Pluralizmi në Shqipëri, së bashku me të drejta të tjera, solli edhe atë të grevës. Por si është ushtruar kjo e drejtë në vitet e tranzicionit dhe si e koncepton shoqëria shqiptare grevën? Pyetjet nuk janë të thjeshta, sepse këndvështrimet janë të shumta, por edhe lënda është e gjerë.
Ndërsa neni 50 i Kushtetutës së Shqipërisë ua njeh të punësuarve të drejtën e anëtarësimit në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës, ai i mëpasshmi trajton pikërisht të drejtën e grevës. Ja çfarë thotë Neni 51:
E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar. Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme.
Në vende të tjera, boja e shkrimit dhe vëllimet që i janë kushtuar grevës, si nga pikëpamja juridike, ashtu edhe socio-politike, janë praktikisht të pallogaritshme. Fjala grevë është përnjëmend e thjeshtë, por mënyra se si zbatohet në realitet dhe në kuadrin juridik është e shumëllojshme. Le ta themi që në fillim se greva është një akt i papranueshëm për sistemet totalitare, që nuk e tolerojnë grevën, e cila në thelb është akt proteste, që realizohet nëpërmjet ndërprerjes së punës. Kjo është aq e vërtetë saqë Fjalori i dikurshëm i shqipes e përkufizonte si:
Ndërprerje e punës për një kohë të caktuar, që organizohet nga punëtorët ose nga punonjës të ndryshëm të një dege to ekonomisë, të një ndërmarrjeje ose të administratës shtetërore në vendet kapitaliste e revizioniste për t’i detyruar kapitalistët të përmbushin kërkesat ekonomike të tyre ose për të detyruar qeverinë e klasat shfrytëzuese të përmbushin kërkesat politike të masave punonjëse
Praktikisht regjimi e konsideronte grevën si dukuri që mund të lindte vetëm në vendet kapitaliste, meqë klasa punëtore në socializëm ishte në pushtet, si rrjedhim nuk mund të bënte grevë kundër vetes.
Aktualisht greva konsiderohet e drejtë e punonjësve, një e drejtë individuale që ushtrohet kolektivisht (e këtu duhet dalluar liria nga e drejta). Por nuk mjafton përkufizimi juridik për ta hulumtuar ushtrimin e grevës dhe konceptimin e saj. Nga ana tjetër, sot kemi mundësinë t’i krahasojmë përvojat tona me ato perëndimore, siç bëri kolegu Lyss me shkrimin interesant “Dhe Zoti krijoi grevën“, ku në shkëmbimin e praktikave në botë ndërhyn elementi tjetër i rëndësishëm, siç është migracioni.
Që çështja e grevës nuk është e thjeshtë e vërtetojnë llojet e saj. Sepse ka grevë të përgjithshme, por edhe sektoriale, ose në një ndërmarrje të vetme. Me fjalë të tjera mund të kemi ndërprerje të punës në të gjithë vendin, ta zëmë në sektorin e transporteve, ose në ndërmarrjen e prodhimit të makaronave. Gjithnjë lidhur me mënyrat e zhvillimi të grevës, mund të përmendim grevën e bardhë, mjaft të njohur, që do të thotë zbatim skrupuloz i rregulloreve të punës, çka në praktikë përkthehet me ngadalësim të ritmeve të punës. Le të marrim shembullin e shoferëve të autobusëve. Në rast se do t’i respektonin verbërisht rregullat rrugore dhe ato të ndërmarrjes, që kanë lidhje me sigurinë dhe organizimin e punës, shërbimi do të ishte shumë i keq dhe pritja e qytetarëve do të ishte shumë e madhe.
E ashtuquajtura grevë me ndërprerje është ajo që zhvillohet me intervale të shkurtra, shpesh pa paralajmërime të posaçme. Por ka edhe greva të tjera që gjuha shqipe nuk i ka kodifikuar ende mirë, siç është ajo me fishkëllimë, kur orari i fillimit nuk njoftohet publikisht, ose ajo që e ndërpret punën në reparte e në kohë të ndryshme.
Po sipas qëllimeve si ndahen grevat? Së pari kemi kategoritë e mëdha: greva politike e greva ekonomike. E para bëhet për arsye politike, e dyta për çështje ekonomike. Një grevë kundër ligjeve që shkelin të drejta të caktuara hyn në kategorinë e grevave politike, kurse ajo që shpallet vetëm për rritjen e rrogës, mund të konsiderohet me plot gojën grevë ekonomike. Megjithatë ka greva proteste, por edhe solidariteti. Varet nga qëllimi që i vënë vetes.
Grevat në Shqipërinë në kapërcyell të sistemeve u zhvilluan në valën e kërkesave politike, të lirive themeltare të qytetarit, ndaj duhet të konsiderohen të tilla, edhe pse kishin brenda kërkesa ekonomike si rritja e rrogave dhe pensioneve. Mund të përmendim grevën e minatorëve dhe atë të përgjithshme në vitin 1991. Megjithatë, fjala grevë është përdorur në Shqipëri kryesisht në formën e grevës së urisë, që nuk ka lidhje me konceptin e ndërprerjes së punës, por të ushqimit. Një lloj greve që kërkon medoemos trajtim të veçantë, sikurse kërkon kapitull më vete greva në sektorin publik, ose në disa segmente specifike si ushtria ose forcat e rendit.
Sindikatat konfliktuale, që zakonisht kanë një vizion ideologjik të marrëdhënieve të punës në ekonominë e tregut, anojnë të shpallin e të nxisin më shumë greva se sindikatat që e vënë theksin kryesisht tek lidhja e respektimi i kontratave me palën tjetër.
Perceptimi i grevës nga ana e grevistëve, ose e qytetarëve të thjeshtë, varet gjithashtu nga komunikimi i synimeve të saj. Shpeshherë, vetë grevistët nuk e kanë të qartë përse mungojnë nga puna dhe përse shkojnë në manifestim, sikurse ndodh që qytetarët nuk e kanë idenë përse metroja ka ngecur në vend, ose përse në pikat e furnizimit nuk ka karburant. Në të dyja rastet e përmendura, defektet në komunikim janë shkaktaret kryesore, sepse punëtori që merr pjesë në grevë duhet të jetë i vetëdijshëm për zgjedhjen që ka bërë; dhe mundësisht t’ia komunikojë pjesës tjetër të shoqërisë për të marrë solidaritet prej saj. Mirëpo, ndodh shpeshherë që udhëtarët janë të nxehur me shoferët e autobusëve, sepse nuk i (mirë)kuptojnë arsyet e grevës. Fusha e transportit ka veçoritë e veta, ngaqë sikleti më i madh bie mbi supet e qytetarëve dhe më pak mbi ndërmarrjet e transportit.
Duhet të pranojmë se greva është një armë që kur përdoret i dëmton të gjithë. Punëmarrësin, por edhe punëdhënësin. I pari nuk paguhet me rrogë, i dyti humbet me ndërmarrjen. Por shpesh e hanë edhe të tretët: udhëtarët, klientët, pacientët, konsumatorët… Një palë mendon se normalisht e idealisht, sindikata duhet të kërcënojë me grevë, por tendencialisht nuk duhet ta përdorë atë, sepse bëhet fjalë për një armë finale, pra duhet të zgjidhet si extrema ratio. Por një palë tjetër sheh tek greva armën më të mundshme e më të përdorshme të sindikatës e të punëtorëve, mobilizimin e masave kundër pronarëve dhe qeverisë. Pluralizmi sindikal nuk është shpikje teorike, bazohet në konceptime të ndryshme të luftës për të drejtat e punëtorëve.
Idealja do të ishte që problemet e punonjësve të zgjidheshin pa e çuar punën deri tek greva, që e rrit detyrimisht konfliktualitetin social, si brenda ashtu edhe jashtë ndërmarrjes, si me punëdhënësit ashtu edhe me institucionet. Por nuk jetojmë në parajsë, as në shoqëri ideale, ndaj edhe grevat ekzistojnë. Përgjegjshmëria jo gjithnjë bën pjesë në bagazhin kulturor të palëve.
Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të zhvillohen analiza e vlerësime për grevën si formë e përpjekjeve të punëtorëve për të arritur të drejtat e tyre. Por ndoshta ia vlen të fillojmë nga këto të fundit, e nga koncepti i respektit të njeriut e punës së tij. Sepse në fushëbetejë edhe mund të shkosh, por duhet të dish përse lufton.
Pishak permendje Greven e Pergjitheshme te ’91 dhe vertet qe me kujtove gjera qe kane filluar te harrohen. Shume veta e kane harruar. Ajo shenon kulmin organizativ te levizjes sindikaliste ne Shqiperi edhe pse per mua pati edhe mjaft shprehje anarkosindikalizmi. Me tej filloi renia.
Kam marre pjese ne grupin organizativ dhe si gazetar kisha rolin e zedhensit te shtypit. Natyrisht nuk isha vetem. Ne krye ishin shefat e degeve te Sindikates, qe kryesoheshin nga Xheka. Shume vete nuk e dine se nuk jane zgjedhjet politike ato qe rrezuan qeverine e Nanos (qe doli nga zgjedhjet e para), por Greva e Pergjitheshme e Majit 91. Ishte ajo qe paralizoi vendin. Eshte e tepert te thuhet se me ate rast sindikatat e Pavaruara nuk benin thjesht sindikalizem, por politike. Me kujtohet se vume perpara si vjege rrenimin ekonomik te vendit, por natyrisht fillesa dhe nxitja e pare ishin ato qe u cilesuan si parregullesi te zgjedhjeve te para pluraliste qe u fituan nga komunistet (socialistet nuk ekzistonin ende).Programi qe shpalli qeveria e re ngjallte me fort frike e moskuptim. Natyrisht, une kam fletoret e mia, por shikoj se me shume kam mbajtur shenim anen komike. P.sh., nje nga kerkesat qe futem ne peticion ishte ulja e orarit te punes ne gjashte ore ne dite, dhe kjo ne nje kohe kur askush nuk punonte…
Shkurt u shpall Greve e pergjitheshme dhe mbi te gjitha u moren masat qe te mos leviste asnje makine dhe asnje tren ne te gjithe vendit. Kujtoj situatat e pabesueshme kur dilnim te kontrrollonim gjendjen. Bashke me druajtjen se mos hanim ndonje plumb qorr na shtinte frike fakti se megjithse e kishim organizuar vete paralizimim e vendit ishte krejt surrealiste tek udhetonim nate e dite ne te gjithe vendin dhe nuk shihnim asnje makine te levizte! Respekt absolut i porosive.
Mbas dy javesh qeveria ra dhe iu hap rruga Qeverise se Stabilitetit.
Me tej shkelqimi i sindikatave ra, filluan luftrat e brendeshme.
Nga ajo Greve mua me kane mbetur shenimet e mia dhe nje dekorim si Pishtar i demokracise, me te cilin kam qeshur aq shume kur ma sollen, por qe tani me vjen mire qe nuk e kam hedhur.
Lyss, bëre shumë mirë që e shpjegove Grevën e Përgjithshme të vitit 1991. Njerëzit pothuajse e kanë harruar. Pati rëndësi të jashtëzakonshme në goditjen përfundimtare të regjimit të kaluar. Megjithatë, kam frikë se ishte pikërisht ai moment historik që e vulosi përfundimisht idenë e grevës në Shqipëri, sepse e lidhi shumë me idenë e politikës, ndërkohë që greva mund të bëhet edhe për arsye shumë konkrete, ta zëmë për mbylljen e mensës në ndërmarrje, ose për mungesë të masave të sigurisë teknike, ose për pushimin nga puna të një kolegu. Për greva të tilla nuk kemi dëgjuar këto vite, megjithëse e përsëris, për mua greva është “extrema ratio”.
Do t’i kthehemi kësaj çështjeje komplekse, por ndoshta kemi të bëjmë me keqkuptim të rolit të sindikatave. Fakt është që sindikatat në Shqipëri kanë probleme serioze, shpeshherë janë vetëm sigla, çka më shqetëson relativisht kur mendoj problemet e rënda që përballojnë punonjësit shqiptarë, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë shtetëror.
Lyss, greva e pergjithshme e vitit 1991 nuk kishte asnje lloj lidhjeje me sindikatat, te cilat asokohe nuk ekzistonin! Ato qe ti quan sindikata ishin zgjatime te PD se sapokrijuar dhe i merrnin urdhrat drejtperdrejt nga Sali Berisha. Ishte thjesht nje levizje politike opozitare dhe jo greve ne kuptimin normal te fjales. Duhej nderruar me çdo kusht sistemi politik dhe per kete duhej marre me çdo mjet pushteti. Edhe une e mbaj mend mire ate periudhe. Meqe nuk na pelqeu rezultati i zgjedhjeve te para demokratike qe mbante ne pushtet komunistet, u vendos te dilnim ne greve per te rrezuar qeverine, per te sjelle PD-ne pushtet me “mjete demokratike alternative” dhe jo per arsye ekonomike.
Relapso, nuk po te kuptoj fare. Sindikatat per te cilat flas une jo vetem qe ekzistonin (dhe nuk e fshihnin se ishin te djathta, sikunder kishte edhe nje sindikate ekzistuese te majte qe sabotoi deri ne fund), por kishin edhe gazeten e tyre, qe e ke ne Bibloteken Kombetare ne Tirane bashke me kronikat e detajuara te zhvillimit te greves se Pergjithshme te Majit 1991. Veç gazetes, grupi i gazetarve prane komisionit nxirrte edhe nje buletin te perditshem me informacion nga te gjitha rrethet, buletin te cilin mund te ta siguroj per te te forcuar kujtesen.
Vertet je i paperseritshem kur thua se: “greva e pergjithshme e vitit 1991 nuk kishte asnje lloj lidhjeje me sindikatat, te cilat asokohe nuk ekzistonin!”
Fantastike!
Lyss, nuk po ve ne dyshim faktin historik se sindikatat asokohe juridikisht dhe formalisht ekzistonin, kishin zyra, kishin makina, kishin gazeten, kishin fonde, madje kishin edhe shume asete dhe prona qe i trasheguan nga ish-bashkimet profesionale (te cilat prona ti dhe une i dime fort mire sesi u administruan dhe sesi u privatizuan).
Me pohimin “sindikatat nuk ekzistonin” dua te them se ato nuk funksiononin si sindikata normale, por si krahu i armatosur i politikes, praktikisht i PD-se.
E mbaj mend ate gazete qe thua ti, madje kam pasur disa miq gazetare qe punonin ne te. Mbaj mend fare mire, per shembull, se urdhrin per greven e pergjithshme e dha publikisht Sali Berisha gjysme ore pasi doli nga takimi me ambasadorin amerikan Ryerson.
Qe sindikatat ne Shqiperi nuk kane funksionuar kurre si sindikata, por vetem si leva politike, kete besoj se ti e di me mire se une. Te kujtoj vetem nje episod. Nga mesi i vitit 1992 qeveria Meksi vendosi liberalizimin e disa çmimeve te konsumit te gjere (e ashtuquajtura shporte). Si pasoje çmimet u shumefishuan. Çmimi i bukes gati u pese-fishua brenda nates. Miqte e mi gazetare-sindikaliste atehere me treguan se si ua kishin mbyllur gojen fet e fet me disa metoda tipike te atyre viteve disa zerave te drojtur qe kishin permendur mundesine e organizimit te ndonje greve ne shenje proteste.
Lyss, thua se nuk me kupton, ndersa une habitem me moskuptimin tend. Edhe Edi Rama ta tha publikisht se ne Shqiperi nuk ka pasur dhe nuk ka sindikata. Pse te duket kaq fantastike kur ta them une?
Thua Relapso: “Lyss, nuk po ve ne dyshim faktin historik se sindikatat asokohe juridikisht dhe formalisht ekzistonin, kishin zyra, kishin makina, kishin gazeten, kishin fonde, madje kishin edhe shume asete dhe prona qe i trasheguan nga ish-bashkimet profesionale…”
Ketu pikerisht gabohesh, sepse kur ndodhi ngjarja ne fjale, nuk kishin asgje. Mezi u futen te nje zyre e boshatisur te Bar sahati, qe sherbente edhe si redaksi gazete te ciles dikush hyri naten dhe i vuri zjarrin. Nje makine te vetme qe kishim, na e fali nje miku im sindikalist italian, te cilin e mori te qaret nuk na pa si punonim. Ne ate kohe gjithçka e kishin ne dore Bashkimet Profesionale, sindikata e mepareshme e regjimit. Meqe realiteti kishte ndryshuar, me te drejte u kerkua qe ato t’u leshojne nje pjese sindikatave. Por kjo ndodhi vite me pas, me abuzimet e njohura nga te dyja anet.
A kishin sensibilitete politike sindikatat e asaj kohe? Nuk duhet treguar shume naivitet. Jetoj ne nje vend me te pakten 200 vjet jete sindikaliste dhe ka po aq sindikata sa ka edhe pole politike, pa llogaritur rastet e shpeshta kur nje pjese e punonjesve hidhen ne greve dhe pjesa tjeter (e nje spektri tjeter politik) eshte e pranishme ne pune duke e kthyer ne hiç efektin e levizjes se te pares.
Pak me shume realizem nuk i ben dem askujt.
Po shoh edhe nje fraze qe me kishte kaluar ku thua se urdherin per greven e Pergjitheshme Berisha e dha publikisht gjysme ore pasi doli nga takimi me Ryersonin.
Te gjithe mbajme mend se kur doli ai tha se nuk do t’i njohim zgjedhjet. Ku doli greva ketu? Me gjithe kusuret qe kishte Berisha, ai nuk ishte aq trap sa duke qene udheheqes partiak te shpalle greve. Une e kuptoj qe keto qe shkruan ti i bazon te kujtimet e tua te rastit, me kalimin e kohes gjerat e ngjarjet vendosen mbi njera tjetren, por realiteti eshte tjeter. Nje udheheqes partie flet e shpall mitingje dhe manifestime, madje ben thirrje edhe per ngritje barrikadash, po deshe, por do te qe karagjozllek te flase per greve, ajo behet vetem pasi merret miratimi i te gjithe degeve te sindikatave. Pra, eshte ekskluzivitet sindikalist.
Nuk eshte mire te shtosh vetem e vetem per te me nxjerre mua sikur po them gjera te paqena e te kurre ndodhura.
Po ashtu ne mbeshtetjen tende thua sikur edhe Edi Ramen qenka shprehur se ne Shqiperi “nuk ka patur dhe nuk ka sindikata”. Perseri nuk eshte mire te shtosh gjera te pathena.
Ja kronika e sakte :
I pyetur se si arriti që Shqipëria të bëhej një “mrrekulli e vogël ekonomike”, Rama tha se kjo është gjë e lehtë për t’u kuptuar. “Ne nuk kemi senat, nuk kemi sindikata, nuk kemi të majtë radikale dhe nuk kemi komikë në parlament”, tha Rama.
Pra, Rama tha “nuk kemi sindikata”. Ti i shton sikur ka thene edhe “nuk ka patur”. Te pakten Rama ka kujdesin te mos flase per gjera qe kane ndodhur ne nje kohe qe ishte ne Korfuz.
Me me duket e lodheshme te rri e te bej saktesime, pa llogaritur fraza ekspeditive te nje nderhyrjeje te mirafile qe thote se sindikata ishte “krijim artificial”, a thua se nuk ishte krejt ne llogjiken normale te zhvillimeve historike qe ne kushtet kur kishte nje sindikate te fuqishme te majte, te mos krijohej edhe nje tjeter e djathte?
Vertet qe nuk ndjihem i motivuar te diskutoj me tej, edhe pse do te kisha qejf te tregoj per ata qe paten ndikim te vertete ne Shqiperi, per Mishen, nje sindikalist gjerman me origjine shqiptare qe rrinte aty nate e dite dhe per rolin e disa sindikalisteve te shquar kosovare, qe kishin shume me teper pervoje , si ishte puna e skemes se organizimit te degeve dhe pse morem nje emer te ngjashem me ta.
Edhe une kam ruajtur ate ide qe shprehu mire Relapso me siper per ato levizje te ” sindakatave te tepapuneve” te asaj periudhe. Ne luften per pushtet te PD mungonte nje levizje sindikaliste per tu bere me e plot dhe e kompletuar skena opozitare ne shqiperi. Ishte nje krijim artificial.