënyrën si po promovohet sot një prodhim tërësisht vendi si Ismail Kadareja, të cilit i përmendet para së gjithash suksesi jashtë Shqipërisë dhe shanset për të fituar Nobelin, ose çmimet e tjera ndërkombëtare që ndërkohë i ka fituar; por jo aq shumë roli i tij në formimin kulturor të brezave të tërë në atdhe – rol të cilin ai nuk e ka luajtur ndonjëherë dhe as do të mund ta luajë me publikun në Francë ose kudo gjetiu.

    Kur kam shkruar edhe më parë për një dukuri të ngjashme në perceptimin pop të historisë kombëtare, e kam krahasuar me vezët e qyqes: sepse disa specie të qyqes, të më falin ata që e dinë, i lëshojnë vezët e veta në foletë e shpezëve të tjerë dhe ua besojnë këtyre që t’ua ushqejnë dhe t’ua rritin të vegjlit (brood parasites).

    Krahasimi me kombëtaren ka edhe një aspekt tjetër: ne i përshëndesim këta krijues e artistë “botërorë” dhe u hapim dyert e institucioneve dhe u varim në gjoks dekorata pas dekoratash, thjesht ngaqë ata kanë “fituar” – pa çka se fitoret e tyre nuk janë gjithnjë, as mund të jenë fitore për kulturën shqiptare si sistem i organizuar kodesh të komunikimit dhe të vlerave; dhe këtë e them edhe në kuptimin që promovimi i imazhit të Shqipërisë në botë nuk ka ndonjë domethënie kulturore në vetvete; sidomos kur këtë imazh e promovojmë nëpërmjet vlerave që nuk i kemi krijuar vetë, por thjesht ua kemi sekuestruar të tjerëve.

    Kjo lidhet me temën më lart edhe ngaqë, duke investuar në promovime produktesh dhe personalitetesh kulturore që merren të gatshme dhe të garantuara nga kultura të tjera, kultura jonë institucionale nuk e ndien nevojën për të investuar seriozisht në krijimin sistematik dhe promovimin masiv të vlerave kulturore brenda sistemit; sikurse ndodh, tek e fundit, edhe me futbollin. Shpesh kam pyetur, veten dhe në publik, nëse sistemi që kemi sot është organizuar në mënyrë të tillë, që t’ia bëjë të pamundur një talenti të shquar të dalë mbi ujë; p.sh. një Ismail Kadare i shekullit XXI nuk do të arrinte dot të afirmohej, thjesht ngaqë askush nuk do të investonte për të, sikurse investoi dikur shteti totalitar, për arsyet e veta (që ishin po aq a-kulturore sa këto të tanishmet e tregut). Tani po filloj të bindem se sistemi i tanishëm jo vetëm që nuk krijon kushtet për të përftuar talente të reja ose qendra të reja gravitacionale të kulturës kombëtare; por edhe nuk ka nevojë më për produkte dhe personalitete të tilla. I mjaftojnë ato të afirmuarat tashmë, që i gjen të gatshme ose ua përvetëson të tjerëve.

    Një formë parazitare, kjo, e promovimit të vlerave kulturore; që herët a vonë do ta futë kulturën tonë në koma.

  3. Ndërsa unë konfliktin kulturë/leverdi e kam përjetuar nëpërmjet një koleges time, e cila donte të shkruante një doktoraturë mbi disa vepra kyçe transatlantike (Anglo-Amerikane), duke u bazuar në shkrimet e Jungut.
    Dhe profesorja e saj, asokohe në Universitetin e Mynihut, autore e disa librave të shumëcituar, i thotë se me Jungun nuk bëhen parà, ndërsa “Freud sells”. O shkruaj mbi Freud-in ose ndërro udhëheqje. Kolegia ime u detyrua të ndryshonte rrënjësisht temë dhe shkroi një doktoraturë, siç e pranon edhe vetë, të vakët mbi ndikimin Frojdian në letërsinë transatlantike. Profesorja e ndihmoi ta botonte në cirkuitet e frojdianëve, me sukses.

  4. Mendoj se titulli nuk reflekton permbajtjen, asaj se cfare ka dashur te thote autori(nese ka dashur te thote dicka). 🙂

    Autori flet marredhenien e kultures ne kapitalizem dhe duket sikur sipas tij, kapitalizmi e ngushton kulturen dhe njeriun qe e mbart ate, nga shumedimensionale ne nje dimension(ale).

    Gramshi flet per kultural hegjemoni te klases sunduese qe shoqerine njerezore kulturalisht diverse, shumedimensionale, e ngushton duke e manipuluar, e kanalizuar ne nje dimensionale, te klases sunduese kapitaliste. Klasa sunduese duke imponuar ideologjine e asaj dominante, ku cdo kontribut, nxjerrje, dalje, produkt kulturor(cultural output) i sherben nje qellimi, justifikimit te hegjemonise ekonomike, kulturore, ideologjike te saj per te ruajtur statukuone.

    Ne kete linje, edhe “counter-culture” eshte produkt kapitalist, jo kercenim ndaj tij, pavarsisht se mund te na genjeje mendja se Che Guevara eshte “heroi modern” i posterave ne T-shirts, apo ne kupat prej kartoni te kafes. Kjo po, duket qe eshte “leverdia(perfitimi) e kapitalizmit”.

    1. Read Me, doja t’i beja edhe une nja dy pyetje Seadit, por me duket se nuk eshte shume i muhabetit dhe nuk besoj se me pergjigjet.

      Prandaj, jemi qe jemi, po ta bej ty nje pyetje se e di qe me pergjigjesh 🙂

      Ka shume autore te majte e te djathte qe, sikurse Gramshi, mendojne se kulturen e bejne elitat dhe ato kane prirjen t’ia “imponojne” vizionin e tyre kulturor pjeses tjeter te shoqerise. Behet fjale ketu gjithmone per shoqerite kapitaliste.

      Pyetja ime eshte: a thote gje ky Gramshi se ne ç’mase dhe ne ç’menyre e levrojne dhe e zhvillojne shoqerite socialiste kulturen shumedimensionale, pluralizmin kulturor apo kulturen e paster qe nuk u sherben qellimeve politike, ekonomike a ideologjike te pushtetit?

      1. Relapso, jam i sigurte qe ashtu si ti, edhe shume lexues te tjere lexojne edhe “nentekstin” e komentit tim. 🙂

        Preokupimi i vazhdueshem i Gramshit me kulturen, vecanerisht me mbartesit dhe transmetuesit “organike”(natyrale) te saj e ka nxjerre ate nga nje filozof marksist parokial(lokal), pra nga harresa, ne dike qe sot citohet qofte nga kapitalistet, po ashtu edhe nga marksistet.

        “Hegjemonia kulturore” per te cilen ai njihet sot, deshmon se intelektuali per marksistet eshte nje lloj katalizatori per te kontrolluar reaksionin e eksperimentimit social, qe Stalini duke e teknikalizuar me shume termin, i fokusuar me shume tek njerezit e pendes, shkrimtaret(besoj se mund te na lejohet te fusim ketu edhe gazetaret, reporteret, etj) i quan “inxhinjere te shpirtit njerezor”. Ky eshte adaptimi njedimensional i marksisteve.

        Nga ana tjeter kapitalizmi stimulon intelektualizmin ndryshe, ku motori levizes eshte “the entrepreneur”, kapitalisti i cili eshte edhe mbartes i kultures, pra nje lloj intelektuali, “in his own rights”.

        Ajo cfare e ve ne levizje kapitalistin eshte fitimi(leverdia) nepermjet “entreperneurship”. Po t’i referohesh Gramshit, per te arritur kete, i vetmi drejtim eshte arritja e nje kulture te sofistikuar, pra te nje niveli te larte(hight culture).

        Pra, intelektualizmi si mbartes i kultures qenka mjet kontrolli per te dy sistemet, por nuk eshte veshtire te evidentosh ndryshimet: ku eshte me i larte, me kompleks, dhe ku eshte njedimensional. 🙂

        Gramshi na ndihmon te kuptojme edhe dicka thelbesore rreth atdheut tone si bote paralele e Italise te Gramshit. Ne Italine e tij borgjezia rurale(e fshatit) prodhonte “funksionaret”, njerezit e pushtetit dhe profesionalet(zanatcinjte si nallbanet, kuzhinjeret, nepunesit e vegjel qe me shpejtesi popullojne zyrat e funksionareve rurale, etj) dhe nga ana tjeter qyteti, qytetaria: prodhonte “teknicienet”, kapitalistet, sipermarresit, pra kulturen e larte, etj. A nuk iu kujton pak fatin e Shqiperine?

        Per me shume, Gramshi “in his own words”:

        http://www.csun.edu/~snk1966/Gramsci%20-%20Prison%20Notebooks%20-%20Intellectuals.pdf

        ps. Xhaxha nuk penalizohesh per zgjedhjen e titullit. 🙂

    2. ReadMe, titullin këtij shkrimi ia vura unë, sepse origjinali nuk kishte titull. Ia vura sepse më tingëlloi mirë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin