Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

RESPEKTIMI I TRAGJEDISË

Sot faqet online të gazetave italiane janë mbushur me lajmin për pafajësinë që gjyqi i njohu nënës që vrau tre bijat e mitura vitin e kaluar në qytetin italian Lecco.

Lajmin e kanë marrë rrufeshëm edhe gazetat tona, për faktin se nëna, Edlira Çopa, është shqiptare. Tragjedia e një viti më parë është trajtuar gjerësisht nga mediat italiane dhe shqiptare, ndoshta edhe kjo përbën një arsye për ta vijuar vëmendjen, edhe pse trajtimet nuk janë gjithnjë të njëjta.

Vetë mediat italiane e japin lajmin me disa diferenca. Shumica e tyre nuk e përmendin kombësinë e autores së krimit në familje që në titull, por ka nga ato që e kanë nënvizuar dyfish: në titull dhe në artikull. Nuk është e pavërtetë, por duke e vënë në titull vëmendja e publikut sikur devijohet drejt leximeve dhe interpretimeve të tjera. Tek e fundit, të saktësosh kombësinë e asaj nëne fatkeqe me fëmijë fatkeqë, nuk është se i shton ndonjë informacion të rëndësishëm njoftimit.

“Shqiptarja vret të tre bijat: i jepet pafajësia për ‘të meta mendore'” (Albanese uccide le tre figlie: è assolta per “vizio di mente”) titullon gazeta Il Giornale. Pak më ndryshe shprehet TGcom24: “Vrau me thikë tre vajzat e veta: i jepet pafajësia nënës së Lecco-s” (Uccise le sue tre bimbe a coltellate: assolta la mamma di Lecco). La Repubblica: “Lecco, vrau 3 vajzat e veta me thikë: merr pafajësinë. Gjykatësi: ‘Të meta totale mendore” (Lecco, uccise le sue 3 figlie a coltellate: assolta. Il giudice: “Vizio totale di mente”). Po japim së fundi titullin e një gazete tjetër italiane, Il Messaggero: “Vrau me thikë tre bijat, Edlira Copës i jepet pafajësia për paaftësi totale mendore, do të shkojë në burg psikiatrik” (Uccise a coltellate le tre figlie, Edlira Copa assolta per totale infermità mentale andrà in un carcere psichiatrico).

Nga një vështrim i shpejtë i mediave që dhanë lajmin në fjalë, këto të mësipërmet përbëjnë katër tipologjitë kryesore. Nuk ekziston vetëm implikimi etnik i lajmit, por edhe qëndrimi që mediat kanë ndaj drejtësisë. Nuk është vendi për ta vazhduar këtu diskutimin, por ky lajm hyn në një farë mënyre në debatin publik për dënimet e lehta të drejtësisë italiane. Në qoftë se titulli i parë i përmend pasaportën nënës, i dyti nuk e bën, por nuk shpjegon se përse iu dha pafajësia. Titulli i tretë duket më i plotë, sepse jep edhe motivimin e gjykatësit; por më shterues duket ai i fundit, ku shpjegohet se pafajësia është dhënë për aftësi totale mendore dhe se nëna vrasëse do të përfundojë gjithsesi në burg psikiatrik.

Ja çfarë shkruan që në titull gazeta Shekulli: “Itali, shpallet e pafajshme shqiptarja që vrau 3 fëmijët”. Pak më ndryshe duken titujt e gazetave të tjera: “Vrau 3 vajzat në Itali, shpallet e pafajshme 38-vjeçarja shqiptare. Do qendrojë 10 vjet në një institut psikiatrie” (Balkanweb), “Nëna shqiptare vrau tre vajzat. Gjykata: Të mbyllet në psikiatri” (Shqiptarja). Megjithëse kanë përcjellë informacion të vërtetë, dallimet mes lajmeve mund të bëhen pa vështirësi duke i krahasuar.

Tragjedi të tilla na detyrojnë gjithnjë të reflektojmë për qenien njerëzore dhe tragjeditë e saj të dhimbshme. Jo rrallë ndalemi të pafuqishëm për t’i shpjeguar logjikisht disa veprime njerëzore, që duken sikur dalin nga të çarat më të errëta të shpirtit. Gjithashtu, tragjeditë e lashta si ajo e Medeas na ndihmojnë deri në një farë pike për ta kuptuar natyrën e ndërlikuar të njeriut. Ndonjëherë nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’ua respektojmë dhimbjen familjarëve dhe të nderojmë kujtimin e viktimave, shoqëruar me lutje për ata që besojnë. Por respekt kërkon edhe publiku, sidomos kur bëhet fjalë për tragjedi të rënda e të jashtëzakonshme, të cilat tronditin thellësitë e ndërgjegjes, ndaj lajmet duhet të jepen me saktësi e në përputhje me etikën profesionale, por edhe me delikatesën e ndjeshmërinë e duhur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin