Gjasat janë jo të pakta, që një shqipfolës sot të mos e bëjë dot lidhjen midis fjalës zyshë, si titull dhe emër për mësuesen, dhe fjalës zonjushë, të cilën Fjalori i Shqipes së Sotme (2006) e pranon si të vetmen formë që përdoret “kur i drejtohemi me nderim” mësueses.
Fonetikisht, zyshë është përftuar nga zonjushë si pasojë e kontraksionit (sinkopës), dhe duke kaluar nëpërmjet formave të ndërmjetme zojushë dhe zjushë; thjeshtime të tilla ndeshen rëndom sidomos në të folurit e fëmijëve dhe për titujt që u paraprijnë emrave – të shihet këtu edhe presor nga profesor.
Megjithatë, presor ka mbetur si fjalë e ligjërimit të thjeshtë, pa arritur të pavarësohet kuptimisht dhe leksikisht; ndërsa zyshë është emancipuar tashmë, duke marrë edhe statusin e plotë prej fjale të pavarur, me kuptimin “mësuese”; por pa ndonjë barasvlerë mashkullore (nuk ekziston ndonjë emër i ngjashëm për mësuesin).
Si e tillë, ajo mund të krahasohet leksikisht me anglishten schoolmistress, ose me italishten maestra; vetëm se në këto dy gjuhë, edhe mistress edhe maestro/a kanë kuptime dhe përdorime të tjera.
Përkundrazi, zyshë është fjalë e re, edhe fonetikisht edhe kuptimisht, që i ka humbur lidhjet e prejardhjes me zonjushë dhe është specializuar tashmë për të shënjuar mësuesen grua, si figurë kyçe në marrëdhëniet sociale brenda shkollës; dhe për ta shënjuar edhe si titull honorifik (zysh(ë) Donika) edhe si emër i zakonshëm (rri urtë se do t’i them zyshës). Kur përdoret si titull honorifik, ajo shqiptohet si rregull pa ë-në fundore: /zysh/.
Shkalla e përhapjes së kësaj fjale, ende të pasanksionuar nga norma leksikore, mbetet për t’u hulumtuar – por përdoret patjetër në Tiranë dhe gjetiu në Shqipëri, së paku në mjediset urbane.
Mbaj mend që në shkollë na udhëzonin që t’i shmangeshim fjalës zyshë dhe të përdornim, në vend të saj, mësuese (të shqiptuar msúse). E gjithë kjo, në kuadrin e disiplinimit të përgjithshëm të nxënësit, i cili shpesh merr trajtën “nuk duhet thënë ashtu, por kështu.”
Përndryshe, formën mësuese mund ta dëgjosh sot e kësaj dite në filma (mësuese Linda, mësuese Mira), edhe pse, përndryshe, ajo pati vështirësi të zinte rrënjë në atë përdorim specifik, së paku në ligjërimin bisedor.
Nga ana e vet, zonjushë, jashtë kontekstit shkollor, për shumë dekada erdhi dhe u deklasua, së bashku me grupin zot(i), zotëri-a, zotnia, zotnia juej, zotrote, zonjë etj., si formë drejtimi karakteristike për ligjërimin borgjez dhe rendin borgjez të marrëdhënieve sociale. Nuk është se u mënjanua krejt nga shqipja, por erdhi duke fituar nota ironike, duke shënjuar shpesh vajzën e përkëdhelur.
Ekzistonte, ndërkohë, një traditë që nga kohët e Mbretërisë, për t’i quajtur mësueset zonjusha/zojusha, kushedi edhe ngaqë këtë punë e kryenin rëndom vajza të reja, të pamartuara. Por, në fushën kuptimore të arsimit, zonjushë shumë shpejt i humbi lidhjet me zonjë, për t’u specializuar vetëm si titull i ndajshtuar emrit të përveçëm: në klasë hyri zonjushë Drita; por në klasë hyri mësuesja (në klasë hyri zonjusha tingëllonte e vjetruar që këtu e 40-50 vjet më parë).
Duke pasur parasysh edhe përdorimet e mëvonshme të zyshë, mund të themi me siguri se zonjushë është përdorur edhe si titull në trajtën thirrore, ose si një formë e lejuar për fëmijët që t’i thërrisnin mësueses – për fat të mirë, askush nuk duket të ketë sugjeruar që të përdorej forma politikisht hiperkorrekte shoqja mësuese ose ndonjë tjetër e ngjashme.
Në shkollat fillore dhe tetëvjeçare, personeli mësimor dominohej nga vajzat dhe gratë; mësuesit ishin gjithnjë të paktë dhe roli i tyre i markuar; në një kohë që gjinia femërore e rolit ishte kthyer në default. Siç e zëvendësonte mësuesja nënën në hapësirën sociale, mësuesi nuk mund të pretendonte kurrë të zëvendësonte babain. Dallimi në rol social mes mësueses dhe mësuesit nuk ishte thjesht dallim gjinor.
Që këtej edhe nevoja, sado e pavetëdijshme, për të pasur një fjalë të posaçme pikërisht për mësuesen femër; dhe që këtë nevojë erdhi dhe e plotësoi zyshë, kjo ndodhi rastësisht; dhe vetëm ngaqë fjala zonjushë u kontraktua kaq shumë, sa rezultuesja zyshë i humbi lidhjet tematike me të; aq sa zyshë ia zuri pastaj vendin edhe fjalës mësuese në përdorime të zakonshme – jo si titull i ndajshtuar ose thirrore; por duke u lakuar në njëjës dhe në shumës, në formë të pashquar dhe në formë të shquar.
Shqipja përfundoi kështu me të paktën tre emra, për të njëjtën figurë profesionale dhe rol social bazë: zyshë, mësuese dhe arsimtare; kjo e fundit e kufizuar brenda ligjërimit burokratik ose të zyrës. Sinonime të tjera, si profesoreshë ose pedagoge (ose edhe instruktore po të duam) mund t’i marrim këtu më shumë si hiponime, ose përdorime të specializuara.
Zyshë është përdorur rregullisht edhe për edukatoren e kopshtit; sikurse vazhdoi të përdoret, me kufizime, edhe për pedagoget universitare.
E megjithatë, si njësi leksikore e pavarur zyshë e ruajti deri diku semantikën relacionale; njëlloj si emrat e farefisnisë. Kur dikush thotë ose shkruan zyshë, është logjike të supozosh se ky dikush është fëmijë ose nxënës; përndryshe, nëse këtë e thotë një i rritur, gjasat janë që t’i referohet mësueses së fëmijës së vet ose të një fëmije tjetër të pranishme në kontekst; përndryshe nuk ka gjasa që drejtori i një shkolle t’i quajë mësueset e veta zysha, në kontekste që nuk kanë lidhje me fëmijët.
Edhe pse fjala vetë nuk i plotëson kriteret, për t’u konsideruar si e ligjërimit të fëmijëve, le të themi se kur përdoret në ligjërim, është gjithnjë në lidhje me një fëmijë ose nxënës; për shembull, babai mund t’i thotë nënës: “takova sot në mëngjes zyshën e Titit”, ku Titi është djali i tyre; ose t’i thotë Titit: “i more leje zyshës, që u largove nga klasa?”; por ka më pak gjasë të thotë: “Motra ime pat punuar si zyshë në shkollën 20-Vjetori”.
Që zyshë t’i shpëtonte fatit stilistik (dhe ideologjik) të zonjushë për të përfunduar fjalë e pavarur me kuptim të specializuar, u desh të plotësohej një kombinim kushtesh – jo vetëm diferencimi formal, për shkak të një deformimi fonetik karakteristik të gjuhës së fëmijëve dhe ligjërimit të thjeshtë; por edhe nevoja e shqipes për të pasur një fjalë të tillë si njësi leksikore të mëvetësishme; dhe jo vetëm si ndajshtim – të krahasohet kjo me forma të ngjashme, si xha (p.sh. Xha Jovani), e cila nuk mund të përdoret më vete, për të zëvendësuar burimin e saj xhaxha-i, sa kohë që nuk ka pësuar ndonjë ndryshim kuptimor; dhe kushti i tretë, lidhet me dobësimin e statusit social dhe ligjërimor të fjalës zo(n)jushë dhe të krejt familjes zotni, zotëri, zonjë, zotrote, zotnia juej, etj.
Kur doli për herë të parë ky shkrim në Shqipologji, një mik (Bledar Bruka) më shkroi se në Kukës përdoret një fjalë e barazvlefshme me zyshë, për mësuesin e gjinisë mashkullore – fjala sni, të cilën ai me të drejtë e shpjegonte si shkurtim të zotni; p.sh. sni Petriti, ose do të flas me sni Petritin. Megjithatë, siç ma konfirmoi pasi e pyeta, kjo sni nuk është pavarësuar dot nga funksioni ndajshtimor; prandaj nuk e ka fituar dot emancipimin leksikor të zyshë. Arsyeja kryesore këtu, për mendimin tim, është se mësuesi i gjinisë mashkullore nuk e ka fituar dot statusin tipik të zyshës, ose të mësueses në gjininë femërore.[1]
© Peizazhe të fjalës. Një version i parë i këtij shkrimi ka dalë në blogun Shqipologji; ky është versioni i dytë, i plotësuar.
[1] Një zhvillim tipologjikisht i ngjashëm ka ndodhur me prapashtesën –vicë në zonën e Peshkopisë, e cila përdoret për të formuar emra si dajavicë, me kuptimin “nusja e dajës”; por me kohë e ka “lëshuar” temën, por t’u pavarësuar në emrin femëror vicë/vica (e shqiptuar vëjc/vëjca, me diftongimin karakteristik të zanores së theksuar) gjithnjë për të shënjuar “nusen e dajës”. Kjo kushedi do të ketë lidhje edhe me faktin që prapashtesa –(v)icë përdoret, në të njëjtën zonë, për të emërtuar një grua sipas emrit të burrit, p.sh. Ferhatica – “gruaja e Ferhatit”. Vetë prapashtesa dhe përdorimi i saj specifik janë huazime nga sllavishtja (pas gjase maqedonishtja); por emërzimi i prapashtesës dhe specializimi i emrit për një kategori farefisnore (vica – nusja e dajës) po më duket si dukuri lokale. Të vërehet këmbimi i marrëdhënies: nga grua që emërtohet sipas burrit, në grua që emërtohet sipas pozicionit familjar në raport me subjektin e thënies ose kontekstin e saj. Sa më lart, me rezervë, ngaqë nuk kam bërë hulumtim të plotë.
“Zyshë” sot ka fituar edhe nje kuptim tjeter, ironik, kur perdoret per te epitetuar ndonje zonje qe perpiqet t’u jape mend te tjereve. Haset ne shprehje te tipit “mos bej si zyshe tani”. E kam lexuar ne shtyp referuar Topallit kur ishte kryetare e Kuvendit dhe e kam degjuar shpesh te perdoret me kete kuptim.
Me ngacmon ideja e zhvillimit te fjales “zyshe” si nje nevoje. Por si qendron kjo ide ne prizmin e asaj qe jugu por edhe zona te tera te Shqiperise nuk e perdornin si fjale. Ne fakt shumica derrmuese e gjeografise shqiptare nuk e ka perdorur. “Zyshe” eshte imponuar gjuhesisht, kryesisht nga Tirana, dhe me shume se imponim gjuhesor ka qene nje imponim kulturor qe Tirana e luante dhe e luan natyrshem.
A mund të më thuash si i thërriste mësueses fëmija në Jug? Unë kam dëgjuar “zyshë” në ca vende (si Gjirokastër), edhe pse do të ketë qenë importim nga Tirana.
Ne Fier mbaj mend qe i therrisnim “msuse” por edhe “mse”. Edhe ne Skrapar me thote nje kolegu im po e njejta gje. Ne Vlore gjithashtu. Kolegu im durrsak eshte i vetmi qe e therriste zyshe. Tirons po kerkoj neper zyre po s’po gjej dot megjithese jemi te Kont Urani 😀
Konfirmoj Peshperitesi-n persa i takon “mesues/mesuese” dhe posacerisht “mse” (“ta them une, mse”) ne Fier, por kujtoj qe edhe ne Korce “mesuese” i theshnim (ato ca muaj qe kam bere mesim ne klase te dyte).
Fjalen “zysh(ë)” une per here te pare e kam degjuar ne Tirane kur rrefenim mes kushurinjsh histori nga shkolla. Kaq te shtangur e kisha marre si emertim, saqe kur erdha ne universitet, kujtoj qe nuk me beri fare pershtypje kur nje shok kursi nga Tepelena e perdori edhe ne reference te nje pedagogu.
Akoma me tej, kujtoj se me vajtjen ne gjimnaz, mesuese/mse doli me shpejtesi nga perdorimi per tu zevendesuar me profesor (presor)/ profesore (presore).
Një përkujtesë e vogël: edhe pse titujt me të cilat i drejtohemi mësueses kanë interes edhe dialektologjik edhe sociolinguistik, asnjë prej këtyre nuk ka arritur ta kapërcejë barrierën leksikore dhe të pavarësohet nga burimi i saj, sikurse ka ndodhur me zyshë (në raport me zojushë). Dhe kjo nuk ka ndonjë lidhje specifike me dialektin tiranas – por ka ndodhur sepse zyshë ka përmbushur një nevojë përdorimi të caktuar.
Po shume e sakte kjo. Pyetja ime eshte se pse pikerisht ndodhi kjo ne Tirane dhe deri diku ne Durres. Jo me shume i shtyre nga ndonje ligjesi linguistike sesa nga ndonje ligjesi sociolinguistike. Po spekuloj dhe po them se kalimi nga “Zonjushe” tek “Zyshe” eshte ne njefare menyre kalimi nga formalizmi i ngurte tek informalia e shliret. Gegerishtja e folur ne Tirane pastaj, mund ta kete lehtesuar kete. Dmth do kete qene nje nevoje e brendshme e nxenesve ne Tirane, njefare subkulture shkollore. Dhe ky zhvillim pikerisht ne Tirane eshte disi paradoksal, sepse kryeqyteti mendohet te ishte me i serte ne keto rregulla. Ose pikersisht per kete ka ndodhur sepse kjo fjale nuk eshte ngjitur kurre ne nivel institucional por ka mbetur ne nivel bisedor.
P.S. Nga pervoja ime me nje djale qe erdhi ne Trane ne klasen tone nga Gjirokastra qytet, mesueses i therrisnin thjesht mesuese. Mbaj mend qe e kishte disi te sikletshme te kalonte kollaj tek fjala “Zysh”.
ja nje perdorim “modern” i fjales “zyshe”:
http://www.panorama.com.al/batutat-rama-e-keni-marre-garuzhden-ristani-se-sheh-veten-si-mashkull-je-zysha-e-qeverise/