Lexoja sot një artikull për metodën e të mësuarit të “gender” në shkollat italiane, dhe më tërhoqi vëmendjen që një e intervistuar, edukatore kopshti në Trieste, për të ilustruar bindjen e saj se “stereotipet e gjinisë janë më të fortë se eksperienca”, sillte për shembull vizatimin e mëposhtëm:
Dhe shtonte pastaj se pyetjes nëse “elefanti me çantë” është mashkull apo femër, të gjithë fëmijët i përgjigjeshin “mashkull”, pa çka se shumë prej tyre do ta kenë parë nënën në atë rol social – si mësuese, ose avokate, ose mjeke.
Pa u futur në debatet për të cilat bën fjalë shkrimi, dua vetëm të shtoj se edhe unë atë elefant do ta kisha identifikuar menjëherë si “mashkull” – por jo aq për faj të stereotipeve të gjinisë, sesa për faktin e thjeshtë që shqipja, sikurse italishtja, na detyron njëfarësoj ta mendojmë elefantin në gjininë mashkullore – meqë e lakojmë si emër mashkullor, ia përshtatim mbiemrat dhe përemrat në gjininë mashkullore e kështu me radhë.
Ndoshta eksperimenti do të kish qenë më me interes, në Itali, sikur në vend të elefantit të kishin paraqitur një lejlek: la cicogna, që në italishte është emër i gjinisë femërore. Në këtë rast, stereotipia mashkullore e çantës do të hynte në konflikt me imponimin gramatikor të fjalës cicogna. Përndryshe, sikur unë të shihja një dhelpër në vend të elefantit, në imazh, do ta kisha identifikuar sakaq si “femër”, ngaqë dhelpra në shqip është e gjinisë femërore (por jo renard-i i frëngjishtes!).
Diskursi i sotëm për probleme të gjinisë (gender) është shtjelluar në masë të madhe në anglishte; çfarë përbën një paradoks, sepse anglishtja nuk e ka kategorinë e gjinisë, përveçse në disa pak raste dhe përgjithësisht të shoqëruar me seksin. Përgjithësisht, një anglishtfolësi do t’i duhej të zgjidhte me vetëdije për ta quajtur elefantin e imazhit Ralph apo Laura – meqë nuk ka asgjë në fjalën elephant që të sugjerojë mashkullorësi, siç sugjeron mashkullorësi, përkundrazi, nyja e shqipes: elefant-i.
Dhe nuk është se thjesht po spekuloj. Për shembull, në shqipe është e natyrshme që Dielli të përfytyrohet si djalë, dhe Hëna si vajzë; por në gjermanishte ndodh e kundërta: dielli është i gjinisë femërore (die Sonne), ndërsa hëna mashkullore (der Mond). Edhe Grimm flet diku për “Frau Sonne und Herr Mond” (“zonja Diell dhe zoti Hënë”).(*)
Prandaj edhe një roman si Dranja i Martin Camajt do të mund të përkthehej me sukses vetëm në ato gjuhë ku breshka është e gjinisë femërore (si në italishte: tartaruga); sepse atje identifikimi i breshkës me nënën/gruan/dheun është themelor për të kuptuar romanin vetë, dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me perceptimin e asaj kafshëze si “femër” nga lexuesi, nëpërmjet gjuhës.
I sjell këto përsiatje jo thjesht për kuriozitet; sot mësuesve u kërkohet, ndonjëherë me përparësi, që t’u ruhen stereotipeve të gjinisë kur komunikojnë me fëmijët; madje që edhe t’i përgatitin këta për fluiditetin e roleve të gjinisë në shoqëritë e sotme Perëndimore. Mirëpo, siç thashë, një pjesë e kësaj ideologjie është përpunuar në gjuhë pa gjini gramatikore, si anglishtja; ku semantika e gjinisë shpesh është e lidhur ngushtë me seksin.
Përkundrazi, në gjuhët me gjini gramatikore, ku bën pjesë edhe shqipja, ndarja e emrave në gjini vjen po aq natyrshëm sa edhe organizimi i hapësirës sipas akseve lart/poshtë, para/mbrapa, majtas/djathtas. Përfytyroni absurditetin e një doktrine që do të rrekej t’u shpjegonte fëmijëve se ndarja e hapësirës në “para” dhe “mbrapa” privilegjion njërin prej skajeve të aksit, duke diskriminuar tjetrin.
Imazhin më lart e solla qëllimisht të cunguar; në fakt, fëmijëve u ishte treguar ky i mëposhtmi:
Mirëpo nuk pashë gjëkundi të thuhej në artikull, se ç’thonin fëmijët për elefantin që shtynte karrocën. Gjasat janë që ta kenë quajtur atë “femër” jo thjesht për shkak të rolit social që luan, por edhe në kundërvënie me mashkullin majtas – në kuptimin që një ndarje mashkull-femër e sugjeron vetë struktura e dyzuar e imazhit; njëlloj sikurse vetë gjinitë, mashkullore dhe femërore, parakuptojnë njëra-tjetrën dhe kanë nevojë për njëra-tjetrën, që të përvijohen.
Një eksperiment i dizajnuar keq, që përdor si premisë atë çka kërkon të provojë; por edhe një mundësi për të kuptuar se stereotipet sociale ndaj gjinisë ndonjëherë i kanë rrënjët në gjuhë.
(*) Një shembull kurioz i kësaj vështirësie gjendet në çfarë njihet si Kodeksi hipatian, një përmbledhje dorëshkrimesh e shekullit XV, ku gjenden dokumente shumë më të vjetra, dhe që ruhet në Manastirin Ipatiev, në Rusi. Ka aty një pasazh që, në fakt, është përkthimi i një dorëshkrimi origjinal greqisht nga shekulli VI, ku flitet për Hefestin dhe Helios-in, dy perëndi të panteonit grek klasik. Studiuesit mendojnë se, meqë fjala sllave për gr. Helios, Sunce, është në gjininë asnjanëse ose femërore; ndërsa në mitologjinë baltike (mjaft të afërt me atë sllave), Dielli është perëndi femërore, atëherë përkthyesi u detyrua ta “përkthejë” Helios-in duke e zëvendësuar këtë me një perëndi të panteonit sllav: Dazhbog-un.
Vertet se per kete problem eshte folur shume. Ne France ne nje çast u pa si nje kompllot i qeverise, qe kerkonte te fuste ne shkolle “teorine e’ gjender'”, tines keshillave e kolektiveve te prinderve, gje qe nga frike shkaktoi edhe bojkotimin e shkolles nga nje numer i madh prinderish, qe kishin frike se mos po ndodhte vertet. (Ideja e pretenduar ishte qe t’i leme te lire femijet qe ne nje çast te caktuar te jetes se tyre te zgjedhin ata vete nese duan te jene “burre” apo “grua”, meqe asgje ne natyre nuk thote se ata lindin te tille. Por natyrisht, nuk eshte ky thelbi i shkrimit tone, e solla ketu thjesht per te thene, se pothuaj ne asnje rast nuk e kam pare kete debat te shtjellohet ne pikeveshtrim gramatikor, te themi si nje paralele e larget e morfoligjise njerzore dhe asaj linguistike, gje qe e shkrifton dhe e ndriçon ne menyre interesante e te papritur kete problem mjaft te nderlikuar, sa psikologjik aq edhe sociologjik.
“…pothuaj ne asnje rast nuk e kam pare kete debat te shtjellohet ne pikeveshtrim gramatikor, te themi si nje paralele e larget e morfologjise njerzore dhe asaj linguistike…”
Eshte trajtuar aq shume dhe aq gjate sa eshte tepruar. Permend nje nga librat me te rendesishem, ate te amerikanit George Lakoff “Women, fire and dangerous things”, qe merret pikerisht me rolin e metaforave dhe kategorive gjuhesore ne stereotipet dhe paragjykimet shoqerore. Titulli e merr shkasin nga gjuha e nje fisi indigjen ne Australi, ku emri “grua” nuk ben pjese ne gjinine femerore, por ne gjinine “e gjerave te rrezikshme”, bashke me zjarrin dhe disa kafshe te egra.
Keto gjera mbajne me buke mijera “akademike” sot neper bote, qe rendin pas “politikisht korrektes”. Eshte nje lloj aleance intelektuale globale qe Harold Bloom-i e ka quajtur me perçmim “school of resentment”, ose “intelektuale te hip-hopit” ku fut brenda te gjitha rrymat e sotme te mendimit te majte qe nga multikulturalizmi, feminizmi, “gender studies”, “cultural studies” etj.
Mendoj se elefanti në shqip nuk funksionon si “l’elefante” në italisht. Madje zgjedhja e “l’elefante” mund të tentojë të kapi një terren pseudo-neutral në binarizmin fem/mashk, sepse as artikulli as mbaresa e “l’elefante” nuk shenjojnë gjininë, si p.sh. te “la cicogna”. Për një fëmijë të para-fillores, flasim për trevjeçarë grupi më i ri, në s’gabohem, l’elefante mund të mos jetë automatikisht mashkullor, sidomos edhe për nga ngjashmëria fonetike që ka me l’insegnante, figurë, sidomos në këtë nivel të edukimit, tradicionalisht femërore.
Pyetja mbetet në çfarë moshe dhe me çfarë strategjish mëson fëmija veçoritë gjinore, janë veçoritë semantike apo formale ato që mëson të parat dhe kur. Kam kohë që s’jam thelluar në këtë temë, por më kujtohen shumë mosmarrveshje e studime që dalin në përfundime të kundërta, por edhe një studim mbi mësimin e spanjishtes që mbronte tezen se fëmijët spanjishtfolës nisen nga mbaresat -o dhe -a, për të bërë përcaktimin fem/mashk. Pikërisht atë që l’elefante nuk e ofron.
(Kam parasysh edhe ca rrëshqitje që ndodhin nga përdorues të moshës 2-4 vjeç me neutrumin e gjermanishtes, si p.sh. një fëmijë që tradhëton konfuzion gjinish për shkak të mospërputhjes mes gjinisë gramatikore dhe biologjike, si ky rast: “Das Mädchen dort, sie hat’s mir genommen”, ose në një dialekt gojor zviceran: “S’Meitli det, sie häts mer gno.” Nga neutrum kalohet në femërore — nga das/es në sie — meqë fëmija që i mori diçka duket vajzë.)
Duke operuar me një kafshë jo haptazi të klasifikueshme gramatikalikisht, çanta e punës apo karroca funksionojnë potencialisht si të vetmit “gender markers” ose gjenitale kulturore, një version i asaj që ndodh me trupin e të porsalindurit që ka vetëm gjenitalet biologjike që e bëjnë të klasifikueshëm, dhe që në shumicën dërrmuese të shteteve, klasifikohet në orët e para të jetës si femër ose mashkull në çertifikatën e lindjes.
Nga pikëpamja gramatikore, besoj se fëmija italian nuk gabon kurrë për gjininë e fjalëve si “elefante”, sepse kjo është e koduar në “kompetencën gramatikore” – meqë këto fjalë asnjëherë nuk mësohen të shkëputura nga konteksti; dhe në kontekst “elefante” rëndom do të vijë e shoqëruar me mbiemra të gjinisë mashkullore: “l’elefante è piccolo, è buono, è arrabbiato,” e kështu me radhë; dhe po ashtu, shumësi “gli elefanti” nuk lë shteg për pështjellim, sepse nuk mund të jetë veç mashkullor (po ashtu “questo elefante, nessun elefante, ciascun elefante” etj.; të gjitha forma qartazi mashkullore; ose format e pjesores në ndërtime pësore: “l’elefante è stato domesticato dagli indiani”; ose “l’elefante è stato ucciso dai bracconieri”; ose më tej akoma: “l’elefante l’hanno chiuso in un recinto”). Dua të them: fëmija nuk mund ta përdorë fjalën “elefante” pa ia ditur gjininë. Nuk duhet të gabojmë dhe ta marrim një emër si të shkëputur nga konteksti, thjesht ngaqë ashtu e paraqet fjalori ose një dokument me natyrë pak a shumë meta-gjuhësore. Nuk ka italishtja fjalë si “elefante” në vetvete – por ka një bashkësi fjalësh, të lidhura mes tyre dhe gjithnjë në kontekste, por të cilat në fjalor i përfaqëson forma “elefante”. Dhe brenda kësaj bashkësie folësi amtar i italishtes nuk besoj se ka luhatje, në lidhje me gjininë, së paku me fjalë që përdoren dendur. Natyrisht këto janë spekulime; mbështetur pjesërisht edhe në kompetencën time gjuhësore të italishtes; dhe shtoj këtu se, kur më qëllon të kem dyshime për gjininë e ndonjë fjale relativisht të rrallë (p.sh. siepe ose stirpe), gjithnjë thërres në ndihmë një kontekst imagjinar, në rastin konkret nyjen shquese, e cila më vjen e gatshme.
Jam dakort, xhaxha, për teknikën e përvetësimit të gjinisë në formacion. Po vija në dyshim vetëm sa të konsoliduara janë këto strategji, si ai i kërkimit të nyjes shquese, tek 3-vjeçarët. Nuk kam asnjë kujtim nga kjo moshë, ndërkohë që mund të rreshtoj një listë me aide-mémoires a Eselsbruecke që kam nisur të përdor prej klasës së dytë fillore e sidomos në të tretën kur u fut në lojë një gjuhë e dytë. Prandaj edhe shkruaj fjala elefant “mund të tentojë të kapë një terren pseudo-neutral”, duke e imagjinuar në një eksperiment të mirëfilltë, cilat mund të kishin qenë pikët që flisnin për zgjedhjen e elefantit nga grupi që drejtonte eksperimentin. Plus, mu kujtua Dumboja, “l’elefante volante”, dhe një diskutim i dëgjuar mes të rriturish (!) nëse Dumbo qe mashkull a femër, medemek prej veshëve të mëdhenj që mund të qenë flokë, e meqë Dumbo kishte edhe mam, shkurt një histori me elefant meshkuj e femra dhe pak “gender trouble.”