Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Shkencë

PËR NJË ALBANOLOGJI TË MBËSHTETUR

Lexova me trishtim të madh thirrjen e hapur të prof. Ardian Marashit (drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike), drejtuar Presidentit Nishani, Kryetarit të Kuvendit Meta dhe  kryeministrit Rama, në lidhje me humbjen e statusit ligjor të QSA-së pas miratimit të ligjit “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

QSA është kthyer tani, de facto, në një institucion fantazmë, shpjegon Marashi; dhe po përjeton “gjendjen e falimentimit të pashpallur.”

Me aq sa mund të them kështu së largu, mendoj se kjo që i ka ndodhur QSA-së lidhet jo vetëm me dritëshkurtësinë sa karakteristike, aq edhe anti-intelektuale të politikës sot në Tiranë, por edhe me dobësimin e prestigjit të albanologjisë shqiptare, gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Megjithatë, arsyeja kryesore që albanologjia në Shqipëri ka marrë tatëpjetën është mungesa e mbështetjes financiare publike për veprimtaritë deri edhe më elementare, që duhet të kryejë një institucion akademik për të përligjur vetveten.

Kjo mbështetje i ka munguar QSA-së edhe kur e ka pasur statusin ligjor; prandaj nuk më duket se kërkesa e Marashit, për rikthim të statusit, do të ketë ndonjë ndikim në fatet e këtij institucioni. Në çdo rast, QSA-ja nuk do të mund të mbijetojë, si qendër e krijimit dhe e rrezatimit të dijes, në qoftë se nuk merr në mënyrë sistematike mbështetjen financiare të nevojshme për projektet e saj. Për fat të keq, midis rënies së prestigjit të institucionit dhe indiferencës me të cilën e ka trajtuar shteti tani vonë, është e vështirë të dallosh shkakun nga pasoja.

Publiku e ruan interesin ndaj albanologjisë, por nuk duket se shqetësohet shumë për fatet e QSA-së si institucionin që e sekreton këtë albanologji brenda Shqipërisë. Ky problem serioz dëshmon, të paktën për mua, se QSA-ja ka dështuar në marrëdhëniet me publikun teksa ka lejuar, nëpërmjet mefshtësisë së vet, që gjithfarë amatorësh, sharlatanësh dhe spekulatorësh të marrin në dorë, në sytë e njerëzve, flamurin e studimeve albanologjike bashkëkohore në Shqipëri.

Për t’u bindur për këtë, mjaft të hedhësh një sy në raftet e librarive dhe të lexosh faqet e gazetave dhe të revistave që botohen sot në Tiranë, ku budallallëqe dhe fantazi obsesive mendjesh të trullosura nga entuziazmi dhe obsesioni shpallen, si pa të keq, kryevepra të dijes albanologjike bashkëkohore; dhe autorët e tyre kremtohen si “mohikanët e fundit.” Një kulturë që ka pasur në gjirin e vet dijetarë të rangut të Çabejt, duhej të kish pasur një sistem imunitar aq të fortë, sa t’i flakte tutje marifete të tilla; dhe që kjo nuk ka ndodhur, nuk mund të mos bësh me faj QSA-në dhe përparësitë e saj.

E vërteta është që albanologët në Shqipëri e kanë parë të arsyeshme të tërhiqen nga skena publike dhe të merren me punët e tyre; ose edhe kur kanë dalë në publik, e kanë bërë për të çuar përpara beteja në të cilat vetë publiku nuk i ka përkrahur, sikurse ka qenë rasti me hapësirën që u është dhënë përpjekjeve për të reformuar drejtshkrimin e shqipes, në një kohë kur problem madhor nuk janë mangësitë e drejtshkrimit, por vetë të kuptuarit masiv të nevojës për të shkruar drejt, ose në mënyrë të njësuar.

Nga ana tjetër, edhe pse qendra e studimeve albanologjike tashmë është zhvendosur drejt Mynihut, Vjenës dhe Cosenza-s e Palermos në Itali, pa mbetur prapa as Prishtina; dhe studime të shkëlqyera në këtë fushë po ndërmerren nga dijetarë anembanë botës, nga Moska në Chicago, sërish studiuesit në Shqipëri mund dhe duhet të vazhdojnë të sjellin prurjet e tyre të pazëvendësueshme; pa çka se kjo mund të arrihet jo nëpërmjet konferencave të zbehta provinciale dhe ritualeve të tjera riprodhuese të hierarkive, por nëpërmjet studimeve të mirëfillta dhe botimeve me peshë.

Tek e fundit, institucionet akademike dhe universitare anembanë botës u qasen studimeve albanologjike nga këndvështrime të ndryshme dhe në përputhje me interesat e tyre specifike, që jo gjithnjë përkojnë me ato të publikut në Shqipëri.

QSA-ja i ka ende specialistët që mund të ndërmarrin studime peshërënda dhe të vazhdojnë kështu pa ndërprerje traditën e çelur nga brezi i dijetarëve që themeluan Akademinë e Shkencave të RPS të Shqipërisë, në 1972. Çfarë i mungon, është mbështetja financiare e garantuar. Megjithatë, nëse vazhdohet kështu, asnjë studiues ambicioz dhe i talentuar nuk do të pranojë të angazhohet më tej në projekte të një institucioni që e kanë lënë pa pará; dhe fundi i albanologjisë në Shqipëri do të shndërrohet në një profeci vetë-realizuese.

Për këtë arsye, më duket e pashpresë thirrja e Marashit, për ta kapërcyer krizën me mjete juridike. Çfarë duhet në këtë moment, është krijimi i një Fondacioni Albanologjik, të kryesuar nga një grup dijetarësh me emër dhe prestigj në publik, i cili të kujdeset për mbështetjen financiare afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të studimeve albanologjike në hapësirën shqiptare, pra në Shqipëri dhe në Kosovë – duke kërkuar dhe siguruar fonde nga burime publike dhe private anembanë botës dhe sidomos në shqiptarët e diasporës; si dhe për ruajtjen dhe pasurimin e thesareve materiale të administruara sot për sot nga QSA-ja dhe që i rendit Marashi në thirrjen e vet.

Dijetarët e QSA-së, studiuesit me eksperiencë dhe ata të rinj,  nuk ka pse të trokasin, si lypsarë, në dyert e shtetit, për të kërkuar fonde deri edhe për botimin e revistave shkencore të fushës. Ndërprerja e traditës, madje edhe në detaje, do të ishte me pasoja të rënda për të ardhmen e dijes shqiptare akademike. Një fondacion si ai që përmenda më lart do të shërbente si buffer midis dijes dhe politikës, duke u specializuar njëkohësisht edhe për të mirëmbajtur marrëdhëniet me publikun.

Pa Komente

  1. me strategjine e kerkimit shkencor ne 2008 u parashikua qe edhe QSA te ishte nje qender nderdisiplinore ekselence, duke mbledhur studiuesit me te mire nga institucione te tjera. Kjo mund te behet edhe me ligjin e ri qe parashikon krijimin e qendrave nderdisiplinore e nderinstitucionale. Nuk ka nevoje te jete nje godine per ta quajtur QSA, apo per te ofruar programe studimi master dhe doktoratura. Mjaftojne projektet e perbashketa. Para mund te kete nese albanalogjia vendoset ne prioritetet e qeveris.

    Nga ana tjeter, sikur edhe gjate qeverise se meparashme qe deshtoi ne krijimin e qendrave nderdisiplinore, pa para nuk behet gje.

    Problemi eshte se QSA po mbyllet me nje te rene te lapsit, pa nje vleresim mbi cilesine e studimeve ne QSA dhe eficiencen e perdorimit te burimeve (njerezore e parate). Nuk pam gjekundi ndonje raport te publikuar, pervec bisedave te kryeministrit me shoferin e taksise. Degjuam edhe per tema doktoraturash qe mund te impresonojne ndonje taksixhi mbi kotesine e tyre, por jo nje njeri me dy pare mend.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin