Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Sociologji

TË VRASËSH ÇEKË

Për vrasjen e dy turistëve çekë në Dukagjin po flitet shumë dhe do të flitet edhe më shumë: kjo sepse askush nuk di asgjë për rrethanat dhe motivet e ngjarjes. Gjithë çfarë është thënë është spekulim; dhe analizat përkatëse, duke filluar që nga ato me natyrë antropologjike,  nuk janë të denja as për kafené.

Vrasja e kujtdo është ngjarje e rëndë; nuk ka nevojë për rrethana “rënduese” që të shqetësojë opinionin publik. Megjithatë, kur viktima të krimit janë turistë, të cilët duan parë si forma bashkëkohore e mysafirit, atëherë përgjegjësinë kryesore e mbajnë organet e ruajtjes së rendit, në zonën ku ndodhi ngjarja. Dhe nëse vërtetohet hipoteza e grabitjes, atëherë kemi të bëjmë me një krim të rëndomtë; pa çka se kjo nuk e bën gjë më pak të rëndë.

Të gjitha të tjerat vijnë më pas; dhe e fundit fare është natyra e vrazhdë ose egërshane e malësisë.

Dy tema më irrituan veçanërisht në atmosferën llapaqene të pas-vrasjes: çështja e besës, të cilën disa prej nesh e marrin akoma seriozisht; dhe shqetësimi i disave për prishjen e imazhit, për shkak të këtij krimi. A thua se vrasësve duhej t’ua kish ndalur dorën (a) rreziku i keq-interpretimit të besës proverbiale të shqiptarit dhe (b) shqetësimi se mos kështu nuk vijnë më turistë në Dukagjin ose në Shqipëri.

Nuk është vendi as momenti për analiza antropologjike të institucionit të besës, i cili funksionon në mungesë të çdo rendi publik dhe të çdo koncepti të sigurisë së personit; përndryshe është përrallë që as fëmijëve nuk u duhet thënë më. Besa, tek e fundit, është premtimi që i jepet tjetrit se nuk do ta vrasësh dhe as do të lësh që ta vrasin sa kohë që i ke dalë ti zot.

Nëse duam t’i qasemi vrasjes kështu, atëherë besën turistëve çekë ua ka dhënë shteti shqiptar, që i lejoi të shkojnë edhe atje ku lanë kokën. Prandaj unë do të prisja, si reagimin më normal pas kësaj ngjarjeje, që personi përgjegjës për rendin publik në Dukagjin të jepte dorëheqjen menjëherë, për paaftësi.

Nëse duam. Mirëpo nuk duam. Sot ishte dita kur u lakua poshtë e lart banori i Dukagjinit, herë si malësor e herë si malok; pa çka se kështu veç e përligjim krimin, në vend që ta refuzojmë. Arsyetimi që bëjmë është i çuditshëm: pasi janë vrarë dy turistë ose udhëtarë, ne nuk diskutojmë se si ndodhi kjo, por vetëm e vetëm se pse ishte e pashmangshme që kjo të ndodhte. Gjithçka mund ta quash këtë qasje, përveçse racionale.

FugaNuk është racionale as qasja konspiraciste (“nuk ka qenë vrasje për grabitje por për diçka tjetër”), të cilën ne e bëjmë për sport, sidomos në fundjavë; por edhe ngaqë informacioni nga organet e ruajtjes së rendit është mbuluar dhe mbytur nga zhurma e llafazanëve – përfshi këtu edhe mua. Kështu, mediat i bënin jehonë diçkaje që kish shkruar “akademiku Artan Fuga” në FB dhe aludimi që bën ky për ‘lojëra të rrezikshme’. Po a nuk janë ‘lojëra të rrezikshme’ edhe konspiracitë?

[Kjo që nxjerr në krye shënimet e prof. Fugës në FB, është e njëjta gazetë që pak më poshtë, nën rubrikën AKTUALITET, jep lajmin që “Teuta Hoxha: Nexhmija e quajti Ramizin tradhtar e nxitur nga Liljana Hoxha” dhe nën rubrikën ARGUMENT, merr në intervistë “Enki Bracaj, vajza që jep lajmet me gjoks jashtë.” E shtoj këtë për ta vendosur lajmin në perspektivë.]

Ka edhe zhvillime të tjera konspirative, të cilat sipas rastit tërheqin vëmendjen ndaj ‘serbit’; përmendin vizitën e Merkel-it; ose kërkojnë që të ndriçohet se çfarë bëjnë pikërisht çekët në kampin që kanë në Dukagjin.

Mediat tërhoqën vëmendjen edhe për një numër relativisht të madh fatkeqësish që u kanë ndodhur turistëve çekë në Shqipëri, që prej tetorit të vitit 2001: tetë të vdekur dhe të humbur, gjashtë të grabitur dhe dy të plagosur. Kush i shënjestron kështu çekët? A nuk është rasti për të formuluar një teori të re konspirative? Natyrisht jo. Mjafton kundërargumenti që në Shqipëri, gjatë së njëjtës periudhë, nuk ka humbur jetën as edhe një turist i vetëm nga Paraguaji.

Më në fund, dhe sikurse pritej, dëgjohen edhe zërat e të drejtëve, që kërkojnë “të (ri)kthehet dënimi me vdekje.” Në fakt, dënimi me vdekje në Shqipëri nuk është hequr ndonjëherë – veç është deleguar: kush do të guxonte ta kundërshtonte këtë?

 

Pa Komente

  1. Duke perfolur rivendosjen e denimit me vdekje jemi “njohur” bashke Xhaxha.
    Nuk do ta kisha ndare me blogun kete ngjarje sikur te mos kishte ndodhur 12 vjet me pare:(…
    Duket sikur jetojme ne nje karusel.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin