Në një artikull për zgjedhjet lokale tani së fundi dhe gjendjen e demokracisë në Shqipëri (Faleminderit, e dashur opozitë!, Panorama), Denar Biba i kthehet, mes të tjerash, edhe çështjes së partive dhe të partitokracisë.
Autori mendon, në thelb, se pa partitë politike demokracia moderne nuk mund të mbahet në këmbë. Shkruan:
[D]uhet të shpall pa ekuivok rëndësinë e partive politike në demokraci. Mund t’i shajmë e përçmojmë, por ato janë të vetmet struktura sociale që mundësojnë sendërtimin e demokracisë nga teori në praktikë. Mund të mos na pëlqejë që u delegojmë sovranitetin tonë për katër vite dhe u lëmë në dorë të marrin vendime për ne, e në emrin tonë, por duhet të jetë e qartë për këdo se fati i demokracive të drejtpërdrejta është të bien fillimisht në anarki, e më pas në autoritarizëm. Historia është një mësuese e mirë, ndonëse popujt shpesh janë nxënës të këqij. Demokracia është loja, partitë politike janë lojtarët kryesorë të saj.
Ky është pozicion i mbështetur në teorinë e demokracisë si sistem politik dhe i vështirë për t’u sulmuar me argumente teorike.
Çfarë mungon, në këtë argument, është ankorimi me realitetin shqiptar dhe historinë specifike të shtetit shqiptar. Dhe pikërisht, që sistemi politik i sotëm është sa rezultat i adoptimit shpesh mekanik i formave të demokracisë perëndimore – të cilat në vendet perëndimore janë përkundrazi fryt zhvillimesh disashekullore; aq edhe trashëgues i sistemit politik totalitar, ku një parti e vetme sundonte jetën e vendit duke pasur, për një kohë shumë të gjatë, mbështetjen demokratike të shtetasve.
Në Perëndim partitë politike, me gjithë kritikat që u bëhen ndonjëherë shfarosëse, janë shprehje e dinamikave sociale të shoqërive përkatëse. Përkundrazi, askush nuk mund të thotë se çfarë interesash mbrojnë pikërisht partitë politike të mëdha në Shqipëri: PS-ja, PD-ja dhe LSI-ja; përveçse po ta thjeshtojmë debatin dhe t’ia përshtatim atij tonaliteti populist (që qorton Biba në artikull), duke thënë se partitë politike janë ekipe të organizuara rreth krerëve përkatës; dhe se nuk shprehin as mbrojnë gjë tjetër, veç vullnetit të këtyre krerëve për të marrë pushtetin dhe për ta mbrojtur.
E përsërit: çfarë përfaqësojnë tamam, nga pikëpamja sociologjike partitë politike sot në Shqipëri? Cilat janë ato klasa, shtresa dhe grupe interesash, në shoqërinë shqiptare, që përfaqësohen dhe mishërohen në këto parti?
Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, mbase ia vlen të kujtojmë, në kontekstin e këtij argumenti, se sistemi i sotëm politik në Shqipëri trashëgon monizmin e vjetër – ku një parti e vetme, PPSh-ja, sundonte në mënyrë absolute politikën dhe krejt jetën publike në vend; duke qenë, ajo vetë, një organizim madhështor që synonte të mbante në pushtet klikën e Enver Hoxhës.
Është natyrisht e vërtetë që ngjarja më e rëndësishme në politikën shqiptare gjatë tranzicionit të viteve 1990-1991 ishte krijimi i Partisë Demokratike, si pasojë e protestave të studentëve kundër regjimit totalitar; dhe kjo Parti Demokratike lindi në atë kohë si shprehje e organizuar e protestës dhe e vullnetit të një pjese të qytetarëve për ta rrëzuar diktaturën. Ishte partia e të përmbysurve, të persekutuarve, të deklasuarve, të pakënaqurve, filo-perëndimorëve, anti-komunistëve; ose të gjithë atyre që ndiheshin të përjashtuar dhe të nëpërkëmbur nga monizmi.
Njëzet e pesë vjet më pas, çfarë ka ndodhur me PD-në dhe krejt sistemin pluri-partiak në Shqipëri? A ka vërtet kuptim të themi se PD-ja vazhdon të jetë shprehje e të persekutuarve, filoperëndimorëve dhe anti-komunistëve; ndërsa PS-ja dhe LSI-ja vazhduese dhe trashëguese të monizmit punist? Besoj se jo. Më e drejtë dhe e saktë do të ishte të thoshim se të tre partitë e mëdha janë tanimë vazhduese të PPSh-së; e cila është ndarë tashmë në tri pjesë në luftë me njëra-tjetrën. Çfarë më duket me rëndësi në këtë kontekst, është se do të ishte të paktën e nxituar që këtë segmentim tri-pjesësh (ose disa-pjesësh) ta quanim pluralizëm politik të mirëfilltë. Ky i fundit, që të ekzistojë dhe të mbështetë demokracinë, nuk mjafton të jetë thjesht reflektim në jetën i politike i vullneteve të pak individëve për pushtet ose i konflikteve mes fraksioneve të dikurshme; i duhet të artikulojë edhe dinamikat sociale, çfarë me “pluralizmin” shqiptar nuk më duket se ka ndodhur.
Çfarë artikulojnë pra, pikërisht, tre partitë e mëdha në Shqipëri? Edhe po t’i qasesh kësaj çështjeje nëpërmjet një analize të programeve politike, përgjigjja do të jetë njëlloj problematike – sepse këto programe politike janë në thelb të njëjta dhe të diktuara nga orientime “madhore” të politikës shqiptare, që nuk u referohen diferencave sociale dhe aq më pak atyre klasore. Orientimi ndaj Perëndimit, njëjtësimi me strategjitë dhe politikat euro-atlantike, vullneti për t’u futur në Bashkimin Europian, pro-amerikanizmi, neo-liberizmi, tërheqja me çdo kusht dhe pa asnjë kriter e investimeve të huaja dhe, deri diku, qëndrimet nacionaliste-populiste në favor të bashkimit të shqiptarëve në Ballkan, janë tipare të përbashkëta të këtyre programeve.
Atëherë çfarë i dallon këto parti, përtej leaderëve të tyre në përplasje me njëri-tjetrin? Të gjitha ato dallime që i sheh ndonjëherë të përvijohen – si ato me bazë gjeografike (Veri-Jug) ose fetare (myslimanë-të krishterë, myslimanë-ortodoksë) janë të tilla që, edhe po të konsolidoheshin aq sa të mos kundërshtoheshin dot më, nuk kanë të bëjnë as me demokracinë as me pluralizmin politik që i bashkëlidhet demokracisë. Nga ana tjetër, po të jetë e vërtetë çfarë qytetarët e besojnë gjerësisht, dhe pikërisht se partitë politike kanë akumuluar konsensus duke vepruar haptazi dhe sistematikisht si agjenci punësimi.
Për ta përmbledhur: edhe pa e kundërshtuar pozicionin e Bibës në artikull, për domosdoshmërinë e partive në demokraci, unë besoj se tre partitë e sotme që bëjnë ligjin në jetën politike të Shqipërisë, PS-ja, PD-ja dhe LSI-ja, janë vazhdim i monizmit punist a trashëguese të filozofisë politike praktike të PPSh-së; dhe gjithsesi, pluralizmi që shprehet nëpërmjet të diferencave që këto parti kanë mes tyre dhe në konfliktet që ato kanë mes tyre, nuk pasqyron ndonjë pluralizëm social të mirëfilltë dhe as mishëron grupe madhore interesash në shoqërinë shqiptare; prandaj nuk i ndihmon gjë demokracisë si të tillë, sa kohë që u paraqit qytetarëve, dhe zgjedhësve në rast votimesh, alternativa të rreme (pseudo).
Ne lidhje me shkrimin qe te sherbeu si premise xhaxha, pjesa e cituar, por edhe dicka me tej, eshte nje qasje sempliste e autorit, qe perndryshe meriton te shtjellohet shume me tej, por e kufizuar nga formati 2000 fjalesh i gazetes dhe lexuesi “i zakonshem” (shkrimi i referohet si “votuesi i zakonshem”) apo mesatar, te cilit i drejtohet dhe e kerkon.
Kurse arsyetimin qe ti terheq ne vijim une e ndaj plotesisht.
Cfare mund te shtoj eshte se rrota e historise nuk ka kthim pas dhe ne thjesht na duhet te perballemi me rendin e gjerave sikunder eshte, nderkohe qe mundesite per te pasur parti perfaqsuese shtresash dhe/ose ideologjish ne fillim te ’90 ishin aq te vogla, aq edhe te deshtuara, sic edhe provoi historia.
Partite politike jane ne thelb “grupe interesi”, por cfare i dallon nga fjala vjen nje organizate per mbrojtjen e kultures vllehe eshte ideologjia politike (dhe deshira per te marre pushtetin, por kjo eshte pasoje). Ne kete pike, ideologjite jane kryesisht per konsum (tashme s’di as se per ke, se publiku s’ka me veshe per ate muzike) dhe dallimet jane te zbehta. Ne gjykimin tim c’mbetet eshte vecse referimi tek individet, me shpresen (per dike edhe besimin) se elita e radhes eshte me profesionale dhe e pergjegjshme per interesat e shoqerise dhe atdheut.
Xhaxhai, nuk mendon se ka nje paradoks ne te kerkuarit e partive perfasquese nderkohe qe ata te cilet supozohet se do te jene te perfaqsuarit nuk e kane ende vetedijen se cfare perfaqsojne?