Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

GJËRA TË THËNA, GJËRA PËR T’U THËNË

Bisedë imja me Alda Bardhylin, e botuar në gazetën “Shqip” të dt. 27 gusht 2015.

Rishikimi i vendimeve të marra nga Kongresi i Drejtshkrimit, ka qenë një ndër debatet që ka përfshirë këto vite akademikë, apo gjuhëtarë. A duhen rishikuar vendimet e marra nga ky kongres?

Jo, nuk besoj se duhen rishikuar. Përkundrazi, duhen studiuar dhe mbrojtur; dhe vetë rregullat e drejtshkrimit dhe të gramatikës së shqipes së shkruar duhen zbatuar me kujdes të madh, madje me detyrim në instanca formale të caktuara. Edhe pse Kongresi i atëhershëm e la të hapur mundësinë e një rishikimi të rregullave, mendoj se sot është momenti më i papërshtatshëm për të kërkuar reforma të tilla. Teorikisht, ka gjithnjë vend për ndreqje të rregullave dhe disa nga ndryshimet e propozuara janë të arsyeshme – por sa shanse ka që të zbatohet me sukses reforma në praktikë? Përvoja e vendeve të tjera europiane që janë përpjekur të ndryshojnë drejtshkrimin, si Franca, Gjermania, Holanda dhe Rumania, tregon se ndryshime të drejtshkrimit dhe më gjerë të normës, në kontekstin e një shoqërie pak a shumë të alfabetizuar tërësisht, sjellin kaos dhe përçarje dhe se janë të dënuara të dështojnë, siç edhe kanë dështuar pa përjashtim. Madje një numër ekspertësh të fushës besojnë se ndryshimet në drejtshkrim dhe në normën e gjuhës së shkruar mund të çohen deri në fund vetëm nga regjime autoritare. Prandaj mendoj se i vetmi efekt praktik i ndryshimeve në drejtshkrimin e shqipes do të ishte krijimi i dy standardeve gjuhësore, të ndara mes tyre sipas vijave krahinore dhe politike. Kështu ka ndodhur në vende të tjera, gjasat janë që të ndodhë edhe me ne. Aq më tepër që, në rrethanat kur arsimi publik dhe institucionet që kujdesen për shqipen nuk po arrijnë dot ta ruajnë standardin nga shkeljet flagrante dhe luhatjet marramendëse, çfarë shprese mund të ketë, objektivisht, se si shoqëri i kemi mundësitë që ta rishikojmë këtë standard dhe t’i imponojmë masivisht rregullat e reja? Kemi pasur diskutime të gjera në blogun “Peizazhe të fjalës”, këto 4-5 vjetët e fundit, për tema të tilla; të cilat i kemi pasuruar dhe thelluar, dora-dorës, me këndvështrime të shumanshme, çfarë ka garantuar edhe një progres të qëndrueshëm të debatit; ndryshe nga vend-numëroja që ndodh rëndom gjetiu në mediat shqip.

Ndryshimet në standard, ndonjëherë shoqërohen dhe me zëra për ndryshim të vetë standardit? Sa të rrezikshme janë këto ide?

Këto ide janë jashtë kohës, anakronike. Standardi është një sistem rregullash që ndihmojnë madje mundësojnë komunikimin në një nivel më të lartë se kafeneja e fshatit; para se të vendoset për ta ndryshuar, duhet të marrim parasysh pasojat e mundshme e një akti të tillë. Të kemi parasysh edhe se komunikimi – në nivelin makro – po zhvendoset online; dhe informacioni po komunikohet jo vetëm me shkrim, por edhe i ndërmjetësuar nga motorët e kërkimit. Google operon në nivelin e fjalës (leksemës): sa më e qëndrueshme të jetë struktura e fjalës, aq më i frytshëm komunikimi dhe sidomos shkëmbimi i informacionit në Internet. Shqipja është shumë mbrapa, sa i përket pranisë online – mjaft t’u hedhësh një sy zërave të Wikipedia-s. Energjitë që do të shpërdorohen, për përpjekje të tilla donkishoteske, në mos të dyshimta, më mirë të kanalizoheshin drejt projektesh të dobishme; duke filluar që nga alfabetizimi funksional i brezave të rinj. Nga ana tjetër, zërat për ndryshim të standardit mbeten, sot për sot, të motivuara politikisht edhe kur nuk synojnë riprodhimin e hierarkive akademike obsolete dhe kultivimin e interesave lokale; madje edhe ato që vijnë nga Kosova. Nuk mund të ndryshohet standardi si i tillë, me pretekstin se sistemi arsimor nuk arrin t’u mësojë fëmijëve shkrim e këndim. Përkundrazi, është qasja jonë ndaj gjuhës, si e mirë e përbashkët dhe hapësirë publike, që ka nevojë të ndryshohet; duke filluar që nga koncepti tashmë i kapërcyer për përparësinë e komunikimit gojor ndaj atij me shkrim dhe për nevojën e shqipes së shkruar që t’i rrijë afër shqipes së folur (diçka si “vija e masave” në politikën gjuhësore). Çfarë kemi vërtet nevojë, është të lëvrojmë shqipen paralelisht në disa regjistra dhe nivele – duke synuar diferencimin e këtyre niveleve dhe duke e zëvendësuar tundimin primitiv për “ndryshime” të rregullave drejtshkrimore me bindjen për pasurim stilistik të shqipes, në larminë e formave të saj. Kemi nevojë për pluralizëm edhe këtu ose opsione të llojit inkremental, në një kohë që zgjidhjet e ofruara mbeten drejtvizore, moniste, mendjengushta; edhe kur nuk frymëzohen nga axhenda separatiste dhe mllefe krahinore.

Në vështrimin tuaj, çfarë ka humbur dhe fituar gjuha pas Kongresit të Drejtshkrimit?

Në vitet 1960-1980, shqipes së lëvruar iu amputua gegërishtja letrare, kinse për hir të njësimit, por në fakt për arsye politike dhe ideologjike; kjo na kushtoi shumë shtrenjtë të gjithëve. Vetë kjo gegërishte letrare – ajo e Fishtës, Prenushit, Harapit, Koliqit, por edhe e Camajt, Pashkut dhe Pipës; dhe në një rrafsh tjetër e Gjon Shllakut dhe e Pashko Gjeçit – kish ardhur duke e humbur gjallërinë që me konsolidimin e regjimit totalitar; dhe, me kohë, ajo ngeci në diakroni, ose në tekstet. Për fat të keq, pas 1990-ës, të gjithë ata që i kishin mundësitë dhe përgatitjen për të rikuperuar shumëçka nga kjo traditë, parapëlqyen të bëjnë zhurmë politike, për rishikimin e standardit; ose humbën kohë me rivendikime dhe argumente populiste, të fokusuara në dialektin dhe në objekte të tjera të një këndvështrimi romantik ndaj gjuhës. Kjo ngjarje e rëndë për kulturën kombëtare që ishte represioni shpesh i dhunshëm i shkodranishtes letrare erdhi dhe u shfrytëzua si pretekst – do të thoja me cinizëm – për të kërkuar amatorisht ndryshimin e standardit, si një formë dëmshpërblimi “kulturor”. Sikur të mos mjaftonte kjo, standardit pas 1990-ës i humbi edhe prestigji, si variant gjuhësor “zyrtar”, ose i mbrojtur nga shteti; dhe nëse mbijetoi, kjo ndodhi për shkak të inercisë. Në këtë kuptim, shqipes së shkruar i ka munguar, të paktën këto 20-25 vjet, një autoritet i besueshëm dhe i respektuar nga palët, tek i cili të ankorohet standardi si sistem rregullash relativisht të detyrueshme, sidomos në rrafshin e shkruar; dhe këtu ka fajin e vet edhe shkolla, edhe në Shqipëri edhe e sidomos në Kosovë (më gjerë të gjitha këto i kam trajtuar në librin me ese “Fraktalet e shqipes,” Çabej 2007). Sikur të mos ishte për kanalet televizive me përhapje kombëtare, publike dhe private, situata do të kish precipituar krejt, sepse shkolla nuk arrin dot të imponojë ndonjë respekt për normën. Nga ana e vet, regjistri i shqipes së folur ka ndryshuar në mënyrë dramatike, për shkak të lëvizjeve të popullsisë dhe migrimit të brendshëm, shndërrimit të Tiranës në një “melting pot” mbarëkombëtar, ndikimit rrafshues të televizionit dhe shumëfishimit të elementit me prejardhje gege, veçanërisht nga Kosova, në televizion dhe në kulturën pop. Gabimi që bëjnë shumë studiues, opinionistë dhe propagandistë (këta të fundit me qëllim) është se vitalitetin e regjistrit të folur duan ta shfrytëzojnë si platformë për të markuar territore të reja në standard, ose për ta “xanun” edhe shqipen e shkruar.

Kultura urbane, po fiton çdo ditë e më shumë terren ndaj vlerave. Ku po e çon kjo shoqërinë?

Këto janë zhvillime të pashmangshme; pastaj, edhe në kulturën urbane mund të ketë vlera, dhe duhet të ketë vlera; vlera kulturore të mirëfillta, por edhe vlera etike. Qasja konservatore ndaj këtyre zhvillimeve, ose të parët e tyre si vetëm negative ose rrëgjuese, nuk do të ndihmojë shumë – përkundrazi, vetë kultura urbane herët a vonë do ta ndiejë nevojën për ta braktisur atë model të qeni dhe të dukuri, që po ia imponon tregu. Më duket me rëndësi, në këtë kontekst, që kultura urbane të rritet dhe të artikulohet në hapësirën e vet specifike, pa kërkuar t’ia zërë me çdo kusht vendin llojeve të tjera të kulturës – sepse agresiviteti në këto rrethana tradhton papjekuri; dhe gjithsesi nuk është shenjë gjallërie dhe dinamizmi, dhe aq më pak epërsie evolucionare.

Komunizmi, çfarë qe për gjuhën?

Në vend se për “komunizëm”, do të flisja më shumë për “regjim totalitar” – duke shtuar se ky regjim u përpoq që edhe ligjërimin publik shqip ta vinte në shërbim të ideologjisë dhe të synimeve të veta për të manipuluar masat. Kjo e drunjëzoi ligjërimin publik dhe, me kalimin e kohës, përçudnoi edhe subjektet e ligjërimit – deri në atë shkallë sa t’ua bënte të pamundur lirinë e të shprehurit. Nëpërmjet aparatit të vet propagandistik dhe trysnisë sociale ndaj qytetarëve të vet, regjimi u përpoq dhe shpesh arriti që t’i detyronte subjektet publike t’i nënshtroheshin krejt shqipes së përpunuar në ofiçinat totalitare, duke e shndërruar kështu komunikimin publik në një ritual riprodhimi të përkatësisë politike dhe të besnikërive ndaj pushtetit. Të gjitha këto i kam trajtuar me hollësi në librin tim “Shqipja totalitare” (Çabej, 2010).

Në Kosovë po mbahet këto ditë një Seminar për Albanologjinë. Duke u nisur nga rasti i Kosovës ku standardi duket se respektohet vetëm nëpër shkolla, pasi ai s’ka mundur dot të kthehet në gjuhë të folur, si duhet rishikuar ky rast?

Standardi i përket para së gjithash shqipes së shkruar; vetëm ata që nuk e kuptojnë mirë se ç’është standardi dhe si funksionon, duan që ta shtrijnë edhe në shqipen e folur, për disiplinuar mënyrën si flasin njerëzit. Kjo i bën ca të tjerë të ngrihen plot zemëratë dhe të protestojnë, me argumentin se “askush nuk më detyron dot mua t’i them tamlit qumësht.” Madje, disa shtyhen edhe më tej dhe, kur gabimisht kërkojnë ta zbatojnë standardin në shqipen e folur dhe pastaj konstatojnë se kjo nuk mund të arrihet, ngrihen dhe thonë se standardi nuk po funksionon dhe prandaj duhet rishikuar ose ndërruar. E gjitha kjo është sofistikë. Standardi i shkruar mësohet në shkollë, si në çdo kulturë tjetër të bazuar në shkrimin; ka gjithnjë elemente arbitrare, të cilat nuk ia vlen t’i vësh në diskutim. Jo se nuk mund t’ia vësh në diskutim, thjesht nuk ia vlen: kostot sociale do të ishin ku e ku më të larta se përfitimet. Sa për shqipen e folur, kjo është ende duke u normalizuar, duke përvijuar një standard të vetin, i cili është në kërkim të një identiteti që ta dallojë sa nga standardi i shqipes së shkruar, aq edhe nga dialekti gjeografik. Për shembull, është krejt normale, për shqipen e folur, që të përdoren forma të së ardhmes të tipit “do shkoj”; në një kohë që në shqipen e shkruar do të kishim “do të shkoj.” E ardhmja pa pjesëzën “të”, që do të ishte gabim në nivelin e shqipes së shkruar, është shndërruar në karakteristikë të shqipes së folur. Dhe kjo nuk ka të bëjë me dialektin. Edhe pse prirja sot është që dialektet dhe të folmet gjeografike t’ua lënë vendin dallimeve gjuhësore sociale, sërish shumë prej nesh “shqytarëve të shqipes” mbeten të obsesionuar me dialektin, fshatin dhe fjalët e rralla – ose pengje të një qëndrimi etnografik ndaj gjuhës dhe vetë ligjërimit, i cili ushqen pastaj prirje centrifugale; kam shkruar për këtë hollësisht te libri “Kundër purizmit” (Dudaj, 2012), ku jam marrë edhe me absurditetin e formulës “pastrimi dhe pasurimi i shqipes”, e cila përmban një kundërti elementare.

Si e shihni sot shkencën e albanologjisë?

Albanologjia po lëvrohet më shumë e më seriozisht jashtë Shqipërisë dhe Kosovës: në Mynih, në Vjenë, në Cosenza, në Palermo, në Napoli, në Romë, në Montpellier, në Leningrad. Përkundrazi, në trojet tona po bën “në vend numëro”, për shkak të hollimit që i është bërë dijes albanologjike nëpërmjet shumëzimit të institucioneve të arsimit të lartë, mungesës kronike dhe kritike të fondeve për të çuar përpara projekte madhore, ikjes së trurit të kualifikuar dhe mungesës së interesit nga brezat e rinj, për punë kërkimore në fushat albanologjike. Shteti tek ne praktikisht e ka braktisur albanologjinë, sepse prej saj nuk mund të mblidhen të ardhura; dhe unë nuk shoh si mund të dilet nga kjo gjendje, pa e përmbysur krejt qasjen aktuale dhe pa iu kthyer modelit elitar, të një grupi të vogël studiuesish të përzgjedhur me kujdes, të përgatitur për një kohë të gjatë në universitetet më të shquara të Europës e të botës dhe të financuar mirë, mundësisht nga një fondacion i specializuar. Përndryshe, sistemi i tanishëm i burokratizuar, ku të gjithë mbrojnë me zell doktoratura rutinë dhe botojnë me zell artikuj rutinë dhe mbajnë me zell kumtesa rutinë në gjithfarë konferencash dhe sesionesh shkencore rutinë, nuk kontribuon asgjë për albanologjinë në Shqipëri dhe në Kosovë, por veç sa ia garanton mediokritetin nëpërmjet masivizimit.

Ka një brerje të mendimit shqip në hapësirat shqiptare, si do ta vlerësonit rolin e intelektualëve në atë çfarë ndodh sot në fusha të ndryshme të jetës?

Intelektualët janë “mediatizuar”, ndoshta edhe pse nuk kanë rrugë tjetër, që të mbeten relevantë për jetën publike. Përndryshe, unë do të flisja jo vetëm për brerje, por edhe për shterpëzim: mungon fermenti, mungon gjallëria, mungon debati në nivelin intelektual – sepse i ka zëvendësuar teatri i debatit në televizion dhe në rrjetet sociale. Ka pastaj shumë intelektualë që besojnë se misioni i tyre është të merren me tema të politikës; duke harruar se politizimi është si një lloj inflamacioni, që shpesh nuk e lë kulturën të marrë frymë lirisht. Me traditë, së paku që prej Rilindjes e këtej, shoqëria shqiptare ka pritur prej intelektualëve të sillen dhe të veprojnë si mësues; mirëpo tani vetë roli social i mësuesit ka hyrë në krizë – anipse kjo nuk ka pse t’i shndërrojë doemos intelektualët në klounë për argëtimin e publikut. Sepse suksesi të themi në ekran mund t’i shërbejë mediumit dhe sponsorëve përkatës, por jo intelektualit vetë; i cili tek e fundit e ka për mision t’i bëjë njerëzit të mendojnë, duke i angazhuar në diskursin e vet publik; dhe jo t’i rehatojë këta, duke ua konfirmuar bindjet dhe dijet gjysmake, shpesh të induktuara prej demagogëve.

Si e gjykoni punën e Akademisë së Shkencave?

Akademia e Shkencave në Shqipëri më duket në kërkim të një identiteti; meqë e ka humbur atë të dikurshmin, por nuk i ka mjetet – burime njerëzore dhe financiare – për të fituar një të ri, në rrethanat kur vetë modelet dhe metodat e kërkimit shkencor kanë ndryshuar. Por nuk jam në gjendje që t’ia gjykoj punën, sepse Akademia e Shkencave është një institucion kompleks; veç po mjaftohem të them që roli dhe autoriteti i saj vështirë se do të mund të zëvendësohen nga gjakimet shpesh dritëshkurtra të universiteteve publike dhe private, tashmë të de-elitizuara nga maoizmi paradoksal i ekonomisë së tregut të zbatuar në arsim.

Si e shihni politikën e shtetit për sa i përket kulturës, deri ku duhet të jetë roli i tij, në raport me kulturën?

Me pak fjalë, mendoj se shteti duhet të çlirohet nga obsesioni me të historinë dhe monumentet; duke u përqendruar te kultura dukuri dinamike, ose riprodhim dhe pasurim vlerash në aktualitet, përfshi këtu edhe trashëgiminë e ripërtërirë në praktika kulturore aktive. Sepse duket sikur, për momentin, po mbizotëron prirja për ta asimiluar kulturën në trashëgiminë. Sikurse mendoj se turizmi dhe impulset tregtare për të fituar pará me çdo kusht, deri edhe nga Gjon Buzuku, duhen vënë në shërbim të kulturës, dhe jo e kundërta. Dhe më në fund, besoj se shteti duhet të mësohet që të mbështesë në mënyrë jashtëzakonisht selektive ato veprimtari kulturore për të cilat ka interes afatgjatë, në qoftë se nuk i ka mjetet për të mbështetur, krahas atyre veprimtarive që i interesojnë shtetit vetë, edhe nxitjen e interesit përkatës tek publiku. Që të mos ndodhë, bie fjala, që të financohen festivale të filmit ku nuk shkon askush në sallë, siç edhe ka ndodhur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin