Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

SEKS I GOMUAR

Për arsye me siguri të shumta, por për mua megjithatë të paqarta, gazetat shqiptare online i japin përparësi marramendëse pornografisë – kushedi ngaqë ashtu i pëlqen publikut të tyre, ose ngaqë ashtu u pëlqen atyre që i përgatitin faqet, ose pronarëve përkatës, ose ngaqë paguhen për të vepruar kësisoj.

Të vjen keq të pranosh që titujt dhe fotot me natyrë haptazi pornografike rezultojnë më të klikuarit; sikurse të vjen njëlloj keq të pranosh që këtë publik që rend pas të ndenjurave lakuriqe të disa prej personazheve më vulgare të sferës publike shqiptare e kanë kultivuar pikërisht mediat, nën kujdesin e tutorëve gjithfarësh.

Kështu, gazeta MAPO tashmë e ka kapërcyer çdo lloj mase që mund të kish pasur më parë dhe i hap faqet e veta rregullisht me pornografi, siç mund të shihet nga disa shembuj që kam mbledhur tek-tuk këto ditë dhe që shfaqen menjëherë poshtë emrit të gazetës:

MAPO krye faqe

Dhe gjithashtu:

Mapo krye 3

Ose edhe:

mapo krye 2

Nuk mbeten mbrapa as gazeta të tjera, si shqiptarja.com, TemA, etj.; por asnjë prej tyre nuk më duket ta ketë arritur vulgaritetin e Panoramës, tek e cila ndesha një ditë në lajmin e mëposhtëm:

big brother

Lajmi bën fjalë për një “skandal lesbikesh në Big Brother”, duke iu referuar një lloj përzierjeje që paska ndodhur në programin televiziv të kanalit Top Channel; të cilin unë nuk e kam ndjekur ndonjëherë – por që ma merr mendja se paraqet ngjarje gjysmë të shtirura dhe të skriptuara, që u ngjasin disa personave që jetojnë së bashku.

Shikojeni skenën e paraqitur në foto dhe më thoni se për ç’arsye ia ofron atë Panorama lexuesve të vet. Vëreni pjesët e trupit të treguara, dinamikën e ngathët, pozat si prej manekinësh të hedhur kuturu në cepin e një magazine, tonin bardhezi prej filmimi nga ndonjë kamerë e fshehtë dhe përshkrimin kinse “eksitues” të titullit…

Skandal lesbikesh në Big Brother (dhe nuk po ndalem në implikimin homofobik që shpesh shoqëron pornografi të tilla, sepse nuk është vendi)! Dhe kjo reklamë karrem për një program televiziv komercial i ofrohet lexuesit si të ishte lajm – shqetësues, zbavitës, alarmant, you name it.

Vëreni të gjitha këto dhe pastaj pyeteni veten nëse kjo katastrofë e komunikimit publik paska qenë vërtet e pashmangshme.

Për fat të keq nuk kam dëgjuar të protestojnë për këtë shëmti të qëllimshme as OJQ-të e shumta e të mirëfinancuara që merren me të drejtat gjinore dhe veçanërisht të grave, as përfaqësuesit e feve dhe të organizatave fetare në Shqipëri, as të gjitha ato institucione që duhej të kujdeseshin për tutelën e të miturve, në emër të ligjit dhe në emër të etikës dhe në emër të shëndetit të shoqërisë shqiptare nesër.

Sikurse nuk kam dëgjuar të protestojnë institucionet dhe shoqatat që merren me mbikëqyrjen e mediave dhe trajnimin profesional të gazetarëve në Shqipëri.

Në fakt, po të ishte se kjo botë çudirash e gazetave shqip t’u përgjigjeshin sadopak realiteteve të jetës sociale dhe seksuale të shqiptarëve, kjo do të ishte gjysma e së keqes; por e vërteta është se bëhet fjalë për imazhe dhe personazhe artificiale, kukulla prej silikoni dhe kolagjeni, nëpërmjet të cilave brezit të ri kërkohet t’i tiposet një vizion i caktuar dhe krejt i shtrembëruar për jetën e përditshme, qejfin dhe seksualitetin; vizion i cili edhe qëllon të jetë i kalbur, ngado që ta marrësh.

Roli i moralistit më neverit; por nuk arrij dot ta kuptoj pse janë kaq të pakëta dhe të mekura zërat, nga elitat në pushtet dhe pa pushtet, që nuk protestojnë ndaj këtyre lapërdhive sistematike: jo në emër të censurës, as të hipokrizisë mikroborgjeze – por për ta ndalur këtë objektifikim të sëmurë të femrës, mishit lakuriq dhe seksualitetit sade.

Dhe jo, nuk ka asnjë arsye pse të konsiderohet kjo si shprehje dhe mishërim i domosdoshëm i  lirisë së fjalës; meqë edhe në vendet me tradita më liberiste në këtë fushë, si ato anglo-saksonet, pornografia është e rregulluar me ligj, përveçse edhe e kontrolluar nga decenca e opinionit publik dhe e organizmave vetë-mbikëqyrëse të mediave vetë.

Turp për të gjithë këta egërshanë që i mbushin qëllimisht e çdo ditë faqet e gazetave me ndyrësi të tilla; por turp edhe më i madh për të gjithë ata të tjerët të institucioneve publike dhe të shoqërisë civile, që rrinë indiferentë ndaj këtij shkatërrimi sistematik të normave të komunikimit dhe këtij dhunimi po aq sistematik që i bëhet figurës së gruas nga media e Tiranës, duke lënë të kuptohet se kushedi këtë synuan të gjithë ata që u përpoqën për fjalën e lirë dhe pluralizmin.

Pa kërkuar pastaj lidhje midis kësaj anomie të nxitur prej forcave okulte të tregut dhe krimit pasional dhe në familje; dhe as fatit të mijëra të rinjve, kryesisht femra, që detyrohen ta konsiderojnë seksualitetin e tyre si të ishte një lloj kapitali që ua kanë dhënë… mass mediat; dhe pa marrë as në pyetje legjitimimin që i bëhet, rregullisht në sy të publikut, pikërisht atyre patologjive sociale të seksualitetit që mund ta shkatërrojnë deri në rrënjë indin që e mban shoqërinë së bashku, duke krijuar dhe mirëmbajtur një elitë të mirëstërvitur akrobatësh të seksit; dhe që në fakt po e shkatërrojnë – mjaft të klikosh diku tjetër dhe të dalësh te kronika e zezë.

Po a i plasi vërtet kujt?

© Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.

Pa Komente

  1. Pikerisht sot, disa media ne Kosove kane bere publike imazhe nga dy video intime te gazetarit Sokol Balla. Deri tani, pervec disa portaleve te dores se dyte, asnje media kryesore nuk ka raportuar mbi kete lajm, ndoshta ngaqe vetem lajm nuk eshte se c’ben Sokol Balla ne privatesi. Nderkohe ka spekullime se Balla eshte shkarkuar nga Top Channel per shkak te ketij skandali, gje qe realisht eshte lajm dhe nga ato qe do duhet te shkaktonte reagime sepse ka nje standard te dyfishte per vajzat lezbike qe puthen ne ekranin e TOP CHANNEL dhe sjelljen e nje gazetari kur nuk eshte ne orar te punes. Imazhi dhe nderi i Top Channel-it preken njesoj ne te dy rastet. Po te kish qene brenda BB Sokoli kushedi nuk do na bente dhe kaq pershtypje.

    Edhe pse i gezohem faktit qe mediat kane “zgjedhur” per te mos u dhene vemendje videove dhe imazheve, nuk mund ta interpretoj kete si nje shenje se me ne fund etika profesionale po restaurohet ne gazetari, sepse jane po keto media qe i kane mbushur faqet dhe ekranet e tyre me soft porn, cka do te ishte e papranueshme nese etika profesionale do te praktikohej si e tille dhe pa dallim. Pra kjo heshtje nuk frymezohet nga sensi i etikes aq sa nga nje pakt mes “burrash”. Kur nje burre perfshihet ne keto lloj skandalesh i behet thirrje etikes, nderkohe qe per ata qindra vajza e gra qe ekspozohen per konsum epshesh etika nuk vepron, perkundrazi eshte zelli moralizues qe e furnizon kete karnival mishi.

  2. Xhaxhai: por nuk arrij dot ta kuptoj pse janë kaq të pakëta dhe të mekura zërat, …….për ta ndalur këtë objektifikim të sëmurë të femrës, mishit lakuriq dhe seksualitetit sade”

    Objektifikimi kam përshtypjen se është ulur këmbëkryq në shoqërinë shqiptare.

    (Ose të themi më mirë ulur këmbëkryq në mes të agregatit të individëve që vetëidentifikohen si shqiptarë. Me trishtim më duhet të them se mbase na duhet ta rishikojmë termin “shoqëri shqiptare” përderisa agregatit që përmenda i mungon tharmi për ta bërë shoqëri. Dhe atyre që revoltohen u them se “O sa mirë me qenë shqiptar, oe’, oe'” nuk mund të tharmojë individët në një shoqëri kompakte që identifikohet nëpërmjet vlerave të përbashkëta dhe jo thirrjeve onomatopeike).

    Të kthehemi tek objektifikimi: ai i gruas është mbase rasti më flagrant sa kohë që mishrat qarkullojnë ditën për diell dhe seksualiteti manipulohet nga editorë të paskrupullt mediash të cilët nën tituj perversë shpresojnë të rrëmbejnë ca më shumë lexues / shikues.

    Por ç’të themi për objektifikimin e qytetarit votues; qytetarit spektator; qytetarit ish fshatar të shpërngulur në rrethinat e qyteteve të mëdha nga katundi i vet; qytetarit të varfër të cilit televizionet nxitojnë t’i blejnë aparat televizori dhe lëngje frutash për fëmijët me aftësi të kufizuar; qytetarit të sëmurë në dyert e spitalit; qytetarit publik.

    Secili prej nesh, në mënyrë individuale dhe jo vetëm, është i objektifikuar nga pushtete ndikimi okult i të cilëve në jetët tona është tashmë i pashmangshëm. Politicentrizmi i agora-s sonë është vetëm një ndër çelësat e objektifikimit. Mollaqet serbes në faqet e para të meidanit tonë publik (duket si lojë fjalësh: media – meidan, por dua të theksoj që i referohem medias si meidani ku kryhet tashmë në mënyrë ekskluzive diskursi publik i Shqipërisë) janë një tjetër çelës objektifikimi.

    Dhe kur sidomos, në të njëjtin meidan na shfaqet fytyra e politikanit që na lyp votat dhe e mollaqes që na lyp zgërlaqjen vuajeriste, objektifikimi ynë arrin përmasën sublime dhe ne transformohemi kështu përfundimisht në grimcën e radhës që agregon me të tjera në një tretësirë që nuk tharmohet dot në shoqëri.

  3. Pikërisht, një shqetësim që kam ngritur edhe unë para ca kohësh me miqtë në FB, por që vazhdon të më “bezdisë” sa herë hap faqet e të “nderuarave” media.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin