Meqë Shqipëria është në prag zgjedhjesh, m’u duk koincidencë edhe pse jo doemos fatlume një faqe që lexova, nga Ditari i shkrimtarit polak Witold Gombrowitz*, dhe që po e sjell këtu të përkthyer prej meje nga anglishtja:
Zgjedhjet gjithnjë më lënë gojëhapur. Dita kur vota e analfabetit vlen po aq sa edhe vota e profesorit, vota e idiotit po aq sa edhe vota e të mençmit, vota e lakeut po aq sa edhe vota e sundimtarit, vota e kriminelit po aq sa edhe vota e njeriut të virtytshëm; kjo ditë, pra, është për mua më e pështjelluara prej ditëve. Nuk e kuptoj si ky akt fantastik mund të përcaktojë, për vjetët e ardhshëm, diçka kaq të rëndësishme sa qeverisja e një vendi. Mbi ç’lloj përralle e mbështet veten autoriteti? Si ndodh që kjo rrejshmëri të ofrojë bazën e qenies sociale?
Kritika të tilla kundër demokracisë i dëgjon shpesh; dhe Gombrowitz-i vetë nuk përfaqëson ndonjë autoritet kushedi çfarë, në punë të politologjisë.
Nëse më bashkëtingëlloi me mendimet e mia ky pasazh, aq sa t’ia përcjell lexuesit këtu, kjo ndodhi për një numër arsyesh; ngaqë vetë nuk besoj se demokracia ka ndonjë kuptim në mungesë të qytetarisë dhe sidomos të qytetarëve; nuk besoj se demokracia mund të funksionojë si e tillë dhe normalisht, në shoqëritë moderne të dominuara nga mass mediat dhe teknikat e sofistikuara të manipulimit të mendimit; dhe nuk besoj në barazinë iluzore dhe statistikore, të sugjeruar nga parimi “një qytetar një votë.”
Gombrowitz-i shpreh një shqetësim të mirënjohur, që ka të bëjë me kontrastin midis pabarazisë mes individëve dhe barasvlerës së votës së gjithsecilit; por mua ky argument më bëri sakaq të pyes – retorikisht – se çfarë u duhet të bëjnë partive politike dhe shtabeve të propagandës elektorale, për t’u mbushur mendjen të gjithë atyre që, me logjikë, nuk do ta meritonin të votonin: ngaqë janë të painformuar, ose pa profil moral, ose duan veç të përfitojnë privatisht nga angazhimi publik i pjesëmarrjes në votim.
Çfarë budallallëqesh u duhet të thonë, çfarë gjepurash dhe gënjeshtrash, çfarë mirazhesh u duhet të premtojnë, çfarë teatri komik të luajnë para kamerave dhe me çfarë fytyre dhe maske u duhet të dalin para votuesve të transformuar në turma!
Pa folur pastaj se të gjithë këta analfabetë, idiotë, qelbësira dhe batakçinj, të cilët e shqetësojnë Gombrowitz-in, i gjen njëlloj të përfaqësuar si në masën e votuesve, ashtu edhe në emrat e atyre që do të votohen…
(*) Gombrowitz i ka shkruar këto radhë kur ende jetonte gjysmë i mërguar në Argjentinë, dhe pikërisht në 1958.
Plotesisht dakort me ju xhaxha. Per me teper, per mua, demokracia qe ne shqipot kemi instaluar eshte nje maskarallek dhe qe sigurisht ka per protagonist maskarenjte qe fatkeqesisht i shoh te shtohen perdite.
Shqetesimi i polakut nuk eshte legjitim perderisa cdo parti ka votues te te gjitha kategorive. Problemi qendron pikerisht tek i votuari, pasi votuesi realisht ka vetem celesat e kashtes. Standartet jane te mundshme tek ata pak perfaqesues, ne njefare menyre mund te thuhet; me trego perfaqesuesit te te them se cfare sistemi ke. Standartet krijohen nepermjet bashkepunimit te te gjitha shtresave shoqerore dhe natyrisht edhe elementit te huaj (qofte ne kuptimin pozitiv, qofte ne ate negativ). Gjithsesi, nese pranohet se sasia sjell cilesine, atehere demokracia del i vetmi opsion.
Ndoshta duhet ta vëmë autorin në kontekst: ai kish jetuar në Poloninë e Paraluftës dhe më pas në Argjentinë – dhe as njëri, as tjetri nga këto dy shtete nuk ishin modele të demokracisë. Më tej akoma, në vitet 1950 Polonia e qeverisur nga socialistët pompohej në botë dhe mes diasporës polake si “demokraci popullore”; në një kohë që diaspora vetë, edhe në Argjentinë, ishte kapur peng e nacionalizmit ashtu si veç polakët dinë të jenë nacionalistë (një përzierje e fanatizmit etnocentrik me fanatizmin katolik). Gombrowitz-i ishte anti-nacionalist, indiferent ndaj katolicizmit dhe shumë dyshues ndaj regjimit të atëhershëm në Poloni; dhe ashtu gjente ngushëllim veç tek elitizmi, me të cilin njëfarësoj edhe ishte mëkuar. Ky është konteksti, me sa mund të kuptoj unë; por pastaj gjithsekush nxjerr deduksionet e veta.
Votimi eshte nje shpikje anglo-saksone (nje shembull: https://en.wikipedia.org/wiki/Forty_Shilling_Freeholders) qe paradoksalisht marrosi jo vetem gjithe boten, por dhe te gjithe sistemet (aplikimi formal ne vendet e ashtuquajtura demokraci popullore -vendet e Lindjes- eshte prova ultime e kesaj marrosjeje nderplanetare).
Nuk duhet mbajtur mendja per asnje sekonde te vetme tek Votimi.
Politika emancipohet :
– nepermjet mendjes
– nepermjet rruges