Në një artikull për mjerimin e shkencës në Shqipëri, Besnik Gjongecaj tregon një histori sa revoltuese, aq edhe të trishtuar.
Qenka mbajtur një Konferencë Ndërkombëtare për Tokën, dhe atje ministri i Bujqësisë i qeverisë së tanishme ka lexuar një fjalim “që vetëm ai e dinte se kujt i adresohej” dhe pastaj është larguar që andej në mes të eventit, pa dëgjuar asnjë nga shkencëtarët, “megjithëse toka është problemi më i madh i këtij vendi.”
Kam përshtypjen – por lirisht më korrigjoni – se braktisje të tilla janë shndërruar në pjesë të protokollit: ministra, deputetë, zyrtarë të lartë dhe politikanë që shfaqen në fillim eventesh shkencore ose kulturore, duke tërhequr një lukuni gazetarësh dhe kamerash me vete, por që pastaj largohen menjëherë.
A thua se pa e treguar fytyrën këta, historia do të mbetej pa ndodhur.
Vetë më ka ndodhur të kem qenë i pranishëm në një konferencë për diskursin publik në Shqipëri, ku dy ambasadorë – ai gjerman dhe ajo franceze – pasi na çanë arkitraun me fjalimet e tyre bajate dhe ndërsjellazi kompetitive për “integrimin”, u larguan që andej menjëherë, me shpurën e tyre dhe mizërinë e gazetarëve me kamera, që ishin shfaqur aty me shpresën se mund të vinte edhe “Rama”.
Fodullëk, arrogancë dhe kompleks inferioriteti – kështu e shpjegon këtë sjellje Gjongecaj, dhe nuk mund veç të pajtohem me të.
Unë për konferencat shkencore kam shkruar gjetiu dhe nuk është se i mbaj për shprehjen më të lartë të komunikimit mes specialistëve; por këto ngjarje duhen respektuar, sa kohë që organizohen; jo në vetvete, por për hir të atyre që marrin pjesë në to.
Sado të mërzitshme të jenë këto konferenca, sado përsëritëse dhe vetë-shërbyese, ato vijnë dhe i ngjajnë Simpoziumit të Platonit, po t’i krahasosh me seancat e Parlamentit, atë mbeturinë të estradës dhe të filmit komik të Realizmit Socialist.
Organizatorët e tyre i durojnë mysafirët shpërfillës në seancat e para sepse ashtu kujtojnë se i ngrihet “vlera” eventit; ose ngaqë ashtu eventi do të përcillet nga mediat; ose ngaqë ndihen të detyruar ndaj sponsorëve të tyre, politikë dhe financiarë.
Në fakt, një tubim albanologjik ku mora pjesë vjet dhe ku nuk erdhi asnjë nga “të mëdhenjtë”, u zhvillua rrjedhshëm dhe bukur, pa çka se pothuajse askush në Shqipëri nuk e mori vesh që po mbahej – sepse asnjë gazetar nuk kishte ardhur atje.
Përftohet një simbiozë perverse: politika e kalëron dijen dhe kulturën për të shkuar atje ku do, teksa këto të fundit kanë nevojë për politikanët dhe kamerat që i ndjekin si mizat kalin, që të marrin pak dukshmëri publike, si dëshmi se ekzistojnë.
Politikanët në Shqipëri mund të vuajnë vërtet nga fodullëku, arroganca dhe kompleksi i inferioritetit, si sëmundje profesionale; por fajin e kanë edhe ata të tjerët, që i përkëdhelin, i miklojnë, u krehin bishtin, ua konfirmojnë deluzionet dhe i bëjnë të ndihen të rëndësishëm dhe autoritarë edhe në fusha ku më shumë duhet të mbajnë vesh dhe të mësojnë me përulësi.
Dhe përulësia është e kundërta e inferioritetit.
Do me dukej cudi po te ndodhte ndryshe ne Shqiperi…perulesi, sa fjale e bukur… por ne Shqiperi e ngaterrojne me servilizmin