Shkruan Borges-i për një personazh të vetin, dramaturgun Jaromir Hladik: “si çdo shkrimtar, të tjerëve ua maste virtytet në bazë të çfarë kishin arritur; teksa kërkonte që të tjerët t’ia masnin atij në bazë të çfarë kish ndërmend të bënte” (“Como todo escritor, medía los virtudes de los otros por lo ejecutado por ellos y pedía que los otros lo midieron por lo que vislumbraba o planeaba,” El Milagro secreto).
Të matesh me hijen e mëngjesit, thotë shqipja, që këtë herë tregohet më cinike.
Megjithatë, këtu nuk dua të flas për njerëz të sojit të Hladikut, lule që i gjen në çdo kopsht; por për një soj tjetër, që e kanë bërë zakon të mbijnë në të çarat e gardheve që ndajnë kulturën nga jokultura, ose pastërtinë e heshtjes nga pisllëku i zhurmës. Dhe pikërisht, për ata që të tjerëve ua matin virtytet në bazë të çfarë kanë refuzuar të arrijnë.
Çfarë ndodh, më shpesh se ç’kujtojmë, në rrethanat e kulturës së masës, ose të mediakracisë, e cila u ngjesh të gjithëve në fytyrë të njëjtin model suksesi – atë të daljeve në TV, të honorareve të larta, të kremtimeve zyrtare, të fotove gjysmë-lakuriqe, të shitjeve dhe pjesëmarrjeve në festivale ndërkombëtare, të “likes” në Facebook dhe të klikeve në faqe (që kanë zëvendësuar puthjet).
Dhe kështu, qëllon – sërish më shpesh se kujtojmë – që suksesi t’i bashkëlidhet neverisë; dhe që reagimi i vetvetishëm i kujt beson në fisnikërinë e vet dhe të së vetëve, është që t’i rrijë larg karnevalit.
Para pak ditësh, lexoja në ResPublica fragmente të një interviste dhënë nga administratori i Geraldina Sposa, Armando Peza, i cili ankohej se pothuaj të gjithë të ftuarit në një gala të kësaj firme e konsideronin veten VIP-a dhe kërkonin të trajtoheshin si të tillë, duke u shkaktuar kokëçarje të parrëfyera organizatorëve të sallës. Këto janë personazhet e të ashtuquajturit show business, që mëtojnë tribunat e elitave kulturore të momentit, duke e përligjur këtë me suksesin.
Dhe kjo lukuni VIP-ash në lëmin e komunikimit me publikun do të krijojë doemos edhe një shtresë anti-VIP-ash: njerëz të ndjeshëm dhe të kulturuar, me shumëçka për të thënë, që parapëlqejnë të tërhiqen, të mos flasin, të mbyllin jo vetëm sytë e veshët, por edhe gojën; dhe të sakrifikojnë suksesin e tyre – sa potencial aq edhe të merituar në rrethana të tjera – në shenjë proteste ndaj kopertinave me maskarenj të jetës kulturore publike sot në Shqipëri.
Këta mësohen ta masin virtytin e tyre, edhe etik edhe artistik, me aftësinë për të heshtur, ose për t’u mbyllur në manastiret që detyrohen të ngrenë, që t’u shpëtojnë “të egërve”; edhe kur nuk e masin me qëndresën që ia bëjnë urisë, varfërisë dhe përjashtimit.
Janë pena, duar dhe mendje të forta, të rafinuara dhe të ndjeshme, që nuk duan të ulen në të njëjtat tryeza ku ulen VIP-at; dhe as duan t’i flasin të njëjtit publik, që kanë krijuar VIP-at për vete; dhe ashtu mësohen, vit pas viti, që kënaqësinë e suksesit ta zëvendësojnë me ngushëllimin se kanë arritur të mos bëhen pis, ose ta shpëtojnë shpirtin.
Ndryshe nga ata që maten me hijen e mëngjesit, këta të tjerët qetësohen vetëm pasi të sigurohen se nuk po bëjnë fare hije.
Sakrifica e tyre meriton vëmendje dhe, deri diku, mirëkuptim, dhembshuri dhe respekt; aq më tepër kur të gjithë e dimë se show business në Shqipëri dhe tregu i kulturës janë organizuar në mënyrë të tillë që të mbështetin mercenarët bythëshpejtë dhe virtuozët e bullshit-it, teksa t’u zënë frymën të tjerëve, ose atyre që duke pasur diçka të njëmendtë për të thënë, rrezikojnë të marrin në pyetje dhe të vënë në krizë statu quonë. Por një gjë është ta mendosh këtë në mënyrë abstrakte, dhe një gjë tjetër ta përjetosh te një miku yt, që implodon në heshtje vetëm e vetëm sepse nuk arrin dot të eksplodojë në një kontekst që ai e percepton, dhe kushedi jo pa të drejtë, si nevojtore.
E megjithatë, sa komode që duhet të jetë kjo për ca të tjerë, që e kanë mikluar veten si “të mëdhenj” e që mungesën e guximit etik ose edhe thjesht të energjisë e të talentit duan ta paraqitin si protestë; dhe shterpësinë si refuzim… Aq komode, sa atyre që kanë vërtet talent dhe sakrifikohen vërtet në luftë me vulgaritetin e tregut dhe cinizmin e “të fortëve” që kanë marrë në dorë Shqipërinë, t’u paraqitet si rrezik po aq jetik, po aq komprometues, sa edhe ai që vjen drejtpërdrejt nga karnevali dhe teatri komik i show business-it!
Shpirti i ndjeshëm dhe i talentuar shpesh do të përfundojë – së paku metaforikisht – i pushkatuar, si Jaromir Hladik-u, i Borges-it; duke eliminuar mendjet që lëshojnë dritë, e tashmja vulgare nuk bën veçse mbrohet nga rreziku i krizave dhe i ndryshimeve. Por jo të gjithë morituri e kanë fatin e Hladik-ut, të cilit Zoti ia dhuroi një vit të tërë ekstra, mu në momentin kur po e ekzekutonin, që të mund ta përfundonte dramën e vet; teksa pjesa tjetër e universit priste, e ngrirë në një çast të vetëm. Madje edhe Hladik-u, i ndihmuar nga kjo deus ex machina, nuk arriti megjithatë që t’ia përcillte fjalën e vet publikut.
Dua të them: personazhi i artistit të pakuptuar, nëmos të pakuptueshëm, që i shtyn ditën në shoqëri të shishes, teksa qesëndis derrat e kënaqun të skenave publike, i përket ai vetë një skene: asaj romantike, të lodhur dhe tashmë të kapërcyer; Dhe nga ana tjetër, skuadra pushkatimi bëhen e zhbëhen përditë, madje ashtu ushqehet edhe vetë tregu i show business; por jo çdo skuadër pushkatimi po mblidhet për ty që më lexon; prandaj, edhe pse nuk dua të predikoj, nuk rri dot pa të thënë se ka ende kohë jo vetëm për ty që të flasësh, por edhe për mua që të të dëgjoj; dhe se përemri ne nuk ka kuptim vetëm kur e përdorin ata.
Ndersa per mua te heshtesh sot ne Shqiperi eshte art. Nga ai lloj arti qe veshtire te kapet e pastaj ti transmetohet edhe te tjereve nga pale te treta te interesuara per te. Dhe mbi te gjitha eshte nje art qe kerkon kurajo packa se ne pamje te pare te genjen per frike. Respekte per keta pjestare te ketij kulti nentokesor qe ne Shqiperi jane vertet shume po shume pak.